Kur një popull zhduket me një të rënë lapsi
Nga Blerim Latifi
30 Janar 1923. Në Lozanë të Zvicres Turqia dhe Greqia arrijnë marrëveshje për shkëmbimin e popullatave dhe pronave të tyre: Grekët e Anadollit do të shpërnguleshin në Greqi, ndërsa turqit e Greqisë në Anadoll. Me një të rënë lapsi të gjithë shqiptarët muslimanë të Çamerisë u futën në kategorinë e turqve dhe fati i tyre u vulos përgjithmonë. Askush nuk u gjet aty për të protestuar kundër këtij kategorizimi etnocidal, ndërsa sot Çamëria është veç një toponim historik, ku të vetmet shenja të shqiptarëve të saj janë emrat e fshatrave që më nuk ekzistojnë, aty këtu ndonjë gërmadhë dhe varret e mbuluara nga vegjetacioni i egër. Dhe “Balada Çame” e Bilal Xhaferit, mbase poezia ma rrënqethëse që dikush ka mundur ta shkruaj për një popull të dëbuar nga toka e tij:
“Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive.
Dhe rrugët zgjaten e zgjaten në veri.
Ne, popull muhaxhir, ecim nëpër shi…
Lamtumirë, Çamëri!”
_________
Sa herë kaloj në këtë rrugë ndalem para tabeles që mbanë emrin e saj. E ndezi një cigare dhe kthehem pas në kohë. Bashkë me Xhemshirin ishim në Luftën e Kosharës dhe kush e di sa herë i thonim njëri tjetrit se bashkë do të ktheheshim në vendlindje.Ai kishte vite të tëra larg familjes dhe mallin e kishte shumë herë më të madh se timin.Por lufta është mizore, e nuk pyet për ëndrrat dhe ndjenjat njerëzore.Xhemshiri mbeti atje, mes Maleve të Kosharës, dhe rruga, të cilën ëndërronte ta shkelte në Kosovën e lirë, sot mbanë emrin e tij. Dhe derisa e lë pas tabelën, më vjen ndërmend Hymni i Fishtës për dëshmorët e lirisë:
O ata t’lumtë që e dhanë jetën!
O ata t’lumtë që e shkrinë vetën!
Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,
Butë u kjofshin moti e stina.
E der’ sa t’knoj n’mal ndoj zanë,
Der’ sa t’shndrisin diell e hanë.
Ata kurrë mos u harrofshin,
N’kangë e n’valle por u këndofshin.
_________
Një nga shkaqet pse në mesin e viteve nëntëdhjetë disa djem vendosën t’i rrokin armët kundër Serbisë, ishin edhe skenat e rrahjes së shqiptarëve nëpër stacionet policore. Ishin skena të ngjashme në pamje me këtë rrahjen e këtij djaloshit nga një polic i Kosovës: u thoshin të rrinin gatitu, pastaj një polic i godiste dhe policët e tjerë aty rrinin në rolin e spektatorëve që dëfrehen me dhunën.Nuk ka asnjë dyshim se Policia e Kosovës në radhët e saj ka shumë njerëz që uniforma dhe revolja në brez i bën prepotent e agresiv. Ashtu siç nuk ka asnjë dyshim se shumë raste si ky me këtë djaloshin heshten dhe fshihen nga publiku.Pamje të tilla një efekt e kanë të sigurtë: vazhdimin e rënies së besimit në shtetin e Kosovës. E kur ky besim shembet, njerëzve u mbetet veç një alternativë: t’i marrin rrugët e botës!
_________
Edhe në Suharekë ja paskan krisë alltijave në një tubim elektoral.PDK është duke gabu tepër shumë që po lejon gjuajtjet me armë nëpër tubime elektorale.Mesazhi i këtyre pamjeve është brutal, retrograd, jodemokratik, jocivil dhe, në fund të fundit, elektoralisht vetëvrasës.
_________
Një gjë e bukur dhe me vlera të mëdha në këto ditë të mbushura me thashethemnajë elektorale dhe me zymtësi të pandemisë që duket se kurrë nuk do të largohet. “Problemet e filozofisë”, njëri nga librat më të mirë të filozofit të famshëm britanik, Bertrand Russell, tanimë edhe në shqip. E sa për politikën Russell shkruante: “Politika ka të bëjë më shumë me tufat sesa me individët, dhe pasionet që janë të rëndësishme në politikë janë, pra, ato në të cilat anëtarët e ndryshëm të një tufe të caktuar mund të ndjehen njësoj”.