Kur bota kishte sytë te Kupa e Botës, ata kishin sytë te Liria
Nga Blerim Latifi
Korrik i vitit 1998. Bota i kishte sytë drejt ndeshjeve të Kupës së Botës. Stadiumet gumëzhinin nga festa, golat dhe duartrokitjet. Vetëm një vend në botë ishte i privuar nga kjo mundësi. Quhej Kosovë.
Flakët e luftës e kishin përfshirë nga Llapi në veri deri te Reka e Keqe në jug. Pesëdhjetë mijë trupa ushtarake dhe policore serbe ishin hedhur në sulmin më të madh kundër UÇK-së deri atëherë. Objektivi ishte i qartë: të shkatërroheshin rrugët e furnizimit të saj dhe të shuhej kryengritja shqiptare.
Pothuajse të gjithë e prisnin rezultatin fatal. Guerilja shqiptare, me rreth 10 mijë luftëtarë, duhej të mposhtej shpejt nga armata serbe, e cila kishte trashëguar njërin ndër arsenalet më të mëdha ushtarake të Europës së asaj kohe. Diplomatët e prisnin këtë finale ushtarake për të filluar më pas bisedimet e kota për fatin e Kosovës.9
Në Tropojë, rreth 1000 luftëtarë të UÇK-së prisnin urdhrin për t’u nisur drejt Kosovës. Lajmet nuk ishin aspak të mira: kufiri ishte blinduar e minuar nga ushtria serbe. Por ata djem nuk kishin ardhur aty për të pritur. Kishin bërë qindra e qindra kilometra rrugë, shumicën në këmbë, vetëm për të siguruar një pushkë dhe për t’u kthyer në luftë. E dinin se përpara i priste vdekja, por askush nuk mund t’i ndalonte.
Dhe u nisën. Mes vapës që digjte, mes shtigjeve të ngushta dhe pritave të armikut të vendosura në grykat e Bjeshkëve të Nemuna. Secili prej tyre e dinte se po ecte drejt kufirit mes jetës dhe vdekjes. Të gjithë e ndjenin se Kosova po jetonte ditët e saj vendimtare: liri ose vdekje.
Në Rrasën e Zogut ndodhi ajo që pritej. Prita e armikut shpërtheu me zjarr. Kufiri që kishte ndarë shqiptarët që nga viti 1913, sërish po lahej me gjakun e shqiptarëve.
Mes të vrarëve dhe të plagosurve ishte edhe personazhi i kësaj fotografie, Valton Berisha nga Istogu. Edhe ai kishte bërë qindra kilometra rrugë për ta veshur uniformën e UÇK-së. Nuk kishte ardhur për lavdi e as për t’u bërë pjesë e historisë. Kishte ardhur për të luftuar për lirinë e Kosovës.
Në fundin e shekullit XX, shekullin e teknologjisë e makinerive, djemtè e UÇK-së duhej t’i bartin në shpinë armatimet nëpër shtigje të gjata, mes maleve të thepisura e të minuara. Mjafton kjo për ta kuptuar madhështinë e UÇK-së, thelbin e saj, që natyrisht disa kurrë nuk mund ta kuptojnë, edhe sikur dhjetë jetë t’i kishin.
