22/12/2024

KOMUNIZMI T’VRET edhe “PADASHJE”

0
Diktatori-Hoxha

Tiranë “17 Nandor 1944”

Nga Fritz RADOVANI

Kushedi sa herë e kam shikue me vrejtje këte foto të vitit 1944 !

E, kam ndejë tue mendue: “Sa vetë në këte foto ka vra komunizmi?”

Askush nuk e di shifren e saktë, shpesh vrasjet u bane edhe “padashje”!

Atë ditë kur Ever Hoxha caktoi kush duhet të fotografohet me ate në atë shesh ku do të mbesin në histori, këta persona ishin “ma besnikët e tij”!

Në janarin e vitit 1945 Everi urdhnon Mehmetin që ndodhej në Shkoder, që “të mos pushkatohej asnjë person pa dijeninë e Ever Hoxhës!”. Kam pershtypjen se ashtu duhet të jetë veprue, mbasi listat e personave që ka mendue me vra Tito, që kontrollonte edhe Shqipninë i kalonte Everi…

Pra, dashje ose padashje “të gjitha vrasjet nga 1943 e deri në 1948, kur u ftohën mardhanjet me Titon, janë ba me aprovimin e Titos dhe Everit”.

Duhet pranue se Tito zhduku inteligjencen dhe kokat drejtuese të Klerit me mirëkuptimin e aprovimin e Everit, që “nuk pat asnjë kundershtim”!

Kjo veper terroriste e tyne del edhe nder takimet e Everit me Stalinin, ku Everi shpjegon se “veprimet me Titon, bahen me marrveshje të plotë!”.

Shumë pak fakte dihen sot të sakta nga vrasjet e krimet terroriste të Ever Hoxhës, mbas marrjes së posteve në drejtimin e shtetit në Shqipni.

Prej 7 antarve të Komitetit qendror të partisë komuniste të krijueme në 1941, vetem Ever Hoxha mbeti gjallë mbas vitit 1944. Tjerët u vranë.

Vrasja e Qemal Stafës mbasi doli nga shtëpia e Everit sot asht një enigem.

Mbas vitit 1944 Everi ka pushkatue qinda intelektual që kishin mbarue studimet në Europen Perëndimore dhe, perveç kunatit tij Bahri Omarit, në 1946, ka vra edhe 16 deputet të qeverive shqiptare të para viteve 1944.

Everi perherë të parë asht takue me Stalinin në 1947 e, të fundit në 1951. Ndersa me Mao Ce Dunin asht takue vetem njëherë në vjtin 1956.

Në vitin 1967 Everi shpalli “Shqipninë shteti i Parë ateist në Botë”, tue shkatrrue mbi 2200 Kisha dhe Xhamija, e tue arrestue mbi 100 Klerikë.

Vetem Klerikë Katolik Ever Hoxha ka vra dhe mbytë nder kampe 66 vetë.  Gjatë kenjes së Everit në krye të shtetit, janë dënue 29 ministra,

Në 41 vite janë pushkatue 9 ministra e një kryeminister. Mehmet Shehu asht nder personat që u diskutue ma gjatë vrasja e tij. Ndersa vrasjet e sa e sa ushtarakve e 20 gjeneralave s’ janë shoqnue kurr me legjenda tjera.

Flitet e shkruhet per shifra të vramësh, të vdekunish në burgje e kampe të punës, të interrnuemish dhe të burgosun nder qytete të Shqipnisë, por në të vertetë shifrat e tyne nuk janë asnjë të sakta. Per këte pasaktësi janë të njoftuna deklaratat e bame nga ushtarakët dhe oficerat e atyne viteve në organet e Ministrisë së Mbrendshme, nder kampe dhe burgje dhe, ma të saktat janë “shpjegimet e tyne mbas shkarkimit nga detyra ose mbas arrestimit tyne dhe burgosjes me të burgosunit e atyne viteve.” Sot dijmë sakt vetem një shifer se: “Mbas vitit 1985 kur ngordhi Everi dhe në Shqipni mori drejtimin e shtetit skilja Ramiz Alia, ky ka vra 182 vetë në Malsi të Veriut, shumicen djelmë të rinjë që ishin ushtarë deri në 1990. E sa ka vra në gjithë Shqipninë a kanë me e dijtë ndonjëherë Shqiptarët?! – Nuk besoj, ashtusi s’ dijnë sa ka vra në 1944 – 45 nga Kuksi në Shkoder.

Një fakt pak i njohun nga Shqiptarët asht se Everi kishte një Bibliotekë me 45000 libra, dhe kalonte shumë kohë tue lexue, mbasi nuk kishte as “shokë dhe as miqë”, sepse shumicen ai i kishte burgosë ose pushkatue. Sigurisht kjo shifer librash në shtëpinë e tij asht sigurue nga bibliotekat e Kishave, të klerikëve e intelektualve që u arrestuen, u vranë e u zhduken.

Nga botimet e disa materialeve të viteve të fundit, nuk gjejmë asnjë nga dokumentat e një pendimi per vrasjet e bame nga terroristi Ever Hoxha!

Sot dijmë shumë të saktë se “ASNJĒ VRASJE”, apo zhdukje e Shqiptarve mbrenda apo jashta Atdheut, nuk asht ba padijeninë e Ever Hoxhës.

Si shpjegohet që ky vrasës jo vetem nuk asht pendue per ASNJĒ vrasje, po edhe ka ngordhë i vetmuem tue mendue se “cilin ka me vra neser po u ngrit nga shtrati i vdekjes?” Në asnjë dokument vrasje apo zhdukje nga kjo Botë e një Shqiptari, s’ gjindet një shenim: “Ky person u vra gabim!”, ose “ky person asht vra ose zhdukë me familje PADASHJE” – Jo, asnjë!

Jemi para faktit që mbas urdhnit Everit per vrasje nuk ka shpetue Asnjë!

E mendoni veten në një udhtim të gjatë disa qinda kilometra në Shqipni, po ASNJĒHERĒ mos harroni, se gjatë asaj rruge kudo “Ju pershndesin nga Gropat PAEMNA të pushkatuemit: Shqiptarë, mos na harroni..!”

Edhe njëherë po Ju drejtohem ju lexuesve të nderuem të këtij materiali: Sa me vlerë do t’ishte sikur në foton siper të percaktohen sakt emnat dhe vendi ku janë pushkatue ose zhdukë nga faqja e dheut shumica e tyne? E sot pasuesit e tyne nuk dijnë as gropat ku i varrosi komunizmi ata, dijnë vetem se shumica u vrane ndoshta “padashje”, si mund të justifikohen sot vrastarët katila të Sigurimit të shtetit që nuk ngopen me terrorizem.

Ky fakt i komunizmit barbar në Shqipni, tregon sesa i mprehtë dhe sa i pamëshirë asht tehu i shpatës shfarosëse të terroristave e kriminelëve të komunizmit, atij sistemi zhdukës të njeriut të dijtun e të kulturuem!

Sot edhe ma kjartë per tiparet terroriste t’ atij sistemi flet largimi i Rinisë Shqiptare nga Trojet tona! Një akt terrorist dhe barbar jo padashje po, me bindjen ma antinjerzore, ma antiatdhetare dhe ma tradhëtare që prej ditës në ditë po bahet në Shqipninë e shkretë e të vorfen, e asnjë vrasës s’ asht tradhëtar i Atij Atdheu të pergjakun, dhe aq të shtrenjtë e të dashtun per të cilin sa shumë Atdhetarë Shqiptarë dhane jeten e Tyne!E verteta e Atyne vrasjeve e zhdukjeve asht: Komunizmi di vetem me vra e plaçkitë!

E mbasi komunistët pasunohen: “I vorfnojnë tue skllavnue Popujt e vet!”

Melbourne, 18 Mars 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok