21/12/2024
Sabile-Basha

Nga Sabile Keçmezi-Basha

Nuk më besohet… jo…  jo, kjo që thua ti,  nuk mundë të jetë e vërtet. Këtë që po e tregon tani, më tepër mundë të jetë ndonjë ndodhi nga fantazia e jote e bujshme e një njeriut të moshuar… më falë-ë, se sa realitet . E di… më fal, e di se e ke vështirë-ë, e di se si te gjithë ne… edhe ti ke kaluar muaj të rëndë, por tani, qetësohu…ja… kështu, mblidhe veten, mos qajë… mos rënko … se e sheh, që burrave nuk iu kanë hije lotët.  Dëgjon… ulu njëherë… ashtu … qetësohu… dhe më trego përsëri që nga fillimi… fill e për pe…

Burri që më kishte hapur derën e banesës, në një lagje të qytetit bregdetar të Durrësit, ishte katandisur keq. Ishte i lodhur. I zbehur dhe krejtësisht ishte i hutuar. Lotët i shkonin faqeve dhe assesi nuk mundte të ndalte vajin. Gjendja e tij shpirtërore por edhe ajo fizike më shqetësuan pa masë. U habita se si është e mundur që për një kohë kaq të shkurtër të jetë plakur e katandisur në atë gjendje, ai për të cilin mendoja që s’ka forcë që mund ta thyente.

Në moment mendova në më të keqën, Ia paskan mbytur djemtë, o zot i madh. E tani, si do ta ngushëlloja plakun që s’mund të ngushëllohej dot. Megjithëse, edhe unë ndjeva një sëmbim nga gishtërinjtë gjerë në maj të kokës. Fillova të dridhem nga vetë ideja e mynxyrës, duke menduar si do të ballafaqohem me realitetin e dhembshëm e të rëndë të këtij burri. Mbeta në derë, këmbët thuajse për njëherë mu shndërruan në plumb dhe nuk mundja të lëvizja edhe për asnjë hapë, për të hyrë brenda. U shtanga, s’dija çfarë ti thosha plakut të gjorë që nuk i ndalte dëneset. Njëherë më shkoi mendja se mos kishte rrjedhur nga mendja plaku i gjorë. Dhe se nuk ishte aspak e çuditshme, në ato ditë të vështira të ndodhte edhe kjo. Por, një gjë e dija dhe ma thoshte zemra se diçka  e dhembshme e e rëndë i kishte ndodhur. Nuk dijë as vet se si në çast mu kujtua se në derë nuk qahet e as nuk qeshet. Mezi qita hapin dhe hyra brenda. Gjeta një vend për tu ulur. Mendova, le të qajë plaku deri sa të qetësohet, se për lajme të kobshme nuk do të jetë  vonë, as më vonë.

Dëneset e tij pas një çerek ore filluan të qetësohen, që mua më ngjan në një vit. Me një fasulet të zhubravitur pa ndërprerë i fshinte hundët e lotët dhe herë pas here më shikonte jo drejt në sy, thuajse e ndjente veten si të ishte fajtor. Nga ai shikim e ndjeja veten keq por edhe ngushtë në të njëjtën kohë. Më vinte bulçim. Pa menduar fare, i hapa xhamat. Njëmijë e një mendime më erdhën në kokë. Plakun e shikoja pa ndërprerë. O zot, athua çfarë ka mundur të përjetojë daja i im i urtë. Në të vërtet, atë dajë nuk e kisha, për kjo nofkë i mbeti nga unë qysh nga  ditët e  fëmijërisë, kur në një fshatë të largët ishte martuar halla Nurije. E unë atë – hallën e doja shume dhe ndaj burrit të saj kisha një respekt të veçantë.

Deri sa mendimet më vinin si re të trazuara, e mallkova kohën, fatin dhe vet ecejaket e jetës që lozte me ne. Sa e sa herë e shikova plakun e shushatur dhe sa stiva vite i rëndonin mbi supet e tija të lodhura, dhe madje, ata (halla dhe daja), në do vite të vështira u treguan tamam si prindër të vërtet ndaj meje dhe miqësia e mëvonshme ngeli reciproke në mes nesh. Për plakun kisha një respekt të jashtëzakonshëm  duke e ditur se çfarë peripecish kishte kaluar në rrugëtimin e jetës. Gjatë kohë ishte i përndjekur politik, disa herë djemtë ia kishin burgosur, vajzat nuk ia kishin lejuar të vazhdonin shkollimin superiorë për hir të diferencimeve politike që bëheshin në Universitet pas ngjarjeve të pranverës studentore ’81. Sa e sa herë shtëpinë ia kishin bastisur e  bërë lamë, hijet e zeza. E kjo ishte përsëritur shumë herë derisa u bë ngjarje e rëndomtë për fshatarët e fshatit H. Ato nuk u ndalën edhe atëherë kur shitën shtëpinë e u vendosën në qytetin P. Bile, kishte të drejtë halla kur thoshte se “këtu spiunët kishin ardhur para nesh, e nuk na lanë të qetë… e nuk na lanë, se…”. Bastisjet vazhduan derisa një ditë e kishin gjetur apo … edhe ia kishin montuar nën qilim, në dhomën e fjetjes një Kushtetutë të shtetit amë, dhe një revole të gjyshit apo stërgjyshit të tij, ku ta dija unë. Atij, dajës i kishin dhënë dajak deri sa ishte alivanosur, e kishin mbajtur gjatë në burgjet e pista të një shteti –Had. Por, Ai… daja  kishte qëndruar… nuk kishte treguar asgjë, ama bash asgjë… Kishte heshtur si i vdekuri… dhe vërtet kur doli nga burgu ishte bërë asht e lëkur sa nuk e njohën nipat e mbesat e tija më të vogla.

Por, pas daljes nga burgu, daja nuk ishte ai që kishte qenë. Më bënte përshtypje qëndrimi i tij indiferent ndaj çdo gjëje. Shpesh mendoja për të, dhe assesi të zgjidhja ekuacionet me tri të panjohura Me gjasë, kishte përjetuar shumëçka, gjithçka çka duronte vetëm qenia njerëzore.

Pas daljes nga burgu, vazhdimisht pëshpëriste më tepër për vete:

-Djemtë e mi… oh djemtë e mi… ku e di sa kanë vuajtur në ato biruca… dhe shpesh shkrehej në vaj, e s’kishte njeri që e ndalte.

Kishte kohë që kishin ngelur të vetëm në shtëpi. Ndarjen nga fëmijët, halla e kishte përjetuar rëndë. Vazhdimisht u ankonte se ishte e  lodhur, e sëmur dhe e mërzitur. Por, ne e dinim ku e kishte hallin, se të pesë fëmijët e saj kishte kohë që ishin shpërndarë e marr botën në sy si zogjtë e qyqes.

Shpesh i vizitoja në shtëpinë e tyre në një lagje të qytetit që ishte shumë e frekuentuar nga njerëzit dhe veturat. Daja shpesh binte në siklet dhe murmuriste nëpër dhëmbë që nuk mundte, që as në shtëpinë e vet të kishte qetësi, e aq më tepër iu dhembte halla që tërë ditën e lume, rrinte në derë të shtëpisë duke i pritur fëmijët që një ditë do të kthehen… dhe ishte shumë e bindur në të.

–Sot, kanë me ardhur-, thoshte.

– I kam parë ëndërr…, mbrëmë. Bile edhe parmbrëmë… Më premtoi Iliri… Vetë më tha. Me gojën e vet, më tha: Loke, unë do të kthehem, mjaft në këtë tokë të huaj. Më thoshte me buzën në vaj, se më ka marr malli, Loke, për ty… për plakun… po… për të gjithë oj Loke… dhe më përqafonte”, unë po e presë, e dijë se ai do të vijë i gjallë o i vdekur dhe lotët i shkonin –krua.

-Sot… nesër, apo një ditë tjetër … s’është me rëndësi. Unë kam kohë … punët kaherë i kam mbaruar… andaj edhe po e pres, këtu… mu te dera, që të më shoh nga larg se nëna po e pret…”-  Pas kësaj, vazhdonte të rregullonte flokët me gishta, me ata gishta që ishin të hollë e të stërzgjatur që të ngjanin në kërrabëza të këputura. Të shpeshtën e rasteve qante, por nganjëherë edhe qeshte me të madhe, që të ngjallte dhembje.

Për një moment e zura veten që kisha tretur diku larg… shumë larg në podrumet e jetës. Burri im më preku në cepin e krahut dhe me lëvizjen e kokës më dha shenjë në drejtim të dajës, i cili po më shikonte me gojën e hapur…

– Hë, çfarë thua… ore, iu drejtua atij.

– Fol, dajë… çfarë ka ndodhur, pse je i vetëm në këtë shtëpi, ku është halla dhe njëmijë pyetje të tjera i bëra-rafal.

-E di, se sa jam merakosur për ju-, shtova. Ka muaj që iu kërkojë, por nuk bija në asnjë gjurmë. Dhe sot, ja rastësisht më treguan për një kosovar që qëndron në këtë shtëpi. Rastësisht mendova, pale ta shikojë se mundet me ndodhë, mos është daja. Më në fund iu gjeta… Nejse dajë, po tani, pa më thuaj, ku është halla? Dhe në dhomën e mobiluar me shije, ashtu në ndërdyje pritja hallën të dal nga ndonjë kthinë. Por, vaji që përsëri e kaploi plakun nuk më paralajmëronte lajme të mira. Me vete mendova, epo ç’ti bësh, ajo me siguri paska vdekur. U drodha e tëra. Më erdhi shumë rëndë të pranoja një gjë të tillë. “Në luftë edhe njerëzit që i duam vdesin…”, më erdhi mendimi dhe vazhdova të kërkoi shpjegim nga ai. Të drejtën të them, për një moment ia mora inat atij dhe e tërë botës, që shpikën luftëra, padrejtësi e robëri për njerëzit…

– Të lutem…- iu drejtova me një zë të përvajshëm, -më trego… ka vdekur halla…-

Më shikoi trembshëm, dhe mezi qeli gojën – Jo, ka ndodhur diçka edhe më e keqe…

-Ç’mund të ketë më keq…-, e ngrita zërin.

– Ajo…. ajo …- dhe dëneset  e lotët nuk e linin që të hapte gojën…

Mbeta e shastisur. Herë shikoja burrin e herë shikoja dajën, dhe vërtet nuk dija se çfarë ndodhte në atë dhomë, që për njëherë mu duk se u errësua. Assesi nuk e perceptoja realitetin. Ishte një mbrëmje e nxehtë, e vonë dhe shumë e mundimshme. Njëherë mu duk se po shihja një ëndërr të trishtueshme dhe pa dashur lëviza nga vendi për tu bindur se e tërë kjo me mua po ndodhte. Pas një pauze të gjatë, belbëzoi nëpër dhëmb:

– Ajo …ajo… më ka humbur… në Bllacë. Nuk e dijë… si ndodhi… por ajo është zhdukur. Policia afër kufirit filloi me na rrah … atë ditë me shi. Na rrihte si berret… Bile, disa edhe i vrau e shumë të tjerë i plagosi. Mua më kishte rënë alivani dhe kur i hapa sytë veten e pashë në një autobus. Të drejtën me të thënë nuk e dijë edhe tani se si kisha arritur aty dhe me ndihmën e kujt, por gjëja e parë që bëra kur erdha në vete, ishte se kërkova gruan, hallën tënde. Askush, asgjë nuk dinte për të… Më thanë… shumë më vonë… më thanë se e paskan parë duke e rrahur policia me dymqik…. Disa të tjerë e paskan parë, se si një grup ndërkombëtarësh e paskan evakuuar me lese nga fusha e Bllacës… por disa më thanë se policia e  paska vrarë dhe e paskan hedhur në lum.

Për një moment mbeta e shtangur. Nuk gjeja as një fjalë të përshtatshme për t’ia thënë. Nuk dija as çfarë të thosha dhe as çfarë të mendoja. Si ta ngushëlloja plakun e gjorë. Si ta ngushëlloja vet-veten dhe çfarë të bëja…tani… para kësaj mynxyre…

Lotët filluan të më rrjedhin… në shpirt më dhembi dhembja…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok