24/12/2024

KOSOVA DHE KËSHILLI I EVROPËS

0
u1_Nike-Gashaj

NGA NIKË GASHAJ

Në Strazburg, më 16. Prill 2024. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka pranuar rekomandimin që Kosova të marrë dritën jeshile për anëtarsimin në Këshillin e Evropës, më 16 maj, kur do të duhej që përfundimisht të vendosi Komiteti i Ministrave, nëse mbledhja nuk shtyhet.

Dhe përkundër lobimit të Serbisë e cila pati formuar një grup special kundër Kosovës, nga 171 deputetë që morën pjesë në Seancën plenare, 131 ishin pro, 29 kundër dhe 11 abstenuan nga 46 shtetet anëtare. Para fillimit të seancës plenare Komisioni politik i PSSE-së hodhi poshtë të gjitha amendamentet e delegacionit Serb i cili kundërshtoi pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Raportuesja kryesore për pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës, deputetja greke dhe ish-ministre e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bokojani, duke iu drejtuar Kuvendit të Këshillit të Evropës në  prezantimin e saj, ndër të tjerat theksoi: “Kosova është demokraci funksionale dhe funksionon në përputhje me parimet e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave nacionale. Pra, në atë drejtim është bërë një përparim i vërtet. Prandaj, Kosova i plotëson të gjitha kushtet dhe standardet për pranim në Këshillin e Evropës, si dhe një qëndrim të tillë e kanë konfirmuar dhe ekspertët juridik.

Megjithatë, dy delegatë nga shumica parlamentare e Malit të Zi: Maja Vukiqeviq, nga Partia Popullore Demokratike( konsiderohet si parti pro-serbe e pro-ruse) dhe Vasilije Çarapiq, nga “Europa tani” nuk u pajtuan me arsyetimin e shpjegimin e Kryeraportueses, Dora Bokojani, dhe nuk votuan pro -pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, edhe pse Mali i Zi e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, qysh në vitin 2008. dhe ka vendosur marrëdhënie diplomatike.

Prandaj, fatkeqësisht, delegatët e lartpermendur devijuan nga politika e përcaktuar proevropiane e Malit të Zi dhe njëkosisht u solidarizuan me politikën e “Botës serbe”të Serbisë, d.m.th. mbrojtën politikën e një shteti të tjetër dhe shkelën “Marrëveshjen” e koalicionit që ata e patën nënshkruar se do të jenë “lojal” ndaj politikës së shtetit të Malit të Zi. Ndërsa, delegati i tretë, Boris Mugosha, nga partia opozitare, Socialdemokrate, votoi pro-pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Po ashtu, ndër të tjerë dhe dy delegatë nga Bosnja dhe Hercegovina votuan kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës: Snezhana Novakoviq dhe Branisllav Barenoviq. Prandaj mund të thuhet se dy të tretat e delegatëve evropian me ide, vizione dhe qëndrime progresive votuan për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa në anën tjetër  ata delegatë që i përkasin ideologjisë dhe politikës konservatore europiane, si dhe ata delegatë që janë ithtarë të  ideologjisë mitologjike ballkanike dhe politikës të bazuar në religjion apo në fundamentalizmin fetar, votuan kundra ose abstenuan. Mirëpo, një ideologji dhe politikë e tillë nuk  ka sjell as nuk i sjell asgjë të mirë për të drejtat dhe liritë e njeriut. Përkundrazi, ajo është anakronike në epokën bashkëkohore të kulturës demokratike evropiane.

Prandaj, mundë të konstatohet se të gjitha partitë proserbe dhe proruse në pushtetin aktual politik në Mal të Zi janë kundra Kosovet si shtet të pavarur. Perkundrazi ato Kosovën e quajën “pjesë” të Serbisë; shtet të “rrejshëm”; territor përkohësisht të “pushtuar” dhe kërkojnë tërheqjen e njohjes së Kosovës.

Anëtarsimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte hapi më i madh i Kosovës deri me tani në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar.  Përfitimet e Kosovës me anëtarësimin  në Këshillin e Evropës, priten të jenë politike, sociale dhe juridike. Për Kosovën është i rëndësishëm edhe për arësye, se ai organ shpesh quhet “parahyrje” në Bashkimin Evropian. Andaj ai është kusht i domosdoshëm për integrimin e Kosovës në BE. Anëtarsimi i Kosovës në Këshillin e Evropës rrit mundësinë që Kosova të mbrojë qytetarët e saj të cilët kanë probleme të natyrave të ndryshme

Përmes anëtarsimit në Këshillin e Evropës, Kosova si shtet dhe qytetarët e saj, do të kishin Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg, si instancë shtesë dhe efektive, për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të  njeriut në rast të shkeljeve të tyre nga shtetet anëtare, pra dhe të Serbisë.

Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut mund t’i pranojë ankesat nga çdo individ, organizat joqeveritare ose grup personash të cilët pohojnë se janë viktimë e cenimit të të drejtave të njeriut të përcaktuara me Konventë Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose në protokolle pranë Konventës, të bëra nga ndonjë  prej palëve të larta kontraktuese, e që kjo do të thotë dhe nga vetë organet e shtetit të Kosovës, kur ata t’i shterrin mjetet juridike nga organet përkatëse të Kosovës. Prandaj, është me rëndësi të nënvizohet se këtu individi bëhet palë në proces/procedurë para një gjykate ndërkombëtar.

Institucionet europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë karakter subsidar apo ndihmës në raport me sistemin shtetëror për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në qoftë se shteti nuk ka procedurë dhe ilaçë juridik efektiv, ose nëse shteti nuk e siguron ilaçin juridik adekuat dhe efektiv, ose nëse procedura e medikamentit juridik në sistemin kombëtar nuk ka dhënë rezultate të kënaqshme, atëherë ia fillon punën e vet gjykata  europiane për të drejtat e njeriut si dhe mekanizmat e tjerë.

Prandaj, qëllimi i mekanizmave mbrojtës europianë nuk është në aspektin e marrjeve të vendimeve të vend të shtetit, ato vetëm mënjanojnë lëshimet e bëra të shteteve, nëse deri te ato mangësi vihet në fushën e mbrojtjes të të drejtave të njeriut, e cila është punë dhe detyrë kryesore e organeve shtetërore.

Mbrojtja e të drejtave të njeriut – sikurse e nënvizon J. H. H. Weiler – është bërë imperativ i  përbaskët juridik dhe politik. Ajo qasje e re e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, është bërë sinjal i bindjes se standardi adekuat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në rajonin europian nuk do të  mund të realizohet në mënyrë konsekuente pa u vendosur mekanizmat mbikombëtarë.  Ndërsa, respektimi, zbatimi dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave kombëtare janë si kusht të integrimeve europiane.

Domethënë, qasja e re nënkupton mundësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut nga institucionet mbikombëtare. Nga ajo rrjedh – sikurse e thekson J. Frowein – se qëllimi i Konventës Europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është pikërisht integrimi i shteteve europiane.

Mund të konstatohet se në kuadër të Sistemit Europian të mbrojtjes të të drejtave të njeriut, më e rëndësishme është Gjykata Europiane për të drejtat e njeriut. Ajo Gjykatë, sikurse thotë M.P. Margulnaud, është :”Rrota kryesore e një mekanizmi të rëndësishëm të zbatimit mbinacional Europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut…” Shikuar në përgjithësi, Gykata ka për detyrë për të siguruar respektimin e detyrave për të cilat në pikëpamje të mbrojtjes së të drejtave të njeriut i kanë marrë përsipër shtetet përkatëse.

Vendimet e Gjykatës janë të prera dhe kanë karakter detyrues. Shteti detyrohet që të marrë masa për kënaqjen e viktimave, kurse aktgjykimi  dërgohet Komitetit të Ministrave, i cili e bën mbikëyrjen e zbatimit të tij. Shteti është i detyruar të zbatojë vendimin e Gjykatës në bazë të nenit 46 të Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Refuzimi i vendimit të Gjykatës e shpie shtetin në situatë konfrontimi me Komitetin e Ministrave, i cili është i detyruar të mbikëqyrë zbatimin e vendimit Gjyqësor. Gjithashtu, me Statutin e Këshillit të Evropës parashihet dhe mundësia e pezullimit ose të përjashtimit nga anëtarsia nëse nuk respekton parimet demokratike dhe të drejtat e njeriut.

Së fundi, si anëtar i delegacionit studimor i Avokatit të Popullit të Malit të Zi, kam qendruar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg( nga 11 deri më 14 nëntor 2014), ku ndër të tjera kam monitoruar punën e Dhomës së Madhe të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në çështjen Gherghina kundër shtetit të Rumunisë mbi diskriminimin në bazë të aftësisë së kufizuar. Në atë drejtim, me kënaqësi e ndoqa atë gjykim, ku pata mundësi të vërtetoj se si të drejtat e njeriut mbrohen në mënyrë kompetente në atë gjykatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok