24/12/2024

KU JANË NGJASHMËRITË E ISTRIANËVE E TË SHQIPTARËVE

0
u6_poreci

Nga Gani Mehmetaj

Salla e Teatrit të qytetit ishte e vogël sa të zinte të gjithë të interesuarit për shfaqjen e filmit “Babai” të Visar Morinës. Qindra syresh prisnin edhe në  korridore, dhjetëra ishin në shkallët e teatrit. Shqiptarët e qytetit të Poreçit dhe ata të Qarkut të Istrisë (Kroaci) kishin përgatitur një program e prezantim të veçantë për këtë rast. Të dukej si të ishe në ndonjë qytet të Dardanisë: kudo dëgjohej shqip, burra, gra e vajza të veshura mirë e të kultivuar në sjellje, të entuziazmuar që takoheshin në mes vete dhe që do ta shihnin një film shqiptar. Kishin ardhur edhe nga qytete e vendbanime të tjera jo vetëm të Gadishullit të Istrisë, por edhe nga bregdeti slloven. Kur e shihje këtë entuziazëm, i thoshe vetes: sa pak merremi me njerëzit tanë në diasporë, sa shumë ka efekt kur i kujtojmë me ndonjë manifestim, ngjarje a shfaqje filmi?! Sa mall kishin bashkëkombësit tanë për atdheun, interesoheshin për mbarëvajtjen e punëve, për rrjedhat politike, për mundësinë e investimeve. Një pjesë e tyre ishin të kamur e të suksesshëm, kishin biznese në qytet: argjendari, ëmbëltore, ishin hotelierë, biznesmenë, por edhe ata që nuk merreshin me këto zeje, jetonin mirë, nuk ankoheshin.

Takova disa nga bashkëkombësit, që punonin e jetonin në këtë ambient, por ende jetonin me shpirt në vendlindje. Takova Selim Mulliqin me banim në Pulë, ku  kisha qenë dymbëdhjetë vjet rresht në festivalin e filmit. Madje, foli në mbrëmjen e shqiptarëve edhe drejtoresha e Festivalit të Filmit në Pulë për bashkëpunimin e dikurshëm me Kosovafilmin dhe për çmimet që morëm me filmat tanë kur shfaqeshin në Arenën e Vespazianit. Selim Mulliqi, nga Raushiqi i Pejës, kishte një biznes të suksesshëm, ndërsa në kohën e lirë shkruante poezi. Bisedova me Ermina Lekaj-Përlaskajn, deputete shqiptare në Parlamentin kroat, Ingrid Shahta. Takova edhe bashkëvendës argjendarë e ëmbëltorexhi, ndërmarrësin Idriz Sulejmani. Të kishe biznese të tilla: ëmbëltore, argjendari, shitore syzesh e bizhuterie në një qendër turistike sikurse ishte Poreçi, Pula a bregdeti kroat, përgjithësisht ishte një punë me fitim të madh. Ndenja edhe me ish-oficerë shqiptarë që jetonin e kishin familje në Poreç, apo në Kroaci, ata kishin luftuar në luftën atdhetare të Kroacisë, madje kishin qenë në krye të mbrojtjes territoriale kundër agresionit serb. Vendësit i çmonin dhe i respektonin shumë.

Poreçi është qendër e njohur turistike dhe vendbanim i shumë shqiptarëve nga Dardania e territoret shqiptare në Maqedoni. U takojnë tre brezave nga gjyshi te nipi dhe pothuajse të gjithë e flasin shqipen, megjithëse janë integruar mirë në shtetin e ri. Në shkollën fillore të Poreçit fëmijët shqiptarë e mësojnë gjuhën shqipe dhe kulturën tonë. Ka interesim edhe në shkollën e mesme. Shqiptarët në Kroaci kanë edhe shkolla të mesme në gjuhën shqipe, kanë edhe emisionin televiziv në nivel qendror në kuadër të televizionit shtetëror në gjuhën shqipe.

Sa interesant: janë disa mijëra shqiptarë në Dalmaci e Kroaci, ndërsa e kanë të drejtën e shprehjes së identitetit të tyre kombëtar, të kulturës dhe të gjuhës së tyre gati në të gjitha nivelet e arsimit, kurse në Turqi janë disa milionë shqiptarë, që s’kanë asnjë të drejtë kombëtare e gjuhësore, madje s’kanë të drejtë të regjistrohen si shqiptarë, pos si turq!

Në Kishën e qytetit shpesh vijnë priftërinj nga Prishtina, që e mbajnë meshën në gjuhën shqipe, rast i mirë ky që të mos shkëputen nga vendlindja, kur fjalën e Zotit e dëgjojnë në gjuhën amtare, na thanë disa prej tyre. Kisha Shqiptare Katolike e Dardanisë dërgonte shpesh priftërinj jo vetëm në Kroaci, por edhe në Zvicër e Gjermani. Atë ditë  kur erdhëm ne, prifti don Albert Krista, në kishën “Zoja e Engjëjve”, të Poreçit, organizoi një meshë të veçantë për të shënuar e bekuar Ditën e Pavarësisë së Dardanisë, 17 Shkurtin. Don Krista më përshëndeti në mënyrë të veçantë si përfaqësues i Kosovafilmit.

Gjatë tërë kohës, që nga Zagrebi, me ne ishte Lili Koci, artiste, një punëtore e palodhur e aktiviteteve kulturore, nismëtare dhe organizatore e këtij manifestimi, një herë në Zagreb, ku u prit me interesim të jashtëzakonshëm shfaqja e filmave, e pastaj në Poreç. Ajo i njihte njerëzit dhe komunikonte lehtë me ta. Organizimin e mirë e bëri edhe në Zagreb, ku na mbështeti edhe Ambasada jonë me ambasadoren Shkëndije Geci-Sherifi, një zonjë që të impononte respekt.

Kur e shëtit qytetin e Poreçit, duke i rënë rreth e rrotull, sepse ke çka të shohësh, të mrekullon jo vetëm e kaluara e ruajtur dhe e rinovuar me aq përkushtim, por deshe s’deshe të del përpara krahasimi në mes të pushtuesit të mirë, sikurse e kishin kroatët Austro-Hungarinë, që jo vetëm kishte ruajtur trashëgiminë ilire e romake, por kishte ndërtuar objekte që mund t’ua kishe lakmi. I rashë rreth e rrotull qytetit më shumë se dy herë, sepse në çdo hap kishe çfarë të shihje nga e kaluara dhe nga ofertat e shumta turistike. Pushtuesi i mirë, u la ndërtime monumentale, mure që e rrethonin qytetin, u la trotuare e godina.

Nga Poreçi kam kujtime të veçanta. Kur isha në vitin e katërt të studimeve, bëmë  ekskursion të organizuar me studentët e Universitetit të Prishtinës, vizituam  Jugosllavinë nga Nishi e Beogradi, deri në Slloveni e Kroaci. Vizitonim burgjet. Bujtëm dy-tre net në Poreç, na pritën jashtëzakonisht mirë, sepse edhe atëherë komuniteti shqiptar ishte i madh. Gati nuk lamë skutë pa vizituar. Kur erdha 38 vjet më vonë me 17 shkurt 2017, përpiqesha të shtrydhja kujtesën dhe të kapja imazhet e kaluara. Por se si me rrëshqisnin pamjet, herë më dilte se me ndonjë shok ose shoqe kisha qëndruar këtu buzw detit, herë pak më tutje. Më ngatërrohej çdo gjë, por një zë i butë si jehonë e largët mi përkëdhelte veshët, nga malli  mu mjegullua shikimi. Me kujtohet pastaj se vazhduam drejt qytetit të Rijekës e Zarës. Unë u ndala në Zarë, ku e kisha vëllain, Haxhiun, që studionte arkeologjinë, ndërsa autobusët me shokët më prisnin në Split, 400 kilometra më në jug. Kur e pashë pas 40 vjetësh një foto në grup, bërë në Poreç, sesi më dukej vetja me shokët: i ri, i hequr në fytyrë e në shtat, madje si të ishim të paushqyer. Nga ajo kohë qyteti kishte ndryshuar shumë, pjesën e re nuk e njihja, sepse ishte zbukuruar me komplekse turistike si në përralla. Një natë e kalova në këtë kompleks përrallor.

Poreçi është qytet turistik, ndër më të veçantit me një ndërtim karakteristik, ka shumë objekte antike e të mesjetës, e ka murin rrethues që e mbronte qytetin nga deti. Poreçi (Latin: Parens ose  Parentium)i ilirëve istrianë, është i vjetër më shumë se dy mijë vjet. Ka një mori dëshmish antike, por përmendorja më e bukur është bazilika e shekullit  V. Shqiptarët përbëjnë komunitet të madh. Janë shumë të vyeshëm, thonë vendësit.

Ku është çelësi i suksesit të shqiptarëve në Poreç, në Istër e në Kroaci, pyet gazetari i portalit Istarski.hr, ndërsa argjendari shqiptar i përgjigjet: puna. Kam punuar dikur deri në 20 orë që të kem sukses. Pastaj në kohën kur kroatët ishin të kënaqur me një rrogë të sigurt të shtetit, shqiptarët nuk mund të gjenin punë shteti, prandaj nisën me argjendari, ëmbëltore a ekonomi të vogël, të pavarur nga shteti.

Në këtë portal kroat (istarski.hr) më ra në sy vazhdimi i një shkrimi: “Anton Oroshi (shqiptar nga Gjakova, i ardhur më 1961), ka një teori interesante për lidhshmërinë e istrianëve dhe të shqiptarëve. Paraardhësit e shqiptarëve e të istrianëve (histreve), ilirët, ishin popull shumë i afërt me gjuhë e kulturë të ngjashme, kështu që edhe sot në dialektin istrian ekzistojnë shumë fjalë të njëjta sikurse në gjuhën shqipe, si: katuni (katundi-fshati) ose pyetja çka (ça), që edhe në gjuhën shqipe ka të njëjtin kuptim. Koka e dhisë në përkrenaren e Skënderbeut është edhe simbol i Qarkut të Istrisë!”, thotë argjendari Oroshi për portalin kroat.

Poreçi i histrianëve dhe i shqiptarëve është i ngrohtë e mikpritës, është qytet që të grish sa herë që largohesh nga ai. Gjithnjë ma kujton rininë time me shokët e shoqet e studimeve që nuk i kam parë gati kurrë më.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok