KOSOVA DHE RRUGA DREJT IDENTITETIT TË HUMBUR
Nga Nexhmedin Saqipi
Kosova duhet të kthehet te identiteti i atyre që ia vunë themelet e pavarësisë. Një identitet që, fatkeqësisht, u grabit dhe u keqpërdor në mënyrë të tejskajshme nga pushteti që erdhi më pas. Në këtë moment historik, vota e qytetarëve duhet të vendosë drejtimin e duhur në zgjedhjet parlamentare, duke reflektuar mbi të kaluarën dhe të tashmen.
Kryeministri Albin Kurti e kërkoi pushtetin me shumë kokëfortësi për vite me radhë, duke u ngjajtur një fëmije të përkëdhelur që, kur nuk arrin atë që dëshiron, është i gatshëm të thyejë dritaret apo të kallë shtëpinë. Populli i Kosovës, i lodhur, i rraskapitur dhe shpesh i manipuluar, ia dha pushtetin dikujt që asnjëherë nuk e pranoi në tërësi shtetin e Kosovës, flamurin apo Kushtetutën. Por ai i përdori këto si karta politike, duke luajtur me emocionet dhe pakënaqësitë e një populli të stërmunduar.
Albini është njeri i ditur – apo të paktën i pëlqen të duket si i tillë. Megjithatë, ai duhet ta kuptojë se ka ardhur koha të tërhiqet nga kjo lojë politike, për të lejuar Kosovën të ecë në një rrugë të qetë dhe stabile. Kjo është rruga e proceseve që filluan kur Kosova shpalli pavarësinë dhe që kërkojnë udhëheqje të matur e largpamëse.
Për vite me radhë, Kurti e provoi veten në pushtet, por në të njëjtën kohë shfaqi një krizë të thellë mes Albinit të vërtet dhe Albinit politik, një lojë dualiteti që vetëm thelloi krizat në vend. Akuzat e tij të mëparshme, se pushteti ishte i kapur, bien në kundërshtim me realitetin. Nëse vërtet do të ishte kështu, atëherë ai nuk do të kishte mundur ta rrëmbente pushtetin vetë. Sepse ajo që nuk të përket, kurrë nuk mund ta bësh plotësisht tënden – gjëja e huaj gjithmonë i kthehet të zotit të saj.
Kosova ka nevojë për qetësi, stabilitet dhe udhëheqje që të rikthejë besimin te vlerat themelore që ndërtuan këtë shtet. Albini e ka provuar veten dhe është koha të reflektojë. Populli, i lodhur nga manipulimet, duhet ta ushtrojë me përgjegjësi votën e tij, duke kthyer vendin në identitetin e tij të humbur dhe duke hapur rrugë për një të ardhme më të ndritur.
Rruga e ndryshimit pozitiv nga këto zgjedhje në Kosovë qëndron në disa shtylla kryesore që duhet të udhëheqin procesin demokratik dhe përfaqësimin politik të vendit. Këto shtylla janë:
. Rikthimi te vlerat themelore të shtetndërtimit
Për të ecur përpara, duhet të kthehemi te parimet që ndërtuan pavarësinë e Kosovës: uniteti kombëtar, respekti për Kushtetutën dhe ndërtimi i një shteti të drejtë e funksional. Qytetarët duhet të mbështesin liderë që vlerësojnë këto parime dhe kanë një vizion të qartë për zhvillimin e vendit.
. Përzgjedhja e liderëve të aftë dhe me integritet
Qytetarët duhet të votojnë për individë të përgjegjshëm, me integritet dhe përkushtim ndaj interesave publike. Mbi të gjitha, ata duhet të largojnë nga skena politike ata që kanë keqpërdorur pushtetin ose kanë manipuluar popullin për interesa personale apo partiake.
. Luftimi i korrupsionit dhe keqpërdorimeve
Një qeverisje e mirëfilltë kërkon transparencë dhe luftë të vendosur kundër korrupsionit. Duhet të forcohen institucionet e drejtësisë dhe të sigurohet që të gjitha keqpërdorimet të ndëshkohen, pa përjashtime apo përkëdhelje të individëve të fuqishëm.
. Fokusimi në zhvillimin ekonomik
Papunësia dhe varfëria janë ndër sfidat kryesore të Kosovës. Zgjedhjet duhet të nxjerrin në pah liderë që kanë plane konkrete për krijimin e vendeve të punës, përkrahjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, dhe investimet strategjike që rrisin mirëqenien e qytetarëve.
. Përfshirja e diasporës dhe të rinjve
Diaspora ka një rol jetik në zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës. Ajo duhet të përfshihet më shumë në proceset vendimmarrëse. Po ashtu, të rinjtë e Kosovës duhet të kenë më shumë hapësirë dhe mundësi për të kontribuar, duke sjellë ide të reja dhe energji pozitive në politikë.
. Dialog për unitet dhe tejkalim ndasish
Klima e përçarjeve politike ka dëmtuar rëndë zhvillimin e vendit. Liderët politikë duhet të angazhohen në dialog të hapur dhe të sinqertë për të krijuar unitet kombëtar dhe për të përmbushur interesat strategjike të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
. Qeverisje stabile dhe afatgjatë
Kosova ka vuajtur nga qeverisje të paqëndrueshme dhe kriza të shpeshta politike. Duhet të zgjidhen liderë që nuk luajnë lojëra politike për përfitime të shkurtra, por që punojnë për një vizion afatgjatë dhe të qëndrueshëm për vendin.
. Rikthimi i besimit te vota si instrument i ndryshimit
Qytetarët duhet të kuptojnë fuqinë e votës dhe të mos bien pre e manipulimeve apo zhgënjimit. Pjesëmarrja e lartë dhe e përgjegjshme në zgjedhje është mënyra e vetme për të siguruar ndryshime pozitive dhe për të krijuar një qeveri që i shërben popullit.
Mesazhi:
Rruga e ndryshimit pozitiv kërkon që qytetarët të bëjnë zgjedhje të vetëdijshme dhe të mbështesin ata që janë të përkushtuar për të mirën e përbashkët. Vetëm përmes një procesi të drejtë zgjedhor, udhëheqjes së përgjegjshme dhe përkushtimit ndaj vlerave demokratike, Kosova mund të ndërtojë një të ardhme më të ndritur, ku secili qytetar të ndiejë se është pjesë e një shteti të fortë dhe të drejtë.
(Autori është publicist dhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve nga Lugina e Preshevës)