23/12/2024

Kongresi i Manastirit, njëra nga ngjarjet më madhore të historisë së kulturës shqiptare

0
Kongresi-i-Manastirit

Nga Ndue Ukaj

Kongresi i Manastirit i përfundoi punimet me 22 nëntor 1908, duke e miratuar alfabetin latin të gjuhës shqipe, të propozuar nga Shoqëria “Bashkimi”.

Ky Kongres, përbën njërën nga ngjarjet më madhore të historisë së kulturës shqiptare, dhe njërën nga lëvizjet më emancipuese të kulturës sonë.

Vendimet e këtij Kongresi i dhanë vulë identitetit europian të shqiptarëve, dhe i këputën tendencat tjera, të cilat, tentonin ta pengonin përlindjen e kombit shqiptar, atëbotë kur po bëheshin përpjekje të mëdha për të dalë në dritë, pas natës së gjatë otomane. Po ashtu, vendimet e këtij Kongresi, përveç faktit se i dhanë shtytje të fuqishme zhvillimit të shkrimit dhe arsimit shqip, gjithashtu ndikuan edhe në lëvizjen kombëtare për pavarësi; lëvuzje kjo që kulmoi me shpalljen e pavarësisë kombëtare, katër vite pas, më 1912.

Kongresi i Manastirit, me kryetar të Komisionit, poetin kombëtar Gjergj Fishtën, ku morën pjesë edhe personalitete të njohura të kulturës shqiptare, atdhetarë e dijetarë, si: Ndre Mjeda, Mid’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, etj., mbetet njëra ngjarjer themelore të identitetit kulturor shqiptar.

Nëse tipar thelbësor i një aksh identiteti është gjuha, atëherë shkrimi, alfabeti, është esenca dhe ontologjia e këtij identiteti.

Historia e shkrimi shqip është histori malli e dhimbje, sepse na kujton sakrificën dhe përpjekjet e pareshtura të kolosëve tanë, për ta mbajtë të ndezur dritën e shkronjave shqipe, kur ato rrezikoheshin fort nga furtunat e kohës. Dhe, në saje të mallit e dashunisë së madhe që treguan Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi, vëllezërit Frashëri, arbëreshët e Italisë, dhe një çetë profetësh të lirisë e të kulturës shqiptare, gjuha shqipe arriti të mbijetojë.

Prandaj, përjetësisht dhe përulësisht, duhet të jemi krenarë me heronjtë e kulturës sonë, ata guximtarë dhe përparimtarë, të cilët, në kohë të vështira, arritën të tejkalojnë dallimet dhe të bëjnë punë të mëdha, pët t’ na lanë këtë pasuri të vlefshme, e të cilën e kemi detyrë edhe ne t’ua përcjellim brezave që vijnë.

Fjalët e Fishtës në këtë Kongres, janë kumbues dhe të vlefshme për secilën kohë – janë këshilla që mund t’ na bëjnë më të ndërgjegjshëm dhe më t’ përgjegjshëm- edhe përpara sfidave që sot kemi si komb, gjuhë dhe si kulturë.

“Cila zemër prej shqiptari do të qëndrojë e pabindur përpara kësaj dite të shenjtë, që nuk e kemi shojtur prej 500 vjet! Jo kurrë! Do të jetë turp i madh që të kthehemi si erdhme përveç që do të qeshemi nga bota e huej, por do të shtimë popullin në dëshprim.”

Në 111 vjetorin e kësaj ngjarje, shqiptarët e trullosur e në dëshpërim, duhet të marrin mësim nga ky akt madhor, ndërkaq, vendimet e tij, duhet të shërbejnë si udhërrëfim, veçmas për ata që janë ligështuar, për ata që i ka kapluar amnezia historike, dhe për ata që i ka rrëmbyer dalldia kozmopolite.

(22 nëntor 2018)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok