21/12/2024

Kujtimi i 16 prillit për Vasfije Krasniqin

0
u1_Fatmire_Duraku

(Pjesë nga romani “Ora me qostekë”)
Nga Fatmire Duraku
… Rrëfimi i saj tronditës i bërë me dhembje e lot njëzet vjet më vonë në studion TV e zgjoi te unë e te shumë fshatarë edhe një herë rrugën e tmerrshme, të cilën e kaluam gjithnjë të rrezikuar nga forcat e errëta serbe.
24 prill 1999
Kjo është nata e shtatë që e kalojmë nën qiellin e hapur. Një natë me shi, e cila do të agojë kuqërremtë, me kthjelltësi të pafund. Ne ikëm nga streha kurorë e lisit, e cila sapo kishte zënë të gjethojë. Dolëm pak nën tufa rrezesh të ngrohta të diellit. Shikoja rreth e rrotull. I gjithë ky vend është mbushur me njerëz, të ikur nga vatrat e tyre. Të arrinim këtu brodhëm gjatë e gjatë e gjetëm një vend të përshtatshëm në këtë mal. Dikush frymonte në qerre me kuaj, dikush tjetër në rimorkio, e shumë e gjenin veten të strehuar nën kurora e lisash. Secili hamendej sesi të gjejë udhë e të ikim larg, larg rrezikut për jetë. Vaji i fëmijëve nuk ndalej asnjë çast.
Bëhej një muaj nga ndarja me shtëpinë e mbetur vetëm, pa zë e vesh e sy – matanë lumit Llap, në Stanocin e Ulët. Ditë me radhë hamendeshim ta lëshonim fshatin. Ndërkohë ndodhi të shpërndahej lajmi për rrëmbimin e një vajze të re në shtëpinë e vet nga policia serbe. Ajo flitej të jetë Vasfije Krasniqi, fshatare jona. Kjo gjë i tronditi të gjithë. E askush nuk e dinte çfarë ndodhi me të. Të gjithë flisnin për të e askush nuk gjente përgjigje.
Të tubuar në sheshin e vogël para xhamisë, dëgjoheshin vetëm ofshamë. Të vetmen gjë e dëgjoje:
-Ja çfarë i ngjau familjes Krasniqi!
-Të ikim nga këtu.
-I ndodhi Vasfijes. Nesër mund të marrin dikë tjetër.
I kishte vetëm 15 apo 16 vjeçe, e imët nga shtati dhe përplot jetë.
-Fol, ku të shkojmë?
-Të futemi në kolonë, e pastaj nga sytë andej dhe këmbët, – dëgjoheshin zëra plot shqetësim.
Më 16 prillin natën e kaluam në fshat, në Stanoc të Ulët. Me forcat serbe, që kishin çerdhen e tyre në Prilluzhë, na ndante vetëm lumi Llap. Nata qe e gjatë, e rëndë, e pafund. Askush nuk futi gjumë në sy. Murmurisnin rafalë nga armët. Në shtëpinë e familjes Bajgora, te e cila qemë strehuar, as gratë, as vajzat, as burrat nuk ndiheshin të qetë. Pak para mesnate dëgjuam trokitje të aspra në dyert e oborrit. Askush nuk u përgjigj. Dyert u thyen me forcë. Disa veta të maskuar hynë në oborr e ia dhanë flakën shtëpisë. Përjetonim tmerr të pa përshkruar. Shikonim të humbura në dritare. Të maskuarit që shiheshin qartë nën dritën e flakës mbanin uniformë të policisë serbe. Kishte dhe civilë.
Me të aguar i gjithë fshati u mblodhën të sheshi i vogël para xhamisë.
Gjithandej vinte erë tymi.
-Të ikim nga këtu, – tha dikush. U rreshtuam në kolonë, dikush me traktor dikush me qerre kuajsh, e dikush më këmbë. Kush me çka kishte. “ Po ta ndalin ndonjërin në postblloqe, apo e nxjerrin nga kolona, të ikë e të vritet, të mos mbetet në duar të tyre!” – na përsërisnin .Kolona u nisë. Ikëm nga fshati, i mbetur në gjuhë të flakës dhe në erë të shkrumbit e të tymit. Aty mbetën kujtimet dhe varret tona, mbeti kujtimi për Vasfijen, për të cilën ende nuk dinim qartë çfarë fati e ka ndjekur.
Kolona e mbushur me gjëmë, me vaj fëmijësh dhe dhembje të secilit ndali në malin Të varri i çikës. Aty, u paraqitëm t`i marrim armët e të vdesim me to në duar, por në shtabin e përgjithshëm të UÇK-ës, në fshatin Dumnicë, na e përsëritën të njëjtën gjë, siç qe dhe më parë, -Sapo të sigurojmë ndonjë armë do të iu thërrasim!
Në shtabin e UÇK-ës kuptuam çfarë i kishte ngjarë Vasfijes.
… Rrëfimi i saj tronditës i bërë me dhembje e lot njëzet vjet më vonë në studion TV e zgjoi te unë e te shumë fshatarë edhe një herë rrugën e tmerrshme, të cilën e kaluam gjithnjë të rrezikuar nga forcat e errëta serbe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok