18/04/2024

KËNGA PËR VUAJTJEN, NJË REFREN I GJATË I FATIT TRAGJIK

0

(Lexime poetike. Poezia “Kur të vdes” e Havzi Nelës), XVI

Nga Prend BUZHALA

Tragjiku Havzi Nela (1934-1988), me jetën e tij po e përmbyllte ciklin e një gjysmëshekulli dhune të shtetit totalitar edhe mbi krijimtarinë letrare: mbas Luftës së Dytë Botërore. Përmbledhja e zgjedhur e poezive “Pa nji ditë lumnie” hyn në kuadrin e librave të burgut, apo të një Letërsie Tjetër, të ndryshme nga ajo e apologjetëve të letërsisë e të mësimit të dhunshëm zyrtar. Nga ky vëllim është edhe poezia “Kur të vdes”.

1.

Thuhet që Njeriu vuan edhe kur lind, po edhe kur vdes. E Nela e pati Vuajtjen shok e hije jete. Vuajtja këndohet si një refren i gjatë i fateve tragjike. Posi në Librin e Shenjtë, vuajtja heq velin e absurdit dhe e mvesh atë të misterit. Vetëm ai që e ka përvojën aq të rëndë në shoqëri me Vuajtjen, vetëm ai di të merret vesh me të, ta kuptojë thellësisht, të këndojë së bashku me të; sepse vetëm nëpërmes vuajtjes lind dashuria e vërtetë; ashtu siç e pati Havzi Nela dashurinë për Lirinë, për Jetën dhe për Poezinë. Sikur vetëm nëpermes Vuajtjes do të gjendet Rruga e Vërtetë! Nëpërmes flijimeve jetësore të pafund!

Kur të mësoni se kam vdekë,

Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”

A e dini se çfarë kam hjekë

Unë, poeti zemërzjarrtë?

Mospajitmet e Nelës me diktaturën, mu pse dyshonte në rendin e gjërave të sistemit të paprekshëm autoritar, për ta parë të vërtetën në sy; e çuan atë në katër gjykime politike me rreth njëzet vjet vuajtje dënimesh nëpër burgje, tri herë i burgosur që nga viti 1967, e, së fundi, arrestimi më 22 qershor 1988 e ekzektimi në litar më 10 gusht 1988. Ai, në ballafaqim me realitetin e diktaturës, mediton e vepron krejt racionalisht. Posi Edipi dhe Hamleti, ai detyrohet të shikojë më thellë, tek i zbulon të vërtetat e tmerrshme e tragjike, me mekanizmat e errët të shtypjes; dhe, së këndejmi, me reagimet e tij racionale, ai e “rrezikon” sistemin totalitar. Vuajtjet janë mbinjerëzore. Hamleti përplaset në dilemat e tij: “të rrosh atë mos rrosh, kjo është çështja”; pra, të heshtësh, të bëhesh oportunist e qyqar, apo ta godasësh dhunën e krimin? Nela vendos për prometheizmin.

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”

Kur t’kërkoni me ma gjetë.

Thoni: “Ai urreu mizorin”.

Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.

2.

Katarza aristoteliane e vuajtjes, pathematon katharsis, shenjon edhe fatin tragjik, fatkeqësinë, përvojën e rëndë apo të mirë; shënjon ndryshimin në gjëra, e shënjon vetë esencën e gjërave për të cilat është i vetëdijshëm krijuesi martir:

Thoni:”Ai e deshi jetën,

Jeta n’vuejtje e dërmoi”,

Thoni se ka mbrojtë të drejtën,

Grusht tiranësh nuk duroi.

Pathema lexohet si ngjarje që i ndodh dikujt (si vuajtje a fatkeqësi), po edhe si ndjeshmëri afektive. Te Herodoti haset shprehja Ta de moi pathemata mathemata gegone (“Vuajtjet e mia ishin mësime për mua”, ose shqip: kush pëson mëson). E kundërt me pathema-n, është mathemata: leksioni shkencor, dituror. Rolin e mathemata-s mbi Kultin e frymëzimit, këtu, te poezia e Havzi Nelës, e marrin shënimet në fund të disa poezive: “Të gjitha këto që shënova deri këtu, me vjet të tana kanë qëndrue në tru dhe duke i përsëritë me vetveten …kam mujtë me i ruejtë në kujtesë. Gati gjysma janë krijue me mend pa përdorë laps dhe janë rimue me anë të gishtave”!

Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,

Si skifter në fluturim,

Provoi prangat, t’errtë qelinë,

Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

Thoni: “Dritë ai kërkoi,

E vetë dritë nuk pa me sy”

Thoni: “Për njerëzinë këndoi,

E për vete mbajti zi”.

3.

Mbas një lirike të tillë të gjëmimeve të mbrendshme e vuajtjeve prometheike, vijnë lirikat e vargjet që vihen në lëvizje, në një proces të çlirimit, që hyjnë në enterierin e kohës; që shoqërohen me shënimet për Kultin e Frymëzimit në Mendje, Pa Fletore e Pa Laps. Poezia bëhet Shënim, bëhet Dokument e Dëshmi, bëhet histori filigranore. Bëhet Poetikë gjaku. Te tragjedia “Agamemnoni” Eskili thotë se nga vuajtja nxirren mësimet (pathei mathos), pra vuajtja të çon tek përsiatja, meditimi. Katharsis përdorej në kuptimin “spastrim nga faji”; në këtë rast, spastrimi moral vjen në kontekstin kohor të ndryshuar, të përmbysur: është shpërblyer me ndërrime e përmbysje të diktaturës vuajtja e të martirizuarve; pra, shprehet në nivelin e “distancën estetike”, nga njëra anë, po edhe të empathia-s, identifikimit, nga ana tjetër.

———————————

HAVZI NELA

KUR TË VDES

Kur të mësoni se kam vdekë,

Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”

A e dini se çfarë kam hjekë

Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”

Kur t’kërkoni me ma gjetë.

Thoni: “Ai urreu mizorin”.

Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.

Thoni: “Ai e deshi jetën,

Jeta n’vuetje e dërmoi”.

Thoni se ka mbrojtë të drejtën,

Grusht tiranësh nuk duroi.

Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,

Si skifter në fluturim,

Provoi prangat, t’errtë qelinë,

Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

Thoni: “Dritë ai kërkoi,

E vetë dritë nuk pa me sy”

Thoni: “Për njerëzinë këndoi,

E për vete mbajti zi”.

Thoni se e qërroi terri

Thoni: “Dielli nuk u ngrohu”.

Thoni se e trishtoi tmerri

E të shtypunit i tha: “Çohu!”

Kur të vijë, të çelë pranvera,

Kur bilbili nis me këndue.

Mbi vorr tim me gur’e ferra,

Nji tufë lule me ma lëshue.

Prekni vorrin, mos ngurroni,

Kush ka lindë, ai ka me vdekë,

Veten ju kur t’a ngushëlloni,

Thoni:”Gjallë kurkush s’ka mbetë!”

——

(Prend N. Buzhala, rishkrim i shkëputur, 16 prill 2020)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok