13/10/2024

KONTRIBUTI I AKADEMIK GAZMEND ZAJMIT NË HARTIMIN E AKTEVE BURIMORE PËR SOVRANITET DHE PAVARËSI TË KOSOVËS

0

Sot, në përvjetorin e 86 të lindjes

Nga Feti TUNUZLIU

Akademik Gazmend Zajmi i takon ajkës së figurave të spikatura historike, kombëtare, shkencore e universitare të Kosovës e jashtë saj të gjysmës së dytë të shekullit XX si jurist e politolog i shquar i cili la pas një trashëgimi të çmuar kombëtare dhe shtetformuese.

Me prejardhje nga një familje gjakovare me tradita patriotike, akademik Zajmi lindi në Krumë (Shqipëri) 86 vite më parë, më 20 qershor 1936, ndërsa u nda nga jeta në kufirin e 59 viteve, me 10 mars 1995. Në Prizren kreu shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa në Beograd diplomoi e magjistroi në Fakultetin e Drejtësisë dhe doktoroi në Fakultetin e shkencave politike. Ushtroi një gamë funksionesh. Ndër to, veçojmë: Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK); Rektor i UP, Shef i Katedrës së shkencave politike dhe profesor në Fakultetin juridik të UP; gjyqtar dhe Kryetar i Gjyqit të rrethit në Prizren, Kryetar i Bashkësisë së Universiteteve të Jugosllavisë; anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave në Salzburg (Austri).

Përpos kontributit të tij të madh, ai do të mbahet në mend për shkarkimin nga pozita e Rektorit të Universitetit të Prishtinës në vitin 1981 dhe përjashtimin nga profesorati i juridikut për shkak të mosdistancimit nga kërkesat e studentëve dhe nxenësve apo “nga lëvizja shqiptare antijugosllave”, siç thuhej në publicistikën serbe si dhe për përjashtimin nga lidhja komuniste në vitin 1984 sepse – paskësh rënë ndesh me Dokumentin e diferencimit ideo-politik. Ndërkohë që, ishte shprehur: “Akcioni i diferencimit ideo-politik paraqet një sadizëm politik” ! Tutje, do të kujtohet si kundërshtues i ndërprerjes së Prorokolit të Bashkëpunimit te Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës, kur ishte Rektor dhe bashkënismëtarë, bashkautor dhe nënshkrues i “Apelit 215 të intelektualëve shqiptarë”, ku pos tjerash kërkohej edhe zgjidhja e problemeve politike e kombëtare në shoqërinë kosovare.

Duke shenuar këtë përvjetor, të theksojmë se akademik Esat Stavileci (1942-2015) e quajti akademik Zajmin ”arkitekt i mendimit politik dhe juridik, për Kosovën dhe në përmasa ndërkombëtare”. Pretendonte se “askush më mirë se ai, nuk ka argumentuar çështjen e mëvetësisë së Kosovës.” Andaj, “pikëmbështetje i kemi pikëpamjet e studijuesit Gazmend Zajmit” për argumentet “kryesore në favor të pavarësisë së Kosovës”, thoshte ai. E këto pikëpamje dhe argumente, prof. Stavileci i përimtoi në librin autorial: “Çështja e Kosovës në veprën e Gazmend Zajmit” (1997).

Puna dhe shembëlltyra e përshkuar me ide të stërholluara akademike që hedhin dritë në procese politike, juridike, historike e nacionale, gjendjen e pakicave kombëtare dhe pozitën e gjuhëve e autonomisë së federalizmit jugosllav, e shquajnë prof. Zajmin si natar dhe vizionar. Më vete ose në një kuadër më të gjërë, këto ide zunë vend në opusin krijues të tij, në: vepra, monografi, studime, artikuj, ligjërata, kumtesa, diskutime e lekcione të tij. Te gjitha tok e zbulojnë atë si dijetar të llojit të vet, pa një të dytë në të drejtën kushtetuese e sistemin politik në Kosovë i cili kishte ngel peng i leximit dhe pagjumësisë. Ndryshe, ai kishte trajtuar aspektet shoqërore politike e juridike të barazisë së gjuhëve në Kosovë në temën e magjistraturës (1971) dhe mbrojtjen kushtetuese-juridike dhe tretmanin e gjuhëve të pakicave kombëtare në Europë gjatë dy luftërave botërore në temën e doktoratës (1972). Ndaj, vepra e tij është pikë referimi për studiues. Ne do i referohemi atyre vijimisht duke i vënë brenda thojzave.

Duke nderuar kujtimin e prof. Zajmit të themi se ky ishte ndër kryeprotogonistët e drejtpërdrejt të zhvillimeve dramatike politike e kushtetuese që nga viti i bujshëm 1968. I vlerësuar për mirësinë dhe sensin e tij pozitiv, ai kapte gjërat shumë shpejt dhe ishte zëri që shpaloste kritikisht dhe guxim të tepruar kërkesat politike: për vetëvendosje, për statusin e Republikës për Kosovën, për statusin e kombit për shqiptarët dhe për lidhjen direkte Kosovë – Federatë për t’u barazuar me republikat tjera. Vetëkuptohet se këto kërkesa që trandën shumëkë në ish-Jugosllavi dhe ngjallën huti në shtetet fqinj, i faktonte me prova bindëse shkencore e historike. Gjatë shpalosjes së ideve që meritojnë vëmendje të posaçme, merrte shkas nga realitetet e prekshme shoqërore politike në Kosovë dhe ish-Jugosllavi prej para Luftës së Dytë Botërore deri në dekadat e komunizmit. Me prof. Zajmin, u rreshtuan: Fehmi Agani, Ali Hadri, Bardhyl Çaushi, Hajredin Hoxha, Syrja Pupovci, Ramadan Vraniqi, Dervish Rozhaja, Rezak Shala, etj. Por, pas shpërfilljes së prerë të kërkesave të tilla nga autoritetet pushtetore dhe partiake serbe e jugosllave reflektuan studentët e nxënësit shqiptarë më qartë se asnjëherë. Vuan gjithë guximin e pamposhtur dhe energjinë e tyre dhe organizuan demonstrata gjithandej nëpër qytete kosovare, por ja që, u shuan paskrupull me dhunë shteti. Kërkesat e mësipërme politike për të cilat përsiaste ky dijetar i shkathët patën efekt të shpejt pozitiv. Ja disa arritje: në vitin 1969 u soll Ligji kushtetues për Kosovën (zëvendësoi Statutin); emërtimi Krahina Socialiste Autonome e Kosovës (zëvendësoi ate “Kosova e Metohia”); u legalizua gjuha shqipe si gjuhë zyrtare, u lejua përdorimi i flamurit kombëtar; në vitin 1970 u themelua Universiteti i Prishtinës. Në vitin 1971 ndryshimet kushtetuese zgjëruan dhe barazuan Kosovën me republika tjera, posaçërisht në polikën ekonomike. Në vitin 1972 amandamentet në Ligjin Kushtetues të Kosovës forcuan pozitën kushtetuese të Kosovës në federatë. Në vitin 1974 u miratua Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, në vitin 1975 u themelua ASHAK.

Përkitazi me këto arritje, profesori i së të drejtës kushtetuese dhe sistemit politik, kishte qëndrim mohues për tezën se – Kosova është pjesë e Serbisë. “Kosova nuk ishte pjesë e Serbisë, por si identitet politiko-territorial i vetvetes me kushtetutë të veten ishte njësi konstituive – njësi federale e Federatës multinacionale të Jugosllavisë dhe vetëm si e tillë në bazë të prezumpcionit konstitucional të interesit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë, ajo si “corpus seperatum” me sovranitet të vetin politik dhe kushtetues ishte edhe në kuadër të Serbisë”, shpjegonte ai. Në funksion të këtij koncepti, kredoja e tij shkencore sillte në vëmendjen e opinionit argumentin e vet burimor juridiko-historik duke pretenduar se: “baza konstituive e gjetjes së Kosovës në kuadër të Republikës së Serbisë është Rezoluta e Prizrenit e vitit 1945 e cila si e tillë u derogua me Deklaratën kushtetuese të Kosovës sipas principit “lex posterior derogate lex prior”.

Por, erdhe viti 1981. U rishfaqen demonstratat në Kosovë. E me karakterin dinamik dhe energjik, prof. Gazmendi përkrahte rininë për vendosmërinë e tyre. U përsëritën kërkesat: “Kosova Republikë”, “Republikë ja me hatër ja me luftë”, etj. Për fatin e keq, edhe këto demonstrata do të shuhen egërsisht nga shteti gjakatar serbo-jugosllav.

Për Beogradin zyrtar, akademik Zajmi specifikonte disa mundësi trajtimi të çështjes shqiptare: e para, përmes “heqjes dorë nga territori kontinuel i shumicës etnike shqiptare në Jugosllavi që do të çonte në bashkim me Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore”; e dyta – përmes “konstituimit të Republikës Shqiptare në territorin kontinuel të shumicës etnike shqiptare në kuadër të Federatës së Jugosllavisë; e treta – përmes “statusit republikë të Kosovës”.

Por, si kundërpërgjigje ndaj demonstratave të ‘81-it, në vitin ‘89-të pasuan amandamentet kundër-kushtetuese të Serbisë “për ta mbërthyer Kosovën (por edhe Vojvodinën) në hallkat e strukturës të Serbisë para ç’gjymtyrëzimit (demembrimit) të mundshëm të Jugosllavisë”, vërente akademik Zajmi. Ai kishte vërejte formale dhe përmbajtësore lidhur me substancën e fuqizimit të vendimmarrjes në Kuvendin e Kosovës. “Pëlqimi për amandamentet kushtetuese të RS (23 mars 1989) as që ekzistonte”, theksonte ai. Ky paradoks “mund të konfirmohej edhe me procesverbalin e mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, kur as nuk qe konstatuar ekzistimi i kuorumit për të punuar dhe as për t’u marrë vendime”, sipas tij..

Me zhbërjen e ish-Jugosllavisë, ky personalitet i thellë në vepra e mendime, insistonte që Kosova dhe populli shqiptar në territorin e ish-Jugosllavisë të jenë “subjekt i vendosjes për fatin e vet historik në rrethana të reja historike sipas principit të vetëvendosjes kombëtare”. Megjithatë, ndodhi e kundërta. Nisma e shembjes së autonomisë së Kosovës, përkatësisht e suspendimit të subjektivitetit juridik e politik të Kosovës si njësi federative në ish-Jugosllavi që u forcua me nxjerrjen e disa ligjeve serbe (1990), sipas tij, rriti “moderueshmërinë e opsionit të pavarësisë së Kosovës kundrejt opsionit të bashkimit territorial të Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve të tjera të shumicës etniko-territoriale shqiptare në Ballkan”. Në këtë vazhdë, pena e tij e mprehtë shprehte largpamësi politike: “nëse do të hartohej ndonjë projekt i madh mbi stabilitetin afatgjatë në Ballkan, është e sigurt se problemi i zgjidhjes parimore të çështjes shqiptare me kritere objektive etnike dhe demografike, do të zinte një vend qendror në te”, shkruante ai. Ai ka qenë njeriu që ka hedhur tezën për “policentrizmin subjektor të kombit shqiptar” viteve të ‘90-ta. “Policentrizmi subjektor i kombit shqiptar në Ballkan në këtë stad të rrjedhave n’Evropë nuk është faktor i ndarjes kombëtare por përkundrazi, në kushte të trashëguara të ndarjeve gjeopolitike të kombit është faktor i ngritjes së subjektivitetit kombëtar, integrimeve kombëtare dhe i proceseve të bashkimit kombëtar”, gjykonte ai.

Sa për informimin e lexuesëve, vetëm kalimthi të përmendim se si plasohej (me ironi !) roli dhe ndikimi i akademik Gazmend Zajmit gjatë procesit të ndryshimeve kushtetuese në shtypin serb të kohës. “Dihet që ka qenë shumë aktiv si “këshilltar profesional dhe konsultant” edhe në shqyrtimet e fundit kushtetuese dhe i dërguar si aktivist në qendra të ndryshme komunale (edhe në ekrane televizive është pa në Aktivin e Gjakovës) prandaj as nuk është çudi që kundërshtimet për ndryshimet kushtetuese ishin aq të forta dhe këmbëngulëse”, thuhej ne shtypin serb.

Ndryshe, ishin: Deklarata kushtetuese të Kosovës (2 korrik 1990), Kushtetuta e Republikës së Kosovës (7 shtator 1990) dhe Rezoluta mbi pavarësinë dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës (18 tetor 1991) ato projeksione formale juridiko-politike të mëvetësisë së Kosovës të cilat binin ndesh me amandamentet në Kushtetutën e Serbisë të 23 marsit 1989). Të artikuluara edhe në Letrën e Qeverisë së Republikës së Kosovës të dhjetorit 1991, arsyeve për sovranitetin e Kosovës nuk iu kishte bindur as Konferenca e Paqë dhe Komisioni Badenter. Këta e lanë çështjen e Kosovës jashtë diskutimi, e lanë si sfidë të kombësive e grupeve dhe nën tutelën e Serbisë. Ndërkohë që, akademik Zajmi në mënyrë brilante shprehej se “nuk ekziston asnjë ligjësi objektive dhe asnjë kornizë sociale-psikologjike e përbashkët që këto dy individualitete të veçanta etniko-territoriale, Serbia dhe Kosova, tërësisht pra të ndryshme, përnga kompozicioni etnik i tyre, të jenë apo të vihen nën pushtet njëetnik i tyre, madje edhe sikur pushtetin njëetnik serb mos ta shquante fare brutaliteti i tij i sotshëm etnokratik”. Këtej, kur flitej në Serbi për Kosovën si çështje e brendshme e saj dhe ishin të barabart nga aspekti kushtetues, “si mund të jetë fati politik i një populli çështje e brendshme e një populli tjetër”, pyste akademik Zajmi.

Me shkathtësinë intelektuale solli në vëmendjen e opinionit vlerësimin se “Federata ia ngarkoi vetes, jo vetëm vazhdimin e padrejtësisë ndaj kombit shqiptar në Ballkan, por vetë ia ngarkoi edhe nukleusin themelor të jostabilitetit të lartë” dhe mjeshtërisht konkludoi: “artificialiteti i një krijese të re shtetërore mund të jetë i lidhur dhe me padrejtësitë në themelet e asaj krijese shtetërore, sikundër që edhe padrejtësitë në themelet e saj Federatës i përqojnë karakterin artificial të saj”. Këto problematika rreth federatës u intensifikuan dramatikisht në një pjesë të hapësirës jugosllave pasi Serbia e Mali i Zi shpallën Republikën Federale të Jugosllavisë (1992).

Janë të pafundme kundërvëniet profesionale të prof. Zajmit atribuuar tezës serbe se – liritë themelore dhe të drejtat njerëzore përbëjnë spektrin krucial të çështjes së Kosovës. Ky personalitet vizionar, paralajmëronte se këto çojnë te “rreziku i shpërthimit të luftës”, siç edhe do të ndodh (1998/99) tri vite pas vdekjes së tij (1995), ngase, sipas tij, çështjen e Kosovës e shpreh “karakteri etnik, historik, politik dhe ndërkombëtar i Kosovës, mëvetësia e saj dhe pozita e saj”. Si pjesë integrale e çështjes shqiptare, prof. Zajmi porositte që çështjen e Kosovës, duhet kuptuar përmes “raporteve ndërmjet kombit serb dhe kombit shqiptar në Ballkan si dy ndër kombet e mëdha në relacione ballkanike, me peshë jo më të vogël se raportet e popujve tjerë në Ballkan për paqën, stabilitetin dhe bashkëpunimin në këtë pjesë të Europës Juglindore.”

Ai identifikoi “boshte strumbullare” që ravijëzojnë individualitetin dhe mëvetësin e Kosovës si vlera emblematike. I pari: “realiteti kombëtar demografik-territorial i popullit shqiptar të Kosovës”; i dyti: “individualiteti kompleks historik, gjeografik, struktural-kombëtar dhe politik i Kosoves”; i treti: individualiteti dhe barazia e kolektiveve nacionale për pavarësi” dhe i katërti: “vullneti politik dhe demokratik i popullit të Kosovës për pavarësi”. Kështu Kosova po i shmanget çdo lloj lidhjeje me shtetin serb. “Akademik Gazmend Zajmi është intelektuali i parë në trojet etnike që përmend nocionin “okupues” për shtetin serb ndaj Kosovës në punimet e tij të natyrës juridiko-politike”, pohon prof. dr. Osman Ismajli, ish-student dhe koleg i prof. Zajmit.

Kujtoj se perlat e këtij profili të rrallë akademik përgjatë misionit me kryetemë shtetësia e Kosovës, rrezatojnë kontributin e tij të trefishtë e që shoqëruan hartimin e akteve burimore të vetëpërcaktimit politik të Kosovës për sovranitet e pavarësi. Shprehur me gjuhë lakonike dhe shteruese këto mbase do përmbidheshin kësisoj:

Kontributi i parë i referohet – autorësisë së tij për hartimin e tekstit të cilin e titulloi: “Deklarata kushtetuese për Kosovën si njësi e pavarur dhe e barabartë në kuadrin e federatës (Konfederatës) së Jugosllavisë” që u bë sinonim i emrit të tij. Ky akt që e kishte promovuar së pari më 14 qershor 1990 në Kuvendin e ASHAK-ut ngeli konfidencial për dy jave, deri më 2 korrik 1990 kur e miratuan 111 delegatët e Kuvendit të Kosovës në hyrje të këtij objekti të mbyllur. Me këtë Deklaratë, veç tjerash, “shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullësisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë”.

Kontributi i dytë i referohet – protogonizmit të akademik Zajmit duke u cilësuar prijëtar i grupit të intelektualëve sepse nën përkujdesjen shkencore e pragmatike të tij u hartua projekti i Kushtetutës së Republikës së Kosovës që u miratua fshehurazi nga 112 delegatë legal e legjitim të Kuvendit të Kosovës më 7 shtatorit 1990 në Kaçanik. Me këtë vepër monumentale u jetësua themelvënia e shumëpritur e shtetit të Kosovës dhe e kombit shqiptar në Kosovë. Aureola intelektuale dhe shoqëria kosovare e konsideronte si një ekspertizë të lartë të shtetbërjes që aspironte ndërtimin e ardhmërisë së shoqërisë në krye me shtetin e konsoliduar.

Kontributi i tretë dhe i fundit i referohet – pyetjes së ideuar nga akademik Gazmend Zajmi e të parashtruar në fletëvotimin e referendumit të fshehtë gjithëpopullor, mbajtur prej 26-30 shtator 1991 që solli Rezolutën mbi pavaresinë dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës më 18 tetor 1991 me “po”në e 87,01 % të votuesëve të popullësisë së Kosovës.

Dhe në fund fare: këto tri dokumente historike sikur kumbuan si përgjigje ngjyrimesh juridike politike e demokratike të përfaqësuesëve dhe popullit shqiptar të Kosovës vizavi grishjes për luftë nga Millosheviqi anticipuar më 28 qershor 1989 në tubimin e serbëve në Gazimestan ku kremtohej 600 vjetori i “Betejës së Kosovës”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok