21/12/2024

KUR FESTA S’ËSHTË PËR TË GJITHË, KUJTOHET THEMELIMI I PARTISË DHE ARRESTIMET E SAJ

0
Visar-Zhiti-Arrestimi1

NGA VISAR ZHITI

Të jesh arrestuar në 8 nëntor, shumë vite më parë, kur në këtë datë përkujohet themelimi i Partisë së Punës, dikur Partia Komuniste e më pas Partia Socialiste e Shqipërisë, pra të jesh i arrestuari i kësaj partie, ka një dualitet të rënde në festë, qoftë dhe në fetën e pa shpallur dhe të braktisur të saj tani ashtu siç e kishte të fshehtë dhe vetë themelimin …

Pushteti i asaj partie dënonte kundërshtarët e saj dhe përndiqte këdo që e mendonte si të të tillë..

Nëse tani, përkujtohet shëmbja e Murit të Berlinit, që ndante mirzorisht botën dhe njerëzit dhe perandoria komuniste ka 3 dekada që ka rënë, pra kur nderohen viktimat, qëndrestarët, disidentët, kundërshtarët, martirët e totatalitarizmit, të ngresh në qiell, qoftë dhe për ca ditë, heronjtë vetëm të asaj partie, kauza e së cilës solli rrënime të vendit dhe gjak të popillit, pra jo heronjtë përbashkët të atdheut dhe lirisë, pavarsisht bindjeve, para të cilëve biem në gjunjë, pra ndarja e heronjve dhe ngritja tendecioze e disave, është hap pas, akt i pa pranueshëm, antihistorik, me pasoja në besim dhe moral. Dhe ndoshta jo vetëm kaq. Dhe përgjegjësia është e përbashk:et.

Po sjellim këtu pjesë nga burgologjia “Rrugët e ferrit”, ku rrëfehet se si është përjetuar një arrestim në atë ditë, në 8 nëntor, që ndryshoi tërësisht rrjedhën e një jetë, por dhe gjithë jetën e vendit.

Kështu nis, nga ndjesitë e para të gjithkujt……

ARRESTIMI NË RRUGË:

Më arrestuan në ditë feste, më 8 nëntor, në mesditë…

Sipas një ligji të pashkruar, në data të tilla të shënuara nuk duhej të bëheshin arrestime, të mos dukeshin pranga në festë, jo egërsi e qen policie, por, edhe nëse do të ishte i shkruar, nuk ndryshonte gjë. Thuhej se përjashtoheshin rastet flagrante, por gjithsesi të mos prishej hareja, se populli duhej të gëzonte medoemos, madje me forcë. Brohorimat, vallet, fjalimet, ai ngazëllim gjeneral, si mund të turbulloheshin, kur për to ishte derdhur gjaku lumë? Natyrisht, që të ndërtohej një botë e re, socializmi – dhe ku? – në gojë të ujkut, mes armiqve të jashtëm e të brendshëm…

– Ej, ti, ec me ne!

Pse, mbaroi festa, pa filluar? S’do të kishte veprimtari të tjera, tjetër akt, vetëm kaq? Ç’ishte kjo e ndalur në rrugën kryesore, afër sheshit të qytetit verior, Kukësi i Ri, ku që prej disa vjetësh punoja si mësues, por larg, pas malit të parë, edhe më larg, pas malit tjetër, tjetrit, male prapë, në fundin e botës?!…

Një arrestim, jo shumë larg urës së madhe, ku ujërat e dy Drinave, i Ziu dhe i Bardhi, megjithatë nuk dremitnin. (Lumi fle, por jo armiku, thoshte proverbi popullor).                        …S’m’u dha të kundërshtoja, ndoshta ngaqë e njihja thirrësin, një gjatosh i zbërdhulët si negativ, operativi i zonës. Por po bënte të ashprin… ai e mbante dorën të rrasur në xhepin e xhupit dhe një si tytë formësohej aty. Revolveri…    Po këta njerëz përreth, të rastësishëm? Pse po më shikonin aq vëngër?

– Futu! – gati më shtynë.

Te vendi përpara, anash shoferit, një qenie e trashë dukej si e plandosur. Ndërkohë dhe na priste. Ku e kisha parë? Qytet i vogël, të gjithë njiheshin… nënkryeta… Dega e Punëve të Brend… Në ndenjësen e pasme të makinës, në anë, qe strukur një polic (po ky, çne?!), që nxinte si perdja e zezë mbi xhamin e mbyllur. Dhe menjëherë ndjeva një të shtyrë. Operativi gjatosh u shtrëngua pas meje duke u palosur. Ajo thirrja e tij me kërcëllimë dhëmbësh u përsëdyt rrapëllyeshëm me mbylljen e derës. Heshtje dhe pezm për pak çaste. Qenia e trashë u kthye përkëtej. Me ballë tmerrësisht të ngushtë, aq sa dukej sikur flokët e sertë i fillonin fill mbi vetullat.

– Je i arrestuar! Ti!

– Pse? – u trondita.

– Ta tregojmë atje…

– Vërini prangat! – Befas, i pashë duart e mia të shtrënguara me hekura, aq shpejt m’i vunë, polici sigurisht, kurse operativi, po në atë çast, gati m’i shkuli jakat, teksa i shikoi me zell e kompetencë, se mos kisha helm në to.

Sikur nuk më thanë: në emër të popullit je i arrestuar? Të jetë rrëmbim dhe jo… “Gazi i degës” shkrofëtiu përhumbshëm dhe pastaj ngarendi egërshan nëpër ankthin gjithë xixëllima të padurueshme. Pallatet shembeshin pas meje, pa zhurmë, në shurdhëri. Pse u kthyem prapë? Jo, po iknim, por pallatet ishin tmerrësisht njëlloj. S’e kuptova ku ndaluam, pse i ngjitëm ca shkallë, ç’pati që bërtiti një shkurtan përtej një tryeze, ndërsa mua, pa m’i hequr prangat, më kontrollonin, duke më marrë gjithçka, stilografin, paratë e pakta, letrat nëpër xhepa, mbanin procesverbal për to, këpucët, çfarë, hiqi, edhe rripin, kërkonin medoemos të kisha orë. Ku e ke orën, ë? S’kam, s’u besoj orëve, dhe pastaj zbritëm shkallët. Shkallë prapë. Sa më poshtë shkonim, aq më tepër pakësohej drita, derisa edhe shkallët u bënë prej terri.

NË QELI DHE KUNDËR FLOKËVE

Më flakën në një qeli boshe, pa asgjë, veç mureve të trasha, ciklopike – shiheshin te dera, te dritarja ngushtalaqe në fund – rrafsh me tokën përmatanë. Pra, ishte nëntokë këtu. Hekurat e saj të trashë si gjarpërinj me kokë e bishta të prerë, të kokolepsur radhë-radhë, e ndanin atë pak pamje në katrorë dhe e bënin vepër kubiste, pra të dënueshme. Përsipër, për të shtuar sigurinë, ishte mbërthyer edhe një rrjetë e ashpër teli, edhe ajo me katrorë fare të vegjël, që më sollën ndër mend plëndësa kafshësh të mëdha.

Ndërkohë isha ende me pranga. Kurrë nuk i kisha pasur duart aq keq, të fyera dhunshëm, megjithëse ç’nuk kisha prekur më parë, plehra, thika, edhe armë zjarri, u kisha dhënë dorën maskarenjve, ndodhte, kisha shfletuar gazeta, fjalime të diktatorit, i kisha larë pellgjeve. Përkundruall, dera e rëndë, e errët, me një sportel të vogël, vuv. Rrëshqiti, u hap përgjysmë dhe një copëz fytyre vëzhgoi ca, pastaj e mbylli me trokëllimë. Ç’kanë me mua? Po rrija pa lëvizur, më këmbë. Përsipër, në anën tej, në një si zgavër katrore mbi portë, ishte llamba. E gjithë kamarja e saj qe e mbështjellë po me atë rrjetë teli si edhe frëngjia. Përhumbshëm, m’u nëpërmendën turinjtë e ngritur të një qeni prej flakësh, që ia kishin zënë gojën ashtu, për të mos më kafshuar tani. Dyshemeja e drunjtë lëshoi një rënkim.

***

Njëri nga policët se kë thirri, i cili, me t’u futur brenda, pa folur me askënd, hapi një çantë të zezë, më hodhi një vështrim, u turbullua një grimë, desh tha diçka, që i ngeci, sikur më njohu, por prapë u bë i huaj, i largët përfundimisht. Ai, pikërisht ai, afroi drejt kokës sime diçka të zezë, tip revoleje. Kështu do të më vrisnin, kot? E ndjeva diçkanë e zezë, bëri trak dhe çuditërisht unë s’rashë. Po gumëzhinte koka ime brenda apo çfarë? Cullufe kaçurrelash binin përdhe si copa mermeri të errët. Po dërrmonin ndonjë statujë kështu, jeniçerët i binin me topuz? Grumbulli i flokëve si një grumbull muzgu po shtohej mbi këmbët e mia të zbathura. Ah, po më qethnin, ç’mëkat! Berberi ai. Qethje e pazakonshme, i lidhur me pranga. Eh, të gjithë kështu i qethin këtu, sigurisht me pranga, por unë e kam për herë të parë e për herë të parë më bënin tullë. Po më vinte më keq se nga vetë arrestimi. U meka fare. Nuk fola. Edhe flokët nuk paskëshin qenë të mitë, çështje shtetërore edhe ata, dihej. Do t’i hidhnin te plehrat apo do t’i digjnin? Kisha pasur flokë të bukur, të dendur, i urrenin…

Në qeli po ndihesha më i shkretë dhe i fyer fare. Mirë që është frika, thashë me vete. Dhe ajo brerja e largët. Kokën e rrjepur si prej akulli e zura me duar, ndoshta për ta ngrohur sadopak a që ta mbroja të mos rrokullisej, por edhe duart s’i urdhëroja dot. Kishin ende ftohtësinë e prangave. Edhe dimri duhet të jetë afër, punë ditësh, punë prangash… Gjithçka dhe të gjithë tani do t’i kisha kundër. Ndërsa ankthi shtohej, frika ime po mpakej, ngaqë s’mund të më mbronte. Dhe kështu sikur donte të ikte, të më linte vetëm. Jo, jo, prit aty, ti, frika ime! Më duhesh. Edhe akuza më duhet, që të përballem. Akuza është si flokët, do të më jepte forcë. Mosfaji i ngjan kokës së qethur poshtërueshëm. E njënjëshme. Copëz shkretëtire. I ngjan mëkatarit pa asnjë mëkat. Gjëra të dëgjuara këto. Kur një kohë është e fajshme, është faj të mos bësh faje. Por e pëson keqas.

HETUES DHE MINJ

– …agjitacion dhe propagandë… – sikur më akuzuan, kur më çuan sërish të prangosur, s’di se ku, nëpër një mesore tjetër dhe po ajo mugëtirë, iknim dhe iknim për të mbërritur, ndoshta te po ajo karrige ku më qethën, në një pasdite të përgjysmuar, në një dhomë të zhveshur, jo, ishte e tjetërllojshme, më e pasigurt, si në një tjetër realitet, ku asgjë s’të ndihmonte.

– Kush më akuzon? – pyeta zymtë.

– Organet e Sigurimit të Shtetit. – Rreptësia e përgjigjes sikur më solli më në vete.

– Prano! – më urdhëroi qetësisht një zë tjetër.

– Çfarë? – u çakërdisa unë.

– Fajin.

– Cilin faj?

– Që ke bërë.

– Ma thoni ju, se nuk e di.

– Këtu s’bëhet shaka dhe s’të hyn në punë zgjuarsia, nëse e di veten të tillë, – po ngulmonte zëri më i rreptë, gati në hakërrimë.

– Po kush jeni ju? – guxova të them. Vërtet, kush ishin, ç’simbolizonin?

– Siç nuk është zakon këtu, po të paraqitemi, po ta bëjmë këtë nder. Unë jam kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Agron Kokona, dhe shoku tjetër është shefi i Hetuesisë, Nexhat Selimi, e kemi ndër më të mirët në Republikë dhe ka zbërthyer armiq shumë të mëdhenj e grupe të tëra armiqësore, që kanë merituar plumbin, kuptove? – po fliste me të butë më i vjetri prej atyre të dyve, nëse ishin dy, sepse më vinin përqark më shumë zëra e fytyrat më rishfaqeshin: njëra me më shumë rrudha, maskë plaku babaxhan, pa shprehje,  e ftohur, gri, donte të ngjante për mirë, si e rënduar nga përvoja, kurse tjetra, e nxehur, e kuqërremtë, kacafytëse, edhe pse pa flokë, më e re, që gjithsesi i kishte duruar me shkëlqim konsumimit. – Po ta përsërit, se ndoshta je i hutuar, se e dimë, shkollarët hutohen kollaj. – Po, po, dy fytyra përsëriteshin dhe muri i shpëlarë përreth.

– Mos e përkëdhel, shoku kryetar, – e ndërpreu tjetri dhe më hodhi një vështrim përvëlues, aq sa e plasariti maskën e vet. U përqendrova i tëri për të kuptuar sa më shumë.

– As ne s’jemi prej këndej, vijmë nga Jugu, – nisi të fliste maska kryetar, vjetërane e tëra, – punojmë ku do Partia, ku ka nevojë atdheu, por s’jemi ankuar si ti. I kemi provat që ti je fajtor, po deshe prano, po deshe jo, me dru kokës nuk do të të biem.

– Hëpërhë.

– Ndize një cigare, – tha kryetari dhe më zgjati një kuti të drunjtë me duhan të hapur.

– Nuk di ta dredh, – thashë.

– Ta dredhim ne, – tha kryetari. Edhe ai, besoj, me kuptimin tjetër. E vërejta. Ishte shumë thinjosh, i tymtë, çka e bënte ca hijerëndë. Pasi përgatiti cigaren për mua, ma dha ta njomja me gjuhën time letrën e saj, për ta ngjitur. Më bëri përshtypje. Ndezi çakmakun e tij dhe ma afroi siç bëjnë njerëzit.

– Do të punojmë bashkë, – u mëshoi fjalëve kryehetuesi pas tymit që e përmbyti shpejt dhomën e vogël ku kishim rënë. Nuk pyeta dot se çfarë quante punë ai. Që ta shkulje tjetrin nga jeta e vet dhe ta mbyllje mes këtyre mureve nën dhe?

***

Makina e shkrimit kërcëllinte e zezë.

…Në hetuesi po merresha rëndom natën. Pastaj vetëm natën. Pas mesnate. Afër mëngjesit. I pranguar. Të sqaroja armiqësinë time, që Partia të mendonte për mua. Ka shumë rëndësi pendimi dhe të tregoja përgjumësh… shokët… ata e kishin më shumë fajin… që kisha rënë në këtë rrugë të gabuar… nëpër ankth më kërkohej se ç’kishin ndër mend të bënim. O-r-g-a-n-i-z-a-t-ë ?! Çfarë? Ç’thamë kur u pushkatua ministri i Mbrojtjes? Ku donim të arratiseshim, kur? Po të tregoja, pra, po të isha i sinqertë me Partinë, do të dënohesha më pak, po, por edhe mund të lirohesha. Jo, jo, ti s’lirohesh. Ti do të dënohesh e do të ridënohesh. Pse s’do që ndëshkimi i Diktaturës së Proletariatit të bjerë mbi ata që të morën më qafë, që desh të morën më qafë, ë, pse s’flet? Ç’është kjo kokëfortësi që do të të thyejë kokën?

E vazhdonin të derdheshin mbi mua sharjet e bërtitjet si vërshim llumi mbi gjumin tim të keq, në qeli, dhe e përmbytnin dyshemenë sërish, ashtu siç kishin bërë një gjysmë ore më parë a në mijëvjeçarin që shkoi, gjatë seancës më të fundit të hetuesisë, kur mbi përgjumjen time më këmbë, i lidhur me pranga, ndërsa pyetesha ulëritshëm, ndieja rrëketë e baltës, vërsuljen e saj, moçalin gjithpërpirës. Befas dilte prej andej një qen-robot, më hidhej, më ngulte dhëmbët metalikë në mish, varej rëndshëm e kërkonte të mbërrinte skeletin tim, për ta brejtur. Djersë apo gjak rridhja?

***

Këta të dy merreshin me mua tani. Ai, miu që njihja, pak si gri, me një xixëllimë sysh të gjilpërtë, që dilte nga një vrimë e dyshemesë, ndalej, më afrohej, pranonte ndonjë thërrime buke, që ia jepja, por, kur më gjente shtrirë, vinte e shëtiste nëpër trupin tim. Ia ndieja gudulisjen më shumë në qafë. Nuk doja ta trembja, prisja derisa të ikte vetë. Seç e thërriste në vrimën e tij dhe ikte me vrap. Vështrimi i tij përndizej, prushëronte shumë më tepër në sytë e hetuesit. Kishte shtuar këmbënguljen dhe ashpërsinë. Më goditës dhe primitiv. Sikur është dobësuar dhe i flihet. Ku do të ketë qenë? Mungoi kaq gjatë! Në hetuesi të tjera, në ndjekje bandash, me pushime, në pushkatime, jashtë shtetit fshehurazi? Apo aty, pas derës e më përgjonte, ndërsa unë vërdallisesha i trallisur kafazërisht? Eh, të kisha çuar miun! Nuk besoj, ai është i mirë, i gjorë… Si ti…

– E pse ke frikë të jesh armik? – më ndërpreu sikur unë të kisha kundërshtuar një blatim.

– S’kam dhe aq frikë, – i thashë, – por s’jam.

– Kemi prova. Je kundërshtar, armik, njëlloj janë.

– Prova janë betejat…

– Ato pret ti, i pandehur, – më ndërpreu, – por ne jemi fitimtarë! – Dhe u kujtua të shtojë: – Të ndërtosh socializmin, nuk të duket betejë ty? Serioze, madhështore! Maskara!

* * *

Po rrija më këmbë në mes të qelisë. Nga trupi im vareshin poshtë jo vetëm copa lëkure të shkruara, por edhe vena të shkulura, të këputura keq, inde, nerva, fije lidhëse të shqyera me dhëmbë, damarë të përgjakur, nga rridhnin ndjenja dhe mendime dhe tërë siguria e ruajtur deri më tani. Ndihesha fajtor. U binda. Kisha qenë. Pse s’ndenja i tërhequr mes qetësisë prej vdekjeje. Pse guxova të jem normal këtë herë mes çmendurisë së përgjithshme? Dhe po ndëshkohesha me të drejtë. S’kisha pse të kërkoja falje ose mëshirë. Me shpejtësi trallisëse po vazhdonte hemorragjia prej vetvetes. Po boshatisesha mrekullisht. Çengela e ganxha, e kavo, linja të tjera të padukshme që më lidhnin dikur me botën dhe nuk më dukeshin asgjë, tani qenë këputur dhe unë mes tyre, me këmbët ngatërruar nëpër to si në një kurth kaotik, kisha shtangur. Nuk ndieja më gjë. Kishin vdekur edhe valët në ajër. Në një cep të vuajtjes, që kaq shpejt u bë e pakohë, gjeta përçartjen e një poezie për gjyqin tim. Më priste kjo ditë e ferrit që në gjallje.

Nëntor 2019

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok