22/12/2024

KORRIKËT GJURMËLËNËS NË HISTORINË E JETËS SIME (1967 – 2020)

0
Engjell-Koliqi

Shkruan Engjëll KOLIQI

Kur flas për korrikun, që në fillim më duhet të them se ky muaj në jetën time ka vënë disa pika, shumë të rëndësishme historike. Për të treguar paksa për korrikët e mi historikë, unë në këtë tregim eseistik, po e shpalos historinë e jetës sime, në ato faqe që na tregojnë vulat historike shumë të rëndësishme për jetën time, nëpër vite të ndryshme, që nga fëmijëria ime e deri në pleqëri.

Korrik 1967. –

Isha ende pa u bërë 11 vjeç, kur për herë të parë u paraqita publikisht, duke lexuar në

meshë, parsa besimtarëve të Stubllës sime. Koncili i Dytë i Vatikanit kishte vendosur që secili besimtar katolik mund t’i lutet Zotit, në gjuhën e vet amtare e mund t’i këndojë këngë e psalme, në gjuhën e vet, me muzikën e vet të përcjellur me instrumentet e veta. Pa humbur kohë, klerikët shqiptarë ishin mobilizuar dhe kishin shtypur librat fetarë në gjuhën shqipe.

Një të dielë të bukur, nën vezullimat verore të diellit, mesha po celebrohej (kremtohej) jashtë, në oborrin e kishës sonë të vjetër, që sot është muze i shkollës së parë shqipe në Kosovë. Famullitari më kishte zgjedhur pikërisht mua, që i pari të lexoja në shqip, leximin e parë në meshë, që ishte një letër e Shën Palit Apostull.

Pra, që atëherë, disa muaj pa i mbushur 11 vjet, sapo kisha mbaruar klasën e katërt të fillores, si nxënës i zgjuar që isha, pata fatin që të lexoj publikisht, para popullit.

Duke e kujtuar me krenari korrikun e vitit 1967, jua parashtroj këtu edhe paraqitjen time të parë para publikut të gjerë, që e nisur nga fëmijëria, ka vazhduar edhe në rini, në moshën e pjekurisë, edhe në pleqëri, qoftë me lexime, me fjalime, me recitime, me këndime dhe me aktrime.

Pata fatin që paraqitjen e parë publike ta kem aty, ku Dom Mikel Mësues Tarabulluzi e kishte legalizuar Shkollën e Parë Shqipe në Kosovë, mu në atë objekt, mu në atë truall.

Kam vazhduar pastaj me paraqitje publike – artistike, jo vetëm para publikut të Stubllës, por edhe më gjerë, deri në manifestime dhe në festivale ndërkombëtare, edhe në shtete të tjera, edhe në kontinete të tjera.

Korriku im i parë hitorik, ai i vitit 1967, më hapi rrugën e paraqitjeve publike, për të më bërë pastaj të njohur, deri në përmasa ndërkombëtare dhe ndërkontinentale, edhe 30 vjet më vonë, në Brazil, ku kam zhvilluar shumë aktivitete të vlefshme, politike, ardhetare, sociale edhe artistike. Ky pra është korriku im historik, i pari, që më hapi rrugën e afirmimit, në hapsirat vendore, kombëtare dhe ndërkombëtare, deri në përmasa ndërkontinentale.

Korrik 1971. –

Me sukses të shkëlqyeshëm e shembullor, kisha mbaruar shkollën fillore tetëklasëshe, si

më i miri nxënës i shkollës. Po i takoja gjeneratës së dytë që mbaruam filloren në Stubëll, afër shtëpisë, pa udhëtuar shumë kilometra në ditë – në Viti, në Skifteraj, apo në Zhegër.

Kur flasim për shkollën, më duhet cekur edhe një sukses timin, edhe një paraqitje publike. Si nxënës i klasës së tetë (VIII), isha caktuar që i vetmi nga Stublla të recitoj në kremtimin e Ditës së Shkollës në Skifteraj, për Emin Durakun, sepse emrin e tij e mbante shkolla jonë, ku Stublla ishte parelele e ndarë fizike. Më kujtohet si sot, shtrënguar nga rrethanat e kohës, më ishte imponuar të recitoja poezi për Emin Durakun dhe poezinë “Landovicë”, kushtuar Ramiz Sadikut dhe Boro Vukmiroviqit.

Për korrikun e vitit 1971 kam edhe dy rrëfime, me dëshmi, nga jeta ime

Së pari, me keqardhje ju rrëfej si u detyrova të tërhiqem nga mjekësia, që ishte profesioni i dashur i shpirtit tim.

Vajta për t’u regjistruar në Prishtinë, në shkollën e mesme të mjekësisë “Dr Ali Sokoli”. Sekretari i shkollës më dërgoi të vizitoja të gjitha kabinetet që kishte asoheresh ajo shkollë. Organizmi im, medet, nuk duronte aromat e lëndëve të medikamenteve, prandaj me dhembje në shpirt, u detyrova të tërhiqem nga ky projekt jetësor.

Pa gjetur tjetër rrugëdalje, u regjistrova në gjimnazin e Vitisë, për të vazhduar në Ferizaj klasën e dytë dhe mbaruar të tretën e për t’u rikthyer sërish në Viti, ku mbarova gjimnazin, drejtimin e shkencave natyrore – matematikore.

Rrëfimi i dytë, apo dëshmia e dytë është edhe më interesante – një, mund të themi, absurd i jetës sime, duke respektuar traditat tona të moçme – shekullore.

Sipas traditës, ishte shumë e vështirë që lidhjet me një person, për ta kaluar jetën bashkë, duke hyrë në martesë, të bëheshin vetë e pavarësisht. Tradita thonte që prindi duhet gjetur nusen e djalit, edhe burrin e vajzës.

Asokohe nëna ime kishte pak probleme shëndetësore. Duke qenë më i madhi djalë në familje, edhepse shumë i ri (pa i mbushur 15 vjet), babai im më thotë se duhet të ma gjej një vajzë të bukur, për t’u fejuar, sepse shtëpia jonë kishte shumë nevojë për një nuse. Nuk gjeta fuqi ta kundërshtoja babain. Edhepse nuk i dhashë kurrëfarë përgjigje, ai i angazhoi shkuesit apo mësitët, për të kërkuar dorën e vajzës te një prind këtu në Stubëll, apo më mirë të themi në një paralagje të Stubllës, që dikush e njihte edhe si fshat në vete, pra në Llokme të Karadakut, pak kilometra larg lagjes sime të Koliqëve.

Ia kam mësy fisit të berishës – thoshte babai im, sepse shtëpia jonë ka nevojë për një nuse të fortë e të zgjuar, çfarë mund të jenë vetëm bijat berishiane. Vajzën e njihja, por nuk kishim pasur kurrë ndoj lidhje intime, veç ndoj simpatie në distancë, sepse nga Llokma vinin në shkollën tonë, duke udhëtuar nga disa kilometra në ditë, në të dy drejtimet.

Korrik 1972. –

Në jetën time erdhi edhe një korrik historik, erdhi korriku që hapi një histori shumë të gjatë

të jetës sime. Edhepse ende nuk i kisha mbushur 16 vjet të jetës, më mungonin edhe pesë muaj deri në 16 vjet dhe sapo kisha hyrë në binarin e shkollimit, me vetëm një klasë të gjimnazit të kryer, 16 korriku i vitit 1972, ma hapi derën e një historie shumë të gjatë të jetës, duke e zyrtarizuar dashurinë tonë, me fejesë, e shkrepur reciprokisht si simpati, mirëpo duke respektuar traditat tona të moçme, që këtu në Karadak zbatoheshin, si dashuri intime ende nuk ishte kultivuar.

Pikërisht në këtë datë, më 16 korrik 1972, ishte realizuar ëndërra me entuziazëm e babait tim. Shkuesit mësitë kishin përmbushur misionin e tyre dhe pikërisht në atë ditë kishin sjellë “dorën e nuses”, pra në atë ditë ishte zyrtarizuar fejesa ime me Linën. Deri në atë ditë, mes nesh nuk ishte kultivuar dashuria, që në fakt deri atëherë kishte qenë vetëm si shkreptimë simpatie. Në të vërtetë, shikimet tona shpesh ngjiteshin në magnet dashurie, mirëpo ende nuk kishim këmbyer as fjalë t’ëmbëla, as përqafime, as puthje.

Sipas marrëveshjes me mësitin, kishin ardhur disa burra nga farefisi i Linës, për të sjellur “Dorën e Nuses”. Dhe në shtëpinë time shpërthei një aheng historik, çfarë nuk ishte bërë, qëkur ishin martuar prindërit e mi. Më parë, dhëndërri as që merrte pjesë në kremten e fejesës së tij, kështu që unë isha i pari në Stubëll, që po merrja pjesë në kremten e madhe të fejesës sime.

Për t’i ikur skandalit të kësaj tradite tonës që nuk e lejonte dhëndërrin që të marrë pjesë në kremten e fejesës së tij, sipas një marrëveshjeje paraprake me mësitin, vëllai i madh i Linës – Lazri, i cili i printe delegacionit të miqve të kësaj krushqie, kërkoi që ta njihnin dhëndërrin nga afër dhe që të kremtonin bashkë edhe me dhëndërrin. Sapo më thanë se të kërkon Miku Lazër, unë pa hezituar hyra brenda, bashkë me Kumarën Gjon, i cili Linën e kishte vajzën e hallës. Miku Lazër, para se të përshëndetej me ne, nxorri revolen e tij të tipit  TT dhe e zbrazi një rafal, si vulë e kësaj fejese dhe në shenjë gëzimi se “paska gjetur” një dhënërr të mirë. Unë, si i ri që isha, patjetër që u emocionova tej mase.

Si dhëndërri i parë në fejesën e tij, unë atë ditë këndova bashkë me miqtë dhe me farefisin tim, që po kremtonin. Edhe këndoja, edhe luaja me çifteli, bashkë me babain tim, i cili më kishte mësuar që në fëmijërinë e hershme, që kur isha gjashtë vjeç luaja me çifteli.

Miku Lazër, Kumara Shefk, që ishte daja i Linës, edhe Baci Murtez (Zef), kushëri i parë i saj, shpesh shkrepnin rafale nga revolet, kur unë po këndoja. Më kujtohet si sot, Kumara Gjon, me një biçikletë, shkoi në Kabash, ku familja e Linës ishin shpërngulur nga Llokma, për t’ia dërguar kushërirës Linës (vajzë halle që e kishte) sihariqin, se dhëndërri Engjëll po këndonte bashkë me ne dhe poi luante me çifteli, në festën e madhe. Normalisht që ajo ishte gëzuar shumë. Bashkë me sihariqin ia kishte dërguar edhe një letër të shkurtër, një urim special, nga unë.

Pra, fejesa jonë u bë një kremte pak më ndryshe nga të tjerat e këtij lloji, me pjesëmarrjen në kremte edhe të dhëndërrit. Sot, me traditat tona të reja, protagonistë të kremtes së fejesës janë pikërisht dhëndërri dhe nusja, që publikish i ndërrojnë unazat.

Sido qoftë, ndjehem i privilegjuar që, edhepse shumë i ri, unë isha i pari në këtë anë, që duke marrë pjesë bujshëm në kremten e fejesës sime, hapa dyert e traditës së re, në këtë drejtim, të traditës së civilizimit euro-perëndimor.

Kur flasim për këto dy tehe e kahe të traditës sonë, patjetër duhet theksuar edhe një dukuri tjetër shumë të rëndësishme. Vetëm pak ditë pas fejesës, në takimin e parë me te, babai i Linës Bajrami, që emrin e pagëzimit e kishte Gjergj, më tha: “Dhandërr, gardhiqeve, si shumë të tjerë që po bajnë, nuk due me u sjellë kah unë. Kur të duesh eja në shpi, qika jeme Lina ta sjell kafen e rrin me ty mbrenda, e kurrsesi jashtë, me na përqeshë dynjaja”. Po takoheshim për herë të parë, vetëm katër ditë pas fejesës dhe më tha “eja që sot me babën tand”. Unë i thash se nuk vij, por as nuk të sillem gardhiqeve, sepse dua t’i qëndroj besnik traditës, edhepse shpirtërisht nuk e pranoja atë traditë.

Ç’është e vërteta, me Linën takoheshim, edhepse jo shpesh, në shtëpinë e Kumarës, ku ajo vinte te dajët. Kumara Gjon e sillte Hallën Nushë (nënën e Linës), të kalojë ndoj ditë në shtëpinë tonë e mua më merrte herë pas here, të takoheshim e të rrinim me Linën, në shtëpinë e tij. Por ato takime nuk ishin mjaltishte dashurie, siç bëhen sot. Ne atëherë këmbenim vetëm përqafime të forta dhe puthje të lehta, duke llafosur me mahi e shaka speciale

Ky pra ishte korriku im historik i vitit 1972, korriku që na e solli fejesën me Linën, një histori 48 vjeçare, që lusim Zotin të na zgjasë bashkë,  edhe disa dekada, për të mos thënë edhe kaq ditë të tjera.

Nga kjo lidhje e jona e korrikut 1972, që u kurorëzua me martesë më 1 shtator 1974, sot kemi një familje të madhe, me djalin burrë që ka kaluar 45 vjet dhe me gjashtë vajza. Të gjithë i kemi të martuar dhe të trashëguar. Sot jemi gjyshërit më të lumtur në botë, sepse na ka bekuar vetë Zoti, me 11 nipa e me 6 mbesa, secili më i mirë dhe më i bukur se tjetri. Oh, sa shumë nipat tanë dhe mbesat tona i duan gjyshërit! Edhe sot vazhdojnë të na shtrëngojnë në përafime dhe të na puthin me afsh, në faqe. Me shumë gëzim dhe me të drejtë presim edhe mbesa e nipa të tjerë, bile edhe stërnipa e stërmbesa, sepse tashmë tre nga nipat tanë kanë hyrë në moshën e pjekurisë, i pari në gusht 2020 ka mbushur 21 vjet.

Ne, të fejuarit në korrikun e vitit 1972, jemi të privilegjuar duke qenë edhe gjyshërit e mbretit. Këtë privilegj na e ka dhënë djali ynë Luzi (Luigji), i cili djalin e tij e ka pagëzuar Mbret, pra jemi gjyshërit e Mbret Koliqit. Mbreti ynë sivjet bëhet 10 vjeç. Ai shpesh thotë – Unë jam Mbreti i të gjithë shqiptarëve dhe këshilltar të parë e kam Bablokun Engjëll.

Korrik 1975. –

Korriku i vitit 1975, padyshim është korriku më i pasur i historisë sime, vetë pasuria hyjnore

dhe shpiurtërore e historisë së jetës sime. E them këtë, sepse pikërisht në ditën e 17-të të këtij korriku na erdhin tashëgimtari ynë, na erdhi fëmija i parë nga martesa që e kishim bërë më 1 shtator 1974. Na erdhi djali, që ishte i bukur dhe i mirë, si një engjëll hyjnor. Për ta plëtësuar dëshirën e hallave të babait tim, që tashmë kishte ndërruar jetë, djalin e pagëzuam, me emrin e vëllait të tyre, të gjyshit tim – Luz (Luigji), i cili kishte shkuar nga kjo jetë kur ishte vetëm 25 vjeç, duke e lënë babain tim vetëm 15 muajsh.

Djali ynë, fëmija ynë i parë, na erdhi me pasurinë e madhe, duke e ripërtrirë emrin e gjyshit tonë.

Tani që po e shkruaj këtë tregim eseistik, në korrik 2020, Luzi u bë 45 vjeç dhe ka vazhduar trashëgiminë me Alberikën, artistja e madhe e cila mba emrin e Nënëlokes (Gjyshes) sime, me Karolinën, që ka trashëguar shenjtërinë e Shën Gjon Palit të Dytë – Mikut të Madh të Shqiptarëve, Karol Wojtylës  dhe me Mbretin, i cili thotë se është mbret i të gjithë shqiptarëve dhe këshilltar të parë e ka Bablokun (pra mua).

Ishte mërgimi i zi, që fëmijët e mi m’i la pa kryer shkolla të larta. Në vitin 1990, kur unë isha redaktor në Radio Vatikan, Luzi ishte 15 vjeç dhe sapo kishte mbaruar klasën e parë të gjimnazit, për shkak të helmimit që bëri Serbia nëpër shkollat tona, u detyrova ta marr në Itali. Duke qenë se nuk i kishim kushtet ekonomike të mira, Luzi nuk e vazhdoi dot shkollimin dhe u detyrua që 15 vjeç të fillojë punë. Punonte rojtar në shtëpinë e një biznesmeni milioner në Romë.

Nuk kaluan shumë vjet dhe Luzi u transferua nga Roma, në Lecco të Lombardisë, ku për pak vite punoi nëpër fabrika e pastaj hapi një ndërmarrje, me të cilën punon mbi 20 vjet dhe i siguron familjes të ardhura të mira, bile edhe ka blerë shtëpi në Itali dhe ka ndërtuar një vilë të bukur në Kosovë. Nga ndërmarrja e tij sot jetojnë mbi dhjjetë familje tonat, sepse rregullisht i mba të punësuar nga 10 deri në 15 punëtorë.

I bëra shkurt gjithë këto rrëfime për Luzin, vetëm që ta dëshmoj mirë atë që thashë në fillim, se korriku i vitit 1975 ishte vetë pasuria e historisë sime, e jetës sime. Përveç trashëgimtarit, ky korrik, me Luzin më solli edhe pasurinë ekonomike, sepse me ndërmarrjen e tij ai sot plootëson të gjitha nevojat financiare të familjes, edhe të mbi dhjetë familjeve të tjera që jetojnë me rrogat e marra nga ai.

Djali ynë na ka ardhur edhe si pasuri e madhe kombëtare dhe shoqërore. Me të madhe ka kontribuuar materialisht, për Luftën Çlirimtare dhe për UÇK-në, duke marrë edhe ushtarë të plagosur që janë shëruar në Itali.

Kontribut të madh jep shpesh edhe për familjet me nevoja të ndryshme, që nga sëmundjet e deri te varfëria. Në këtë drejtim ka ndihmuar shumë familje, në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni. Ka financuar shumë studentë, në studime nëpër universitet e Kosovës.

Duke e trashëguar traditën kulturorre e muzikore nga gjyshi e nga babai, Luzi ka kontribuuar shumë edhe në artin tonë tradicional dhe në kulturën tonë kombëtare. Ka ripërtrirë Ansamblin Artistik të Stubllës “Zëri i Karadakut”, në Lecco të Italisë, ku po zhvillojnë aktivitet shumë të rinj, bashkë edhe me motra e vëllëzër nga Shqipëria, sidomos nga krahinat e Mirditës dhe të Tropojës, që jetojnë e punojnë aty afër. Me mjete të tija personale financiare ka blerë instrumentet, kostumet kombëtare, ka bërë sallën e ushtrime dhe teknikën e zërimit, në shërbim të “Zërit të Karadakut”.

Besoj, pas gjithë këtyre dëshmive, edhe ju lexues të nderuar pajtoni me bindjen time, se ky është korrik shumë i pasur i jetës sime, i historisë sime, edhe të vendit tim e të kombit tim.

Korrik 1982. –

Edhe korriku i viti 1982 për mua është një korrik historik. Atëherë që ishim të pushtuar nga Serbosllavia që quhej Jugosllavi, shërbimin ushtarak e kishim të obliguar. Meqë studioja, disa herë e kisha shtyrë shërbimin ushtarak. Kësaj here më thanë se nuk shtyhet më, se gati po i mbush 26 vjet e kur t’i kalosh 26 nuk mund të të dërgojmë më. Ma dërguan ftesën, për të shkuar ushtar në Strumicë të Maqedonisë, në kursin për toger. Në atë kohë, disa djem nga farefisi im ishin në shërbim ushtarak nëpër kazermat e Pulës, në Istër. Dy nga ata shërbenin në garnizonin e aeroportit të Pulës. Ata më thonin se atje nuk ka shumë disciplinë ushtarake dhe se do kaloja më mirë se gjetiu, prandaj edhe unë doja të shkoja atje.

Vajta në komunë dhe zyrtarët që merreshin me këtë çështje, ma dhanë listën e vendeve të lira, ku mund të më dërgonin, duke më thënë që të zgjedh ndonjë nga ato vende të lira dhe do ma ndërronin ftesën, për të ma plotësuar dëshirën. Unë, sapo e pashë postën ushtarake (PU 8868) – Pula, iu thashë këtu dua të shkoj. Ata më thanë – pse do të shkosh atje?! Së pari, e ke pikën më të largët në Jugosllavi nga këtu, të bie larg sa të shkosh në Venedik të Italisë. Pastaj më thanë – në Strumicë e ke kursin për toger, kurse atje do jesh ushtar i thjeshtë, bile e ke artileri kundërajrore. Iu thashë se e di dhe dua të shkoj atje, në afrtileri, nëse ju ma mundësoni. Nuk insistuan më, ma morën ftesën, e grisën dhe e shkruajtën të renë, për në PU 8868, në garnizonin e Aeroportit të Pulës, ku duhej të isha më 7 korrik 1982.

Ashtu edhe un bë. U nisa më 5 korrik në orët e mbrëmjes, për ta marrë trenin ekspres “Akropolis”, që nga Ferizaji shkonte deri në Lubjanë. U ndala aty dhe shkova të buaj te Daja Gjon, në Medvode, afër Lubjanës. U shmallëm me Dajën dhe me mbarë familjen e tij e të nesërmen Ai më përcolli deri në Lubjanë, ku mora trenin për Sezhanë e nga aty, tjetrin për Pulë.

U vendosa në baterinë e artilerisë, ku kishte mjaft ushtarë shqiptarë, afër 40% të ushtarëve në atë garnizon ishin shqiptarë, nga 450 sa ishin të gjithë, shqiptarë ishin afër 200. Shoqëroheshim mirë mes nesh dhe e ndihmonim aq sa mundnim njëri-tjetrin. Ishim të organizuar mirë dhe në kohën e lirë, shumë shpesh ishim bashkë, duke bërë shaka e duke kënduar me çifteli. Shoqëroheshin me ne, sidomos ushtarët kroatë dhe ata sllovenë.

Shokët me të cilët shoqërohesha më së shumti gjatë shërbimit ushtarak (7 korrik 1982 – 7 korrik 1983), ishin: Demush Xheladini, stërnip i yni, nga Ferizaji, Shpejtim Ibrahimi nga Lipjani, Hajdar Halilaj nga Mitrovica, Kadri Kalludra e Jashar Klinaku nga Vushtrria, Mumin Iseni nga Tetova, Pero Çiçak nga Osjeku dhe disa të tjerë, emrat e të cilëve nuk më kujtohen. Në kazermat tjera, në qytetin e Pulës, ishin edhe dy bashkëvendës të mi nga Stublla: Pjetër Ramaj dhe Fran Gjoni. Me ta takoheshim shpesh në qytet, kur dilnim të dielave. Komandant baterie e kisha togerin nga Pozherani i Vitisë, Abaz Ramiqin. Edhe me Abazin rrinim shpesh, duke pirë kafe e birra, në kantinën ushtarake, por shpesh edhe në qytet, të dielave.

Vlen të theksohet, se me Abazin jemi takuar vjet në Viti, pas afër 40 viteve. Kishte ardhur nga Pula, në pushime. Siç më tregoi vetë, Abazi ishte martuar në Pulë me një vendase dhe po jetonte atje, tashmë në pension ushtarak.

Aq mirë ishim të organizuar ne shqiptarët, saqë takoheshim shpesh, në kohën e lirë, për të llafosur bashkë, por edhe këndonim me çifteli. Edhe në koncerte të organizuara në kazermë, ne paraqiteshim me muzikë shqipe, me çifteli. Bile mua m’i kishin inçizuar disa këngë, që shpesh transmetoheshin përmes altoparlanteve, në mbarë Garnizonin e aeroportit të Pulës. Me disa shokë, më të besueshëm, shpesh tuboheshim edhe e dëgjonim fshehtas Radio Tiranën. Një herë na e kishte dëgjuar një ushtar serb radion dhe na kishte lajmëruar në shtab. Më ftoi në raport një kapiten i klasit të parë, që ishte kompetent për çështje sigurie dhe më tha se po e dëgjojmë Radio Tiranën. I thashë – po. Ai pastaj më tha – a e di se Shqipëria po sillet në mënyrë armiqësore ndaj nesh? I thashë e di dhe mu për këtë e dëgjoj, sepse për ta luftuar sa më mirë armikun, duhet ta njohim atë. Nëse nuk e dëgjojmë radion e tyre – i thashë – nuk e dijmë se çka mendon për ne, prandaj nuk mund ta luftojmë. U dorëzua kapiteni, pa mundur të flasë më asnjë fjalë.

Korrik 1983. –

Një vit të plotë kisha shërbyer në ushtri, në Garnizonin e Aeroportit të Pulës. Nga ato ditë rinore kam në kujtesë, përveç vështirësive, edhe shumë kënaqësi me shokët e ushtrisë. Shumë ditë kisha qenë në roje, ditën edhe natën.

Një herë që më kishin dënuar, me një javë roje, si dënim pse isha vonuar në qytet, unë kisha bërë një skandal. Që në natën e parë në roje, pas orës 2, pa ardhur askush bërtita: Ndal! Ndal! Pastaj i shkrepa nga pushka dy plumba. Menjëherë kishin dhënë alarm në garnizon. Erdhën më morën e më tërhoqën nga roja. Pas dy-tre ditësh i pata treguar komandantit të garnizonit, që ishte një gjeneral kolonel, se nuk më ka ardhur askush, por e kam inskenuar, në shenjë proteste ndaj një flamurtari serb, që më kishte dënuar, padrejtësisht me një javë roje, pa asnjë arsye. Gjenerali, që ishte kroat, më arsyetoi dhe më tha që ta lajmëroj atë menjëherë, nëse më ndodh edhe ndoj padrejtësi.

E kisha bërë mik edhe kryebashkiakun e Pulës, i vili ishte i nacionalitetit italian. Shpesh vinte, të shtunave e të dielave, më merrte me makinë në garnizon dhe rrinim në shtëpinë e tij, por edhe në restorante e në pijetore, në Pulë e në rrethinë. Ma hiqte uniformën, duke më dhënë rrobat e djalit të tij dhe dilja me veshje civile, pa më hetuar kush se jam ushtar. Pasaportën, që e kisha para ushtrisë, e kisha marrë me vete dhe e mbaja fshehurazi. Shpesh me kryebashkliakun e Pulës kam shkuar të shëtisim në Trieste të Italisë, që ishte më pak se një orë me makinë nga Pula.

Më 7 korrik 1983, mbarova shërbimin ushtarak. Shumë nga shokët shqiptarë dhe kroati Pero Çiçak, erdhën të më përcjellin në qytetin e Pulës. Kemi shkuar bashkë me shokët në restorantin “Emina”, që ishte në një anije, brenda në det, aty ku pinim shpesh dhe kemi pirë e kemi kënduar deri vonë. Pastaj mora një autobus për në Umag e tjetrin për Lubjanë.

Sikurse para një viti, edhe me këtë rast shkova e buajta te Daja Gjon, në Medvode afër Lubjanës. Bëmë muhabet e llafosëm me familjen e Dajës gati gjithë natën, deri në orët e para të mëngjesit.

Të nesërmen Daja e mori ditë të lirë në punë dhe më përcolli deri në Lubjanë e ndeji me mua, derisa e mora trenin ekspres “Akropolis” që shkonte për Greqi dhe kalonte nëpër Ferizaj. Pas gjithë peripecive, por edhe kënaqësive me shokë, e mbarova shërbimin  ushtarak dhe më 9 korrik 1983 arrita në shtëpi.

Gëzim i madh në familje. E bëmë një festë të madhe, me pjesëmarrjen e shumë njerëzve të dashur nga farefisi. Kënduam, edhe shkëmbyem përvoja nga ushtria me ata që e kishin mbaruar para meje shërbimin ushtarak. Në festë erdhën edhe Marjan Ukaj e Demush Xheladini. Me Marjanin ishim ndërruar rrugës, ai e kishte mbaruar shërbimin e unë kisha shkuar aty ku kishte shërbyer ai. Me Demushin na ra të rrijmë bashkë në kazermë, rreth gjashtë muaj. Pak më shumë kam ndejur me Shpejtim Ibrahimin e me Hajdarin, Kadriun, Jashariun e me Muminin kemi qëndruar bashkë deri në fund të shërbimit ushtarak.

Edhe një peripeci e madhe e jetës sime kaloi, edhe një përvojë e madhe u muar, shumë miqësi të reja u lidhën. Edhe sot mbajmë kontakte me Hajdarin e me Shpejtimin. Bile i kam njohtuar të dy, se po shkruaj një kujtim të shkurtër nga ajo kohë që kemi kaluar bashkë, në Aeroportin e Pulës.

Korrik 1986. –

Korriku i vitit 1986 për mua ishte një histori në vete, shumë speciale dhe gjithmonë në jetë e paharruar, ose kurrë e harrruar. Korriku i këtij viti, në jetën time ka vënë dy vula të pashlyeshme historike:

Vizita e parë në vendbanimet arbëreshe në Kalabri;

Koncerti me Ansamblin “Zëri i Karadakut” në Zhegër dhe show spektakular i

Heroit tonë Agim Ramadanit e Ramë Seferit.

Në qershor kisha shkuar në Itali. Në ditët e fundit të qershorit dhe në ditët e para të korrikut,

bashkë me etërit bazilianë, që ishin në Grottaferrata, afër Romës, kisha shkuar në vizitën time të parë te vëllezërit arbëreshë. Shkuam me makinë, me Arkimandritin, me Atë Emilianin, arbëresh nga Kalabria dhe me atë Sokol Prençe, shqiptar i Vlorës. Kemi vizituar shumë vendbanime arbëreshe në Kalabri: Kozencën, Kastrovillarin (Castrovillarin), Frasnitën, Ejaninën,Shën Mitrin, Shën Sofinë, Mbuzatin dhe shumë vende të tjera.

Më së shumti jam emocionuar, duke i vizituar vendlindjet e Zef Serembes, të Jul Varibobës dhe të Jeronim de Radës. Kemi shkuar në lokalitetin “Te dy mullinjtë”, ku De Rada kishte shkruar veprën “Këngët e Milosaos”. Në Shën Mitër, ku ishte varri i De Radës jam emocionuar tej mase. Kur në pllakën e varrit të De Radës pamë një shkrim shumë prekës dhe domethënës, të Ernest Koliqit, një profesor arbëresh i Kolegjit të Shën Adrianit më tha: Koliqi i Madh – Ernesti ka mbajtur gjallë shpirtin arbëror, fillo tani ti o Koliqi i Vogël – Engjëlli, me veprime konkrete bën që ne fara arbërore të shpëtojmë nga asimilimi. Ishte një obligim i madh, që profesori arbëresh ma vuri në shpirt, prandaj, pasi kam shkuar në mërgim në Itali, në mars 1990, kam punuar shumë me arbëreshët dhe për arbëreshët, bashkë me shumë veprimtarë të atjeshëm – në Kalabri, në Sicili, edhe në Pulja (Puglia) e në Bazilikata (Basilicata), duke marrë pjesë edhe duke organizuar konferenca, kuvende, festivale dhe gara kulturore e arsimore.

Një vit shkollor – 1991/1992 edhe kam punuar në një kolegj arbëresh, në Firmozë (Acquaformosa), si edukator me fëmijët e moshës parashkollore dhe shkollore, 5 – 18 vjeç. Me atë rast, shkoja shpesh nëpër vendbanimet arbëreshe në Kalabri, bashkë me kolegët arbëreshë, me të cilët punoja.

Pas vizitës në Kalabri, po kthehesha në Kosovë, bashkë me Arkimandritin, me Atë Emilianin dhe me Atë Sofronin. Me makinë shkuam në Bari të Italisë, ku vizituam vendin ku ishte vrarë patrioti ynë Luigj Gurakuqi e pastaj ia mësymë portit detar, prej nga u nisëm me traget për në Tivar.

Ishte gjysma e korrikut. Disa profesorë arbëreshë më kishin dhënë ca libra shqip, të autorëve arbëreshë, të Ernest Koliqit dhe të Atë Gjergj Fishtës. Që në mëngjes, kur na i gjetën librat në doganë e deri rreth orës 14, policia malaziase na kanë mbajtur në Portin e Tivarit, duke më akuzuar si nacionalist i rrezikshëm.

Ishte fat, që ata të tre kishin pasaporta italiane dhe si priftërinjë që ishin, u deklaruan se librat ishin të tyre dhe po ua dërgonin priftërinjëve në Kosovë. Kompromisi u bë, në mënyrë që librat të mbesin aty, në polici e të merren nga priftërinjtë, në kthim për në Itali, sepse në Kosovë – thanë – nuk mund të hyjnë ata libra. Ashtu edhe u bë. Iu dhanë letrën me emrat e librave të ndaluar dhe rreth orës 14 na liruan. Ata kur janë kthyer, i kanë marrë librat aty dhe i kanë kthyer në Itali. Pastaj m’i kanë dërguar, nga një ose dy libra, përmes priftërinjëve kosovarë dhe murgeshave, që lëviznin andej.

Sapo u ktheva, vajta në Zhegër dhe bëra marrëveshje me administratorët e shtëpisë së kulturës atje, që Ansambli “Zëri i Karadakut”, që e kisha themeluar më 1974 dhe akoma e udhëheqja, të shfaqë një koncert për publikun e atjeshëm.

Muaj më parë unë vetë e kisha bërë një këngë origjinale, kushtuar Idriz Seferit, me titull “Lufta e Kaçanikut” – tekstin edhe muzikën. E kisha ushtruar këngën disa muaj dhe atë javë, para shfaqjes në Zhegër, e ushtroja çdo ditë, për ta kënduar aty, ku ishin familja dhe farefisi i Idriz Seferit. Salla ishte e vogël për t’i zënë të gjithë të interesuarit për koncertin e “Zërit të Karadakut”. Shumë nga të interesuarit kishin mbetur jashtë, sepse salla u stërmbush, me shumë njerëz që rrinin në këmbë, pa u ulur.

Në mesin e publikut ishin edhe Ramë Seferi, që po punonte në Zvicër dhe Agim Ramadani, student në Akademinë Ushtarake të Zagrebit, që ato ditë ishte në pushime verore në vendlindje. Publiku më kthyen ta këndoj gjashtë herë këngën, duke mos me lejuar të këndoj vetëm strofën e fundit, siç ishte zakon në raste të tilla, por ta këndoj këngën të tërën. Isha i detyruar të këndoj, derisa m’u shterua zëri. Derisa po e këndoja këngën “Lufta e Kaçanikut”, papritmas në sallë shkrepi një rafal revoleje, me pesë krisma. Unë shpejt u afrova te komandanti i policisë në Zhegër, duke i thënë që koncerti është i “Zërit të Karadakut”, prandaj të lutem mos kërko përgjegjësi nga shikuesit, sepse unë jam i gatshëm të përgjigjem në çdo mënyrë që më kërkohet – materialisht edhe penalisht. Komandanti quhej Avdi dhe ishte nga Përlepnica e Gjilanit.

Komandant Avdiu më tha pikërisht kështu: “O Engjëll, e di kush ka krisë me revole. Ka shkrepur njëri nga ata dy që janë ulur bashkë, kah mesi i sallës – ose Ramë Seferi, ose Agim Ramadani. Të garantoj që as në pyetje kush nuk ka me i marrë, sepse unë i njoh mirë, i dua dhe i respektoj shumë ata, edhe ty. E di që i ke miq të mirë, prandaj mos u gajlo, sepse kush nuk ka me i pyetë për këtë që kanë bërë sonte”.

Të nesërmen erdhën Agimi bashkë me Ramën në shtëpinë time në Stubëll, për të më treguar se ata dy e kishin shkrepur revolen. Iu thashë se e di dhe se nuk do të merren në pyetje nga askush. Të tre u shtrënguam shumë në përqafim dhe Agimi, për të satën herë ma përsëriti: “Do të lirohemi shpejt nga shkjau o vëlla Engjëll”!

Mjerisht, atë ditë të korrikut 1986 ishte takimi im i fundit me Heroin tonë Agim Katanën.

Korrik 1990. –

Data 2 e këtij korriku është një pikë e madhe, e pashlyeshme, në historinë tonë kombëtare, sepse me DEKLARATËN KUSHTETUESE, deputetët shqiptarë dhe të tjerët joserbë të Kuvendit, e kishin shpallur Kosovën Republikë të barabartë me republikat tjera të ish Jugosllavisë dhe popullin  shqiptar e kishin cilësuar komb të barabartë me kombet tjera të ish Jugosllavisë e jo kombësi, siç na klasifikonin ata të pushtetit pushtues, në Beograd.

Duke mos mundur të durojë dhunën e pushtuesve serbosllavë e sidomos dhunën e tmerrshme të kryekriminelit Slobodan Milošević, që në pranverë na e kishte helmuar rininë nëpër shkolla, populli i Kosovës u organizua me të gjitha forcat dhe mjetet e mundshme dhe e shpalli Kosovën Republikë, më 2 korrik, përmes deputetëve të Kuvendit, pra të zgjedhurve të popullit.

Aso kohe, edhe unë, si shumica e intelektualëve shqiptarë, isha i detyruar ta lëshoj Kosovën dhe të jetoj e të punoj në mërgim.

Isha duke punuar redaktor në Radio Vatikan. Për një operacion kirurgjik që e kisha pasur më 2 qershor 1990, kur u shpall Kosova Republikë, më 2 korrik, unë isha në pushim mjekësor. Edhepse ende jo i shëruar plotësisht, nuk ndeja dot rehat, por me të dëgjuar lajmin historik, përmes Radio Prishtinës së atëhershme, marr makinën e shkrimit dhe e bëj një koment analitik, me titull “Kosova Republikë Paqe në vend të mollës së sherrit”, shkova në Radio Vatikan dhe e transmetova në studio. Edhe kjo, edhepse nga pushimi mjekësor, ishte një paraqitje e imja publike, shumë historike.

Derisa gazetarët në Prishtinë e në Tiranë kishin njoftuar, për deklaratën kushtetuese, ku thuhej se Kosova është subjekt i barabartë me të gjitha subjektet tjera të Federatës Jugosllave, pa e përmendur republikën, unë isha gazetari i parë që thashë se Kosova u shpall Republikë – republikë paqeje në vend të mollës së sherrit. Atë mbrëmje dhe të nesërmen, disa kolegë nga Radio Prishtina më morën në telefon në Redaksinë Shqipe të Radio Vatikanit, duke më thënë – pse the u shpall republika, sepse ishte vetëm një deklaratë kushtetuese. Unë iu thoja se me atë deklaratë ishte shpallur Republika e Kosovës. Kjo u vërtetua, sepse regjimi pushtues i Beogradit, në ditët në vijim – nga 3 deri më 5 korrik 1990, ngulfati e mbylli çdo institucion që frymonte shqip, në Kosovë. Pra, u mbyll Radiotelevizioni i Prishtinës, u mbyll Universiteti i Prishtinës dhe të gjitha institucuionet arsimore – shkollore, parauniversitare, të Kosovës, në gjuhën shqipe. U larguan nga puna policët shqiptarë, mjekët shqiptarë, u shpërbë Kuvendi i Kosovës dhe deputetët shqiptarë u shpallën të ndjekur  penalisht. Punëtorët shqiptarë u larguan edhe nga fabrikat, nga uzinat e edhe nga punishtet e ndërtimtarisë.

Ishte pra 2 korriku i vitit 1990, që më dha mua shumë famë edhe nam në profesionin e gazetarisë dhe që popullit tim ia hapi faqen e re të historisë, drejt lirisë dhe pavarësisë së Dardanisë së Re, të quajtur Kosovë.

Prandaj, unë gjithmonë them se shpallja e Republikës së Kosovës u bë më 2 korrik 1990, ndërsa më 17 shkurt 2008 u bë rishpallja e pavarësisë së Kosovës, në koordinim edhe me bashkësinë ndërkombëtare.

A s’është edhe korriku i vitit 1990 një pasuri e madhe në jetën time dhe në historinë time?!

Duhet cekur edhe një tjetër përjetim timin në korrikun e vitit 1990. Për herë të parë në jetë kam ndjekur finalen e kampionatit botëror të futbollit, në Stadiumin e Romës “Olimpico”, i cili ishte ndërtuar për këtë qëllim dhe loja e parë në atë stadium ishte mu ajo finale, që e ndoqa unë nga brenda, në stadium.

Korrik 2002. –

Edhe korriku i vitit 2002 ka vezulluar shumë këndshëm në familjen tonë. Vëllai im Joza dhe kunata Dila, që deri më tani kishin pesë fëmijë (Ilirin, Vilsonin, Afërditën, Besnikun dhe Zefin), në datën 29 të këtij korriku, na e pasuruan familjen edhe me një vajzë, krejt engjëllore. Katër vëllezërve dhe Afërditës iu erdhi një motër shumë e bukur, të cilën e pagëzuam me emrin tipik – Linda.

Linda, veç prindërit e saj, vëllezërit e motrën e madhe, na ka gëzuar dhe vezullluar shumë mbarë familjen Koliqi. Edhe ky korrik, pra në familjen tonë ka vezulluar një faqe shumë të pasur të jetës dhe të historisë.

Më 29 korrik 2020 (pra këto ditë), Linda ka kremtuar ditëlindjen pak më bujshëm se viteve të tjera, ssepse që nga 29 korriku, Princesha jonë engjëllore ka hyrë në moshën e pjekurisë, me shumë gëzime dhe suksese, edhe duke ndjekur mësimet në një shkollë të mesme të drejtimeve kulturore e sportive.

Me shumë gëzim dhe entuziazëm, mbarë familja Koliqi i dëshirojmë Lindës sonë shumë suksese të reja, deri në piedestalin e kurorëzimit të tyre në jetë dhe në karrierë. Gëzuar!

Korrik 2006. –

Në verën e vitit 2005, me një dasmë spektakulare, sipas traditave tona më të mira kombëtare, të prekura me ceremoni edhe me muzikën tonë burimore e popullore, e martuam fëmijën tonë të katërt – Ilirjanën.

Korriku i vitit 2006, pikërisht në datën 17, kur e kishte ditëlindjen djali ynë Luzi, na e solli edhe një gëzim të madh, një pasuri të madhe familjes sonë dhe familjes së re të Ilirjanës – Ramaj. Pra, Ilirjana Koliqit dhe Vilson Ramaj-t, iu erdhi në këtë jetë fryti i parë i dashurisë, djali me fytyrë engjëllore – Flavion Ramaj.

Flavioni, veç familjeve Ramaj e Koliqi, ka pasuruar shumë edhe muajin korrik, pikërisht datën 17 të këtij muaji, datë në të cilën na bëjnë kremte spektakulare të ditëlindjes, bashkë me dajën Luz. Flavi edhe i ka ngja shumë dajës, në sjellje, në zgjuarsi dhe në kultivimin e aktiviteteve të lira kulturore – muzikore. Sa bukur vallëzon, edhe këndon, bashkë me dajën Luz, Flavi në çdo kremte të ditëlindjes, në çdo të 17-ën ditë të korrikut, por edhe në kremte të tjera fetare, kombëtare, familjare…

Flavion Ramaj, krenaria jonë – e familjeve Ramaj dhe Koliqi, mbasi e mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm shkollën e mesme të ultë, tani është regjistruar në një drejtim shumë të vlefshëm të ekonomisë, në shkollën e mesme të lartë, në Itali.

Gëzuar dhe shumë urime për Micikyshin e Babagjyshit – Flavionin!

Urime dhe shumë përgëzime, bashkë me Dajën Luz, o Flavi!

Të dy familjet tona – Ramaj edhe Koliqi, i kemi sytë në ju, me shumë shpresa, për shumë suksese e ngadhnjime në jetë. Ju jeni gurë të fortë, shumë vezullues, në murin e lumturisë sonë! Gëzuar!

Korrik 2007. –

Në lëvizjet e mia të karrierës, sidomos në shërbim të Dardanisë dhe të njerëzve të saj, në vitin 2007 më janë hapur dyert edhe të një rruge shumë të gjatë, shumë të frytshme, të një rruge që shkon shumë larg, deri në Brazil. Për herë të parë, atë udhë të gjatë e mora bashkë me kryetarin e Komunës së Vitisë, Z. Musa Misinin dhe me aktivistin e shkrimtarin Z. Sarë Gjergjin, pasi që kisha prenotuar disa takime me autoritetet e shtetit brazilian Minas Gerais dhe të kryeqytetit Belo Horizonte, për të shqyrtuar mundësinë e realizimit të disa projekteve ekonomike, arsimore dhe kulturore në Kosovë.

Vizitën e parë në shtetin  e largët të Brazilit e realizuam në ditët e fudit të muajit shkurt dhe në ditën e para të muajit mars të vitit 2007. Biseduam me autoritete vendore për shumë projekte që do të mund të zhvilloheshin dhe të realizoheshin në Kosovë, në fushat ekonomike, arsimore dhe kulturore.

Për shkak të obligimeve të shumta që kishte në komunë, kryetari Musa Misini nuk mund të qëndronte atje gjatë, edhepse na kërkohej për shumë takime nismëtare për një sërë projektesh të bashkëpunimit. Me vendorët u morëm vesh që të vazhdohet me takime aktivistësh dhe ekspertësh, duke organizuar vizita dhe takime të tjera, të ndërsjellta, për t’i detajuar deri në organizim dhe relizim të mirë e të frytshëm, të gjitha projektet.

Ashtu edhe u bë. Unë, sërish, në muajin prill u riktheva atje, për të rivazhduar takimet me autoritetet vendore, për shumë projekte. Në vizitën që zgjati afër tre muaj, deri më 8 korrik 2007, me mikpritësit kemi marrë disa vendime për projekte më parë të inicuara, por edhe për projekte të reja.

Edhe në këto veprimtari të miat larg Dardanisë sime, në Brazil, korriku i vitit 2007 hyri në histori dhe bëri shumë histori. E them këtë, sepse sapo hymë në muajin korrik, që atje si jug i ekuadorit ishte stinë e dimrit, përkundër që te ne është verë. Edhepse ishte dimër, atje korriku ishte shumë i nxehtë, me tempreatura të larta, nga 35 e deti në 39 shkallë celsius.

Jo pa qëllim, pikërisht më 2 korrik 2007, në Belo Horizonte, bashkë me shumë miq brazilianë e themeluam Shoqatën Integruese “BRAKOS”, për bashkëpunim mes Brazilit dhe Kosovës. Kryetare e Shoqatës u zgjodh profesoresha universitare Dr Vera Lúcia Alves Neves. Mua më emëruan kryetar i seksionit kosovar të shoqatës, në të cilën u anëtarësuan shumë intelektualë – profesorë, gazetarë, shkrimtarë, arstistë.ekonomistë, juristë, mjekë dhe biznesmenë.

Pra, korriku i vitit 2007 është shumë domethënës, është hapja e derës së rrugës së bashkëpunimit të Kosovës me vendin më të madh latino-amerikan, që është një nga vendet më të mëdha të botës, me reth 200 milionë banorë.

Pa humbur kohë, që në ditët e para të korrikut, mbajtëm disa mbledhje në Belo Horizonte, në Brazilia, në Rio de Zhaneiro dhe në Sau Paolo, për të vënë pikat dhe vijat e para të projekteve dhe bashkëpunimit të gjithëmbarshëm mes dy vendeve.

Edhepse Brazili, as sot nuk e ka njohur Kosovën, përkrahja për vendin tonë ishte e gjithanshme, përfshirë edhe presidentin e atëhershëm Lula.

Projektet e para të inicuara që në ditët e para të korrikut të vitit 2007, kishin të bënin me ekonominë, me arsimin dhe me kulturën. Në ekonomi filloi nisma e ndërtimit të një fabrike për pjekjen dhe bluarjen e kafesë – torrefacioni i kafesë braziliane, që do të vinte nga prodhuesi më i madh në botë i kafesë – Minas Gerais.

Në fushën arsimore u inicua projekti i ngritjes së një kolegji brazilian, për fëmijët jetimë, sidomos për bijtë e dëshmorëve dhe të rënëve në luftën e fundit, pikërisht në Stubëll, që do të ishte si rimëkëmbje e Kolegjit të Shën Lukës, të vitit 1584.

Tjetër projekt arsimor ishte dërgimi i studentëve kosovarë, të studjojnë në universitetet e Belo Horizonte-s, krejt gratis. Ky projekt edhe u realizua, me dërgimin e 14 studentëve nga Kosova (dhjetë djem e katër vajza), të cilët kanë shkuar atje në vjeshtën e vonë të vitit 2008 dhe i kanë mbaruar studimet me sukses.

Projektet kulturore filluan me botimin e dy librave të mi – një libër poetik “Sentimento di luz” (Ndjenjë drite) dhe libri tjetër publicistik mbi Nënë Terezën “Um amor sem limites” (Një dashuri e pakufijshme). Parashikoheshin edhe projekte të tjera kulturore dhe artistike, deri në shkëmbimin e  vizitave me programe kulturo-artistike, të ansambleve braziliane dhe kosovare, si dhe të ekspozitave dhe të aktiviteteve të tjera.

Në vjeshtën e të njëjtit vit, veç ishte realizuar një ekspozitë e mbi 20 poezive të Engjëll Koliqit, secila e shoqëruar me nga një vizatim, të lidhur me domethënien e tekstit të poezisë. Pranë vizatimeve ishin shkruar poezitë e autorit të përmendur, në gjuhët portugeze-braziliane dhe italiane. Pikturat i kishte realizuar piktorja e mirënjohur, nga Belo Horizonte, Marisa Vargas.

Në kuadër të këtyre bashkëpunimeve, ishin realizuar disa vizita tonat atje dhe dy vizita të anëtarëve të Shoqatës “Brakos”, që në Kosovë kishin ardhur për të shqyrtuar mundësinë e realizimit të projekteve këndej.

Për këto dhe shumë të tjera që nuk janë thënë këtu, edhe korriku i vitit 2007 është një korrik shumë domethënës dhe frytdhënës, për historinë dhe për jetën time, pra është një korrik shumë i rëndësishëm historik, një korrik që ka bërë shumë histori, për mua, edhe për popullin tim, në Dardani.

Korroik 2011. –

Edhe korriku i vitit 2011, për jetën time është shumë domethënës, sepse në historinë e jetës sime ka filluar një udhëtim imi i ri, ka filluar udhëtimi, në rrugën e përjetshme, të ambasadorit të paqes.

Miku im i madh, që e kam edhe si vëlla, Prof Dr Astrit Memia, hodhi idenë që nga Federata Botërore Universale e Paqes, të shpallem ambasasdor paqeje. Dr Astriti më kërkoi të përgatis një CV, ku të shkruaj pikat kryesore të jetës sime, me të arriturat dhe sukseset në karrierë, në shërbim të atdheut dhe të popullit, në shërbim të historisë dhe të kulturës sonë kombëtare.

Ashtu edhe u bë. Në korrikun e vitit 2011, unë përgatita CV-në dhe ia dorëzova Dr Astritit, për ta dërguar Ai në Seksionin e Shqipërisë të Federatës Universale të Paqes, që në sesionin vjetor 2011 ta shqyrtojnë e të vendosin për propozimin e Profesor Astritit, të dashur dhe të nderuar nga të gjithë, që e quanin edhe Ministri i Burrnisë.

Në sesionin vjeshtor, në fund të tetorit 2011, Seksioni Shqiptar i Federatës Universale të Paqes, në Tiranë më shpalli ambasador paqeje, duke më dhënë titullin e përjetshëm Ambasador i Paqes.

Për mua ky vendim ishte vërtetë historik, sepse më dha një meritë që më nderoi shumë, por edhe ma shtoi përgjegjësinë për të punuar, edhe më shumë, në shërbim të paqes ndër shqiptarët, edhe më gjerë – në nivel botëror.

Ishte pikërisht korriku i vitit 2011 , kur nga Gjermania më arriti një mirënjohje historike e  karrierës time krijuese në letrat shqipe. Ma sollën nga Germania Çmimin “Azem Shkreli”, të dhënë nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Diasporë. Pra, më kishin klasifikuar në vendin e parë si krijues letrar, në vitin 2010 dhe përmbledhjen time “Nën Kurorën e Lisit Plak” e kishin shpallur libri më i mirë poetik, i autorëve shqiptarë në diasporë, në vitin 2010.

Edhe ky ishte një çmim që më shtoi përgjegjësitë dhe fuqitë krijuese në artin letrar. Bashkë me mirënjohjen, që në sfond kishte foton e krypoetit kosovar Azem Shkrelit, më dorëzuan edhe një zarf me 300 €. Shumë nga farefisi, edhe shumë miq ma uruan çmimin, me plot komplimente, duke më dhënë kështu krenari, fuqi të reja krijuese, por edhe përgjegjësi për të krijuar gjithnjë mirë e më mirë.

Korrik 2014. –

Deshti fati që Artisti ynë i madh, me çmime të para europiane – ETI (Jetullah Haliti), kohët e fundit më shumë po rrinte këndej, në Dardani. Si komshinjë dhe miq të mirë që ishim, takoheshim dhe pinim kafe bashkë gjithnjë e më shpesh. Secilën herë që rrinim bashkë, ETI ynë i Madh kishte një risi të këndshme, të ma thonte si sihariq, për të arriturat dhe sukseset e reja të artit, edhe të tijat personale në art, përgjithsisht. Sa u kënaqa, kur më tregoi se vetë Ai kishte themeluar Seksionin Shqiptar të Akademisë Europiane të Arteve me seli në Paris, ku ai ishte në kryesi.

Ishte pikërisht korriku i vitit 2014, kur Prof. Eti, shumë i vendosur, më tha: – Ti komshi i dashur duhet patjetër të jesh anëtar i Akademisë Europiane të Arteve, si shkrimtar i këndshëm që na je. Unë, me shumë gëzim dhe entuziazëm e prita këtë propozim dhe, pa hezituar fare, menjëherë pranova. Erdhi Prof Eti dhe ma solli teserën e anëtarësisë, në Stubëll, mu në korrikun e vitit 2014.

Për t’u bërë gëzimi im shumë më i madh, edhe i papërshkrueshëm, bashkë me teserën, Profesori i Madh, ma solli një dhuratë shumë të çmueshme, të paharrueshme. Pra, ma solli një kopje të pikturës së tij “Pëllumbat e Paqes”, me të cilën kishte marrë Çmimin e Parë të Europës. Në të vërtetë, piktura nuk ishte kpopje, por ishte pikturë origjinale në përlhurë, të cilën Artisti ynë e kishte pikturuar special për mua. Këtë pikturë, në pëlhurë, edhe sot, e ruaj me dashuri dhe me fanatizëm pozitiv, në bibliotekën time, aty ku m’i hijeshon mijëra libra.

Anëtarësimin në Akademinë Europiane të Arteve, në korrik të vitit 2014, e kisha marrë me shumë krenari, por edhe me përgjegjësi të madhe për të kontribuuar, sepse aty isha futur me ndërmjetësimin e  Artistit tonë shumë të Madh – ETI.

Entuziazmi rritej nga dita në ditë dhe nuk pushoja së vepruari në artin letrar. Në Festivalin e fundvitit të Akademisë Europiane të Arteve, të Seksionit Shqiptar, që në dhjetor u mbajt në Durrës, me insistimin e Prof Etit, unë konkurrova në me poezi. Poezitë i pranonte profesorresha e nderuar Mimoza Erebara, që ia dërgonim përmes e-mailit. Më kujtohet si sot, ia pata dërguar Profesoreshës rreth dhjetë poezi, që të ma zgjedh më të mirën, sepse nuk dija me të cilën të konkurroj. Më pati thënë Ajo, shtypi e merri të gjitha e të tregoj kur të vijsh në Durrës, se cilën ta lexosh. Para se të fillojë festivali, më tha që t’i lexoja dy poezi (poezinë e shpirtit kushtuar Heroit tonë Agim Ramadanit, i cili ishte nipi i Profesor ETI-t dhe një poezi tjetër në dialektin e gegnishtes, “Edhe nji her’ ti shqip këndona”.

Në atë festival u nderova ne Çmimin e parë në poezi, të Akademisë Europiane të Arteve. Si anëtar i ri që isha, ky çmim më ishte diçka shumë i madh, që më shtoi krenarinë, por edhe përgjegjësinë për të kontribuuar edhe më shumë në këtë drejtim, për të shkruar gjithnjë bukur e më bukur.

Korrik 2018. –

Edhe korriku i vitit 2018, në historinë e jetës sime ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Shumicën e këtij muaji e kalova në Itali, duke u shmallur me njerëzit e mi atje, me djalin, me vajzat, me nipat dhe me mbesat.

Në ditët e ’20-ta të këtij muaji, familjarisht, udhëtuam për në Dardani, me një furgon të mbushur plot me plaçka të nevojshme për pushim, me ushqime dhe ne gjashtë udhëtarët (djali me nusen e me tre fëmijët dhe unë). Ishte mot mjaft i mirë, prandaj deshtëm që të gjithë, familjarisht, ta shijojmë ngrohtësinë e detit shqiptar.

Ia mësymë Shëngjinit të gjithë, përfshirë edhe nipin e vogël Mbretin, që atëherë ishte shtatë vjeç e gjysmë. Nga Kosova, në pushime në Shqipëri, na u bashkangjit edhe bashkëshortja ime Lina, e cila nuk ishte me mua në Itali. Pasi që në hotelin ke Rana e Hedhun, ku donim të vendoseshim nuk kishte vend, u kthyem pak mbrapa dhe shkuam ke Lagjëja e Malit, në Shëngjin dhe u vendosëm aty, në Hotel Syla, shumë i përshtatshëm dhe i rregulluar.

Si në hotel, atshtu edhe në plazh, aty kemi kaluar shumë këndshëm, për mrekulli dhe kemi përjetuar çaste të paharruara. Jemi trajtuar jashtëzakonisht mirë, si nga personeli i hotelit dhe i shërbyesve në plazh, poashtu edhe nga pushuesit që ishin aty. Edhe ushqimi në atë hotel, ku zakonisht hanim mëngjesin (kafjallin) edhe drekën, ishte i mrekullueshëm.

Shpesh, mbrëmjeve shkonim në darkë pak më larg. Kemi shkuar në restorante, në qendër të Shëngjinit, te kompjeksi Rafaelo, kemi shkuar në resorantin, në kompleksin e agro-turizmit, “Mrizi i Zanave” në Fishtë, kemi shkuar edhe në Durrës. Edhe në Shëngjin, ke kompleksi “Rafaelo”, edhe në Durrës, darkat i kemi kaluar mrekullueshëm, nën tingujt dhe nën ritmin e muzikës sonë të bukur, realizuar live nga eksponentë të estradës shqiptare, qoftë nga Republika e Shqipërisë, por edhe nga Republika e Kosovës, respektivisht nga Arbëria dhe nga Dardania.

Porositeshin edhe këndoheshin këngë speciale për gjyshin e Mbretit, si: “Na këndojnë pushkët nëpër kulla”, “Hajredin Pasha”, “Kur e përcolla Ylberin” e të tjera. Në ato pika, ku vlonte muzika jonë, edhe takoheshim me miq nga të gjitha trojet arbërore.

Gjatë atyre ditëve, që kaluan dhjetën, dilnim e vizitonim pika shumë të rëndësishme të historisë sonë, në Shqipërinë Verioire dhe në atë Qendrore, duke kaluar Shkodrën me Malësi, Lezhën, Laçin e Krujën, deri në Tiranë e në Durrës.

Ishte e paharruar vizita në Kështjellën e Rozafatit, në Shkodër. Gjatë asaj vizite, aty në Kështjellën e Rozafës, mrekullisht zhvillohej imagjinata e Mbretit, duke thënë se Mbreti vetë e kishte bërë Kështjellën, moti kohë më parë dhe se aty ka jetuar e ka zhvilluar veprimtaritë e tij atdhetare e historike. Veç tjerash, Mbreti imagjinonte se ku i ka pasur në kështjellë kthinat e dhomat e kastigut, për  ata që kanë bërë gabime të rënda, ku i ka pritur mysafirët, ku ka bërë planet e betejave fituese, ku e si ka komunikuar me bashkëpunëtorët, edhe me gjithë botën…

Pastaj, në sofrën e ekspozuar me plot bereqete tradicionale, i thonte babit të tij, se aty i kanë pritur mysafirët, bashkë me Bablokun këshilltar. Këtu në këtë sofër – thonte – Babloku ka pirë raki me mysafirët, që vinin nga mbretëritë tjera. Gjyshi bablok Engjëlli – i thonte – ka pi raki edhe verë me mysafirët, me të cilët, edhe kemi kënduar bashkë. Ishin imagjinata shumë të mrekullueshme edhe të fuqishme.

Në Kalanë e Krujës, Mbreti bisedonte me Gjergj Kastriotin – Skënderbe, siukur të ishte Ai i gjallë, në mesin tonë. Të njëjtën gjë e bënte edhe te Monumenti i Tij, edhe te varri i Gjergjit, në Lezhë. O i Madhi Gjergj – i thonte – jemi të sigurtë se Ti, bashkë edhe me Shën Konstantinin (Konstantinin e Madh, me Shën Niketë Dardanin, me Shën Nënë Terezën – Gonxhe Bojaxhiun, do na ndihmoni edhe më shumë nga amshimi. Jemi të sigurtë se në Amshim do ia impononi Zotit të na dërgojë mrekulli hyjnore, kombit tonë të vjetër e të shenjtë, prandaj, me plot të drejtë thonte – po presim Shqipërinë Natyrale, ku unë do të jem mbret i të gjithë shqiptarëve.

Mbreti na bëri show edhe me Atë Sokol Pepushaj-n, në Sevaste të Laçit, me rastin e vizitës familjare që e bëmë atje, në Shenjtoren e Shën Ndout. Atë Sokoli na futi brenda, në dhomën e pritjes, duke thënë: “Mirëseerdhe o Mbret, në shtëpinë tënde!” Mbreti iu përgjigj, duke i thënë: “Mirë se ju gjetëm, të fortë, në shtëpinë tonë o Atë Sokol!”.

Show të vërtetë, me Mbretin kemi bërë edhe në Tiranë e në Durrës, ku në një mbrëmje shkuam për darkë, edhe shijuam tinguj të ëmbël të muzikës sonë tradicionale – live. Në Tiranë, gjithashtu bisedonte me Kryeheroin tonë Gjergjin e Kastriotëve – Skënderbe, kurse në Durrës vallëzonte duke e tundur e valëvitur flamurin tonë kombëtar. Pastaj, i kërkonte këngëtarit, ta këndojë këngën dibrane “Na këndojnë pushkët nëpër kulla”, special – thoshte – për këshilltarin e Mbretit, Bablok Engjëllin.

Korrik 2020. –

Ky korrik i fundit, i vitit 2020, mos na u ktheftë më kurrë në jetën tonë, korrik i frikës dhe i etheve të pandemisë covid-19.

Mbas shumë e shumë vitesh, ishte ky korrik i ndarjes dhe i vuajtjeve shpirtërore në familjen tonë. As fëmijët nuk na erdhën nga mërgimi, por as ne nuk mundëm të shkojmë t’i vizitojmë ata. Shumë vuajtje e dhembje të llahtarshme na mundonin në zemër, edhe ne këndej, edhe ata andej. Sa mërzia, sa edhe frika, mos po na sëmuret ndokush në familje, nuk na lënin të qetë. Për pushime në bregdet, as që menduam këtë vit. Na mjaftonte sikur të bashkoheshim e të rrinim bashkë në shtëpi, por ja që nuk bëhej.

Pandemia covid-19 na ka sjellur shumë telashe, në çdo aspekt dhe në çdo hap të jetës. Edhe në shkollë kemi pasur telashe, që nga 13 marsi, kur na i mbyllën shkollat dhe na detyruan që mësimin ta zhvillojmë në distancë – online.

Ishte pikërisht korriku i vitit 2020, koha kur përfunduam mësimin online për këtë vit shkollor. Duhej plotësuar librezat e nxënësve për klasën e pestë, edhe përgatitur dëftesat për kryerjen e shkollës fillore. I përgatita dhe erdhi dita e gëzueshme, në trishtimin e pandemisë. Një ditë të bukur e me diell, të korrikut 2020, erdhën të gjithë nxënësit në shkollë, që t’i tërheqin librezat dhe dëftesat për kryerjen e shkollës fillore. Megjithë frikën, të gjithë nxënësit erdhën e më përqafuan, me shumë mall, sidomos katër nxënësit që më erdhën nga Letnica.

Në këtë shkrim special, jam munduar që, kronologjikisht dhe besnikërisht, të paraqes e të sheshoj pikat e muajit korrik, që kanë lënë gjurmë në historinë e jetës sime.

Histori e vërtetë. Ngjarje me shumë rëndësi në jetën time. Edhe gëzime, edhe vështirësi e trishtime, por më shumë gëzime, këndje dhe krenari.

Të gjitha, edhe gëzimet e edhe trishtimet, desha t’i ndaj me ju lexues të dashur. Shpresoj të mos ju kam lodhur me korrikët e mi historikë, me historitë dhe të bërat e jetës sime, në muajin e nxehtë të korrikut.

Kam plot ngjarje e ndodhi historike edhe në muajt tjerë, por për karakteristikat dhe rëndësinë e tyre, e pashë të arsyeshme, që t’i sheshoj e t’i ndaj me ju, ato që më kanë ndodhur dhe i kam përjetuar, pikërisht në muajin korrik, nëpër vite të ndryshme të jetës sime.

Uroj që për të gjithë e sidomos për bashkëkombasit e mi të dëgjoj vetëm gëzime dhe të bëra e të ndodhura lumturie, nëpër të gjithë muajt e të gjitha viteve.

Ky pra ishte korriku historik i jetës sime.

Gëzuar!

Stubëll (Dardani), verë e vjeshtë 2020

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok