13/11/2024

Kryeminisitri i Qeverisë së Lajeve

0

Nga Ermal Mulosmani

Kush e  ka njohur Kryeministrin Rama në  kohët e rinisë, atëherë kur nuk kishte pushtet ekzekutiv, menjëherë e bën dallimin me transformimin rrënjësor të tij. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm te veshja ekstravagante prej bohemi intelektual apo shkrimet trandëse  plot stil e tharm të tij, që sillnin në median e shkruar një frymë krejt tjetër nga gjuha e leshtë dhe pa nerv e kalemxhinjve të tredhur të një kohe tredhëse. E kam fjalën edhe këtu, sigurisht, por jo vetëm këtu.

Edi Rama ishte rebeli modern dhe fshikulluesi më sharmant i modeleve të trashëguara nga kiçi komunsit. Ne e pëlqenim Ramën e asaj kohe se na kishin ardhur në majë të hundës modelet e pompuara e pa vese të komunizmit,  heronjtë artistikë të krijuar sipas modeleve të parafabrikuara të njeriut të ri.  Një lloj fasade e tejdukshme, lëtyre, gëzimi entusiast që fshihte pas vetes malin e vërtetë të vuajtjeve apo vlerave njerëzore.

Krijesat entuziaste, patetike e melodramatike të teatrit komunist kanë qenë pjesa ndoshta më e shpifur e tij. Ti ishe gati, ndoshta, të vuaje në heshtje e mirëkuptim varfërinë e skamjen por jo edhe glorifikimin e heronjve entuziastë të atij sistemi. Po përmend këtu vetëm një  krijesë tipike si Laja te filmi “Kur hidheshin themelet”.

Laja është një komuniste vigjilente, me një vështrim “dërrmues” mbi armikun, e veshur partizannçe megjithëse lufta ka mabruar, që flen pak e punon shumë, që flet si aparatçike me nota patetizmi dhe është krenare. Me një fjalë një fyryfyçkë që frymon për Partinë dhe systemin e ri. Këtë tip e ka përshkruar me mjaft vërtetësi edhe Milan Kundera, një nga të preferuarit e Kryeministrit tonë,  te Shakaja (Marketa) apo te Lehtësia e Papërballueshme kur thotë:

“Unë mund t’i mbijetoja shumë kollaj vuajtjeve dhe varfërisë në komunizëm. Por e kisha të pamundur t’i mbijetoja kiçit komunist. Në botën e teveqelëve të qeshur, me të cilët nuk do kisha mundur të këmbeja asnjë fjalë, do të kisha vdekur nga tmerri brenda javës”.

Pasi ke lexuar këtë tekst, menjëherë të dalin përpara me dhjetëra “teveqelë” të qeshur që na japin receta mirëqenie dhe entuziasmi.

Dhe ironia më e madhe: Mes tyre spikat bash përkthyesja e Milan Kunderës! Sa herë e shoh më duket si personazh i Kunderës: Plot qeshje të stisur televizive, patetizëm të luajtur keq dhe një entuziasëm kallp e zell servil; bredh koshave të plehrave, këndon labçe  e kërcen malësorçe si t’ja dojë puna.  Laja e dikurshme më duket amatore para saj. Them me vete: Po Kundera ça do të bënte po ti çonin në varr një video të përkthyeses së tij entuziaste? Nuk kam imagjinatë të shkoj aq larg…

E tepërt të zgjatem me Spiropalin, Taulantin, Muzhaqin, Helenën, Ogertën. Është i njëjti laborator krijues ku përzihet optimizmi me entuziasmin, gëzimi me llërëpërveshjen, besimi në sukseset e arritura dhe brumosjen me dashurinë e pakufishme për Liderin. Është e gjitha një amalgmaë e neveritshme hipokrizie, paaftësie e servilizmi patetik që na sundoi pothuaj gjysmën e jetës sonë.

Çfarë tmerri!

Edi Rama ishte fshikulluesi më i pamëshirshëm  dhe zëri më interesant kundër  këtyre krijesave monstuoze të Njeriut të Ri. Me plot stil letrar, kolor gjuhësor e kurrfarë kujdesi etik deri në arrogancë, Rama krijoi aurën e tij të  artistit modern, antdotit të këtij virusi komunist.

Jam shumë kurioz të shihja qeverisjen e sotme të Elizës, Taulantit, Mirelës, Borës, Ogertës me mendjen e Edi Ramës së 96-ës.  Si thotë ai vargu i famshëm i Azem Shkrelit:

“Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy?”

Unë e besoja që Edi Rama do të ishte një Kryeministër arrogant, ekzibicionist, ambicioz, vizionar, dinjitoz e , le të thëmi edhe i suksesshëm. Por kurrë nuk do të besoja se do na sillte në Qeveri Lajet, personazhet groteske të një kohe të shkuar; nuk do e besoja kurrë që do e sillte në ligjërimin publik shtetar një nivel servilizmi anadollak, do të vazhdonte poshtërimin intelektual të filluar nga Laja e parë në një pafundësi personazhe lajkatarë e pa karakter.

Ja, kjo është gjëja më zhgënjyese nga Edi Rama. Siç thotë Kundera, për ta mbyllur:

“Në botën e teveqelëve të qeshur, me të cilët nuk do kisha mundur të këmbeja asnjë fjalë, do të kisha vdekur nga tmerri brenda javës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok