21/12/2024

Kur dashuria shpaloset me ngjyrat ylberiane në “Prelude dashurie”

0
Lulezime-Malaj-Prelude

“Prelude dashurie” është libri më i ri i poetes Lulëzime Malaj

Nga Albert Z. ZHOLI

Vetë titulli përcjell një mesazh ngrohës, pasi fjala prelud përcakton pjesën hyrëse në një vepër muzikore apo pjesë e vogël muzikore, që qëndron më vete dhe të elektrizon trupin. Pra, “Preludi i Simfonisë” në këtë rast është “Preludi i Dashurisë” që i paraprin ngjarjeve, veprimtarive, tematikave, situatave poetike, në tërësi, lëndës së bukur të këtij libri melodioz.

Gjithë poezitë duken se përcjellin tinguj muzikor si të një Simfonie Bethoviane, që asnjë element njerëzor nuk ndërhyn,

nuk i sfumon, nuk i tjetërson tingujt poetik të këtij libri modest, por me përmbajtje sfiduese. Në këtë vëllim duket se tingujt e

poezive bashkohen me tingujt qiellorë dhe vallëzojnë hareshëm jashtë ndikimit të ambientit, qofshin ato zëra, zhurma makinash, industri, teknologji, etj. Në këtë libër vargu, poezitë, janë si tingujt e natyrës, ngushëllues që na ndihmojnë të jemi në gjendje të pushojmë dhe të gëzojmë në një mjedis më të përshtatshëm, mëmartistik, më relaksues, paçka se realiteti jetësor është disi ndryshe.

Kjo është magjia e vargut, që sposton dhimbjen dhe të fton në një botë tjetër, në një botë meditive, ku dëshira e poetes është

që njeriu të gjejë lumturinë. Në këtë libër befasi është tematika e ngjeshur, larmishmëria e saj, shtrirja gjeografike, ndjesia e

dashurisë për familjen, fisin, shoqërinë, tendenca për të afruar gjithçka me atdheun, koherenca e personazheve, sinqeriteti

intelektual, thjeshtësia jetësore, mendimi dhe meditimi racional në emër të ngadhnjimit mbi vështirësitë. Në shumë poezi, ku ka dhe kritikë brenda, autorja nuk tenton që t’i mëshojë gabimit, ta dënojë atë, por ta bëj prezent dhe të gjejë rrugën e përmirësimit.

Si vetë emri që ka mbi vete, poetja ka një shpirt human dhe e përcjell humanizmin plot virtyt në varg, pasi e ndjen si përgjegjësi rolin e këtij emri në shoqëri. Me pak fjalë, me nënteks, humanizmi vjen tek pena e saj në mënyrë lineare, duke e ditur se nuk është e vetmja që sfilon me këtë emërtim, por bëhet pjesë e një plejade të tërë filozofësh, shkrimtarësh, sociologësh apo poetësh që, dashuria për njeriun, të marrë vlerat reale në këtë botë të mbushur me padrejtësi, luftëra, drogë, prostitucion, etj…

Sa bukur vjen vargu poetik për poezitë e viteve të vegjëlisë, për brengat e jetës, hallet, shqetësimet, për nënën, babanë, vajzën, emigrimin, atdheun, miqtë, dëshirat, befasitë e jetës, lodrat, ankthet, ëndrrat në sirtar, të cilat janë qëndisur me pjalmin e zemrës dhe me një sinqeritet fëminor ku sheh vetëm përgjegjësi dhe reflektim. Poezia e këtij libri është autentike, specifike individuale, mushti i së cilës mishëron një hapësirë lëndore që t‘i mundësojë lexuesit identifikimin e mesazhit dhe të perceptimit të vargut, larg ndikimit të vet autores.

Autorja harkëzon dhe përballon vlerat mes brezave duke bërë diferencat brenda një brezi dhe më tej, me të gjitha vlerat e kundërvlerat e veta dhe sjell një ndërthurje, ku mund dhe duhet të jetohet me ndryshime në çdo aspekt të jetës, si në familje, shoqëri, tradita, pavarësisht diferencave të vlerave. Një ndër poezitë që dua të përcjell tek lexuesi për harmominë e fjalës, dashurinë e sinqertë, madhështinë e idesë është:

Nënë e dashur…!

Kur të lexosh këtë letër, do të jem larg,

Hapësirës nëpër botë, në fluturim,

Të lash librat e mia, jam aty në varg,

Kur t’i lexosh, do ndjesh timin përqafim.

Kjo poezi fisnike duket si një lloj balade e komunikimit të bijës me nënën. Poezi që nxjerr në pah, lotin e mërgimtares, kujtime e përkushtime të ndryshme që shprehin mallin e saj për nënën, dhe çka lënë pas. Por, njëkohësisht, me një metaforë të fuqishte autorja, mallin e nënës do që ta shuaj me librat e saj. Për nënën dhe të bijën libri është drita, komunikimi, besimi, siguria, ura lidhëse mes të dyjave. Nëna e ka edukuar me dashurinë e madhe për librin, si të vetmin mik besnik dhe vajza e di dhe e kupton që ngushëllimi, për nënën në këtë rast do jenë vetëm librat e saj. Po më këtë ndjenjë autorja i këndon dhe dashurisë.

Për të dashuria është një kocept i gjerë, një emërtim fisnik, që duket si ajo lloj ndjenje që kemi lexuar nëpër përralla dhe mendojmë se do zgjasë përjetë, do jetë vetëm e bukur, e ndritshme, vezuelluese dhe pa anën tjetër të medaljes. Por e vërteta është se dashuria është një oqean me lule shumëngjyrëshe por edhe një mal me brenga. Një poezi e bukur është dhe për Ditën e Poezisë. Shpeshherë poetët e neglizhojnë këtë ditë në krijimet e tyre, por autorja duke e bërë pjesë të jetës poezinë, kurrsesi nuk mund ta anashkalonte këtë ditëlindje që ajo e sjell me notat më të bukura të zemrës…

Atdheu

Dashuri e parrëfyer më je Atdhe,

Ndër vise, në gjith’ dheun mbarë!

Metropoleve, parzmore ti më veshe,

Askund s’më ngroh ky diell i marrë!

Poetja e pajisur me dhunti shpirtërore, e pasur në mendime, e vlerëson si një të mirë të paçmueshme Atdheun, ku historia dhe lavdia është gjëja më e vyer për të. Shqipëria ky vend i vogël mesdhetar, ka natyrë të virgjër, ku misteret kulturore kombinohen me malet, fushat e mbuluara nga lulëkuqet në pranverë. Peizazhi i Shqipërisë është gjithnjë në ndryshim me stinët, tingujt e natyrës janë shumë ngushëllues dhe frymëzues. Për poeten atdheu është nëna fisnike, babai kreshnik, familja solide, madhështia e kombit me tragjedi nga më befasueset në botë.

Libri i ri i Lulëzime Malajt ka një tendencë afirmimi unik, ku metafora e poezisë përshkohet nga ndjenja me nota specifike lirike. Kjo metaforë është pjesë përbërëse e realitetit shqiptar që duhet të sfidohet me sakrifica të mëdha, si sublimim i ndjenjave përjetuese, që lë gjurmët e një krijimi artistik. Poezia e saj është lakonike, e vërtetë, si një materie në lëvizje e cila pasqyrohet me zhvillimet e ndodhive duke u materializuar si një kurorë lulesh shumëngjyrëshe që përcjellin të gjitha stinët e vitit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok