21/12/2024

Kur Rugova ishte në Strasburg

0
Ibrahim_Rugova

Nga Gani Mehmetaj

Njerëzit erdhen nga Osloja e Stokholmi, nga Parisi e Londra, që të ndiqnin ceremoninë e marrjes së çmimit “Saharov”.

Me Shaip Latifin, veprimtar i LDK-së në Zvicër e Valdet Avdiun, vendosëm të shkonim në Strasburg, ku do të vinte presidenti Ibrahim Rugova në ceremoninë e dhënies së çmimit “Saharov”. Në gazetën “Rilindja”-botimi për Perëndim, ngjarjen e dhamë me mjaft pompë. U nisëm herët me makinë, që të arrinim me kohë në sallën ku do të bëhej ceremonia. Pas formaliteteve u futëm brenda, ku takuam qindra shqiptarë, të cilët erdhën për të njëjtin qëllim, të shihnin idhullin e tyre dhe të merrnin pjesë në një ngjarje me rëndësi. Hapësira evropiane nuk ishte e vogël, megjithatë njerëzit vinin nga Osloja e Stokholmi, nga Parisi e Londra, që të mos i përmendim qytetet gjermane apo ato zvicerane, të cilat nuk e patën larg Strasburgun. Kishte edhe shumë veprimtarë të LDK-së.

Nuk me kujtohet të ketë qenë ndonjë kamerë e Televizionit Shqiptar, apo e redaksisë së Kosovës pranë RTSH-së, përderisa dhjetëra kamera të tjera ishin të pranishme. Arsyeja duhej të qe, sepse RTSH-ja, redaksia e Kosovës, financohej nga Qeveria në ekzil, e cila tash sa kohë mbante marrëdhënie të acaruara me Presidencën. Thuhej se Qeveria ua ndërpreu financat Presidencës e LDK-së, pra nuk financohej asnjë aktivitet në Prishtinë, përderisa paratë derdheshin në Fondin e Qeverisë kryekëput nga simpatizuesit e LDK-së. Mbretëronte situatë absurdi që di të ndodhë vetëm ndër ne, sidomos këtij absurdi i printe fatkeqësia kur presidenti rrinte me seli në Prishtinë, kurse kryeministri në ekzil, kështu që në mes i ndante një bjeshkë pengesash, një armatë shushuritësish, të cilët i pëshpëritnin njërës palë dhe tjetrës, sipas interesave personale.

Por sido që të ishte, këto raporte do t’i hakmerren shumë Kosovës, sepse nuk kishte koordinim as për paqe dhe më vonë as për luftë, nuk kishte bashkërendim të veprimeve. Këtë raport e mendoja gjatë gjithë kohës, derisa bënim rrugë drejt Strasburgut. Me  këto acarime përballeshim çdo ditë: ne e shpallnim në gazetë xhirollogarinë e Qeverisë, ku mund të jepnin kontributet e tyre shqiptarët që jetonin në Perëndim, ato para pastaj nuk shpërndaheshin si duhet në Kosovë. Këto acarime manifestoheshin edhe në mes të simpatizuesve të LDK-së, e  vetmja parti që bënte punë në terren dhe organizoi shqiptarët në Perëndim si kurrë më parë. Partitë e tjera të vogla e të zhurmshme, që kishin anëtarësi sa një autobus ndërurban, nuk funksiononin, as nuk bënin asgjë, pos që e kritikonin Rugovën dhe e vajtonin situatën. Shpesh hidhnin në opinion opsione absurde qesharake e të dëmshme.

Derisa ne prisnim në një sallë, i jepej dikujt nga Indokina një çmim. Edhe në Indokinë pati  trazira e diktaturë si në Gadishullin Ilirik, edhe atje kishte liderë që përpiqeshin të nxirrnin popullin e tyre nga bataku.

Rugova me përcjellësit e vet erdhi në kohën e caktuar, u vendosëm në sallën ku duhej të fillonte ceremonia. Të gjithë prisnin, sepse shtypi perëndimor e theksonte se ky qe një çmim me rëndësi. Ajo që më bëri përshtypje qe ballafaqimi i Bujar Bukoshit me Ibrahim Rugovën. Në këtë ballafaqim jo vetëm nuk pati kurtuazi, jo vetëm që nuk u shpreh asnjë shenjë miqësie, megjithëse një partie i takonin, por besoj më lehtë do të bisedonin me një të huaj. Secili prej tyre e nxori nga një përshëndetje të ftohtë, akull, duke vazhduar secili në vendin e vet: Rugova në skenë, ku e ndriçonin reflektorët e fortë, duke pritur të niste ceremonia e shpalljes së çmimit “Saharov”, Bukoshi në karriget e shikuesve si qindra të tjerë.

Disa nga veprimtarët e LDK-së e rrethuan dhe e përgëzuan me eufori presidentin, por prapë nuk më kujtohet ta ketë përgëzuar Bukoshi. Më që pas përfundimit të këtij manifestimi secili shkoi në punën e vet. Rugova sigurisht pas takimeve të ndryshme me politikanë europerëndimorë dhe me veprimtarët e degëve të LDK-së në Gjermani, Belgjikë e Zvicër, do të kthehej në Prishtinë, ku dhuna ndaj shqiptarëve ishte bukë e përditshme, kurse Bukoshi në selinë e Qeverisë në shtetin gjerman.

U ktheva në Cyrih, ku më prisnin punët e përditshme sa i entuziazmuar që Rugovës iu dha një çmim me rëndësi, aq edhe i dëshpëruar me ato raporte të cilat se i vërejtën  edhe të tjerët, sepse gjatë rrugës e në hollin e Pallatit të Strasburgut, i përfolëm gjatë.

Bota e mbështeste politikën paqësore. Institucionet me peshë e burrështetasit me emër e nderonin presidentin Rugova, kurse një grusht njerëzish përpiqeshin t’ia impononin një koncept tjetër, por pa e pasur idenë se ku do t’i shihej fundi asaj aventure me pasoja.

Në çdo veprim ka plane të dyta e të treta, ata e shtronin vetëm një plan në mënyrë kategorike, por gjithnjë duke thënë: pse nuk e bëni këtë e këtë, përderisa ata nuk vepronin asgjë.  Një grusht njerëzish të gabuar në vendet e gabuara i jepnin të drejtë vetes të vepronin ashtu si vepronin në mënyrë diletante e të dëmshme.

Rugova m’u duk më i lodhur. Veprimtarët e LDK-së në mërgatë, megjithëse të entuziazmuar me ardhjen e Rugovës, disi ishin të heshtur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok