Kosova vatër e patriotizmit dhe atdhedashurisë

Nga Ibrahim Kabili
Kosova feston sot përvjetorin pavarësisë së Saj! Kosova një fjalë e madhe dhe magjike. Kështu tingëllon ajo për çdo shqiptar kudo që gjendet ai, në Shqipëri, Kosovë, në trojet etnike dhe diasporë. Mua Kosova më ka tërhequr që në vitet e rinisë time të hershme, u forcua dashuria për Të gjatë shkollimit, u bë pjesë e jetës dhe profesionit të mësuesisë gjatë punës 4 dekadëshe, dhe akoma më shumë po më tërheq dhe tani…Vit pas viti ajo po më ringjall ëndërrat rinore. Kështu pa e kuptuar po më shton edhe më shumë atdhedashurinë. E kështu në këtë moshë të tretë çdo ditë e “punës” time fillon me leximin e shtypit të ditës për Kosovën… Lidhja ime me Të është e përjetëshme… Ajo është djepi i atdhetarisë, vendi ku kanë marrë udhë ngjarje të historisë sonë kombëtare, vendi ku u zhvillua Lidhja Shqiptare e themeluar në Prizren, është trualli i vjetër arbëror ku filluan kryengritjet e mëdha të viteve 1910, 1911 dhe ajo e vitit 1912. Eshtë vendi që dërgoj përfaqësuesit e saj në Vlorë për Shpalljen e Pavarësisë, është vendi që ka luftuar deri në vetëflijim kundër luftërave pushtuese dhe gjenocidiale të Serbisë… Kosova është vendi që e ka paguar shumë shtrejtë dhe me shumë gjak lirinë… Lirinë dhe pavarësinë e saj… Kosova ëshë djepi i Hasan Prishtinës, Azem Bejtës, Shotë Galicës, Ahmet Delisë, vendi i vëllezërve Gërvalla me shokë, është vendi ku u ngjizën demonstratat e studentëve dhe profesorëve të U.P. të viteve ’70- ’80. Këtu u hodhën bazat e pavarësisë së saj, ajo është djepi i Adem Jasharit dhe luftëtarëve të lirisë, është toka e bekuar ku u lindën dhe u edukuan me ndjenjën kombëtare luftëtarët e UÇK-së, është vendi ku liria ka një çmim të lartë, është vendi ku shqiptaria paraqitet në shkallën më superiore, në lidhje me qëndresën dhe dashurinë për Atdheun, për vendin e të parëve…
Në këtë përvjetor të 14-të të Pavarësisë së saj ajo vjen më e vendosur se kurrë për konsolidimin e pavarësisë dhe shtetit të saj… Ky shtet i ri i dalë pas Shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008, ka kaluar dhe po kalon pengesa dhe vështirêsi të mëdha në rrugën e zhvillimit dhe konsolidimit të tij… Kjo rrugë është dhe do vazhdojë të jetë ende e gjatë dhe e minuar nga Serbia. Fatkeqësisht rruga bëhet edhe më e vështirë nga qëndrimet e disa politikanëve në Kosovë… Unë kam shkruar e
rishkruar për këtë “takam” njerëzish në Kosovë, qëndrimet mjerane të tyre në lidhje me lëshimet e njëpasnjëshme që i kanë bërë Serbisë me të “ashtuquajturin” dialog me të… Këto lëshime në mendimin tim mbajnë erë tradhëtie… Këtu kam parasysh marrëveshjet me Serbinë që janë në disfavor të Kosovës, si; faljen e territoreve të Kosovës Malit të Zi, por edhe Maqedonisë së Veriut pse jo, teoritë e fëlliqura antishqiptare të “ndryshimit të kufijve” apo “shkëmbimit të territoreve” etj… Mendoj se këto politikanë janë “esadistët” dhe “morinistët” e rinj në shërbim të Serbisë… Besoj dhe shpresoj se ky “model demode” doli jashtë loje me zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë. Në vitet në vijim historiografia do i dënojë këto politikanë që për interesat e tyre i venë flakën vatanit… Do kisha shumë dëshirë që drejtësia kosovare ta thotë fjalën e saj… Kjo ditë me sa shoh unë është e largët apo e “pamundëshme”. Kjo ëshë e pafalshme për Drejtësinë dhe Qeverinë Kurti.
Pavarësisht kësaj, unë mendoj se, Kosova dhe shteti i saj ka në udhëheqje të tij politikanët më të mirë që nga pavarësia e saj. E arrij këtë konkluzion pasi:
Treshja kryesore Kurti, Osmani, Konjufca; Ministrja Gërvalla, dhe ministrat e tjerë janë në unison dhe kanë të njejtin qëndrim për temat bazike të dialogut me Serbinë.
Ka unitet midis tre pushteteve kryesore në Kosovë, ky konkluzion del pasi mjafton të kujtojmë si funksiononin pushtetet me qeveritë e mëparme.
Klasa politike aktuale nuk është e përfolur për korrupsion.
Kosova dhe Qeveria Kurti duhet:
Të luftojë me anë të reformave korrupsionin në qeverisje.
Drejtësia të dënojë ish-qeveritarët, pse jo edhe qeveritarët, e përfolur për korrupsion.
Të vendosë reciprocitetin e plotë me Serbinë.
Të refuzojë “Open Ballkanin”, dhe “Asociacionin e Komunave me shumicë serbe” me kopetenca ekzekutive.
Të shkundet nga plogështia dhe apatizmi në qeverisje.
Ti përgjigjet në kohë Serbisë e cila po saboton fuqishëm ekzistencën dhe funksionimin e shtetit të Kosovës.
Të miratoj në Kuvend një Rezolutë mbi krimet dhe gjenocidin serb kundër Kosovës dhe popullsisë së saj në luftën e fundit të viteve 1998-99.
Të mos i lëshojë pe Serbisë, të mos tregohet inferiore por e barabartë me të, në temat e dialogut…
Çdo gjë duhet ta kordinojë me Amerikën, pasi Ajo dhe disa aleatë janë garanci për Kosovën.
Të bashkëpunojë më shumë me elementët e rij dhe përparimtarë të opozitës.
Të mbrojë me çdo kusht luftën e drejtë dhe legjendare të UÇK-së dhe luftëtarët e lirisë.
Të forcojë edhe më shumë shërbimin diplomatik dhe lobojë për njohje të reja.
Të vendosë e forcojë pushtetin në Veri.
Liria e Kosovës e ka një emër, UÇK-në. UÇK-në e lavdishme, që solli lirinë dhe pavarësinë. Natyrisht Qeveria e Kosovës ka shumë sfida, por me përkushtim maksimal dhe mbështetjen e aleatëve do t’ja dali me sukses. Urime Kosovës dhe popullit të saj në këtë përvjetor të Pavarësisë!
Ibrahim Kabili
Tiranë më 17.02.2022