07/04/2025

Këngët autoktone  përmajekrahut , një himn  i harruar i malësorëve shqiptarë

0
Fadil-Beci-Naxhie-Popi

Nga Gjekë Gjonaj

Këngët majekrahut përmajekrahu (përkryekrahi) , ose siç quhen ndryshe  këngë malësorçe,  janë  ndër këngët më të  hershme  që vijnë nga thellësia e shekujve, të cilat konsiderohen ndër elementet  më të vjetra të trashëgimisë jomateriale, që malësorët i kanë kënduar  në dasma,  festa, gëzime,  logje,   bjeshkë e raste të tjera të veçanta, madje  edhe  në festivale të ndryshme  folklorike   brenda dhe jashtë hapësirave shqiptare. Këto këngë të moçme të traditës gojore  radhiten ndër visaret e pakta  të kombit tonë  që janë trashëguar  dhe kanë kaluar  nëpër  faza  të reja të zhvillimit historik. Ato, sipas muzikologëve,  i këndojnë  vetëm shqiptarët  e dialektit gegë ose të Veriut, që përbëjnë pjesën më të madhe  të popullsisë shqiptare. Shtrirja e  këtyre këngëve ndër shqiptarë  është mjaft e madhe: Malësi e  Madhe, zona e Mbishkodrës, Malësi  e Gjakovës,  Tropojë , Dukagjin, Rugovë dhe në disa vise të Malit të Zi.

Kjo formë e këndimit  të shqiptarëve në trevat shqiptare në Mal të Zi  është  përdorur ( interpretuar)  në  disa vise  që janë më shumë kodrinore -malore: në  Hot, Grudë, Triesh, Plavë e Guci, por edhe  në zonat që janë më pak rrafshinore , siç  janë:  Kraja, Ana e Malit, Rrethi i Tivarit dhe Shtoji  i Ulqinit.

Emërtimet e këtyre këngëve   na paraqiten të ndryshme por të përafërta. Në Hot dhe Grudë  përdoret emërtimi “ Këngë përmajekrahu”, në Triesh “ Këngë përkryekrahi”,  në Krajë “ Këngë të g’jata, në Anë të Malit  “ Me kënue zonisht “, por  më të parapëlqyera ( preferuara) janë dy emërtimet e para.

Studiuesit e fushës së muzikës  vlerësojnë se  të gjitha këto këngë  kanë elemente të përbashkëta edhe në fushën  e kulturës materiale  dhe shpirtërore , e njëkohësisht kanë edhe dallime midis tyre në rite,  doke,  zakone dhe  përgjithësisht në jetën muzikore.   Sipas muzikologëve,  kjo mënyrë e të kënduarit  është traditë e stërgjyshërve  të përbashkët, përkundër paraqitjeve diku më të hershme e diku më  vonë.

Këngëtarët  e vjetër malësorë (shqiptarë)  pohojnë  se  këngët përkryekrahi  janë kënduar në rast  thirrjesh, kushtrimit  dhe përgjigjesh  nga zona në zonë qysh në kohën e luftërave, për t’u marrë vesh me njeri-tjetrin, pa u kuptuar nga armiku.  Përveç kësaj  ato, siç theksuam më lart,   përcjellin lajme të ndryshme, të gëzimit, hidhërimit… Këngët e tilla kanë shërbyer  si mjet komunikimi  e sinjalizimi në largësi për të  dhënë lajmin  e rrezikut.

Këngët përkryekrahi,  si formë unike e komunikimit ndër shqiptarë,  janë këngë   që këndohen  solo, pa shoqërim instrumental nga një këngëtar ose edhe dy sish . Këngëtari  këndon  dy ose disa vargje në këmbë ose i ulur  në dy gjunjë,  çon dorën mbi krah, e v gishtin në vesh ose e mbulon  veshin me shuplakë, si një ritual për ta përhapur më fort jehonën  e  një kumti  apo informate. Informata kishte të bënte me një njoftim a kushtrim për luftë, për ndonjë rrezik nga armiqtë, me të cilët banorët e këtyre zonave ishin ballë për ballë me shekuj.

Edhe pse  bëjnë pjesë në grupin e këngëve  njëzëshe   në interpretimin e këtyre këngëve  mund të marrin pjesë   edhe dy e më shumë këngëtarë. Si të tilla  muzikologët mendojnë se  janë këngët më të vjetra  të fondit folklorik shqiptar që na kanë mbetur,  të cilat me shekuj janë bërë  himni i vetëm i  i malësorëve.

Dallohen  nga këngët e tjera shqiptare për cilësinë e zërit ( tingullit) muzikor.  Këngëtari që i  këndon këto këngë duhet  t’i plotësojë  të gjitha  kërkesat estetike të zërit  me cilësitë më të larta, domethënë  të ketë  zërin   brilant si pushka ,   të lartë  dhe të ëmbël që  e nis thirrjen dhe menjëherë përcillet nga këngëtari tjetër, duke unifikuar ( bashkuar)   zërat në një të vetëm për të  fuqizuar  informatën, por edhe  të pëlqehet nga të gjithë që e dëgjojnë. Përmbajtja e këtyre këngëve, pohojnë specialistët ,  është një përmbledhje e shkurtër në tre ose katër rreshta nga tetë rrokje e një historie apo trimërie të përmendur.

Dr. Rexhep Munishi në librin e tij “ Këngë malësorçe shqiptare” ndër të tjera shkruan:

“Krahas tematikës së transformuar dhe të  ndryshuar në traditën e të kënduarit të këtyre këngëve mbeti edhe një numër këngësh të cilat   gjatë interpretimit  nuk kanë kuptim të qartë të tekstit, prandaj  edhe  është e vështirë të thuhet ( kuptohet)   me siguri se çfarë ishte tematika e këtyre këngëve në të kaluarën e largët. Kjo vlen për të gjitha këngët malësorçe.”

Nga literatura e shfrytëzuar  dhe gjurmimet në terren  kam arritur  të  shënoj   disa   këngëtarë shqiptarë nga Mali i Zi,   të cilët janë dalluar me interpretimin e këtyre këngëve në periudha të ndryshme kohore, kryesisht në shekullin e kaluar.

Interpretuesit më të njohur trieshianë të shekullit njëzetë   për këngën përkryekrahi janë:  Nosh Grishi Nikprelaj, Nikollë Noshi Nikprëlaj (babë e djalë) ,  Nosh  Prëla  Nikprëlaj, Dodë Prëka Micakaj ,  Rrok Zefi Prënkoçaj etj.

Ja disa  variante këngësh malësorçe shqiptare që i kanë kënduar në Triesh:

A: Nosh Grishi Nikprelaj nga fshati Bëkaj i Trieshit   e ka kënduar  fuqishëm këtë këngë,  të cilën   e ka transkriptuar R. Munishi:

“ (0) O, po fja  a – le  ka çu u -ve

(e) ve se thu-je  Gja-ko-ve es o o po u

(e) se ke je  e ga-buo u

(u) ve se , tha , thu-je  Gja-ko o u

(u) ve se o po ke je e ga-bu u e ja u.

…. Fjal’ ka çue:

Thuj Gjakovës : Ke gabue”,

Thuj Gjakovës: “Ke gabue

(Burimi:  Anton Kolë Berishaj ” Në një cep të Ilirisë”, f.252)

  1. Në vazhdim po japim edhe tri këngë përkryekrahi që i mblodhëm në Cem të Trieshit.

1.O po burrë i vogël o

O po i hipka  o atit o

O del o  ën Shkodër o “

——————-

2.O po fjalë o për tel o

O thuoj o Gjakovës o

O çou e del o “

———————–

  1. “O po djal i ri o

O veshe  jelekun o”

( Tregoi: Lekë Zef Nikprelaj- Cem i Trieshit)

Këngët  përmajekrahu u kanë shërbyer brezave për komunikim dhe transmetim të  informacionit, pra ato kanë pasur brenda vetes edhe dimensionin estetik mjaft të fuqishëm. Interpretimi i këtyre këngëve  realizohej me anën e theksimeve të rrokjeve, që informata të transmetohej sa më e fortë dhe sa më e qartë, me theksimin e emrave të figurave që ishin subjekt i informacionit. Ato tashmë, në raport me proceset  e sotme dinamike, sociale e kulturore,  janë shndërruar  në shenjë të memories kolektive  historike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok