22/12/2024

Komitët e harruar shqiptarë të luftës për Maqedoninë

0
Goce-Dellcev-Pitu-Guli

Nga Elvi Sidheri

Data 4 Maj, në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari, përherë kujtohet me nderime të veçanta, në përkujtim të veprës së Goce Dellçev, mbase figura më e rëndësishme e lëvizjes kombëtare bullgaro-maqedonase në viset e Maqedonisë historike.

Në këto kremtime, për arsye të kuptueshme, të parëndësishme për shqiptarët, nuk mungojnë shpesh fërkimet mes dy vendeve, për identitetin kombëtar të vetë Goce Dellçevit dhe veprimtarisë së tij patriotike, bashkë me VMRO-në historike dhe komitët që patën luftuar për këtë kauzë, e me këtë rast, sot do të sjell një sërë faktesh fort grishëse dhe emblematike në lidhje me këtë tematikë dhe disa komitë të njohur shqiptarë të kohës, pikërisht në ditën e përleshjes përfundimtare, ku Dellçev dhe të tjerët do të kapeshin në pritë nga turqit.

Këtu pikërisht del në pah anëtari shqiptar i çetës së komitëve të Goce Dellçev, i quajtur Evstati Arnautçeto, që sipas shumë dëshmive të kohës, jo vetëm që ishte me kombësi shqiptare, por gjithashtu do të vdiste heroikisht në përleshjen përfundimtare, bashkë me vetë Dellçev.

Ndërsa në Maqedoni dhe Bullgari kremtohet përvjetori i 117 i rënies në betejë të heroit të dyfishtë kombëtar Goce Dellçev (Гоце Делчев), një fakt interesant pakkujt i ka rënë në sy gjatë më shumë se një shekulli, që në raportin për përleshjen e armatosur me turqit në fshatin Banica, në Greqinë e sotme, nga çeta e komitëve të Dellçev, do të vriteshin pas 15 orësh luftë nga turqit Dimitar Gushtanov, Stefço Tarlishiançeto, Konsullata nga Vollaku dhe njëfarë Evstati Arnautçeto (След 15-часово сражение, от четата на Делчев загиват Димитър Гущанов, Евстати Арнаутчето, Стефчо Търлишянчето от Търлис и Консулата от Волак).

Evstati Arnautçeto, domethënë Evstati Shqiptari (Arnauti). Si dëshmi e mëtejshme për këtë, Mihail Çakov (Михаил Чаков), njeriu që do të mblidhte eshtrat e Dellçev më vonë, komit i njohur bullgar i kohës, kur shkruan për këtë ngjarje (Сражението при Баница и смъртта на Гоце Делчев / Përleshja në Banica dhe vdekja e Goce Dellçev), shkruan konkretisht: “До него, пак покрай дувара, беше и Евстати Арнаутчето, който, стреляйки, псуваше по арнаутски. Замлъкна и той, и него угасиха” në shqip: “Pranë tij, rrëzë murit ndodhej Evstati Arnautçeto, që teksa qëllonte, shante në gjuhën shqipe. Po edhe ai heshti dhe e vranë”.

Evstati Arnautçeto do të varrosej aty nga fshatarët e zonës, bashkë me Stefço Tarlishiançeto dhe Konsullata (Тейфиков заповядал да оставят настрани Делчев и Гощанов, а другите трима убити момчета, а именно: Стефко Търлишанчето, Консулата (четник от четата на Гощанов), и Евстати Aрнаутчето предал на селяните да ги погребат / Tefikov urdhëroi që të liheshin mënjanë Dellçev dhe Gushtanov. ndërsa tre të vrarët e tjerë, Tarlishiançeto, Konsullata dhe Evstati Arnautçeto i la t’i varrosnin fshatarët). Varri i këtij komiti të panjohur shqiptar të çetës së udhëheqësit më të njohur bullgaro-maqedonas, për të cilin akoma këto dy vende, grinden, gjendet në Banica, Καρυαί të sotme në Greqi.

Nuk është aspak i habitshëm ky fakt, sepse ka plot dëshmi të ngjashme të kohës.

Për shembull, një tjetër udhëheqës i njohur komit i VMRO të kohës, ka qenë njëfarë Atanas Albanski (Athanas Shqiptari), me origjinë nga fshati Jelloc i Epërm i Gostivarit, që sipas përshkrimeve të kohës (viteve 1890) nga folkloristi bullgar Andrej Stojanov:

“С. Горно Еловци. – Българитѣ на тоза село клонятъ да промѣнятъ езика си на aрнаутски и говора имъ сега прѣдставлява странна смѣсь отъ българско и арнаутско нарѣчие”

Në shqip:

“Në fshatin Jelloc i Epërm, bullgarët e këtij fshati kanë prirje ta ndërrojnë gjuhën e tyre në shqip dhe e folura e tyre tashmë përbën një përzierje mes bullgarishtesh dhe shqipes”

Që faktikisht nuk domethënë asgjë tjetër, përveçse realisht ky ishte një fshat ku popullata shqiptare ortodokse, fliste edhe bullgarisht, dukuri e njohur edhe në zonën e fshatrave të shumtë me shqiptarë ortodoksë të Rekës së Epërme.

Kryengritja e Ilindenit, apo Ditës së Shën Ilias, shenjtor fort i dashur edhe mes shqiptarëve ortodoksë sot e kësaj dite, dhe Republika jetëshkurtër e Krushevës, gjithashtu kishin pjesëmarrje madhore shqiptare, përfshirë qytetin e Krushevës, ku shqiptarët ortodoksë fillimshekullin XX ishin me qindra, dhe në vetë manifestin e Republikës, të botuar nga Nikolla Kirov, që vetë kish marrë pjesë në ngjarjet në fjalë, shqiptarët përmenden menjëherë:

“До Рѫководителитѣ на Крушоскиотъ Околийски Революционенъ Комитетъ и до Началницитѣ на грацкитѣ влашка, гърчка, албанска и бугарска групи”.

Në shqip:

“Për udhëheqësit e Komitetit Revolucionar të Qarkut të Krushevës dhe për Drejtuesit e kombësive të qytetit, vllehëve, grekëve, shqiptarëve dhe bullgarëve”.

Manifesti (“Щабъ на Крушоскитѣ востаници. №1219. Илигдень, 1903 година / Shtabi i Kryengritësve Krushevas, nr. 1219, Dita e Shën Ilias, viti 1903), mbyllet me thirrjet brohoritëse në secilën gjuhë të zonës, përfshirë thirrjen në shqip: “Rroftë Maqedonia!”

(Да живѣйтъ Македония! Зито Македония! С’бѫнядзѫ Македония! Рофте Македония!. . .)

Sipas shumë burimeve bullgare dhe ruse të kohës, edhe Pitu Guli, heroi i Krushevës, nga babai ishte shqiptar, “Питу Гули, погибшего на войне против турок у Крушево в 1908 году, его отец был албанцем”, nga rusishtja, që në shqip do të thotë: “Pitu Guli, i vrarë në luftë kundër turqve në Krushevë në vitin 1908, nga babai ishte shqiptar”, dhe në bullgarisht “Роден в същия град от майка влашка и баща албанец”, që në shqip do të thotë “I lindur në të njëjtin qytet (Krushevë), nga nënë vllehe dhe baba shqiptar”.

Janë fakte të shumta, që asnjëherë nuk mund të jenë rastësore, dhe që shikuar përmbledhtas, krijojnë menjëherë përshtypjen për pjesëmarrjen e rëndësishme të shqiptarëve në tërë zhvillimet madhore të zonës së Maqedonisë historike, gjithnjë në ballë të luftës, përherë në anën e duhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok