24/11/2024

Kujt i duhet një shoqëri me edukim gjysmak?

0

Nga Ndue Ukaj

Ne një vend normal, sa herë që bëhen debate të ndjeshme, që lidhen me arsimin, universitetin, institucionet e dijes, kulturën, librin e fushat tjera esenciale, ministrat dhe kryeministrat, zakonisht preferojnë të heshtin, shfaqen në publik të përmbajtur dhe këto çështje ua lënë në duar profesionistëve. Por te ne ndodh krejt e kundërta. Ministra, kryeministra, çohen peshë dhe nuk lënë gjë pa komentuar, ndonëse kapacitetet e tyre në këto fusha janë të mjera. Kjo mund të jetë edhe pasojë e profesionistëve gjysmakë që kanë vërshuar në jetën publike, si dhe shprishjes së rendit të vlerave në shoqërinë tonë!

Sidoqoftë, problemi i edukimit, është shumë më i thellë dhe shumë më esencial seç duket.

E pyetja e pashmangshme që shtrohet është: Kujt i shërben një shoqëri me edukim gjysmak?

Dhe përgjigjja është e qartë: një elite politike gjysmake, të shkretë në punët e dijes dhe të kulturës, me plot hendeqe, i duhet një shoqëri me edukim gjysmak, ndaj edhe bënë çmos që ta mbajë universitetin dhe dijen nën kthetra politike.

Vendimi për mbylljen e tre universiteteve, ndonëse është i një rëndësie të posaçme dhe prioritare, përshkohet nga turfullima dhe gulçima publike. Pa dashur të gjykoj rreth vendimit, për mua të habitshme janë reagimet. Në këtë aspekt, ajo që më bëri përshtypje më shumë se turfullimat tjera, ishte një deklaratë çoroditëse e kryeministrit rreth vendimit për t’i mbyllur tre universitete, një deklaratë që do të duhej ta shtangte çdo njeri normal. Sepse, ajo deklaratë tregon qartë sa të ndërlikuara janë problemet e shoqërisë sonë dhe sa pak vullnet ka për t’i rregulluar ato.

Dihet, asnjë shoqëri, deri me sot nuk është zhvilluar pa arsimi, pa libra dhe pa edukim të njëmend. Te kjo forcë emancipuese janë shpresat e fundit- krejt të fundit- prej ku mund të pritet, një ditë, mëkëmbje shpirtërore dhe ekonomike e Kosovës së dërmuar, ndaj, të mbash shkolla dosido më shumë i bënë dëm sesa dobi shoqërisë.

Duke i futur duart kaq thellë në universitet, duke kontrolluar çdo gjë, duke punësuar gra e burra, militantë, vëllezër e motra dhe çka jo tjetër, universitet tona janë kthyer, siç thotë një mik i imi, në ente sociale, të ngjashme me entet sociale që trajtojnë papunësinë në perëndim.

Përgjatë këtyre dy dekadave prej kur jemi të lirë, para syve tanë janë shfaqur gjithfarë anomalish dhe marrish të pashembullta që brumin e kanë patur te universiteti. Dhe universitetet, në vend që të prodhojnë lajme të mira dritëdhënëse, kanë prodhuar tensione e lajme të këqija. Dhe kjo ka bërë që dija të deinstitucionalizohet dhe padija të institucionalizohet. Sepse, universiteti si koncept, ka humbur forcën morale për të çuar përpara kauza diturore, të emancipimit dhe kulturimit. Përkundrazi, universitet tona janë kthyer në çerdhe militantësh e të paditurish, ku është certifikuar dhe vazhdon të certifikohet mediokriteti, me letra të quajtura diploma e tituj të pafund.

Aspak më mirë nuk është gjendja në shkollat private, të cilat, ashtu sikurse gjitha universitetet që janë mbjellë nga politika dhe për interesa politike, duhet të mbyllen. Atyre, ndonjëherë mjafton t’ua lexosh shpalljet me plot gabime logjike e drejtshkrimore, për t’i kuptuar krejt defektet tjera.

Derisa po lexoja nëpër botën e hallakatur të internetit për çështjen e mbylljes së universiteteve, m’u kujtua shkrimtari meksikan, David Toscana që shkruan për edukimin gjysmak dhe rrezikun që i vjen një shoqërie nga fenomeni i tillë, sidomos kur shkollat kthehen në fabrika që prodhojnë punëtorë. Ai më tej shton: “Ne e dimë se librat u japin njerëzve ambicie, shpresa dhe dinjitet.”

Natyrisht, një qeveri që udhëheqë me koncepte primitive, ku vlerat janë të shpërfytyruara, nuk mund të ndihet komode në një vend ku njerëzit kanë ambicie, shpresa dhe dinjitet, dhe ku leximi është krye tema e shoqërisë, ndaj, pushtetarët tentojnë t’i kontrollojnë këto fusha me rëndësi vitale për shoqërinë. Në këtë mënyrë, ata konsolidojnë pushtetin e tyre dhe te universiteti shohin zgjatimin e jetës së tyre.

Ata që e kanë lexuar “Don Kishotin” e Servantesi- këtë vepër kapitale të njerëzimit- e dinë mirë se heroi i kësaj vepre besonte se po ndreqte prapështitë e botës, duke luftuar me mullinjtë e erës. Fan Noli thoshte se, librat Don Kishotit ia kishin shtrembëruar mendjen.

Pa dyshim, shkollat e këqija, njerëzve ua shtrembërojnë mendjen. Sepse, dihet, një shkollë e keqe i deformon njerëzit dhe ne kemi plot shkolla të këqija.

Lidhur me këtë temë, ja çfarë shkruante At Paulin Margjokaj, te libri “Kush janë anmiqtë e Shqipnisë”:

“…A krijoi shteti shqiptar shkolla qi me e prue lumninë Shqiptarëvet? Njerëzve të shtetit tonë nuk u ra kurrkund nder mend se perparimin nuk mund e japë nji shkollë çfaretdo: ka shkolla qi bijnë shkatërrim e qi bijnë ma fort dam se dobi. Shteti shqiptar nuk çeli shkollat qi do të kishin mujtë me i pru lumninë popullit e qi përkojshin me gjendjen e vendit”.

Ne tanimë e kemi provuar se shkollat dosido, më shumë bëjnë shkatërrim sesa dobi.

Ndaj, nëse duam të jemi të sinqertë me vetveten dhe sidomos me breznitë që do të vijnë, e të cilat do të na gjykojnë, duhet ta pohojmë me zë të lartë se, universitetet e hapura pas luftës në Kosovë, nuk janë hapur për qëllime diturore e as pse ka patur nevojë. Ato janë hapur për interesa krejtësisht politike, për të rehatuar militantë e servilë të partive dhe si të tilla, duhet të mbyllen.

Dhe kjo duhet të bëhet për një qëllim të lartë, sublim: të mos ua shtrembërojmë mendjen të rinjve tanë dhe të mos krijojmë mediokritet me diploma. Sepse, askush më lehtë se shkollat dhe universitet e këqija nuk mund ta betonojnë të keqen në një shoqëri.

Sot për sot, fuqitë tona diturore, krijuese, shkencore e edukuese, janë të pakta dhe kjo gjë nuk mund të fshihet, për aq sa nuk mund të fshihet dielli me shoshë.

Duke humbur betejën për arsim cilësor, dije e librin, ne kemi humbur forcën kryesore drejtpeshuese në shoqëri, pa të cilën shoqëria mbetet më pak humane dhe lehtësisht bëhet instrument i politikës.

Prandaj, sot për sot, shërbim më të mirë vendit tonë mund t’ia sjellim duke e kthyer arsimin në binare normale.

Në këtë drejtim, për mua, më shumë ka vlerë taksa ndaj injorancës, sesa ndaj Serbisë. Sepse, duke fituar betejën me injorancën dhe edukimin gjysmak, ne i garantojmë Kosovës prosperitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok