22/12/2024

KOHË PROÇESIONARJE

0
Ndue-Dedaj

NGA NDUE DEDAJ

Është fundi i prillit 2021. Në gjithë vendin numërohen votat e fundit të kandidatëve për deputetë. Heeej, ky kandidati nga fundi i listës ia kaloi atij nga fillimi, theu herësin e hyri në Kuvend! Çudia paska ngjarë në listën e PS-së për Tiranën dhe në listën e PD-së për Elbasanin. Ky herësi, për ata që nuk e njohin këtë matematikën e “kamufluar” zgjedhore, ngjan si të jetë shkopi magjik. Ndërsa ti ke vendosur të dalësh nga qyteti i tejngopur me politikë, “nga rrëmuja dhe rrëmeti” i tij zgjedhor dhe të arratisesh diku në bjeshkë, ku beson se ende ka njerëz dhe jo vetëm shqipe symprehta e krahlehta. Pas një rrugëtimi torturues me fuoristradë, nga Rruga e Kombit drejt Lurës, duke u tundur e shkundur nëpër gropat e Prosekut, Perlatit, Rrënjollës e Lakut të Krysë, me mushkëritë e “kaltuara” nga pluhuri, ke mbërritur në Selitë, ku shpreson se më në fund  je dorëzuar paqes së natyrës. Por jo, nuk është e thënë, menjëherë t’i zë sytë peizazhi i zhuritur që ka krijuar proçesionarja (insekti dëmtus) e pishës, që iu ka vënë “zjarrin” pa flakë e tym pyjeve, sa nuk kanë filluar ende zjarret e vërtetë që shkrumbojnë çdo verë sipërfaqe të tëra pyjore. Kur i sheh ato qeskat verdhacake nëpër majëzat e degëve, endur si pezhizhka e merimangës, thua se “lulet e së keqes” (dreqnit) nuk është vetëm një metaforë poetike e Bodlerit; poeti francez do t’i ketë parë diku në natyrë “djajtë” si kjo proçesionarja, më parë se t’i sendërtonte në poezi, në përballje me të shëmtuarën e në kërkim të së lartës. Për ata që nuk e njohin këtë zezonë, le të themi se proçesionarja është murtaja e pyjeve të pishës së zezë e deridiku dhe e asaj mesdhetare, që i çon ato deri në shfarosje. Janë miliona foleza larvash, që shumohen përbindshëm dhe hanë halat (krecet) e pishave, duke iu lënë atyre vetëm degët e thara. Duket e pabesueshme, por është një katastrofë për të cilën bindesh vetëm kur e sheh nga afër – proçesionarja po i zhbën pyjet si të mos ishin. Ka 60 vjet që është shfaqur në pyje, nuk u mund dje nga kooperativistët me këmesa e kiza në duar e sot nga ekologjistët, pylltarët dhe shteti demokratik. Të ishte ky insekt ndonjë lloji pushtuesi me parzmore të çeliktë, selitasit do t’ia kishin kënduar më kohë atë këngën e vjetër: “O ti që vjen në këto anë/ Mos e mba kësulën m’njant anë/ Se të merr plumbi anë për anë…” Por proçesionarja nuk është armik që vritet me plumb, luftohet vetëm me metoda shkencore, kimike e bioteknologjike (spërkatje me avionë) e sidomos me përkushtim shtetëror.

Pa e njexerrë as një çast nga mendja proçesionaren, vemi katundeve të braktisura të Selitës, ku rrallë del tym në ndonjë shtëpi, sepse të rinjtë kanë shkuar në emigracion; kanë parë me trishtim se politika është bërë si pazari i Milotit, më jep e të jap, ndaj e kanë ç’besuar. Kurse Marku i Preng Gjok Dedës, në Bardhaj, që është në vitin e 103-të të jetës, ka dalë në kopsht dhe po mbjell perime, siç ka bërë një jetë. Ai nuk është lodhur duke prodhuar bereqet, pa e pasur kurrë njat dorën e shtetit. Nuk do të krijojë ndonjë fermë, por na përcjell modelin e njeriut që ka mbjellur një shekull, teksa ka ardhur një kohë që të tjerë korrin pa mbjellur?! Tendera nga paratë publike, burime uji që i kthejnë në hidrocentrale etj. Nuk ka qenë shterpë ky vend, përkundrazi mjaft pjellor për disa kultura bujqësore, ku për të shkulur patatet e Mërkurthit dhe Krejë – Lurës, në pllaja të pafundme, mobilizohej ushtria dhe vinin gjimnazistët e Rrëshenit e qëndronin me javë në shtëpitë e fshatarëve dhe në çadra, si në vitin 1974, kur qemë dhe ne ndër vullnetarët e shkuljes së patates. Se sa e begatë mund të jetë blegtoria këndej, e tregojnë 700 krerët e dhive të tufës së Ndue Përgjonit etj. E mirënjohura Marianne Graf ka “zbuluar” në Trangë, ku lisat puthen me retë, një mrekulli turistike dhe po ndihmon me fonde austriake në restaurimin e kullave të vjetra të njësuara me shkrepat, hapjen e rrugës së makinës dhe përshtatjen e shpellave për turistët, që nesër do të mund të vizitojnë dhe kanionin e rrallë të Zajsit. I dhanë kuptim ekzistencës njerëzit në këto shpate e brinja, nuk i lëshuan fillin e jetës. Ndue Nikollë Gjin Marnoka, ia dinte bashtinës dhe gjësë së gjallë dhe ende kujtohet si një hero i tokës, aty nën pllajën gjatësore të Trangës, që ngrihet pingul mbi fshatrat rrëzë saj. Nuk ia pati falur regjimit të kaluar që ia kishte lënë vathin thatë e nuk kishte mish e bulmet me prit miqtë siç donte, pasi tash, kishte thënë ai me sarkazëm, “dhitë m’i kanë futur në televizor”!… (Shihte në ekran ndonjë tufë kooperative që iu bëhej jehonë). Shkoi kur i kishte kaluar të nëntëdhjetat, pasi kishte parë kthimin e pronës tek i zoti. Kulla e lalë Ndoit, në Lëkundë, përkundet mes kujtimeve të shkuara, si në romanin e Markezit “100 vjet vetmi”, përifrazojmë fjalët e nipit të tij, mësues letërsie dhe tregimtar i sagave të vendlindjes.

Por asnjë kamër televizive nuk i afrohet këtij realiteti të përhimë, sepse kamerat kanë punë me politikanët, aty janë fokusuar ato përditë e përnatë. Nuk “teprojnë” as për të filmuar kopshtin “arkaik” të mbishekullorit të fisëm, lalë Markut, as për të bërtitur në kupë të qiellit për shpëtimin e pishave nga proçesionarja kanceroze. Dikur ishte silikoza e nëntokës – pluhurat e kuarcit – që ua merrnin jetën minatorëve, tash është proçesionarja, që duke vrarë natyrën e gjelbër, do t’i sëmurë dhe mushkëritë e njerëzve, që bjeshka iu kishte dhënë ngamot shëndet e jetëgjatësi. Të jemi korrektë! Mediat kanë bërë kronika për këtë sëmurës të përvitshëm të pishave, puna është se proçesionarja nuk e ka kaluar pragun e studiove të debatit, me të ftuar qeveritarë e specialistë të pyjeve, që duhet thënë se i kemi të zot, se si të dilet nga kjo kolerë. Ndoshta ngaqë kjo gjë nuk prodhon vota për politikanët! Të ishin pyjet në zonat e populluara, mbase do të ishte gjetur mënyra për t’i çliruar nga kthetrat e proçesionares, që pas sëpatës dhe sharrës iu ra për hise kjo monstër. Ka një vit e ca që flitet për pandeminë e coronavirusit, por proçesionarja është një pandemi më vete, kudo ku ka pisha, në Mirditë, Pukë, Elbasan, Vlorë, Korçë etj. Në vendet europiane përpiqen që ta zvogëlojnë dëmin e saj, kurse këtu te ne askush nuk do t’ia dijë nga ata që kanë në dorë “çelësat” e buxhetit të shtetit, projekteve me donatorët e huaj etj.

Lalë Marku në Selitë do të vazhdojë të mbjellë pemë e perime, të presë miq në vatrën e tij bujare, si këtë të hënë, ambasadorin e Selisë së Shenjtë në Tiranë, pasi është festa e Shënllezhdrit. Kurse ipeshkëvi i Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, është i shtëpisë këtu, vjen rregullisht te pinjolli i fundit i Margjinëve të vjetër, si te një dajë i veti. Kalojmë nga një fshat në tjetrin, takojmë njerëz bujarë, me fëmijët larg. Përpiqemi ta shmangim bisedën nga politika, por Gjoni, një ish – minator i Kurbneshit, nuk e fsheh ironinë, kur thotë: 83 mijë vota të pavlefshme shkuan në kosh! Bukë e pjekme, i thua kësaj?… Fushata ka kaluar dhe, kush më pak e kush më shumë, të gjithë janë kritikë, si fituesit, si humbësit e zgjedhjeve, kur bëhet fjalë për nesër. Një përfaqësues i së majtës, për disa vite në detyra të rëndësishme në administratën lokale dhe qendrore, mbështetës i përhershëm i saj, thotë se do t’i kishte sugjeruar Kryeministrit që në mandatin e tretë: “Të heqë dorë nga ato PPP-të (partneriteti publik privat), të ulë naftën e ta bëjë sa në Kosovë e Maqedoni, të rrisë pensionet, por dhe rrogat në disa sektorë, të heqë taksën e Rrugës së Kombit dhe të mos bëjë batuda nëpër studio me gazetarët, të flasë më pak në Kuvend dhe në respekt të opozitës…” Dhe sa ide e propozime të tjera të vlefshme, si rruga aq e përfolur për në Selitë, te Kroi i Bardhë e Lurë. Nuk mund të mos vëresh se është e kripur fatura e (mbi)jetesës dhe për ata që janë në punë, jo më për ata që nuk kanë asnjë të ardhur e qëllon që, njëherë në katër vjet, bien pre e grabitësve të votave për dy kacidhe.

Jemi ngjitur deri lart në bjeshkën e Mullit, ku qeni paqësor i tufës së dhive na fërkohet për trup, si të jetë “trajnuar” për t’i njohur vizitorët e rrallë të maleve. Arditi, djaloshi që ruan tufën, gëzohet kur sheh njerëz që ngjitën deri atje. Dikush nga ne për të shkruar një reportazh, dikush tjetër për të shenjuar shtigjet turistike, e ndokush për të parë nëse kishte çelur aguliçja, lulezoja e “zanat” e tjera lulore të këtyre bjeshkëve. Një selitas, që ka livadhet e tij në këto pllaja, na tregon një legjendë për ujin: Një bari që e kishte mbështetur faqen përtokë mbi barin e njomë, në zheg, befas dëgjon një si zhaurimë të largët. Nuk ishte në ëndërr, ngrihet dhe vështron kah qielli, mos po fluturonte ndonjë aeroplan? Jo. Shtrihet prapë aty ku qe dhe e dëgjon sërish atë zhaurimën e ëmbël. Nuk vinte nga qielli, por nga nëntoka, ishte një përrua i nëndheshëm, që do ta nxirrte “kryet” një mijë metra më poshtë, në shpellën e Shutrrísë e lumin e Urakës. E ti thua, prapë “legjenda” e ujit në këtë vend nuk paska të sosur, as në kohën moderne, pasi tash uji i kreshtave tona “rënkon” nëpër tuba të çeliktë?! Të dëshpëruarit, ata që do t’iu mungojë uji tek arat, pemët, mulliri, kroi i fshatit, çezmat e shtëpive, apo ëndërrimtarët e përjetshëm të bukurive natyrore të pashprishura, thonë: “më mirë ujë të kishte ndejtur atje thellë e të mos kishte dalë kurrë në sipërfaqe!” Për ta, qytetërimi rural, nëse mund të thuhet kështu, nuk është ky! E as canabis sativa…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok