11/12/2024

Kosova vatër e patriotizmit dhe atdhedashurisë

0
Ibrahim-Kabili

Nga Ibrahim Kabili

Kosova feston sot përvjetorin pavarësisë së Saj! Kosova një fjalë e madhe dhe magjike. Kështu tingëllon ajo për çdo shqiptar kudo që gjendet ai, në Shqipëri, Kosovë, në trojet etnike dhe diasporë. Mua Kosova më ka tërhequr që në vitet e rinisë time të hershme, u forcua dashuria për Të gjatë shkollimit, u bë pjesë e jetës dhe profesionit të mësuesisë gjatë punës 4 dekadëshe, dhe akoma më shumë po më tërheq dhe tani…Vit pas viti ajo po më ringjall ëndërrat rinore. Kështu  pa e kuptuar po më shton edhe më shumë atdhedashurinë. E kështu në këtë moshë të tretë çdo ditë e “punës” time fillon me leximin e shtypit të ditës për Kosovën… Lidhja ime me Të është e përjetëshme… Ajo është djepi i atdhetarisë,  vendi ku kanë marrë udhë ngjarje të historisë sonë kombëtare, vendi ku u zhvillua Lidhja Shqiptare e themeluar në Prizren, është trualli i vjetër arbëror ku filluan kryengritjet e mëdha të viteve 1910, 1911 dhe ajo e vitit 1912. Eshtë vendi që dërgoj përfaqësuesit e saj në Vlorë për Shpalljen e Pavarësisë, është vendi që ka luftuar deri në vetëflijim kundër luftërave pushtuese dhe gjenocidiale të Serbisë… Kosova është vendi që e ka paguar shumë shtrejtë dhe me shumë gjak lirinë… Lirinë dhe pavarësinë e saj… Kosova ëshë djepi i Hasan Prishtinës, Azem Bejtës, Shotë Galicës, Ahmet Delisë, vendi i vëllezërve Gërvalla me shokë, është vendi ku u ngjizën demonstratat e studentëve dhe profesorëve të U.P. të viteve ’70- ’80. Këtu u hodhën bazat e pavarësisë së saj, ajo është djepi i Adem Jasharit dhe luftëtarëve të lirisë, është toka e bekuar ku u lindën dhe u edukuan me ndjenjën kombëtare luftëtarët e UÇK-së, është vendi ku liria ka një çmim të lartë, është vendi ku shqiptaria paraqitet në shkallën më superiore, në lidhje me qëndresën dhe dashurinë për Atdheun, për vendin e të parëve…

Në këtë përvjetor të 14-të të Pavarësisë së saj ajo vjen më e vendosur se kurrë për konsolidimin e pavarësisë dhe shtetit të saj… Ky shtet i ri i dalë pas Shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008, ka kaluar dhe po kalon pengesa dhe vështirêsi të mëdha në rrugën e zhvillimit dhe konsolidimit të tij… Kjo rrugë është dhe do vazhdojë të jetë ende e gjatë dhe e minuar nga Serbia. Fatkeqësisht rruga bëhet edhe më e vështirë nga qëndrimet e disa politikanëve në Kosovë… Unë kam shkruar e

rishkruar për këtë “takam” njerëzish në Kosovë, qëndrimet mjerane të tyre në lidhje me lëshimet e njëpasnjëshme që i kanë bërë Serbisë me të “ashtuquajturin” dialog me të… Këto lëshime në mendimin tim mbajnë erë tradhëtie… Këtu kam parasysh marrëveshjet me Serbinë që janë në disfavor të Kosovës, si; faljen e territoreve të Kosovës Malit të Zi, por edhe Maqedonisë së Veriut pse jo, teoritë e fëlliqura antishqiptare të “ndryshimit të kufijve” apo “shkëmbimit të territoreve” etj… Mendoj se këto politikanë janë “esadistët” dhe “morinistët” e rinj në shërbim të Serbisë… Besoj dhe shpresoj se ky “model demode” doli jashtë loje me zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë. Në vitet në vijim historiografia do i dënojë këto politikanë që për interesat e tyre i venë flakën vatanit… Do kisha shumë dëshirë që drejtësia kosovare ta thotë fjalën e saj… Kjo ditë me sa shoh unë është e largët  apo e “pamundëshme”. Kjo ëshë e pafalshme për Drejtësinë dhe Qeverinë Kurti.

Pavarësisht kësaj, unë mendoj se, Kosova dhe shteti i saj ka në udhëheqje të tij politikanët më të mirë që nga pavarësia e saj. E arrij këtë konkluzion pasi:

▪ Treshja kryesore Kurti, Osmani, Konjufca; Ministrja Gërvalla, dhe ministrat e tjerë janë në unison dhe kanë të njejtin qëndrim për temat bazike të dialogut me Serbinë.

▪Ka unitet midis tre pushteteve kryesore në Kosovë, ky konkluzion del pasi mjafton të kujtojmë si funksiononin pushtetet me qeveritë e mëparme.

▪Klasa politike aktuale nuk është e përfolur për korrupsion.

Kosova dhe Qeveria Kurti duhet:

▪Të luftojë me anë të reformave korrupsionin në qeverisje.

▪Drejtësia të dënojë ish-qeveritarët, pse jo edhe qeveritarët, e përfolur për korrupsion.

▪Të vendosë reciprocitetin e plotë me Serbinë.

▪Të refuzojë “Open Ballkanin”, dhe “Asociacionin e Komunave me shumicë serbe” me kopetenca ekzekutive.

▪Të shkundet nga plogështia dhe apatizmi në qeverisje.

▪Ti përgjigjet në kohë Serbisë e cila po saboton fuqishëm ekzistencën dhe funksionimin e shtetit të Kosovës.

▪Të miratoj në Kuvend një Rezolutë mbi krimet dhe gjenocidin serb kundër Kosovës  dhe popullsisë së saj në luftën e fundit të viteve 1998-99.

▪Të mos i lëshojë pe Serbisë, të mos tregohet inferiore por e barabartë me të, në temat e dialogut…

▪Çdo gjë duhet ta kordinojë me Amerikën, pasi Ajo dhe disa aleatë janë garanci për Kosovën.

▪Të bashkëpunojë më shumë me elementët e rij dhe përparimtarë të opozitës.

▪Të mbrojë me çdo kusht luftën e drejtë dhe legjendare të UÇK-së dhe luftëtarët e lirisë.

▪Të forcojë edhe më shumë shërbimin diplomatik dhe lobojë për njohje të reja.

▪Të vendosë e forcojë pushtetin në Veri.

Liria e Kosovës e ka një emër, UÇK-në. UÇK-në e lavdishme, që solli lirinë dhe pavarësinë. Natyrisht Qeveria e Kosovës ka shumë sfida, por me përkushtim maksimal dhe mbështetjen e aleatëve do t’ja dali me sukses. Urime Kosovës dhe popullit të saj në këtë përvjetor të Pavarësisë!

 

                         Ibrahim Kabili

                 Tiranë më 17.02.2022

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok