25/12/2024

KRYEMINISTRI EDI RAMA DEKLARON: KOMUNISTËT DHE KOMUNIZMI NË ANËN E DUHUR TË HISTORISË!?

0
Frank-Shkreli

Nga Frank Shkreli

“Im at, po, ka qenë komunist, si shumë të tjerë dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë”.  Kështu u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama gjatë një debati në parliament me disa deputetë të “opozitës”, të ënjtën që kaloi.  Me thënë të drejtën e dëgjova dy tre herë deklaratën e Kryeministrit shqiptar për të qenë i sigurt se vërtetë kështu u shpreh publikisht, madje nga foltorja e Kuvendit, kryeministri i Shqipërisë — i një vendi ish-komunist me regjimin më të egër të këtij lloji në botë, për pothuaj një gjysëm shekulli, aktualisht vend anëtar i NATO-s, një aleancë ushtarake që është themeluar, pikërisht, me misionin për të mbrojtur vendet demokratike perendimore nga kërcënimet e komunizmit sovjetik dhe aleatëve të tij.

Nuk më intereson aspak se cilat ishin ose si i kujton Edi Rama marëdhëniet me babain e tij kur i ati i shërbente regjimit komunist të Enver Hoxhës, ose cilat janë kujtimet e tija familjare tani që i ati është i ndjerë.  Gjithashtu nuk më interesojnë as marrëdhëniet e Edi Ramës ose pikëpamjet tija për ballistët, zogistët ose këdo tjetër, pasi ata të gjithë meritojnë njëri tjetrin.

Po ajo që më intereson dhe më shqetëson mua si një shqiptar i diasporës që gjithmonë dhe pa dallim ia do të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo, e që duhet të interesojë dhe të shqetësojë çdo shqiptar, pa dallime politike, fetare ose krahinore është kur Kryeministri aktual i Shqipërisë deklaron – 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit  nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë –se komunistët shqiptarë, në krye me Enver Hoxhën, njërin prej diktatorëve më gjakatarë që ka njohur historia — na paskan qenë, “në anën e duhur të historisë”.  Kush është ky njeri, a është Edi Rama “antikomunisti” i vitit 1990, a po simpatizant i komunizmit sot.

Është e vështirë të merret me mend një Kryeministër i cilitdo vend tjetër ish-komunist në Evropë dhe më gjërë, që sot në fillim të dekadës së tretë të shekullit 21, të deklarojë se — komunistët shqiptarë, përfshir babain e tij, që i kanë shërbyer me besinkëri njërit prej regjimeve më kriminale që ka njohur historia e njerëzimit e shekullit të kaluar – kanë qenë në anën e duhur të historisë.  Gjatë “debatit”, Z. Rama e quajti veten “socialist-demokrat”, “në kuptimin e të qenit demokrat”, tha kryeministri.  “Socialistët, ta dishë”, shtoi ai, “janë anti-fashistë dhe anti-komunistë”. Nëqoftse socialistët na qenkan “antikomunistë”, atëherë si mund të ishin komunistët në anën e duhur të historisë?  “Socialistët, nuk merren me personat, ata merren me ideologji, kjo është ndarja e madhe”, theksoi ai. Por, ai nuk tha se për cilën ideologji e ka fjalën.

Unë nuk jam i sigurt se cilën audiencë kishte parasysh, Z. Rama kur deklaroi se komunizmi shqiptar ishte në anën e duhur të historisë: drejtuar një dyzinë antarësh të Kuvendit që gjoja quhet opozitë, ish-zyrtarëve të komunizmit, sot anëtarë të Kuvendit si përfaqësues të partisë së tij në pushtet, me maska në fytyrë, sikur duan të mbulojnë të kaluarën e tyre kriminale, si ish-shërbëtorë të komunizmit, “në anën e duhur” të historisë, a po iu drejtuar mbarë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, ose ndoshta vetëm donte të mobilizonte “pionerët e Enverit”?.  Unë besoj se ky mesazh patetik i Z. Rama u drejtohej votuesve shqiptarë në përgjithësi, me një sy tek zgjedhjet e ardhëshme, për të aktivizuar elementët më negativ të shoqërisë shqiptare.  Por, mbi të gjitha ishte një mesazh anti-njerëzor për të gjitha viktimat anti-komuniste të regjimit të Enver Hoxhës dhe të përndjekurve të atij regjimi dhe  ndaj të gjithë atyre që kanë kaluar vitet më të mira të jetës nepër kampet e përqëndrimit e që sot sillen rrugëve të Tiranës dhe të qyteteve të tjera pa punë, pa të ardhura e pa pronë, pa pikë shprese për veten dhe familjet e tyre.  E vetmja shpresë që kanë është për tu arratisur nga Atdheu siç arratiseshin dikur nga Shqipëria komuniste, paraardhësit e tyre.  Për fat të keq, kjo deklaratë e kryeministrit shqiptar, mbi të gjitha, u bë në frymën e Vladimir Leninit, me qëllim “që të përhapë në masat e popullit urrejtje klasore, neveritje dhe përbuzje ndaj të gjithë atyre që nuk pajtohen me ne.” (Lenini).

Të thuhet se “komunistët ishin në anën e duhur të historisë”, nuk është një shprehje që del nga zemra dhe mendja e një demokrati të vërtetë evropian të fillim shekullit 21.  Kjo nuk është demokraci as “politikë opinionesh e përballje ideshë”, siç pretendoi gjatë “debatit”, Z. Rama.  Ky është një debat me veten tuaj, i nderuar kryeministër!  Fatkeqësisht, kjo që ndodhë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është as shprehje opinionesh as përballje ideshë, por është një pasqyrim i falimentimit moral dhe politik i një klase politike pa parime dhe pa atdhedashuri.  Por që pasqyron edhe atë që, për shumicën e shqiptarëve tani, është një korrupsion materialist në të cilin është zhytur vendi, jo vetëm politika e ditës por edhe një pjesë e madhe e medias dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

Mund të ishte një kohë dikur, dekada më parë, që ndoshta përkushtimi ndaj komunizmit dhe diktatorëve si Enver Hoxha të konsiderohej si një idealizëm i gabuar ose naiv, megjithëse i rrezikshëm dhe jo kurrë si në anën e duhur të historisë.  Por, sot jemi në një botë dhe në një shekull tjetër.  Për pjesën më të madhe të botës ish-komuniste dhe për njerëzit normal, periudha e komunizmit ka kaluar, është mbyllur, turpërisht, me shembjen e Murit të Berlinit.  Por, kjo magjepsje, kjo nostalgji e çmendur në nivelet më të larta të qeverisë dhe shtetit — me të kaluarën komuniste në Shqipëri — siç dëshmon edhe deklarata e Kryeministrit Rama javën që kaloi — është absolutisht e pabesueshme, kur të konsiderohen krimet e atij regjimi, tani një pjesë e të cilave po dokumentohen nga entet përkatëse të jashtme dhe të brendshme të vendit, nga individë e historianë si dhe nga dëshmitë e shumë të vuajturve dhe të persekutuarëve të regjimit enverist.

Ata që janë moralisht të falimentuar, përsa i përket krimeve të komunizmit, anashkalojnë faktin se terrori dhe krimet anti-njerëzore ishin një prej mjeteve bazë që komunizmi përdorte për të qëndruar në pushtet, duke zhdukur, pa mëshirë, kundërshtarët e vet.  Në vend që të kërkojnë ndëshkimin e krimeve të komunizmit, ose të pakën përballimin zyrtar me të kaluarën komuniste, grupe të ndryshme, një pjesë e medias dhe nostalgjikët e komunizmit– për interesa të momentit– promovojnë regjimin komunist dhe figurat udhëheqëse më të shëmtuara të komunizmit shqiptar.  Tashti këtyre grupeve iu bashkua, zyrtarisht, edhe Kryeministi i vendit me deklaratën e tij bombastike se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.  Një deklaratë kjo e cila u interpretua nga disa analistë si një përpjekje e qartë për të paraqitur ndryshe nga ç’ishte historia kriminale e komunizmit në Shqipëri.

I nderuar Z. Kryeministër, në vend të glorifikimit të komunizmit, si i pari i qeverisë së vendit, të takon, je i detyruar– politikisht, moralisht, por edhe kombëtarisht — që të ndihmosh në ndërgjegjësimin dhe në forcimin e dialogut rreth krimeve dhe pasojave të së shkuarës diktatoriale komuniste në Shqipëri.  Ndërgjegjësimi dhe përgjegjësia e shoqërisë shqiptare për të kaluarën komuniste, është një rol që duhet të luaj personi i juaj, si një përgjegjësi morale dhe qytetare ndaj të gjithë shqiptarëve, pa dallim.  Sa larg ishte dhe është Shqipëria nga bota perendimore sa i përket komunizmit.  Ish-Presidenti amerikan John Kennedy, si një detyrim moral dhe patriotik kishte premtuar në kulmin e përhapjes së komunizmit në botë se për të ndaluar komunizmin, Amerika ishte gati të, “paguaj çdo çmim, të bartë cilëndo barrë, të përballojë çdo vështirësi, të mbështesë çdo mik, dhe të kundërshtojë çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.  Liria në Shqipëri nuk mbrohet duke promovuar komunizmin, Z, Kryeministër.

Fatkeqësisht, nostalgjia për komunizmin është e rrënjosur thellë në psikozën e shqiptarëve dhe shprehet haptas nga trashgimtarët apologjetë të atij regjimi, në media dhe panele televizive, nga njerëz të cilët ende mbajnë detyra me përgjegjësi, në nivelet më të larta qeveritare dhe akademike.  Politika ka përgjegjësitë e veta për gjëndjen e krijuar në vend, por këta ”këmisha bardhët me kravata” siç i quante Ronald Reagan, janë një ndër shkaqet kryesore që demokracia, liria e vërtetë dhe drejtësia, po tkurren dita ditës në Shqipëri.  Këta duhet të mbahen përgjegjës aq sa edhe politika, për gjëndjen e mjerueshme në vend.

Shqipëria jonë e vogël është me krime aq të mëdha e të kobshme të epokës së komunizmit, saqë s’ka ndërgjegje e kujtesë që i mban.  Të pazotë e të pandershëm si elita, si shoqëri, si parti politike dhe si shtet për t’u përballur me to, për fat të keq, duket se Tirana zyrtare ka zgjedhur rrugën e harresës, tjetërsimit të historisë dhe anashkalimit të krimeve të komunizmit, kësaj radhe me sanksionimin zyrtar të Kryeministrit të vendit.  Jeni në rrugën e gabuar!  Historia e komunizmit shqiptar, prej pothuaj gjysëm shekulli, ishte një histori tmeri, viktimash të pafajshme, kampesh pune e përqendrimi, burgjesh, arratisjesh dhe ekzekutimesh të kundërshtarëve të regjimit enverist.  Z. Kryeministër, po mbroni një trashëgimi krimesh, gënjeshtrash dhe shpifjesh.  Komunizmi ishte një kapitull i tmershëm dhe i pa njohur më parë në historinë e njerëzimit, për nga natyra e krimeve që ka kryer mbi njerëz të pafajshëm.  Si e tillë, kjo histori monstroze duhet të dënohet, në vend që të promovohet si një histori e duhur nga ana juaj.  Diktaturat e të gjitha ngjyrave, sidomos komunizmi me mbi 100-milionë të vrarë — nuk kanë qenë kurrë dhe nuk duhet të konsiderohen as sot si një sistem i duhur në historinë e Shqipërisë, as të njerëzimit.  Deklarata juaj, javën që kaloi, se komunistët dhe komunizmi 50-vjeçar në Shqipëri — megjithë krimet e mëdha në njerëz dhe dëmet materiale për të cilat nuk fole fare — ishin në anën e duhur të historisë, është e papërgjegjshme, ofenduese për të përndjekurit e komunizmit– të gjallë e të vdekur– imorale dhe kriminale për një kryeministër të një vendi anëtar i NATO-s.

Në artikullin e bashkangjitur, shkruar para tre vjetësh, mund të shikoni foto-skica nga Piktori Z. Lekë Pervizi: Kampet e vdekjes, janë kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, dhe pikërisht kampi famëkeq i Tepelenës.

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-piktori-i-kampeve-te-vdekjes-te-regjimit-te-enver-hoxhes/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok