21/12/2024

KËSHILLI KOORDINUES I DIASPORËS DHE QEVERIA RAMA

0
Frank-Shkreli

Nga Frank Shkreli

Ditë e fundit, lexova me vëmendje deklaratën që ka bërë Kёshilli Koordinues i Diasporёs (KKD) mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, deklaratë në të cilën anëtarët e këtij Këshilli shfaqin “shqetësimin” e tyre për shembjen ilegale të Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe për gjëndjen aktuale politike në vend.  Siç dihet, ky institucion pёrfaqёson interesat e diasporёs dhe synon njëherazi të jetë edhe një urë urё lidhёse, kryesisht, me institucionet qeveritare, të pakën ashtu duket deri më tani.  Në deklaratën e lëshuar me 22 Maj, 2020 — KKD thotë se:

http://www.keshillikoordinuesidiaspores.com/wp-content/uploads/2020/05/Deklarat-e-KKD-së-3.pdf

“Ka ndjekur me shqetёsim tё veҫantё situatёn e krijuar nga shembja e godinёs sё Teatrit Kombёtar.  Mёnyra dhe momenti qё u zgjodh nga qeveria pёr tё prishur godinёn, shoqёruar me arrogancёn kundёr atyre me mendim ndryshe, n’a shqetёson pasi vihet seriozisht në diskutim e ardhmja e Shqipёrise si njё shtet demokratik.  Ështё e pakuptueshme se si nё ҫastet e rёnda tё pandemisё, një nga prioritetet e qeverisё ishte prishja e Teatrit Kombёtar.  Shoqёria shqiptare nё kёtё periudhë të paprecedent ka nevojё pёr qetёsi dhe unitet dhe jo veprime tё nxituara dhe konflikte të panevojsheme”, theksohet në deklaratën e Këshillit të përfaqsuesëve të diasporës shqiptare.  KKD me të drejtë i referohet edhe dhunës së përdorur kundër protestuesve ditën e shembjes së Teatrit, si “një akt i shemtuar dhe aspak demokratik”, ndërkohë që thekësohet se: “Ne dёnojmё pa asnjё rezervё veprimet e qeverisё pёr shёmbjen e Teatrit Kombëtar, mungesёn e transparencёs, shkeljet ligjore, dhe nxitimin nё marrjen e vendimeve”.  KKD u bën thirrje forcave politike nё Shqipёri qё tё zhvillojnё dialogun dhe jo arrogancёn e treguar deri tani dhe që të ndalohet menjëherё ndjekja penale kundёr personave tё arrestuar e dhunuar nё protestёn e datёs 17 Maj, ndërsa theksojnë se “ndjekje penale ndoshta duhet rezervuar pёr ata qё urdhёruan shembjen dhe ushtruan dhunёn”.

Dihet se Këshilli Koordinues i Diasporës është organizuar dhe miratuar nga qeveria e Kryeministrit Rama, por KKD thotë se megjithkëtë këtë lidhje, ky ent është një institucion i pavarur nga qeveria.  E përshëndes KKD-ën për këtë deklaratë mbi shembjen ilegale të Teatrit Kombëtar!  Por megjithëse kjo deklaratë e KKD-së kundër shembjes së Teatrit Kombëtar nga autoritetet shqiptare është mjaft e fortë në përmbajtje, për mua çdo organizatë që formohet dhe miratohet nga një qeveri — më bën të dyshojë për qëllimet dhe objektivat e cilësdo qeveri qoftë, përfshirë edhe qeverinë e Kryeministrit Rama, për përdorimin e një orgnaiztae të tillë për qëllime politike personale dhe partiake.

Ç’prej fillimit, unë e kam mirëpritur “Samitin e Diasporës” dhe krijimin e Këshillit Koordinues të Diasporës, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, si një masë me vend megjithse e vonuar, për vëmendjen që meriton diaspora.  Më ka pëlqyer ideja e takimeve të organizuara për diasporën edhe nga Kosova dhe Maqedonia sepse takime të tilla merrnin një domethënje të rëndësishme kombëtare.  Të pakën në takime të tilla ishim të bashkuar, mendoja unë.  Samitin e parë të Diasporës në Tiranë e kam konsideruar si fillimi i një dialogu të mirëfilltë kombëtar, dialog i cili ka munguar për një kohë të gjatë midis diasporës dhe Atdheut.

Kjo ishte shpresa, por e vërteta është ndryshe.  Fatkeqësisht, Samitet e Diasporës i përngjanin më shumë një mitingu politik të Ramës dhe nuk pasqyruan dialog kombëtar as politik, siç pritej, midis diasporës dhe autoriteteve shqiptare në Tiranë, Prishtinë e Shkup.  Në këtë përfundim, besoj se mund të vinë edhe antarët e KKD-së, të cilët kanë marrë pjesë në ato samite.  Në deklaratën e tyre më sipër, KKD u bënë thirrje, “forcave politike nё Shqipёri qё tё zhvillojnё dialogun dhe jo arrogancёn e treguar deri tani”.

Unë i kisha menduar takimet e diasporës në Atdhe si tubime kombëtare, të shqiptarëve të diasporës nga të gjitha trevat dhe nga të gjitha anët e botës.  Tubime që do të pasqyronin vlerat më të mira stërgjyshore të shqiptarëve, por edhe vlerat perëndimore të tolerancës politike dhe traditave stërgjyshore dhe do të shërbente si një rast për të bashkrenduar forcat për një bashkpunim më të ngushtë, për të mirën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve.

Në gusht, të vitit 2016 duke folur në New York para disa përfaqsuesve të komunitetit në lidhje me planet për samitet e ardhëshme të diasporës, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Rama ishte shprehur duke njoftuar mbajtjen e samitit të diasporës se samiti, sipas tij, ishte  “Një moment për të treguar se ne mund të jetojmë në pjesë të ndryshme të botës, por gjithmonë të bashkuar rreth vlerave tona, gjuhës dhe identitetit tonë unik shqiptar.  Një moment për të diskutuar mbi rrugët dhe mënyrat e bashkëpunimit me shembuj suksesi nga heronjtë e diasporës”. Ka thënë ai. Zoti Rama ishte shprehur gjithashtu se Samitet e Diasporës duhej të “promovonin edhe imazhin e vlerave tona më të mira”.

Shumë prej nesh jashtë Atdheut për një gjysëm shekulli ose më shumë, përfshirë komunitetin shqiptaro-amerikan, u jemi përshtatur vlerave politike perëndimore, demokracisë, tolerancës për kundërshtarin dhe respekt ndaj mendimeve të kundërta, respekt për të drejtat e njeriut në përgjithësi, lirisë së fjalës dhe të shtypit në veçanti, e të tjera.  Andaj këto vlera perëndimore, Z. Rama, ne të diasporës shqiptare jemi munduar t’i gjërshetojmë me vlerat tona tradicionale kombëtare stërgjyshore.  Më vjen keq të them por nga ajo që kemi parë deri sot, ne të diasporës shqiptare nuk kemi asgjë të përbashkët me ju.  Z. Kryeministër, shembja e stilit terrorist nga autoritetet shqiptare e Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe qeverisja juaj aktuale –siç ve në dukje edhe deklarata e Këshillit Koordinues të Diasporës më lartë – tregon se nuk kemi asgjë më, të përbashkët me ju sa u përket vlerave politike e morale – qofshin ato stërgjyshore, qofshin ato perëndimore.  Shembja e Teatrit Kombëtar është vetëm një çeshtje shqetësimi për diasporën.

Si përfundim, urat po prishën dhe lidhjet shpirtërore po pakësohen gjithnjë e më shumë midis diasporës shqiptare dhe Atdheut tonë të shtrenjtë, pikërisht për arsye të qeverisjes tuaj autoritare, siç u pasqyrua kohët e fundit edhe me shembjen e ilegale të Teatrit Kombëtar, si vetëm një nga ngjarjet shqetësuese, që sipas deklaratës së Këshillit Koordinues të Diasporës është, “me karakter të rrezikshëm për demokracinë e vendit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok