KUNDËR DHUNËS, POR…

0
Llesh-Ndoj

– Shënime nga ngjarjet e ditës –

Nga Llesh NDOJ

… – Ah si nuk e kam një grusht të fuqishëm, / T’i bie m’u në zemër malit që s’bëzanë! Ky varg i fuqishëm nga Migjeni ynë, më erdhi ndërmend vetiu, ndërsa po ndiqja zhvillimet nga prostesta studentore e së martës së 13 tetorit 2026, të cilat nuk shmangeshin dot nga sytë edhe se pushtuan të gjitha ekranet televizive, por edhe për zhvillimet dramatike që mori ballafaqimi në mes protestuesve, përfaqësuar nga djem e vajza të rinj të guximshëm të cilët do të doja t’u isha pranë, qoftë edhe për një përqafim prindi, dhe shtetit përfaqësuar nga policia e shumëpranishme, edhe ata djem nënash në kryerjen e detyrës, që do të doja të mos gjendeshin në asnjë rrethanë në një situatë si kjo.

Unë kam qenë dhe jam kundër dhunës, kuptohet kjo edhe nga sa shkrova pak më lart, e parë në këtë aspekt, natyrisht që i ndjeva në asht si protestuesit e dhunuar, disa prej tyre në mënyrë kafshërore, ashtu edhe policët, të cilët u qëlluan shpesh herë me gurë e sende të forta. Mirëpo nuk mund të rri pa e theksuar, se dyanshmëria e dhunës nuk e justifikon veprimin policorë! Aspak e në asnjë rast gjatë asaj proteste, apo çdo proteste tjetër masive. – Pse? Sepse palët nuk ishin e nuk janë kurrë në kushte të barabarta në rastet e protestave të tilla, apo si ajo e mbi 4 muajve që “pushtoi”  sheshet e Tiranës, sepse turma e protestuesve ka në revoltë njerëz të pa armatosur, pa mjete mbrojtëse e veshje speciale, ka njerëz të moshave të ndryshme, ka gra dhe vajza, e në shumë raste edhe fëmijë, të cilët gjithnjë protestojnë për të drejtat e tyre. Natyrisht që në mesin e protestuesve ka edhe njerëz jo normalë, ndonjë të alkolizuar, madje edhe të droguar, ndonjë të infiltruar e me qëllime të mbrapshta, ka edhe ndonjë hajdut xhepash, që shfrytëzon rrëmujën dhe masivitetin e pjesmarrjes, si ujku mjegullën, për qëllimet e veta jo të mira. Por pala përballë, e përfaqësuar nga policia, i ka të gjitha mjetet në dispozicion e gjendet gjithnjë në pozicion më të favorizuar. Ajo duhet të neutralizojë elementët që ushtrojnë dhunë, e jo t’i përgjigjet dhunës me një dhunë jo proporcionale. Studenti i gjakosur e i lidhur me pranga ne kangjellat e rrugës, i riu që transportohej si thes plehu nga katër policë, ndërkohë që këmba e thyer e të cilit të shtonte dhimbjen në kufijt e tmerrit edhe duke e parë nga ekrani i televizionit, ndeshja prej gangsterësh, 6 policë djem të rinjë e të armatosur deri në dhëmbë, me 1 student me pantollona të shkurtëra e pa asnjë mjet mbrojtës në duar, në mes të rrugës së madhe, janë shenja alarmuese të mungesës së profesionalizmit dhe kulturës së reagimit prej policisë. Policët duhet të reagojnë jo si individë që mbrojnë thjesht veten e tyre, me inatin tipik shqiptar, se cili është më i forti, pasi ata janë aty për të mbrojtur fytyrën e shtetit, e jo thjesht fytyrën dhe interesat e tyre, të dominuara jo rrallëherë nga sedra e sëmurë, e gjaku i nxehtë. E fytyra e shtetit dje ra përtokë, aq sa mund të ndjeheshim të turpëruar të gjithë nga ajo shfaqje turpi.

Unë nuk dua të analizoj sot, a kanë apo jo të drejtë protestuesit në këtë përshkallëzim të rrezikshëm të ngjarjeve. Protesta eshtë zgjatim i “flamingos” së famshme, që dukshëm e transformon atë nga një sfilatë mode në shesh, në një protestë me mjete të tjera, të ndryshme nga ato të mbi 135 ditëve të kaluara. Këtë e kanë marrë përsipër pjesa më aktive e shoqërisë, studentët, dhe sjellja me ta duhet të jetë shumë më e kujdesshme.

Në kohën time thuhej: ka të varfër, ka edhe shumë të varfër, por mos harroni se ka edhe studentë! Ç’i bën studentët të veçantë në reagimin ndaj varfërisë? Padyshim është ndjeshmëria e tyre e lartë ndaj të ardhmes, intelekti i zhvilluar, aq sa për të parë përtej mureve, ëndërra e tyre për të nesërmen, janë ato që i veçojnë ata. Kërkesat e tyre duhen dëgjuar me kujdes dhe personaliteti i tyre duhet respektuar. Arsimi i lartë duhet reformuar tërësisht dhe duhet venë në baza shkencore. Shteti e shoqëria duhet t’i përgatisë ata për të ardhmen, duke u ngjallur shpresë, jo duke u vendosur mure. Ata e ndjejnë se po arsimohen për t’u shfrytëzuar nga emigracioni si fuqi punëtore e pakualifikuar, ata e shohin se në atdheun e tyre i pret papunësia, shpesh edhe përçmimi, ndërkohë që administrata e shtetit është ku thërret qameti. Ata e dinë se po konsumojnë veten e familjet për një profesion që s’do t’u jap as bukën e gojës. Kjo i bën ata “të varfër”, të veçantë, e sjellja me ta duhet të jetë totalisht e ndryshme, pasi veç sa më sipër, ata janë edhe në moshën e shpërthimeve të gjithanshme.

E ndërsa ata janë “të varfërit e më të varfërve”, shteti ynë jeton i lumtur. Ai e ka humbur prej kohësh ndjeshmërinë ndaj halleve të vërteta të njerëzve, është shndërruar në një familje misterioze ku interesat e anëtarëve të saj përbëjnë një qark të mbyllur, e ku nuk mund të depërtosh, jo vetëm fizikisht, por as me ide, ku propoganda të merr frymën, paaftësia kundërmon e korrupsioni uluret. Qeverisja, paraja dhe krimi janë bërë bashkë si kurrë më parë. Ato janë “mali që s’bëzanë” përballë halleve të çdo njeriu, që s’është njëri nga ata, prandaj puna ka shkuar: – Ah, si nuk e kam një grusht të fuqishëm…! E grushti është forcë. Është forcë përballë shurdhërisë e memecërisë qeveritare, e shkëputur dukshëm dhe frikshëm nga interesat e masës prej nga ka dalë…

Dhe ky grusht ekziston. Ndoshta individualisht nuk e ka forcën e përmbysjes, por kur bëhen shumë e “shembin” edhe malin e lartë, që hesht përballë tyre. Ja, kështu! Rinia ngrihet e proteston fizikisht, ndonjëherë edhe me dhunë, ndërsa “grushti im” e i atyre të moshës time, pret kutinë e votimit, për vetë specifikat e moshës që ka. Të jeni të bindur se shumë do t’a përdorin grushtin e tyre, në mënyrën që munden, e shumë do të thotë për pushtetin “mjaft me kaq!”.

Gjeni zgjidhje shpejt, përpara se uragani i zëmërimit të na marrë të gjithëve zvarrë! Atëherë s’do të mjaftojë policia e shtetit, që “mali që s’bëzanë” të hyjë në parlament, as shkurret e tij të pështira të hyjnë nëpër zyra, për t’na zhvatur edhe këto pak kocka që na kanë mbetur.

Shpikjet me pasqyra qorre, me port(h)ale që s’funksionojnë, me besë e besëlidhje të pabesësh, të folurit me vete, gjasmë po zgjidhim hallet e njerëzve, vetëm sa po e rëndojnë situatën drejt zhvillimeve të pakthyeshme. Udhëheqja jonë është mbyllur në “kullën e fildishtë”, e nuk mund t’a shohë realitetin me sy, ose më keq akoma (e besoj këtë të dytën!), krimi, korrupsioni e zullumet ku janë zhytur pushtetarët dhe qeveritarët tanë, nuk e lejojnë të shoh realitetin e zymtë që ka pllakosur vendin tonë.

E këtu, ç’na mbetet tjetër ne?

Lezhë, më 14 tetor 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok