22/12/2024

KUR FLASIM “MBI REGJINË DHE AKTRIMIN E KËNDUAR NË TEATRIN MUZIKOR”

0
Luigj-Nikolin-Gurakuqi

Nga Albert Z. ZHOLI, Shkrimtar-publicist

Libri “MBI REGJINË DHE AKTRIMIN E KËNDUAR NË TEATRIN MUZIKOR” është një libër sepcifik, tepër i veçantë, absolutisht profesional që vjen mbi regjinë dhe aktrimin e kënduar. Dhe si profesion dhe si gjini  të shkruari, autorët në këtë libër sjellin një histori ndryshe, një tematik të parrahur, një dritare të re të të shkruarit mbi teatrin muzikor, që vetëm një lexues tejet i kultivuar mund ta analizojë dhe ta bëjë pjesë të kulturës së intepretimit.  At’ e bir, së bashku kanë vënë afërsisht 100 opera në skenë dhe të dy janë nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, për këtë kontribut të çmuar. Qysh në krye të herës autorët theksojnë se: “Të flasësh për specifikën e operas si gjini dhe regjinë në teatrin muzikor, për veçoritë dhe specifikën e saj, për pikat nevralgjike që e ndajnë ose që e bashkojnë me dramën dhe regjinë teatrore të prozës, është e nevojshme t’i drejtohesh një problemi themelor, lidhur me SPECIFIKËN e vetë operas si gjini e veçantë e artit muzikor-skenik, me veçantitë e artit muzikor-skenik, me veçoritë që e bashkojnë ose e ndajnë nga arti skenik në përgjithësi”. Problemet e krijimtarisë, studimit dhe interpretimit të muzikës shqiptare sidomos asaj operistike, përbën një moment delikat për çdo krijues të kësaj gjinie, por dhe një habi për një njeri të zakonshëm. Për vetë specifikën e saj Opera, sipas përkufizimit klasik, “është një formë e artit, në të cilin këngëtarë dhe muzikantë performojnë një punë dramatike duke kombinuar tekstin (libreton) dhe bazën muzikore, zakonisht në një mjedis teatral. Në opera tradicionale, këngëtarët bëjnë dy lloje të të kënduarit: recitatativ, nje stil i influencuar nga fjalimet dhe arias, një stil më melodik. Opera përfshin shumë elemente të teatrit të folur, të tilla si dramën, poezinë, aktrimin, skenografinë, kostumografinë, dhe ndonjëherë përfshin vallëzim. Performanca zakonisht jepet në një shtëpi opere, e shoqëruar nga një orkestër apo një ansambël muzikor më të vogël, i cili që në fillim të viteve 1800, ka qenë e drejtuar nga një dirigjent. Opera është pjesë e traditës së muzikës klasike të perëndimit. Ajo ka filluar në Itali në fund të shekullit të 16-të (me veprën e humbur te Jacopo Peris’e Dafne, të prodhuar në Firence më 1598) dhe shpejt u përhapën nëpër pjesën tjetër të Evropës”. Në kapitullin e parë, SPECIFIKA E OPERAS SI GJINI, autorët përcjellin në mënyrë korrekte se, në opera dominon rregulli sipas të cilit, VEPRIMI ËSHTË MUZIKOR DHE MUZIKA ËSHTË VEPRUESE, ndërsa në teatër, veprimi nuk bëhet mbi muzikë dhe i diktuar nga muzika, atë e përcakton regjisori në provat e regjisë në studio dhe në skenë. Vetëm kur veprimi dramatik arrin kulminacionin, dhe fjala nuk ka se çfarë të thotë më, atëherë edhe në teatër hyn muzika për ta intensifikuar në maksimum emocionin e personazheve në konflikt. Në përcaktimin dedikues autorët theksojnë se “Krahas teatrit të dramës, kinematografisë, televizionit, edhe skena e operas është një protagoniste aktive e ideve të kohës, prandaj ndaj saj dalin detyra gjithnjë në rritje”.  Tek kapitulli dytë, KËNGËTARI-AKTOR I OPERAS NGA VOKALIZAT TEK REALIZIMI I PERSONAZHIT, autorët japin një përcaktim profesional mbi rolin e këngëtarit aktor të operas, të cilët e cilësojnë si  një qënie ontologike krejt të veçantë, të pangjashëm me askënd tjetër në botën e pakufishme të teatrit muzikor. Sipas tyre, këngëtarët i japin rëndësi të madhe anës vokale, teknikës së këndimit, por në mungesë të një regjisori profesionist, çfaqjet vuajnë nga mungesa e konceptit regjisorial profesionist, nga mizanskena të varfëra e statike, pa thellësi e mjeshtri të dobët aktori, pa larmi pozicionesh, me këngëtarë që më shumë luajnië për vete, se sa në marrëdhënie me partnerin.

Tek kapitulli I 3-të, PUNA E KËNGËTARIT ME DREJTUESIT E SPEKTAKLIT OPERISTIK, DIRIGJENTIN, REGJISORIN, VEHTEN, DHE ME PIANISTIN,  tregohet me hollësi rëndësia e punës së dirigjentit me këngëtarin, për ta edukuar këtë si pjestar të ndërgjegjshëm të kolektivit krijues. Duke qenë të dy regjisorë në Opera, autorët vërejnë se “rrallë herë gjëndet mes atyre që kryejnë degën e kantos në Universitetin e Arteve, bashkimi i zërit të bukur me teknikën e mirë vokale, dhe muzikalitetin e zhvilluar, cilësi të domosdoshme për një këngëtar të ri për të hyrë në rrugën e pavarur të krijimtarisë”.

Një kapitull shumë interesant është dhe kapitulli i 4-ët, PUNA INDIVIDUALE E KËNGËTARIT AKTOR ME VEHTEN, PIANISTIN, DHE AUDICIONI.

Në këtë kapitull mbizotëron ideja se “Këngëtari i operas para se të audicionojë një rol ai njihet me veprën në përgjithësi, me autorët kompozitorin dhe libretistin, me përmbajtjen e veprës, me realizime të ndryshme audio-video në teatro botërorë, pastaj futet në studimin intensiv të rolit duke filluar nga solfezhi ritmik, më pas vetëm solfezh ritmik me tekst, e në fund vendos solfezhin melodik me tekst”. I gjithë libri që mund të konsiderohet si një tekst i rrallë mësimor dhe studimor për Akademinë e Arteve përbëhet nga 14 kapituj. Çdo kapitull ka specifikën, dallimin, detajet për çdo pjesëtar të operas, punën në grup, ku specifikohet roli dallues i regjisorit. Si një gjini arti tepër e rrallë, opera ka një forcë magjike te spektatori, ku dhe shikuesi më i ri që e viziton për herë të parë këtë skenë, magjepset dhe bëhet një frekuentues i rregullt. Ky libër plot ritëm dhe  shkruar me mjeshtëri profesionale,  mbyllet me kapitullin,  REGJISORI, PUBLICITETI, DHE PUBLIKU, një trio që përbën bërthamën e suksesit të një opere. Të tri këto element janë të lidhur pazgjithshmërisht, jo vetëm në suksesin apo dështimin, por janë plotësues në rrugëtimin e shfaqjes deri në minutën e fundit. Për të qenë korrekt me sa më sipër, në libër theksohet me bindje se: “Regjisori nuk e mbaron punën e tij me mbarimin e provës gjenerale. Megjithëse teatrot kanë zyrat e tyre të marketingut me disa punonjës specialist marketingu me detyra të ndara, që produktin artistik kanë për detyrë ta shesin, regjisori me vënien e tij moderne apo klasike, ka në dorë të ndikojë në tërheqjen e shtresave të caktuara të publikut. Ai gjithnjë kur merr përsipër të verë në skenë një vepër, ka parasyh se cilës shtresë e grup moshe i drejtohet. Regjisori gjithmoni duhet të jetë i guximshëm me vënien e tij, e të synojë tërheqjen në teatër të të gjitha grupmoshave, bile edhe të atyre që nuk kanë shkelur kurrë në opera”.  Ky libër ka disa pika kulmore që përcjellin mesazhe të qarta etjeje për dije për studentët e Akademisë së Arteve. Një libër i shkruar me përkushtim dhe nga babë e bir, të cilët përbëjnë një binom unik, jo vetëm për ndërtimin e një vepre të tillë, por edhe për vetë faktin se ata për mëse 50 vjet mbeten  dy regjisorët më të lakuar në Teatrin e Operas shqiptare. Dy regjisorë që për kaq dekada kanë komunikuar bindshëm dhe plot elegancë me spektatorin më të kualifikuar shqiptar në të vetmin Institucion Operistik shqiptar. Nuk është as rastësi, as mbivlerësim të themi se, të vësh në të vetmen skenë shqiptare Operistike, operat më të bukura të botës dhe ato shqiptare, përbën një triumf magjik, që besoj se nuk do të përsëdytet në këtë tempull të muzikës klasike shqiptare.  Luigji dhe Nikolini, një duet karaktersitik, që me dijet e tyre të thella, seriozitetin, përkushtimin, njohjen e zhvillimeve operisitke botërore, me eksperiencën e tyre, me shënimet dhe vëzhgimet  e detajuara në skenë dhe pas kuintave, kanë ditur të sjellin sot atë libër që i mungonte tregut, por dhe librave studiues shqiptarë. Askush më mirë se këta të dy regjisorë nuk mund të na sillte në mënyrë kaq bindëse, kaq në mënyrë elastike një libër  që të tundon të bëhesh i dashuruar me Operan. Një meritë e madhe e tyre është se me stilin e komunikimit, me vizionin  e realizimit të veprave botërore, ata kanë ditur në mënyrë të përpiktë të komunikojnë dhe të bashkëunojnë me këngëtarët dhe këngëtaret më të mirë klasikë shqiptarë, ç’ka ka bërë që skena e Operas shqiptare të konkuronte dhe me ato Europiane. Duke e lexuar disa herë këtë libër them me bindje se, autorët po sjellin  para lexuesit një libër ndryshe, një frymë tjetër të të ideuarit të librit, një përgjegjshmëri në anën artistike të ndërtimit të veprës, duke na dhënë në duar një vepër të re, të palexuar më parë, që do shtrojë një rrugë të bukur për të gjithë ata që do studiojnë për këtë degë, sa të vështirë, por po aq dhe magjepsëse. E bukura qëndron tek e veçanta, që qëndron larg rrëmujës, larg zhurmave hallakatëse që të trishtojnë. Edhe ky libër është një aromë deti, një fllad mëngjesor, që të frymëzon dhe të ndriçon një irrugë të panjohur që duke e lexuar, bie në dashuri me të. Kjo sepse, ky është libri i parë i këtij lloji që flet në mënyrë profesionale për regjinë dhe aktrimin e kënduar në opera dhe specifikat e saj si gjini.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok