23/12/2024

KUR RA DËSHMORI I PARË I ZONËS…

0
Arben-Haliti

Homazh në përvjetorin e rënies së dëshmorit Arben Haliti, emrin e të cilit e ruajnë Brigada 122 e UÇK-së dhe në paqe ajo e TMK-së

NGA PREND BUZHALA

Shpesh është dëgjuar të përmendet emri i Arben Halitit (1976-1998) gjatë luftës çlirimtare e pas saj. Ai ra më 21 maj të vitit 1998. Me emrin e këtij dëshmori është pagëzuar Brigada 112 e UÇK-së e, mbas luftës, po kjo Brigadë e TMK-së e trashëgon emrin e tij. Familja Halitaj njihej në këto anë. Në kullat e tyre gjenin strehim çetat e Azem Bejtës, Sadik Ramës, Kamer Loshit, Nak Berishës e Myftar Dautit. Njihen luftëtarët në zë të Ozdrimit (si i thuhet ndryshe asaj pjese të Jashanicës së Epërme ku lindi Arbeni), sikundër janë Mal Ozdrimi, Mydtar Dauti apo Hysen Thaçi, që e luftonin Serbinë dhe i digjnin postkomandat  serboçetnike.

“Isha komandant i tij…Ai ishte dëshmori i parë i Zonës sonë. Kur i formuam batalionet e mandej edhe brigadat e luftës, gjatë vititi 1998, biseduam me komandant Abedin Rexhën e me Shabanin dhe morëm vendim që brigada 112 ta marrë emrin e Arben Halitit.  Ishte e para Brigadë çlirimtare në Kosovë që e merrte emrin e një dëshmori të UÇK-së. Këtë emër e meritoi Brigada jonë”, thotë Hashim Haliti (aktualisht kryetar I SHVL në Klinë), i afërm e bashkëluftëtar i dëshmorit.

AI I BËNTE ROJE FLAMURIT: “MOTËR, NËSE VDES, MBULOMËNI ME FLAMUR”

Arben Haliti u lind më 2 janar 1976 në Jashanicë të Epërme të komunës së Klinës. Në Klinë e ka kryer shkollën e mesme. “Më kujtohet kur na tha se donte me shkue ushtar. S’kishim ,kurrfarë dijenie se ka ndonjë Ushtri ndokund në Kosovë. ‘Mos po don me shkue në ushtri t’Serbisë,a’, I thanë. ‘Jo, edhe Kosova ka ushtri t’veten’ , na e ktheu Arbeni përgjigjen. Pra, ai ka ditur për UÇK-në para se ajo të dilte publikisht në skenë. Arbenin e kishim vëlla e prind, u burrnue shumë i ri, sepse qe 21 vjet na ka vdekë baba, Azizi. ‘Duhet me e çue krejt popullin n’luftë, se dikush po e dikush jo, nuk ban..S’asht gja me e dhanë jetën për liri. Ani, e gëzojnë të tjerët….Mund edhe të vritem, po ju s’ban me u mërzitë, se për Kosovë jam dalë me luftue’ na thoshte Arbeni”.

Kështu na  rrëfente para sa vjetësh motra e Arbenit, Bahtie Haliti. Kështu e kujton edhe sot atë bisedë me të vëllanë. Bahtija aktualisht është drejtuese e Këshillit të Lirive e të Drejtave Njerëzore në Klinë.

Ishte, ajo kohë, kur shumë të rinj mësynin botën e jashtme, por Arbeni nuk doli, qëndroi në Kosovë. Motra prapë rrëfen për të vëllanë dëshmor:

“Unë vetë, punojsha emblema të UÇK-së. ‘Motër, nëse vdes, me më mbulue me flamur’, ma la amanet. Kam lexue dikund se komandant Bekim Shyti e ka çmue shumë Arbenin… Më kujtohet, krejt ndihmat solidare, qëe vijshin prej Klinës e katundeve përret a prej anëve tjera të Kosovës, shkonin nëpërmes duerve e shtigjeve që I çilte Arbeni.Edhe komandant Abedin rexha – Sandokani, e ka dashtë shumë Arbenin”. Arbeni që I ri, thonë familjarët e tij, e ka dashur armën, të cilën e mësonte nga xhaxhai Rama. Bashkëluftëtarët e tij thonë se atë e gëzonin pa masë sulmet e para të UÇK-së gjatë vitit 1997 në Klisyrë e Vojnik e që I drejtomnin Adem Jashari e Abedin Rexha – Sandokani

(Paranteza e parë:

Le t’i lejohet autorit të këtyre rreshtave ta shënojë një episod të datës 18 shkurt, në cilësinë e korrespondentit të gazetës “Bujku”, kur qesh ndaluar e trajtuar nga policia për tri orë rresht me afro  70 udhëtarë të tjerë. Në përgatitjen e raportit ditor me titullin “Krisma armësh natën, keqtrajtime e ndalime…”, informatat që i mblidhja, i dërgoja në NKMLDNJ e në Komisionin komunal për Informim e mandej ato i ritheksoja si të atyre burimeve; shënohet edhe ky detaj: ”Mbrëmë, që nga ora 22 e 30 minuta, për një orë rresht, ka pasur rafale e të shtëna të pandërprera nga shumë lloje armësh. Pastaj, policia ka përdorë raketa ndriçuese për vëzhgimin e terrenit”. Mësimi nuk zhvillohet në shkollën e Jashanicës. Kontaktoj me telefon me redaksinë për gjendjen. Shtetrrethim e gjendje e rëndë në lagjën e Slivovëve, ku vjen e depërton një gru gazetarësh të “Bujkut”. Detaji nuk do të kishte rëndësi, sikur në reportazhin e po asaj dite të gazetës së 19 shkurtit, me titullin “A ka shpresë për Drenicën”, të mos e tërhiqte më vonë, vëmendjen një foto e gazetës, ku dërgoja shkrime, me shpjegimin: “Fëmijët vazhdojnë lojën, nuk njohin plojën serbe”. Në foto majtas, , duke lozur është edhe Arben Haliti si “fëmijë”, me kapelë në kokë. Kurse ai kishte marrë pjesë me bashkëluftëtarë në atë aksion!)

LUFTOI I PLAGOSUR GJATË TËRË NATËS, DERI NË FISHEKUN E FUNDIT

Prandaj, ai mars i stuhishëm i vitit 1998 atë e gjeti të rreshtuar në radhët e UÇK-së. Ishin hapur pikat e para luftarake: ato ishin fillimi i luftës së hapët me forcat serbe. Në ato istikame të hapura e pika lirie: “Pozita e këtyre pikave na impononte një organizim të mirëfilltë ushtarak. Arbeni e drejtonte njësitin diversant. Ishte shumë aktiv në betejat e zhvilluara në fshatrat e komunës së Skenderajt, si në Açarevë, Turiqec, Padalishtë, Çitak, Leqinë e Llaushë”, sqaron komandanti Hashim Haliti. Në marsin e po atij viti, nëna Nazmije, në një mëngjes të hershëm, kishte shkuar ta zgjonte Arbenin, sepse në kodrat e katundit kishte parë të ngritur Flamurin kuqezi. Po ku ta gjente Arbenin? Ai tashmë gjendej në roje praën atij flamuri, me uniformën e UÇK-së. “I kishte 21 vjeç atë vit, kur ai u ba ushtar”, thotë kjo nënëmadhe.

Nëna Nazmije i kujton ditët e fundit me Arbenin: “”Erdh shumë I lodhun natën. Shkoi e I tha jëetyonit me e zavendësue në roje. Piu çaj…E donte shumë këngën për Adem jasharin. Me një radio në dorë fjeti. Të martën shkoi në detyrë të luftës me shokë e prapë u kthye në darkë. Shokët e thirrshin: ‘O Uk!’ E ky iu thoshte se ‘Me marrë aksion pa mue, unë e la ushtrinë e shkoj në shpi’. Mandej ka shkue në roje e të mërkurën e mori bukën me veti, në shtab.”

Arbeni ka marrë pjesë në shumë aksione guerile. I lehtë, ai gjendej në ballë, në Istog, Shushicë, Shtupel. “Kudo ishim së bashku në aksione. Me ne ishin shpesh Pal Mirdita e Naser Halitaj…Një natë na u dha urdhëri ta kryejmë një aksionsë bashku me Arbenin, Palin, Anton Kitajn, Vilson Kitajn e Fatmir Hotin. U nisëm rreth orës tetë të mbrëmjes. Binte shi e një mot I tillë na përshtatej për aksionin që kishin ndërmend ta kryenim. Por duhej të kalonim nëpër sa e sa prita paramilitarësh e serbësh të armatosur, nëpër sa e sa pozicione armike. Këndonim gjatë rrugës. Kur arritëm në Krushevë të Madhe, u përballëm në pritjen e shkijeve. Ne ishim në një traktor. Zbritëm nga traktori e serbët e armatosur na bërtitën ‘Stoj!’ Por këtij kërcënimi sllavisht, ne iu përgjigjëm me pushkët tona të lirisë. Kemi hapur zjarr e aty kanë mbetur të vrarë dy serbë. Distanca ishte shumë e afërt. Kurse tre serbë të tjerë ishin të palgosur. Aty jam plagosur edhe unë me Fatmir Hotin (Fatmiri ka rënë dëeshmor, në betejat e mëvonshme). Shokët që na tërhiqnin netë polagosurve, Arbeni ka shkuar në drejtim tjetër, duke I mbajtur nën zjarr forcatt serbe, Arbeni nuk e njihte atë terren…Të nesërmen, më 20 maj 1998, është plagosur në afërsi të fshatrave Krushevë e Madhe e Rudicë, i rrethuar nga forcat serbe. Luftoi deri në fyshekun e fundit.”, tregon bashkëluftëtari e shoku I tij, Ali Kamberi. Të plagosurit ishin tërhequr me sukses, ndërsa Arbeni luftoi deri në fund, tërë natën. Të nesërmen, më 20 maj, ai ishte plagosur në gju. Ashtu është tërhequr, derisa forcat serbe arrijnë ta ngushtojnë rrethimin dhe, ashtu të palgosur rëndë, e arrestojnë. E kanë dërguar në stacionin e policisë, në Klinë. Aty, serbët me qëllim nuk i ofrojnë ndihmë mjekësore, së paku të trajtoherj sipas ligjeve të luftës, si “rob lufte” e mandej ta gjykonin. Vdes më 21 maj 1998, i likuiduar nga forcat serbe.

(Paranteza e dytë:

Edhe një rrëfim, në cilësinë e korrespondentit: ka të bëjë me raportin ditor “”në Klinë e rrethinë po zhvillohen luftime të ashpra,  Granatime, djegie shtëpish e plaçkitje masive”, të datës 23 maj. Luftimet kishin ndodhur në rajonet e Grabanicës e Çeskovës. Kishin rënë në Grabanicë dëshmorë Faruk Elezi e Myrtë Zeneli. Nga Grabanica ranë dëshmorë Isuf Morina, Arben Krasniqi e Xhezair Syla. Në Çeskovë ranë Arif Berisha e Ismet Morina… Shkëputje nëntiujsh nga raporti: Sulmohet fshati Zajm; alarm për mungesë ilaçesh e ushqimesh; shkolla fillore në Këpuz rrafshohet me tokë; motel ‘Nora’ kamp përqendrimi…Shkëputje nga raporti i botuar: “Gjatë dy ditëve të fundit flakët e luftës kanë përfshirë, pothuajse, të gjitha zonat e komunës së Klinës”. Në raport shkëpusdim edhe deklaratën e botuar të Prenkë Palushit, nga Krusheva e Madhe, të arrestuar po astë ditë nga policia serbe po aty ku luftoi Arbeni (Prenk Palushi tash është këshilltar i PDK në Asamblenë Komunale): “Na arrestuan katër vetava, mua fqinjin tim  Pashkun, djalin tim, Kastriotin e Filip Berishën….Të lidhur në pranga na dërgojnë për ta para kufomën e serbit të vrarë, Dalibor Llazareviq nga ky fshat. Na keqtrajtuan rëndë. Në stacionin e policisë, ku na dërguan neve dhe Arbenin, Arbenit gjoja i ofruan ndihmë, por rojat serbe thanë se ai vdiq nga gjakderdhja e tepërt”. Kurse tash, në maj 2004, e plotësojmë me pjesën e pabotuar të deklaratës së Prenk Palushit: “Aty, në prani tonën, e patën marrë Arbenin, e tërhiqnin zvarrë dhe e prunë tek ne të arrestuarit. Arbeni qëndronte stoik para atyre bishave. Nuk kam pare njeri më fortë. Vjen mjeku Vesko, gjoja për ‘ndihmë’ të plagosurit. Vdekja e tij, mendoj se erdhi nga torturat çnjerëzore të policisë serbe. Bartës kryesorë të këtij sulmi brutal, ishin serbët lokalë nga Krusheva e Madhe dhe Budisalci: Tiso Gashiq, Mihailo Karaveliq, Miqo Biqanin, Simo Karaveliq, Tomo Perunnoviq,  Gjorgje raiqiq etj”, përfundonte deklarata.)

Të nesërmen, më 22 maj, e hedhin kuformën e tij në Pogragjë. Arbeni varroset me nderime kombëtare e ushtarake. “Ishte ceremonia e parë ushtarake për një dëshmor. Aty merrnin pjesë nga Shtabi i Përgjithshëm I UÇK-së, nga zonat luftarake. Ne ishim vënë në pozicione për ta siguruar varrimin e dëshmorit tonë të parë”, I kujton ato çaste Hashim Haliti. Bashkëlulftëtarët e tij e çmojnë shumë luftën e trimërinë e Arbenit, sidomos qëmdfrimin e tij këmbëngulës, që gjithseso të shkojë në aksione e në beteja. Ani se në moshë të re, ai kishte ndërgjejgje të formuar kombëtare e luftarake.

(I botuar te “Epoka e re”, maj 2004. Shkrimi mban shënimet e atij viti kur u shkrua, meqë disa nga protagonistët më nuk janë ndër të gjallët.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok