KUR FLASIM PËR AGIM MATON
Nga Timo Mërkuri
Kur flasim për Agim Maton nuk ia kërkojmë datëlindjen në certifikatën e gjendjes civile, ku me një kaligrafi fine është shënuar data 12 mars 1947. Kjo është datëlindja e njeriut, ndërsa ne te Agim Mato shohim poetin, ndaj për të gjetur ditëlindjen e tij, lexojmë vargjet që ai vetë ka shkruar me ngjyra deti: “[…] u mblodhën aromat e tokës, gjithë dritat, gjithë rënkimet e detit, meditimet e ullinjve, dhe krijuan mua… biri i brigjeve të gjelbra. Biri i rërës dhe i detit…” dhe aty kërkojmë një datë.
Agim Mato ishte një poet që jetën e tij e shtriu dhe e shkriu në vargje, madje dhe dhimbjen e persekutimit si bir i një të dënuari politik, si një krijues që iu hoq e drejta e botimit, madje gjithë privacionet e kohës çuditërisht i derdhi në vargje që rrëzëllejnë si ar i derdhur në kurora dafinash.
Është i vërtetë fakti që për gati 30 vjet ai heshti (si bilbili në degë) së botuari, por poeti nuk heshti kurrë së krijuari. Ai mblidhte në shpirtin e tij poezinë, siç mbledh mali në basemet brenda shpateve e gërxheve ujërat e shiut për burimet, poezi që do shpërthente me vrull pas viteve ..2009 kur pa dhe ndjeu që koha dhe shokët prisnin vargun e tij poetik.
Ai erdhi me vrullin e ujërave pranverore, me ngjyrat dhe meloditë e kësaj stine, madje këto i solli si: “[…] biri i brigjeve të gjelbra, biri i rërës dhe i detit / Fytyrën time nuk mund ta ndash kurrsesi / nga buzëqeshja e portokalleve dhe trungjet e menduara të ullinjve ...”, pa turfulluar hakmarrje e përmbytje.
Agim Mato u rikthye si poet jonian, me shikimin e tij plot dritë drejt të nesërmes, pavarësisht se mund të shkruante për të djeshmen a për të sotmen. Vargu i tij kishte një hapësirë të kaltër deti, plot jod e lule të vockla ulliri që ndjellin paqen edhe në mes të rrebeshit. Fjala poetike e tij është si një pulëbardhë, që me lojën e saj mbi valë, tërheq shikimin e meditimin, ngjall shpresë e buzëqeshje edhe te njerëzit e dëshpëruar.
Me poezinë e tij ai i dha formë e jetë stilit modern të poezisë joniane, duke i ngritur hymne jetës në mes të mortit, ngjyrosi me kaltërsinë e detit shpirtin e njerëzve, mbolli në jetët e tyre një … ulli, pavarësisht se prej tyre pati hequr …të zitë e ullirit.
Kur flasim për poezinë e Agim Matos, flasim për një hapësirë të kaltër, gati qiellore, plot yllësi metaforike apo njelmësi detare, që të fton t’i lexosh dhe rilexosh dhe të pyesësh veten se nga vjen kjo ngrohtësi në këto poezi. Ai e shihte veten si pjesë të detit, madje deti fillonte te zemra e tij për të vazhduar më tej, nëpër brigje. Kudo që shkonte, detin e merrte (metaforikisht) me vete, me valët e stërkalat e tij, me anijet e sandalet e peshkatarëve, me pulëbardhat mbi valë e myshqet në fund të detit. “Gjithë ditën fjalosemi me detin” pohon poeti te “Ode e fëmijërisë” se: -“Jemi ende fëmijët e tu të përjetshëm / shtangur para magjive jonike”.
Madje edhe ngritja në rang kombëtar dhe roli i një “institucioni poetik” të Klubit të Krijuesve Jonianë dhe të Manifestimeve poetike “Trirema joniane” lidhet me punën dhe përkushtimin e tij, veçse duhet të saktësojmë se: ky fakt s’ka të bëjë me ndonjë talent apo aftësi drejtuese e organizuese të lindur a të fshehur të Agim Matos. Kjo ka të bëjë thjeshtë me intuitën poetike të tij për rinovimin e përvojës së arritur, gjetjen dhe krijimin e kontakteve me poetët e duhur që lëvronin forma dhe stile të reja poetike në një nivel sipëror.
Kjo dëshmon faktin që “Klubi i Krijuesve Jonianë” u shndërrua në një qendër promovimi e prezantimi të poetëve shqiptarë dhe krijimeve të tyre, ndërkohë që poetët më në zë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Italia Jugore ishin “në shtëpinë e tyre” në Manifestimet e Triremës sonë Joniane apo në ngjarjet tona promovuese. Saranda mirëpriti poetë nga Spanja, Kroacia, Bosnjë Hercegovina, Qipro, Franca, Rusia, Siria, Tunizia etj. të cilët nxitonin plot dëshirë dhe kuriozitet drejt këtij qyteti me Klubin e Krijuesve Jonianë si “Farin e vetmuar në Jug”.
Në qoftë se Agim Mato mbylli sytë në 10 maj 2021, me këtë akt ai nuk shkoi drejt harresës, por hyri në mesin e atyre poetëve, të cilëve pikërisht në ditën që pushojnë së frymuari fillon e u përcaktohet pavdekësia.
Tashmë ne do hyjmë plot kujdes e vëmendje brenda vargjeve të tij, si në një galeri mali për të arritur, gjetur e marrë poezinë e vërtetë, si një madem xeherori të rrallë. Do të pasurohet së tepërmi ai që do gjejë qoftë edhe një copë të vogël nga ky “mineral”.
Pra, ju them: datëlindja e njeriut Agim Mato është një datë e regjistruar në gjendjen civile, datëlindja e poetit Agim Mato është në vitin 1969, kur botoi librin e parë poetik JUG, ndërsa prej 10 Majit 2021 filloi …”e vazhdon përjetësia” e tij.
Sarandë, prill 2022