12/12/2024

Dhuna nuk është mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve!

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Brenda një jave dy jetë të humbura të mërgimtarëve, njëra në Itali dhe tjetra në Gjermani. Sikurse njëra, ashtu edhe tjetra erdhën si pasojë e mosmarrëveshjeve punëmarrës-punëtorë dhe anasjelltas! Sikurse njëra, ashtu edhe tjetra vdekje erdhën si pasojë e therjes me thikë! Dy mosmarrëveshje, dy përleshje, dy të vrarë nga goditjet me thikë dhe dhjetëra të plagosur shqiptarë nga Kosova është bilanci më tragjik i një jave të përgjakshme në perëndim!

Është momenti t’i themi mjaft dorës së krimit, ta shtrijmë dorën e pajtimit

Janë bërë të shpeshta dhe të trishta lajmet tronditës nga mërgata jonë. Sikur nuk kanë të ndalur konfliktet dhe mosmarrëveshjet mes shqiptarëve, vrasjet mes të rinjëve të mërgatës sonë!

Këto raste nuk arsyetohen me asgjë! Nuk ka dhe nuk mund të ketë problem pa zgjidhje, prandaj edhe çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet me marrëveshje, me tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjellë.

Dy rastet e fundit brenda një jave, njëri në Itali dhe tjetri në Gjermani, njëri në Trevizo e tjetri në Munih, përveqse të dhimbshme dhe trishtuese, e kanë ulur tejë mase imazhin e shqiptarëve në këto dy shtete dhe jo vetëm.

Pas këtyre dy rasteve të rënda, ne shqiptarët nuk shikohemi siq u shikuam dje, nuk trajtohemi siq u trajtuam dje, si njerëz të mirë dhe punëtorë të zellshëm, të ndershëm dhe sjellshëm por si njerëz të ligë dhe barbarë. Mbase kjo është njëra ndër arsyet pse ne jemi duke u shuar si komb i tretur në mërgim!

Vallë edhe çka tjetër duhet të ndodhë që të vetëdijësohen forcat progresive në mërgatën tonë, përkatësisht “Këshilli Pajtues” për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve dhe ngatërresave mes mërgimtarëve, për të evituar dhe parandaluar rastet tjera potenciale të ngatërresave dhe vrasjeve mes shqiptarëve, në mënyrë, që në radhë të parë të shpëtojmë jetëra të bashkatdhetarëve tonë dhe ta kthejmë imazhin e mirë që e kishim deri para disa viteve në Diasporë.

Diaspora nuk është vendi për trimëri

Dhuna ndaj njëri-tjetrit nuk është mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe as argument për kthimin e nderit dhe dinjitetit njerëzorë dhe kombëtarë.

Ne shqiptarët më shumë se asnjë komb tjetër i tretur, e kemi vendin dhe cakun ku ta dëshmojmë trimerinë, forcën dhe guximin në trojet e pushtuara kundër armiqëve shekullorë, e jo kundër njeri-tjetrit në perëndim!

Secili mërgimtarë, qoftë i ri apo i vjetër, përpara se ta ndërmerr një veprim të “guximshëm” duhet t’i thërret ndërgjegjës se vet, pse ka ardhur në vend të huaj: “për të punuar apo për të shitur trimëri, për të krijuar mirëqenje familjare apo gjakderdhje ndërvëllazërore”!

Lutemi që këto të jenë rastet e fundit që dëgjojmë për gjakderdhje shqiptare në mërgatën tonë! Ngushëllime të thella familjeve të viktimave dhe farefisit të gjërë, forcë në përbalimin e dhimbjes! Të lënduarëve shërim të shpejtë! Kurse shkaktarëve të këtyre ngjarjeve tragjike ju bëjë thirrje për meditim dhe reflektim!

Të lutem o Zot, kthena lakminë në bamirësi dhe urrejtjen në dashuri!

Florim Zeqa, Orsago (Itali), 18.10.2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok