21/12/2024

Kombi shqiptar tepër mirë i ka punët, kur kemi parasysh faktin se çfarë hajvanash i kanë pasur në dorë fatet e tij!

0
Reagan-Nene-Tereza

6/20/1985 President Reagan presents Mother Teresa with the Medal of Freedom at a White House Ceremony in the Rose Garden

Nga Prof. Blerim Latifi

Në vitin 1985 presidenti amerikan Ronald Regan i jep Nënë Terezës Medaljen e Lirisë. Në fjalimin të cilin e mban me këtë rast, Regani bën një lapsus: i referohet Nënë Terezës si “bijë e Jugosllavisë”. Shkaqet e këtij lapsusi janë krejt të qarta: Jugosllavia abuzonte me faktin se Nënë Tereza kishte lindur në Shkup dhe meqë ky qytet tani ishte pjesë e Jugosllavisë, kaq i mjaftonte propagandës jugosllave për ta përdorur emrin e saj si aset në diplomacinë kulturore të shtetit jugosllav.

Por kishte edhe një shkak tjetër prapa këtij lapsusi: derisa regjimi jugosllav bënte çmos për ta kapitalizuar emrin e Nënë Terezës për qëllimet e veta, regjimi në Shqipëri e bënte të kundërtën, duke refuzuar çdo lloj kontakti me të, duke mos i ofruar nënshtetësinë shqiptare, e madje duke mos i dhënë as leje për të vizituar familjen e saj, e cila që nga viti 1934 jetonte në Shqipëri. Vetëm pas rënies së komunizmit, Nënë Terezës do t’i plotësohej dëshira për të pasur pasaportën shqiptare.

Mund të thuhet se kombi shqiptar tepër mirë i ka punët, kur kemi parasysh faktin se çfarë hajvanash i kanë pasur në dorë fatet e tij gjatë historisë.

_______________

Kalendari filozofik

Me 25 Gusht 1900 vdiq Fridrih Niçe, dinamiti i filozofisë moderne

Nëse shikoni gjatë në humnerë edhe humnera do të filloj të shoh në ju”. Kjo thënie e Niçes e përmbledh më së miri dramën e filozofisë e tij. Ai u dha pas shikimit në humnerat e errta të mendjes dhe qytetërimit njerëzor dhe ato një ditë ia gëlltitën mendjen. Nga kjo dramë lindi një filozofi, e cila do ta përcaktonte pothuajse krejt mendimin filozofik të Shekullit XX.

Niçe ishte një filozof i çlirimit, parasegjithash. Ishte filozof i çlirimit të kulturës dhe artit nga diktati i politikës, sepse, siç shkruante, aty ku ka shumë politikë, aty nuk as kulturë as art. Ai i përbuzte politikanët aq shumë, sa nuk hezitonte t’i krahasonte me majmunët që grrithen e i kacavirren njëri tjetrit për të arritur në maje të pemës, në fronin e njollosur nga balta që herë rri në fron, e herë nën fron.

Niçe ishte filozof i çlirimit të jetës nga diktati i ideologjive të vdekjes. I çlirimit të jetës nga adhurimi monumentalist i të kaluarës së vdekur. Ishte filozof, që si një dinamit, hodhi në erë hipokrizitë morale dhe idhujt e tyre.

Ai ishte filozof që dekretonte supremacinë e jetës dhe artit në kierarkinë e vlerave.

O njerëz, jeta mbi tokë është shansa e vetme që u është dhënë në këtë univers të  pafund, prandaj jetojeni atë si qenie të lira dhe estetikisht! Të mos jetosh i lirë, është si të mos jetosh hiç, prandaj nëse vërtet doni të jetoni, rrëmbeni kazmat e shembni kultet që ua hijeshojnë prangat në trupin dhe shpirtin tuaj!

Kjo ishte moto e filozofisë tij.

Nga çastet kur ai shihte në thellësitë e errta të humnerës së qytetërimit njerëzor, ai parashikoi me saktësi të frikshme katastrofat humane të Shekullit XX, “luftërat e mëdha që do ta rrënojnë Europën, e cila ose do të bashkohet si një sintezë e lirë kulturash, ose nuk do të ketë të ardhme”. A nuk i gjejmë në këtë fjali dy luftërat botërore dhe vetë idenë e Bashkimit Europian.

Niçen e neverisnin antisemitët dhe kjo ishte një prej arsyeve të prishjes së tij me antisemitin dhe gjeniun e muzikës, Wagnerin. Niçen e neveriste neuroza nacionaliste, mediokriteti liberal dhe populizmi socialist. Kështu ai u armiqësua me të gjithë, por kjo nuk ia prishte fare sensin e humorit. Sepse, siç shkruante, çdo gjë që nuk më vret, më bën më të fortë. Dhe vërtet filozofia e tij u mbijetoi krejt izmave që e rrethonin me zhurmën e tyre pseudo-mesianike.

Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe me një filozofi e cila nga fillimi në fund ishte në shërbim të një pasioni sublim, pasionit të lirisë.

_______________

Fati i kreut të mercenarëve të Grupit Wagner, më kujton fatin e njërës prej ushtrive më të famshme mercenare të Mesjetës, Katalanëve. Ajo ishte një ushtri mercenarësh, e përbërë nga veteranë të regjur të luftërave në Itali dhe drejtohej nga një kapiten i famshëm, Roxher de Flor.

Në fillim të shekullit të 14, kur Perandoria Bizantine mezi po qëndronte në këmbë nga sulmet e vazhdueshme që i bëheshin nga të katër anët e horizontit, perandori bizantin Androniku i Dytë vendosi të thërriste ne Konstantinopojë këtë ushtri mercenarësh për ta përdorur në mbrojtjen e pushtetit të tij prej këtyre sulmeve. Në këmbim të këtij shërbimi Katalanët do të merrnin para, prona e favore të tjera në Bizant.

Pas dy viteve, me shumë beteja të fituara, mercenarët e Roxher de Florit ishin bërë shumë të fuqishëm në Bizant. Nga frika se kjo fuqi një ditë do të përdorej kundër vetë pushtetit të Andronikut, i biri i tij organizoi një komplot në të cilin Roxher de Flor dhe një numër besnikësh të tij u masakruan mizorisht gjatë një darke falenderimi gjoja shtruar për ta. Trupat tjera të katalanëve, që i shpëtuan këtij komploti vrastar, nisën një fushatë hakmarrje duke masakruar çdo zyrtar e qytetar bizantin që hasnin, nga Konstantiopoja deri në Maqedoni e Shqipëri. Hakmarrja e tyre ishte aq e llahtarshme e shkatërrimet e tyre aq brutale, saqë emri i tyre, emri Katalan, u mitizua nga imagjinata popullore, duke u shndërruar në përbindëshin e njohur si Katallani. Përrallat me katallan, që ende sot u tregohen fëmijëve në Ballkan, e kanë origjinën e tyre pikërisht nga këto histori të vërteta.

Mercenarët gjithmonë kanë qenë vegla të diktatorëve për të vrarë e prerë atje ku duart e diktatorëve nuk arrinin dot. Biznesi i tyre funksionon përmes shndërrimit të gjakut në para, prandaj kur diktatorët duan ta ndërpresin këtë biznes, mercenarët kthehen kundër tyre dhe kështu pakti i djeshëm befas shndërrohet në luftë për t’ia ngrënë kokën njëri tjetrit. Prigozhini kishte ardhur në këtë situatë prej dy muajsh. Që nga dita kur hoqi dorë nga rebelimi, ai ishte kthyer në një të vdekur që bridhte poshtë e lart nëpër Rusi, siç e cilësuan mediat.

A do të hakmerren mercenarët e Prigozhinit, si dikur katalanët e Roxher de Florit? Vështirë të thuhet kjo. Ajo që megjithatë mund të thuhet me siguri është se Putini ka shkuar shumë larg bizantizmin e sundimit të tij.

_______________

Duke dashur ta mbrojnë Rita Orën nga komentet fyese që iu bënë pas incidentit me flamurin serb, disa nga avokatët e paautorizuar të saj nga kritika e drejtë ndaj këtyre komenteve kaluan në sulme kundër nacionalizmit shqiptar.

Kjo është shkolla e vjetër e mendimit jugosllav, tash e mveshur me diskursin multietnicist, që i futë në nji thes krejt nacionalizmat, pa përfillur dallimet mes tyre.

Por një gjë duhet ta kenë të qartë këta kripto-jugosllavë: është padituni teorike e historike dhe njëkohësisht poshtërsi t’i fusësh në një thes nacionalizmin serb e nacionalizmin shqiptar dhe t’i ekuivalentosh moralisht flamurin serb me flamurin shqiptar. Është, në fakt, një favor që i bëhet nacionalizmit serb. Është barazim i xhelatit me viktimën që përpiqet t’i shpëtoj kthetrave të tij.

Për fund një këshillë akademike: kur merrni guximin të thoni diçka për nacionalizmin, duhet të filloni me përgjigjjen në pyetjen: Cilin nacionalizëm? Sepse, siç shkruan Anderson, veçoritë e dallimet mes nacionalizmave janë aq të mëdha, saqë asnjë teori universale nuk mund t’i absorbojë ato.

Edhe diçka, se gati harrova: Rroftë Shqypnia!

_______________

Në vend se të polemizojmë për cilësinë e  librave shkollorë, për krimin psikologjik që u bëhet nxënësve të klasës së parë duke i ngarkuar me dhjetëra lëndë, për adaptimin e domosdoshëm të procesit mësimor me kushtet e epokës digjitale, ne duhet të flasim për faktin se nuk i kemi të siguruar librat fizikë për nxënësit pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor.

Si të ishim në vitin 1887 të shkollës së parë laike shqipe, apo në vitin 1941 të Ernest Koliqit, apo në vitin 1990 kur Millosheviqi na la pa shkolla e libra.

Çfarë turpi! Çfarë dështimi!

_______________

Ata që merren me botën e filmit thonë se një nga format më të vështira të lojës aktoriale është “aktrimi i heshtur”. Kjo është formë e komunikimit artistik që përpiqet të transmetojë mesazhe te publiku pa ndihmën e të folurit, por vetëm përmes veprimit dhe gjuhës së trupit. Të paktë janë ata aktorë që ja dalin me sukses kësaj pune. Kur e shohim filmin Proka, të prodhuar nga Kosovafilmi, në vitin e largët 1984, atëherë bindemi se Xhevat Qorraj ishte aktor i këtij kalibri.

Kush do ta kuptojë mjerimin mental e moral të provincializmit, duhet ta shoh këtë film. Dhe kushdo që do ta shoh këtë film, mund ta kuptojë se sa shumë kemi filluar t’i ngjajmë katundit të Prokës, si shoqni.

Sot mjeshtri i aktrimit të heshtur paska vdekur, duke na lënë pas kujtimin e një kohe kur në këtë vend kishte njerëz që besonin tek arti dhe dinin të bënin art.

_______________

Ne jemi bërë një shoqni ku politikanët dhe figurat tjera publike me aq lehtësi flasin për vrasje, një shoqni ku pothuajse krejt mediat me aq lehtësi janë shndërru në platforma ku secili mund të shfryhet e ta kërcënojë secilin, një shoqni që me siguri ua kalon krejt shoqnive të botës për nga shkalla e kërcënimeve në rrjetet sociale.

Nuk duhet asgjë më shumë nga klima psikologjike që koburet dhe plumbat realë të shkrepen, të marrin jetë reale njerëzish dhe të shkatërrojnë familje të tëra, siç po ndodhë pothuajse çdo javë.

_______________

Lojtarët tanë luajtën me gjithë zemër, Shaqiri dhe Xhaka luajtën pa zemër, dhe si rezultat ishte ky barazim dinjitoz.

Faleminderit heroit të kësaj loje, Muriqit, i cili dy herë na bëri të ngritemi në kambë dhe të vazhdojmë me ëndrrën se edhe ne mundemi të kemi një emër të respektuar në fushat e blerta të futbollit ndërkombëtar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok