KRONIKË NGA KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN: 20-VITE KRIJIMTARI LETRARE NË AMERIKË
Nga Frank Shkreli
Ky vit shënoi 20-vjetorin e themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Festimet e këtij përvjetori kishin filluar në shtator me ekspozitëne librit dhe kulmuan me një tubim të qindra antarëve dhe dashamirësve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan, javën e kaluar, në vend-tubimin e ri të komunitetit tonë, në “Qendrën Kulturore Shqiptare “Illyria” në New York, sallë e auditorium realizuar me nddihmën e Këshilltarit të qytetit të Nju Jork-ut, Z. Mark Gjonaj, për t’u përdorur nga komuniteti shqiptaro-amerikan, pikërisht, për takime dhe festime të tilla kulturore, këtu në hapësirën e tre-shtetëshit, Nju Jork, Nju Xhersi dhe Konetikët.
Për të shënuar këtë 20-vjetor të rëndësishëm për jetën kulturore dhe artsitike të komunitetit shqiptar në Nju Jork me rrethe, në shtator u organizua ekspozita e librit, “20 vite krijimtari letrare në SHBA”, në zyrën e përkohëshme të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”, shtetin Konetikët. Pikërisht në qytetin Stamford, ku u promovuan me atë rast, monografia voluminoze në dy vëllime “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (2001-2011)” dhe “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (2012-2021)”, si dhe “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)”. Në shtator, u prezantuan gjithashtu të gjithë numrat e revistës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, PENA si dhe botimet nga Shtëpia Botuese “Adriatic Press”, përfshir botimet e autorëve anëtarë të Shoqatës.
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka mbledhur rreth vetes elitën letrare dhe publicistike, shkrimtarë e poetë të komunitetit shqiptaro-amerikanë dhe më gjerë të diasporës shqiptare, ndërsa vazhdon të tërheq gjithnjë e më shumë anëtarë të rinjë. Ky fakt ishte i qartë nga pjesëmarrja e madhe e kësaj elite kulturore në tubimin e madh kulminor — në Qendrën Kulturore Shqiptare “Illyria”, në New York — të veprimtarive të organizuara, gjatë këtij viti, për të festuar 20-vjetorin e themelimit të Shoqatës – një ngjarje kjo me rëndësi të madhe artistike dhe kulturore për komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork me rrethe. Kishin ardhur shkrimtarë e artistë shqiptarë edhe nga Kandaja e Meksika. Ndër mysafirët special i cili me pjesëmarrjen tij lartësoi dhe nderoi këtë tubim, ishte shkrimtari disident dhe simboli i qëndresës anti-komuniste, Z. Visar Zhiti, anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, si dhe Poeti dhe shkrimtari Gjekë Marinaj, themelues i parë dhe aktualisht President Nderi i Shoqatës.
Programin e shpalosi Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve -Shqiptaro-Amerikan, Z. Mhill Velaj duke përshëndetur të ftuarit, ndërsa paraqiti folësit e rastit, Presidentin aktual, Z. Adnan Mehmeti, Z. Gjekë Marinaj, Kryetarin e parë të Shoqatës, Këshilltarin shqiptar-amerikan të qytetit të New Yorkut, Z. Mark Gjonaj, Kryetarin e “Vatrës”, Z. Elmi Berisha, Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në New York, Z. Frymëzim Isufaj, autori Thanas Gjika nga Bostoni e të tjerë. Do të ishte një shkrim i gjatë po të reflektoja fjalimet e të gjithëve me këtë rast, por desha vetëm të pasqyroj, të pakën pjesërisht fjalën e Poetit dhe Shkrimtarit disident dhe të vuajturin e burgjeve të Enver Hoxhës, (Ja dhe linku i fjalimit të plotë të Z. Zhiti) LETËRSIA SI HAPËSIRË DHE LIRI, SI GJUHË DHE IDENTITET, POR DHE SI MISION… – Dielli | The Sun (gazetadielli.com). Zoti Xhiti foli në përgjithësi, “Diasporën e Letrave”, për letërsinë shqipe në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thenë se, “Po bëhet gjithnjë e më e pranishme letërsia e diasporës, zbulime prej saj e prodhimet e reja, ku është ruajtur gjuha dhe identiteti, shpirti kombëtar, duke qenë dhe mbetur një urë e gjallë mes atdheut dhe botës. Pra duke shtuar botë…”, ka theksuar ndër të tjera, Z. Xhiti, duke folur specifikisht për kontributin e diasporës shqiptaro-amerikane në letërsinë shqipe:
“Hijerëndë dhe me rëndësi është diaspora shqiptare në SHBA, letërsia e saj, që nisi me korifejtë, Faik Bej Konica (Domenik) dhe Imzot Fan Noli, të cilët krijuan dhe një “Vatër” shekullore shqiptare me “Diellin” shqiptar shekullor. Këtu do të vinin pinolli i Frashërllinjve, shkrimtari Mit’hat Frashëri, emblema e intelektualit patriot, po edhe Stavro Skëndi, bashkëpunëtor i tij, gjuhëtar dhe historian, të cilët përndiqeshin nga regjimi komunist në atdhe dhe vdiqën të dy në Nju Jork. Erdhi dhe filozofi dhe shkrimtari Isuf Luzaj, i përndjekur që nga lufta, dhe historian Ago Agaj, i dënuar me vdekje në atdhe, plot të tjerë dhe së fundmi është botuar memuaristika e Kol Bibë Mirakaj”.
“Për në SHBA do të arratisej, pasi të dilte nga burgu, poeti, kritiku letrar, filozofi Arshi Pipa, duke marrë me vete dhe “Librin e Burgut”, ato sonete infernale që i botoi në 1959 në Romë, me rëndësi të jashtzakonshme. Pas tij do vinte, edhe ai i arratisur me të dalë nga burgu, shkrimtari e publicist Sami Repishti. Do të arratisej dhe shkrimtari, me baba të pushkatuar, Bilal Xhaferri, poeti i ofshamës çame. Për këtu u arratis, më pëlqen të them, me kalin e tij metaforik, me flatra, me Pegasin, poeti Gjekë Marinaj”.
Këtu, do të thosha, se lëvrohet një letërsi dhe nga aradhët e reja e brezit të pas ‘90. Rëndësi të parë, sipas meje, këtu ka dhe ruajtja e gjuhës amë, jo vetëm pse është jona, por gjuhën shqipe shkencëtarët e gjuhësisë e vendosin në 10 –11 gjuhët më të rëndësishme në botë, antike, rrënjëse, pra është pasuri, jo vetëm jona, por ne jemi të parët që e kemi për detyrë ta ruajmë e ta gjallërojmë.
“Gjuha është atdhe. Bëhet letërsi këtu, shtoj me ngazëllim, dhe s’ka rëndësi në janë a jo antarë të shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë. Patjetër s’mund të rri pa përmendur bashkëvuajtësit e mi, miqtë e burgut, këtu nisën romanet e tyre Dine Dine, Hasan Bajo, shkruajnë tregime Memisha Gjonzeneli, kujtimet infernale Kaso Hoxha, sintezat e mendimit Lekë Mirakaj. Do të vazhdonte poezitë e burgut Pëllumb Lamaj, edhe Ilir Spata, edhe i përndjekuri, i biri i Isuf Luzajt, Dalani. Ndërkaq edhe krahu tjetër, komandantë të burgjeve apo oficerë të Sigurismit të shtetit do të shkruanin kujtimet e tyre. etj. Këtu erdhën shkrimtarë të njohur si Naum Prifti e Betim Muço e do të vazhdonin të shkruanin suksesshëm shkrimtarë si Roland Gjoza, Ardian Vehbiu, eseist e gjuhëtar modern ndërkohë, historiani dhe monografisti i rëndësishëm Ilir Ikonomi, studiuesi i arkivave dhe historian Agron Alibali, etj”.
“Romane do të shkruanin Albana Lifshing, Mirela Kanini, etj, poezi Ilirjana Sulkuqi, Rajmonda Moisiu, Bajame Hoxha – Çeliku, Yllka Filipi, tregime në dy kohë e në dy vendet tona Muç Xhepa, kritikë letrare e studime do të ndiqja nga Mërgim Korça, Minella Aleksi, Gëzim Basha, Ernest Nasto, etj, e gazetarí nga Alfons Grishaj, Klajd Kapinova, Valentin Lumaj, Qemal Agaj, Merita McCormack, etj, etj. Nërkaq ka autorë që krahas shqipes, shkruajnë dhe në gjuhën e madhe angleze, duke rrokur një lexues të madh. Dua të kujtoj shkrimatren dhe përkthyesen e talentuar Ani Gjika, e vlerësuar dhe me çmime, bijë e studiuesit Thanas Gjika dhe e poetes Julia Gjika, etj, etj. I sigurtë që ka dhe të tjerë, ndjesë që kam përmenduar aq emra”.
“Pas shoqatave, instituteve, akademive kulturore shqiptare këtu, arritje do të jetë Katedra e parë e Albanalogjisë në Universitetin DePaul në Çicago, ngritjen e së cilës e la në testament Hidai Bregu, një shëmbull i patriotit, i atdhetarit të kulturës, të gjuhës amë dhe letrave shqipe, drejtimin e së cilës do ta merrte shkrimtari Gazmend Kapllani. Në Universitetin e Michigan-it poeti dhe studiuesi i ri, përkthyesi Lisandri Kola do të arrijë të japë leksione të letërsisë shqipe të ekzilit, një aspekt me interes, i gjerë dhe përfaqësues. Institucione mbeten dhe gazeta “Dielli”, që me Sokol Paja tani, në vazhdim të gazetarit Dalip Greca, po edhe gazeta “Illyria” e Vehbi Bajramit, me gazetar Ruben Avxhiu, po i lënë më hapësirë letërsisë dhe kritikës letrare, ndërkaq që mbajnë të ndezur gjuhën e shkruar.”
“Ndërsa “Zëri i Amerikës”, shqip, me gazetarët e saj profesionistë, këtu kemi njërin nga drejtuesit e dikurshëm, Fran Shkreli, dhe tani me drejtorin e euro-azisë, Elez Biberaj, evulojnë po aq sa mendimin politik, edhe informacionin rrethanor, në gjuhën e folur amë. Po kështu dhe televizione lokale e gazeta shoqatash të përkohshme, etj, librat shkollorë, mësuesit e shkollat në gjuhën shqipe, qendrat kulturore, vendet e kulteve, kishat me meshat shqip, xhamitë e teqeja e Detroitit, ku mblidhen shqiptarë, janë një ndihmesë e pazëvendësueshme për bashkësi, gjuhë dhe identitet”.
“Të zhvillohet teatri, sidomos me të rinjtë. Filmi shqiptar do të ndihmonte shumë. Përurimi i tij, ja dhe në këtë skenë, këtu kemi dhe regjisorin Bujar Alimani, me shumë çmime në Europë, të bashkohemi për të parë dhe diskutuar një film të tij.
Lipset të bëhet dhe ajo që përmbushi studiuesi Luan Topçiu në Rumani ose të botohet e përkthyer ajo histori e letërsisë, edhe shqip edhe anglisht. Fillon nga njohja që të shkohet dhe në një reviste serioze e me nivel artistik. Kushtet janë. Të shfrytëzohen mundësitë”, porositi Visar Zhiti me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Me të drejtë Z. Zhiti tha disa herë gjatë fjalimit të tij se përveç emërave që ai përmendi si pjesëtarë të “letërsisë së diasporës” ka edhe emra të tjerë. Vetëm në librin e Presidentit Adnan Mehmeti, “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë: Autorë dhe Vepra”, botuar me rastin e 20-vjetorit të themelimit të kësaj shoqate janë të renditur më shumë se 100-autorëve kontribues. Ky libër i autorit Adnan Mehmeti, me profile të shkurtëra të antarëve të Shoqatës, më bëri që të këthehesha në historinë e gjysëm shekullit të kaluar të diasporës shqipotare të asaj kohe, kur reeviste Shejzat e Ernest Koliqit kishte botuar në vitin 1969, pothuaj një libër identik me këtë të Shoqatës së sotëme (Shikoni foton më poshtë), me autor Karl Gurakuqin. Në librin e Gurakuqit, “Nepër Vullajt e “Shejzavet”, botuar në Romë. renditen profilet e 115 shkrimtarëve dhe poetëve që kontribonin me shkrimet e tyre – shkrimtarë e poetë të arratisur nga komunizmi — por edhe autorë arbëreshë, që bashkpunonin në atë kohë me revistën Shëjzat të Ernest Koliqit.
Me këtë rast, dua të uroj “Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”, për 20-vjetorin e themelimit të saj, por dua gjithashtu të kujtoj brezat e kaluar të shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë nga të gjitha trojet tona, të arratisur nga komunizmi i Enver Hoxhës, por që shumë prej të cilëve ende janë të anashkaluar, të përjashtuar dhe të harruar nga bota e jonë shqiptare. Ndonëse ata kurrë nuk patën Shoqatën e tyre, në listën librit të autorit Karl Gurakuqi (“Në Vulljat e Shëjzavet”, ku pasqyrohen emrat dhe veprat e shkrimtarëve të diasporës shqiptare të asaj kohe, përfshihen edhe emrat e disa shkrimtarëve më të mëdhej të letërsisë shqipe. Karl Gurakuqi thotë në atë libër se Ernest Koliqi mblodhi rreth vetes më të mirët intelektualë të diasporës shqiptare. “Nuk ka ngjarë ndonji herë që në shtypin tonë, qoftë brenda në Shqipëri, qoftë jashtë Atdheut, që një revistë të ketë pasur nji numër kaq të madh bashkpuntorësh. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në këtë 20-vjetor të themelimit, ka shembuj që të ndjekë shumë nga këta shkrimtarë e poetë të diasporës së vjetër shqiptare – duke mos i harruar ata, shumë prej të cilëve ende janë të njollosur me epitetet më të shëmtuara që nga koha e komunizmit. Ata meritojnë më shumë prej nesh, por të pakën t’I kujtojmë nga koha në kohë!
Urime 20-vjetori i themelimit të “Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”!