14/10/2024

At Gjergj Fishta, Gjuha Shqipe dhe mësuesia kjo “Zeje e shenjtë”

0

Kur në klasa, auditoriume, skena interpretohet gjuha shqipe e Fishtës kam besuar se Zoti është ulur pranë dhe ka prekur zemrat e vogëlushëve për mos ta harruar kurrë gjuhën shqipe

Nga Keze Kozeta Zylo

Sot ne vazhduesit dhe admiruesit e veprës së Gjergj Fishtës këtu në Diasporë jemi mbledhur për të nderuar dhe përkujtuar 148-të Vjetorin e Poetit Kombëtar, ish kandidatit për çmimin nobel, Fishtës.

Në ka poet që kujtohet më shume në botën e Diasporës shqiptare padyshim ai është Gjergj Fishta një nga figurat më brilante të Kombit.  Natyrisht kjo ka arsyet e veta që unë do t’i përmend me fakte dhe të ndjera në palcë të shpirtit.

Ikjet e shqiptarëve si në kohët biblike karvan-karvan që në shekujt e kaluar dhe revanshi i tyre që s’po di të ndalet bën që prindërit shqiptarë marrin me vehte brengën më të dhimbshme më gangrenizuese asimilimin e pakuptueshëm tek brezat që lindin dhe rriten në dhera të huaja. Shkrimtarët dhe poetët e vërtetë frymëzojnë lexuesit dhe bëhen udhëheqës shpirtërorë në veprimet e tyre.  Kjo ka ndodhur me Gjergj Fishtën poetin kombëtar i cili me poezinë “Gjuha Shqipe” është bërë Diell dhe dritë në shumë nxënës të shkollave shqipe që janë hapur anë e mbanë botës.

Nga përvoja ime si bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në të gjitha lagjet e Nju Jorkut është tejet emocionuese, kur dëgjoj vargjet lapidar dhe aq të fuqishme të intepretuara nga nxënësit tanë në Ditën e Flamurit, të Mësuesit apo dhe festave të tjera kombëtare.  Janë dhjetra vidio që japin realisht këto vargje hymn për gjuhën shqipe të poetit erudit Fishtës, ato janë epike, por dhe plot dashuri të dala nga goja e bijëve emigrantë dhe ja se si:

“Pra, mallkue njai bir Shqyptari/ qi këtë gjuhë të Perëndis’/ trashigim, që na la i pari/ trashigim s’ia len ai fmis/ edhe atij iu thaftë, po, goja/ që përbuzë këtë gjuhë hyjnore/ qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja/ flet e t’veten e lén mbas dore.”

Fishta shpërthen si vullkan nga llava e zjarrtë e shpirtit kur sheh fëmijë dhe shqiptarë që nuk flasin gjuhën shqipe, por në vend të saj përdorin gjuhë të tjera kur s’është nevoja…  Janë këta burra të ndritur të Kombit që bëjnë dritë dhe ndezin zjarr shpirtrat e fikur nga pushtimet e huaja apo qoftë dhe nga pushtimet e vetvehtes, çka kjo e fundit është dhe më shkatërruesja…  Harrimin e Gjuhës Shqipe ai e quan mëkat dhe këtë mëkat s’ka ujë oqeani që ta lajë…  Për rrjedhojë kush nuk përdor gjuhën shqipe dhe nuk e flet atë merr mallkimin më të rëndë në histori, sepse gjuha shqipe është pashaporta është ashti i Kombit tonë.

Gjuhën Shqipe Gjergj Fishta e quan hyjnore, të bukur, të ëmbël, sa të duket sikur dhe Zoti ka folur shqip… është kjo poezi gati një hymn kombëtar për Gjuhën Shqipe që vazhdon të frymëzojë sa të ketë shqiptar mbi dhe.

E konsideroj vehten me fat qe të sjelle pranë jush këtë temë shumë interesante këtë temë ku Gjergj Fishta e ka lëvruar mjeshtërisht si në Gjuhën Shqipe ashtu dhe si një mësues soji.  Gjuha Shqipe dhe mësuesia janë një binom i pandashëm për poetin kombëtar.  Duke pasur privilegjin të jem mësuese e Gjuhës Shqipe midis dy kontinenteve doemos që jam frymëzuar pa kushte nga thesari i çmuar pedagogjik i Gjergj Fishtës.  Ai ka qenë një pedagog dhe ligjërues i jashtëzakonshem i gjuhës shqipe duke botuar në revistat më prestigjioze të kohës artikuj shkencorë dhe studimor dhe duke e ngritur shumë lart nivelin arsimor të fashitur në Shqipërinë e kohës.

Sa herë jam ndalur para klasës dhe gati duke prekur qiellin kam interpretuar e magjepsur vargjet për Gjuhën Shqipe, dashurinë e madhe për Kombin, fisin dhe gjithçka shqiptare.  Fjala e tij rrjedh e gurgullon nëpër dejet e mësuesit si në këto vargje:

“Nëpër gjuhë shqipe bota mbarë/ Ka me ju njoftë me ç’fis ju keni/ Ka me ju njoftë ju për shqiptarë/ Trima n’za sikurse jeni”

Gjergj Fishta e vuri tërësisht edukimin fetar që mori në kolegjet perëndimore në shërbim të Atdheut te tij.  Shpirti i tij ishte vetëm për gjuhën dhe shkollën shqipe.  Ai luftoi ashpër me të gjithë ata të huaj që kërkonin me ngulm nëpërmjet hapjes së shkollave nga të gjithë shtetet e botës, si serbe, greke, turke, italiane etj, ta shkombëtarizonin vendin me qëllim që të mos kishte më gjuhë shqipe.  Ndërkohë ai dënon ashpër dhe e vesh me vellon e zezë realitetin e kohës, se jo vetëm që popullin donin ta shkombëtarizonin, por ajo më e helmëta është që t’i bënin gropën vetes me paratë e tyre duke suportuar shkollat e huaja…  Ndaj dhe Fishta shkruan:

“Por, shka asht me zi, vetë kombit t’ngratë kto shkolla/ Po i duhet sod me e i mbajtun m’kambë me t’holla”.

Gjergj Fishta është intelektual erudit me një kontribut të jashtëzakonshëm për Kombin.  Në Kongresin e Manastirit ai u zgjodh Kryetar i Kongresit të Manastirit, më 1908, dhe përcaktuan alfabetin e gjuhës shqipe.

Me një edukim të lartë fetar dhe duke parë aftësitë dhe kulturën tejet të gjerë shkolla franceskane e zgjodhi drejtor të saj në Shkodër, i pari shqiptar që u zgjodh në këtë shkollë.

Megjithëse për Fishtën siç thotë Vatican News: “Nuk duhet shkruar. At Gjergj Fishta duhet lexuar! Sepse vetëm duke e lexuar, mund ta njohësh Fratin e veshur me zhgun, të ngjeshur me konop nëpërmjet e me këmbë të zbathura verë e dimër… Mund të njohësh humanistin, atdhetarin, burrin e madh, pa varr, por jo pa lavdi. Poetin, veprat e të cilit u flakën njëmijë herë në baltë nga kundërshtarët, e u ngritën njëmijë herë në qiell nga dashamirët. E sidomos, Lahutën! E ndaluar, e pështyrë, e djegur, e fshehur në skutat më të errëta të shtëpive të moçme e në kujtesat e njerëzve, ajo doli e del përsëri në dritë, për t’i folur shqipërisë e edhe botës…”

Gjergj Fishta vazhdon të frymëzojë ndër breza, por veçanërisht poezia për gjuhën shqipe është një përmendore e shpirtit ndër fëmijët e diasporës. Është drithëruese kur miliona shqiptarë të shpërndarë si zogjtë e korbit në botë nuk flasin shqip, por kur në klasa, auditoriume, skena interpretohet gjuha shqipe e Fishtës kam besuar se Zoti është ulur pranë dhe ka prekur zemrat e vogëlushëve për mos ta harruar kurrë gjuhën shqipe.  Kjo poezi si gjithë veprat e tij janë par ekscellence, janë siç thotë Lasgush Poradeci se vepra poetike e Fishtës është e zhvilluar sipas postulatit fetar e kombëtar, poezia e tij është shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar.

Gjergj Fishta ky Poet Kombëtar me një shtepi ku jetoi për shumë kohë sot është në meshirë të fatit, ajo shtëpi të paktën në 30 vitet e post diktaturës duhej të ishte kthyer në pelegrinazh për gjithë shqiptarët… Megjithatë këto ditë lexova lajm të mirë nga miku im Paulin Zefi se Bashkia e Lezhës ka marrë miratimin për ta restauruar shtëpinë e Fishtës dhe ky është një lajm dhe ogur i mirë për kulturën kombëtare.

E ndjej vehten me fat që bashkë me bashkëshortin tim dhe mbesen e madhe Dea, kemi shkuar pranë shtëpisë së Fishtës, në vitin 2018-të kur ishim në Shqipëri.

E kishja ëndërr të vizitoja shtëpinë e Gjergj Fishtës, shtëpinë e Poetit Kombëtar, këtë e kishte kuptuar në çdo qelizë të shpirtit tim mbesa ime Megi Gjoni e cila na shoqëronte për në Lezhë. Ishte tejet e vështirë për ta gjetur udhën e dritës nëpër terrin e harresës… Asnjë shenjëz nuk gjendej…

Po ja tha Dea 7 vjece e gëzuar kur pa dhitë, pyesni bariun?

Barinjtë gjithmonë janë udhërrëfyes te shtigjeve, monopateve mendova… Bariu me shkopin në dorë dhe dhitë përpara na tha: Më ndiqni mua dhe unë do jua tregoj ku e ka shtëpinë Gjergj Fishta, por kujdes se është shumë e rrënuar dhe më shumë më vjen keq pë këtë vajzën e vogël që e keni me vehte!… Bariu shpesh më dukej si bariu i moçëm Marash Ucin që aq shumë e përmend Fishta në Eposin Kombëtar… Duke ecur ngadalë nën tymin e rrugës dhe zhurmën e këmbëve të dhive, përpara na u shfaq shtëpia e gurtë me ngjyrë hiri që kishte dritëz perëndie, fijëza dritash që rrallë i ndjen gjatë jetës… Në fytyrat tona ra një heshtje përballë portës me hekur të ndryshkur dhe dru të kalbur, oborrit me lule, hithra, shkurre të egra, shkurt: shtëpi në mëshirë të fatit… Mbesa më tha frikshëm: Të lutem mos hyr brenda se mund të ketë gjarpërinj!… Po pyesja unë nga gjarpërinjtë, nepërkat, shpirti im kishte hyrë i tëri në rezonancë me poemën e famshme: Gjuha Shqype që aq herë jua recitojmë nxënësve në emigrim…

Ne ishim bërë trinom i pandarë: Fishta, gjuha shqipe dhe ëngjëjt mbrojtës të gjuhës shqipe në Diasporë që përfaqësohej këtë radhe nga Dea e lindur dhe rritur në New York…

Duke “shkelur nepërkat” me këmbë” një zë i brendshëm i thellë sa deti dhe me jehonë malesh kumbonte përballë bustit hijerëndë:

Kthejeni shtëpinë e Gjergj Fishtes në Muze!

Dhe me lule ndër duar recitoja përballë Tij, po po recitoja fort, fort sa u bashkuan dhe Zanat e Maleve…

Oh! ju bjeshkët e Shqyptaris’/ E ku rriten djelm si zana/ Un ju kurr s’kam me u harrue/ Kahdo t’m’jet gjykue me u endë/ Dersa t’muj me ligjirue/ Ju gjithmon kam me u permendë! I Dbuemi

Ose: Dersá t’mundem me ligjrue/ E sá gjáll me frymë un jam/ Kurr Shqypni, s’kam me t’harrue,

Edhe n’vorr me t’permendë kam.

Ai është një mësues dhe Poet Kombëtar i pashoq. “Lahuta e Malcisë” është perkthyer në gjermanisht nga albanologu i shquar Maximilian Lambertzi i cili më 1922 shkruan se: “Fishta është poeti më gjenial që deri më sot ka dhënë Shqipëria.  Ai është epiku më i madh i shekullit, Homeri Shqiptar dhe Lahuta e Malcisë është Iliada shqiptare”

Gjergj Fishta ky mësues i Kombit është frymëzues në çdo Shkollë Shqipe në Diasporë, jo vetëm me poezinë e famshme Gjuha Shqipe, por sic thotë Prof.Pashko Gjeçi eshte “Mbreti i poetëve shqiptarë, Patër Gjergji qe i pari që vuri në shkollë gjuhën shqipe dhe mbrojti me trimëri të drejtat e Kombit tonë në çdo konferencë ndërkombëtare dhe është i pari që me vepren e vet poetike i fali shqiptarit epopenë, historinë e përpjekjeve të tij për Liri.

…At Fishta…nuk jetoi në “kështjellen e fildishtë”, por u hodh me entuziazëm djaloshar nga një mision në tjetrin për të mirën e kulturës e të racës shqiptare…

Fishtën, me temperament thjesht klasik nuk do ta frymëzonte asgjë me parë se Atdheu. Gati krejt vepra e tij i është kushtuar Atdheut.”

Vepra e tij u studjua hollësisht nga figura brilante në botë, por edhe kombëtare një prej tyre ishte Prof.Eqrem Çabej të gjithë këta në shpirtin e tyre kishin mbi të gjithë për fe Atdheun, ndaj Çabeji nga Vjena i shkruan:

“Padre, të falënderoj për urimet e Vitit të Ri, por të falenderohem njëmijë herë për veprën që më dërgove Lahuta e Malcis, të cilën, pasi e lexova dhe rilexova mbi 100 herë, jam dashuruar aq shumë me këtë vepër sa po më detyron të bëhem katolik.”

Me cfarë force shpirtërore përshkruhet dhe flitet për At Gjergj Fishtën, cfarë frymëzimi buron nga penat e ndritura të Kombit, ngase dashuria e tij për Atdheun ishte një me rrahjet e zemrës së tij qe s’pushoi kurrë deri në minutën e fundit të jetës.

Në fakt aspak nuk është e lehtë të sjellësh në një simpozium pak orësh Gjergj Fishtën, sepse vepra e tij do një studim të detajuar në të gjitha fushat ku ai u dallua si një burrë i ndritur i Kombit, çka të kujton fjalen e Hafiz Ali Kraja një intelektual erudit mysliman i Shkodrës

i cili në eulogjinë e tij në varrimin e Gjergj Fishtës tha: “Poet kombëtar, Patër Gjergj!

“Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja, rrin shtang, hutohet, pse janë shumë, janë të mëdhaja edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se për të cilën duhet të flitet…”

Me At Gjergj Fishtën gjuha shqipe bëhet elegante, e zjarrtë, far ndriçues, ndjellëse e zemrave për t’i kthyer ne Atdhe fëmijët e Diasporës, të cilët ndodhen në çdo cep të globit.

Dhe shpresoj se një ditë Shqiperia do të bëhet në se në krye të oxhakut vendosim këta burra të ndritur të Kombit, siç është Padre Gjergj Fishta për të cilin jemi mbledhur sot si Diasporë.

Nga fjala e mbajtur në simpoziumin shkencor në 148-të vjetorin e lindjes së poetit kombëtar Gjergj Fishtës në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”, New York

Autorja është shkrimtare, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit

Referencat:

Gjergj Fishta: Wikipedia

Gjergj Fishta: Enciklopedia shqipe

Gjergj Fishta: Vatican News

2 Nëntor, 2019

Our Lady of Shkodra – Albanian Church

Hartsdale, New York

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok