22/12/2024

Kryeministri endacak

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Kryeministri i vendit tonë, nuk është ai endacaku Knulp i Herman Hesses, që kërkonte të kuptonte ekzistencën njerëzore, por një udhëheqës primitiv e endacak, pa strehë politike, që aventurat politike nuk i bën për t’i hapë shtigje vendit, por për egon e tij personale.

Prandaj, Ibrahim Rugova për të mund të jetë edhe figurë historike edhe kolaboracionist.

Kjo ndodh ngaqë jeta prej endacak politik i është kthyer në identitet politik.

Në mendjen e tij e të oborrtarëve të tij palaço, nuk ka të vërtetë tjetër, përpos asaj që del prej llogoreve të tyre.

Me formim shumë të cekët politik, Kurti ka menduar se me marrjen e pushtetit, i jepet drejta mbi gjithçka: mbi Gjykatën Kushtetuese, median, opozitën, bashkësinë ndërkombëtare, historinë…

Kjo mendësi, nuk ka lidhje me demokracinë perëndimore. Është mendësi thellësisht oriental, të i cilën Kurti e manifeston egërsisht.

E orientali, siç ka vu re qëmoti i dituri Krist Maloki, “në shpirtin e vet asht kryekëput rrënimtar, asht destruktiv.”

Pra, ajo që e karakterizon Kurtin në sferën publike, është jeta e tij tipike prej endacaku. Një endacak politik, parehatia e të cilit me gjithçka, është diçka që duket, ashtu siç duken të gjitha gjërat e mëdha, për të cilat nuk ka nevojë për sqarime shtesë.

Një njeri që gati njëzet vjet çirret kundër çdo kujt, bën me gisht gjithmonë kah të tjerët dhe për çdo dështim të tijin, e gjen një justifikim diku tjetër, ai nuk ka si të quhet ndryshe, pos një figurë distrikteve.

Në të vërtetë, jeta e tij bredharake politike, ka nisë në opozitë.

Asokohe kur strehë të bukur politike, e kishte bashkimin kombëtar, për çka çirrej me parulla e afsh patetik.

Por, këto parulla për bashkim i hodhi në plehra, porsa u ul në kolltuk të pushtetit, ngrohtësia e të cilit e shpërfytyroi, siç ka bërë me krejt pseudokauzat me të cilat e ka marrë pushtetin.

Dhe tani, ngjan në mbretin cullak të përrallës së njohur për rrobat e mbretit.

Po, udhëheqësi ynë është krejt lakuriq dhe kjo vërehet në paqëndrueshmërinë që e shpërfaq sa herë flet publikisht.

Kjo paqëndrueshmëri shfaqet në gjuhën e tij të egër, në fjalimet e cekëta e përplot anomali që mban nëpër diasporë, në mllefin që shfaq përditë dhe sidomos në përpjekjet për ta paraqitë qeverinë e tij si të shenjtë e punët e tij si mrekulli të mëdha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok