06/10/2024

Kliko, kërko, po kujdes mos u kontamino

0

Nga Blerim Rrecaj

Mjetet e komunikimit të vonshëm që tashmë ka bërë traditën e  përvojën e vet nëse mund të shprehemi kështu, janë edhe të (ashtu)quajturat portale.

E këto elemente përbërëse informimi i pata (i patëm) paramenduar si porta të bukura e të pastra shtëpish, që të ftojnë të hyjsh brenda tyre, ku shihen e ndjehen rregulli e pastërtia, puna e përgjegjësia, mikpritja e bujaria. Nga dritaret e tyre do shohim pamje të bukura kah oborri, kopshti, lumi, fshati, qyteti, liqeni, deti a peisazhi, nga bota që na rrethon.  S’do të thotë se s’ka të tilla e kjo as që vihet në dyshim. Ka njerëz që hedhim mund e djersë që këto portale, blogje e mjete të tilla të jenë e të mbesin shembull për të mirë, në këtë kohë kur shumë gjëra pështjellohen e komplikohen për “humbje e mjegullim udhësh në oborr” e për shpenzimin e sa shumë energjive pa pikë nevoje.

Po të hidhemi e të kthejmë sytë nga realiteti e dijmë që nëpër këto “dritare virtuale” ka e duhet të ketë vend për pasqyrim të mirëfilltë realiteti, për kritikë të argumentuar e vetkritikë këndellëse, për fjalë të lirë që rrugëton bashkë, krahpërkrah e të pandarë me përgjegjësinë, për kulturë e edukim, për ngjallje kureshtjesh, për njerëz e për vlera lënë në harresë a  qosheve, për zgjidhje problemesh e ndalim e parandalim të këqijash e dukurish negative.

Por këtë herë si shumëherë gjuha na shkon aty ku na dhemb. Për vërshimin e tyre me shumicë, ku përmendet vlera e kriteri, shapi e sheqeri, dhe në grackën që ranë e po bijnë drejtuesit e tyre duke menduar gabimisht a qëllimisht se teknologjia vije e para e pastaj njeriu, thuajse mjetet udhëheqin njeriun dhe jo njeriu mjetet.

Ose kur në mes hyn intetesi i ngushtë, kajta e lakmia mund të flasim dhe për interesa jo më larg se përtejhundësh të tyre, saqë çdo gjë bëhet e lejuar për përfitim, qoftë kjo edhe nëse mbillet papushim kontaminim, kopjim e përngjasim, sa lehtë e vështirë për ta dalluar se “kush është kush” e “cili është cili”, pavarësisht emrave që mbajnë, dhe në ndajshtesën pas pikave, edhe pse shumica e emrave janë marrë model e kallëp prej portaleve nëpër botën e madhe që quhet fshat i vogël, i mesëm, i (stër)madh global.

Po i lëmë pak emrat mënjanë, po ndalemi te ofertat e menyja e tyre, e përditshme. Shumë lajme nëpër shumë portale ngjasojnë me dy pika uji, janë të njejta me tituj, me pika e me presje e me pikëpresje, me pikëpyetje e pikëçuditëse.

Shto kësaj rubrikat e shumta, tymnajën e thashethemnajën, ngutinë e hutinë, mosverifikimin e përgojimin, dhe gjuhën e tyre mbështetur për klikime, me logjikën se kështu është kah shkon, kah e ha pazari, siç pat thënë dikush kohë më parë se kështu e do zori e sponsori, se në këtë kohë të vështirë duhet t’i mbushim dyqanet me mall të dyshimtë e as më të lirë, të pakontrolluar e të pa certifikuar, e të padoganuar, pavarësisht pasojave të përgjithshme.

Pastaj, shumë portale si pa farë kriteri e si depo me shumicë mallrash të dyshimta furnizohen pa sharm e pa shije me të madhe “koleget” e tyre mediale, pra nga radiot, gazetat e televizionet, rrjetet sociale, e burime të llojllojshme, për të na treguar se kur e kush e ku po e “plas bombën”,  qoftë kjo “bombë” akuze a kundërakuze, “granatë” politike, ekonomike, sociale, etike, morale a amorale, e çfarë jo tjetër.

Për të dalë te ndërsymja me njerëzve e shqiptarëve, që duan vlera e përafrim, me fjakë e fjali herë nxjerrë jashtë kontekstit, herë me prerje e rregullim fjalish, me paramendim. Rastet individuale kudoqofshin andej e këndej, s’mund të merren të mirëqena mes një kombi të tërë, si raketa me rreze të gjata veprimi në stilin “ne e ata, e ata tjerët andej, e këta tjerët këndej, plus ata matanë, edhe ata tej”.

Për të vazhduar se kush e qysh e tha një “përgjigje epike”, pas pyetjes që iu bë, para a pas duelit, gjatë a pas debatit, pas provokimit, (e pse edhe jo, përgjigje lirike, ose epiko-lirike, dramatike e tragjikomike); se kush me një deklaratë e bëri botën gallatë e sallatë, për të na treguar se deri ku mund të shkojë e jona imagjinatë.

Se duhet të kemi vëmendje e shumë kujdes se një ditë plasojnë informata “shkencore” e “mjekësore” se pirja e kafesë është e dëmshme për shëndetin e mbarë njerëzimit, ndërsa një ditë tjetër thonë se ajo për shëndetin e njerëzimit është e mirë, bile s’bën hiç pa të, e një tjetër ditë të tregojnë se cilat janë kohët më të përshtatshme për pirjen e saj. Siç thuhet vazhdimisht po na fyejnë inteligjencën tonë natyrale, edhe atë teknologjike a artificiale siç i thuhet, me të cilat edhe po bashkëveprojmë.

Me një fjalë për të mos e zgjatur, si çamçakëzin nga njëri skaj i dorës në tjetrin se gjuha e portaleve është e mbushur me “margaritarë” të tillë marramendës.

Dhe pse i rikujtuam këta reshta edhe njëherë, se është duke vazhduar avaz i vjetër, për këtë jetëgjatësi mendjeshkurtër së cilës po i bie perdja për ta parë ca kunguj që po fundosen në ujë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok