KËNGA E SPRASME E BALËS (2)
Nga Lutfi ALIA
Poema epiko – lirike “Kënga e sprasme e Balës” e Gavril Dara i Riu, nuk është riprodhim saktësisht i varjantit origjinal të këngëve që mblodhi Gavrili Plaku dhe i ati Andrea Dara, por është risistemim me shtim të disa këngëve të tjera, pra është një vepër si pikturë e restauruar, megjithatë kjo nuk ia heq Balës të drejtën e autorësisë si poeti i parë, madje askush nuk mund të thotë se nuk janë këngët e tij dhe pse pasardhësit mund t’i kenë hequr, ose i kanë shtuar diçka nga nga vetja, si veproi Gavrili i Ri, i cili shtoi “Këngën e zogut” me 260 vargje, ashtu si ka bërë dhe disa ndryshime gjatë renditjes të disa pjesë kënge. Ndryshime në strukturën e kësaj poeme kanë ndodhur gjatë transkriptimit nga gjuha shqipe e vjetër (dialekti arbëresh) dhe nga përkthimi nga italishtia, por shtoj dhe faktin se disa ndërprerje dhe ndarje në pjesë të këngëve, janë bërë gjatë sistemimit nga të tre Darët, andaj shpesh rezultojnë përzierje ngjarjesh dhe beteja të ndryshme në të njejtën këngë të poemës, si rezulton në pjesën e katërt. Gavrili i Ri, ka përfshirë këngët pleqërishte, mes tyre këngën e Plakut Bala, të kënduara nga bashkatdhetarët arbereshë dhe e mbledhur herët nga gjyshi Gavril Dara, që përbënë dhe zanafillën e kësaj poeme, por ka shtuar dhe këngët që mblodhi i ati Andrea, këngët që i këndonin arbëreshët e ardhur nga vise të ndryshme arbërore, pra kuptohet se nuk ishin të gjitha të Plakut Bala.
Poema e mirënjohur “Kënga e sprasme e Balës” përmbanë 1640 vargje të strukturuar në katër pjesë, sejcila me disa këngë të veçanta, që evokojnë ngjarje dhe histori të betejave të arbërorëve, të udhëhequra nga kryetrimi Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Në këtë poemë përshkruhen ngjarje të lidhura me dy betejat e Vajkalit (Gavrili i Ri e shkruan herë Vajkali e herë Valkali), me betejat e Nishit, Tulovazit dhe Wlassagh (Vlasag), me masakrën e ushtrisë osmane në fshatin Shkallë të Matit, me rrethimin e Beratit etj, por thelbi i kësaj poeme epiko – lirike ështa ballada e Nik Petës me të bukurën Mara dhe me Pal Golemin.
Të dy heronjtë Niku dhe Pali kanë veçori dalluese. Niku del më i plotë si personazh, është i ndjeshëm dhe ëndërrimtar, poet e këngëtar i talentuar, djal bukurosh, i aftë për një dashuri të madhe e të thellë, siç e shohim në marrëdhënie me Marën, është luftëtari krenar, por dhe gjaknxehtë. Po aq krenar dhe gjaknxehtë është Pal Golemi, te i cili shfaqet dhe sedra klasore e feudalit, që gjen shprehje në qëndrimin e tij përbuzës ndaj Nikut, të cilin e fyen rëndë, duke e quajtur “zot i dy zallishteve”, “ushtaruci ballukedredhur”. Pal Golemi, pa asnjë ngurrim, e flijon lumturinë e vet familjare për hir të atdheut, ndërsa në prag të vdekjes, gëzimi për fitoren ia shuan dhëmbjen për rininë, që iu shua në lulëzim. Trimëria dhe patriotizmi i Palit shkëlqejnë në betejën e Vajkalit, ku ai futet thellë në prapavijat e armikut dhe bie vetëm pasi ka arritur të zbrapsi turqit. Ato shkëlqejnë veçanërisht në amanetin kuptimplotë që ai i lë Darës duke kërkuar, që armët e tij të varen në një pemë dhe të vazhdojnë t’u kallin tmerrin armiëve osmanë. Në Këngën e sprasme të Balës, Pal Golemi paraqitet më i vendosur në krahasim me Milosaon e Jeronim De Radës.
Këto dy personazhe i plotëson Bala, këngëtari, rrëfimtari dhe zëdhënësi i autorit, por Bala ka dhe një jetë të vetën, jetën e luftëtarit të pamëshirshëm me armiqtë, ashtu si shprehet me plot ndjenja të buta njerëzore me bashkëluftëtarët, me Nik Petën, me Marën dhe me Pal Golemin.
Në të katër pjesët e poemës, Gavrili i Ri pasqyron tragjiken e luftës së pabarabartë të arbërorëve kundër një fuqie të madhe ushtarake të Pernadorisë Osmane, të shprehur përmes përshkrimit të tablove rrënqethëse të betejave
dhe fatit tragjik të herojve kryesorë, në përshkrimin e natyrës të pikturuar me ngjyra të errta, si sfondin dhe skena ku zhvillohej lufta, por Gavrili poet e vë theksin dhe te qëndresa e madhërishme e atdheut, te fitorja. Heroikja këtu jepet nëpërmjet tablove të betejave të cilat kanë edhe bazë objektive historike, si beteja Vajkalit, lufta në Berat etj.
Dhe mbirja e pemëve në fund të veprës (e mollës dhe e selvisë në varret e Nik Petës dhe Marës dhe e lisit në varrin e Pal Golemit), janë simbole që shprehin vitalitetin e pashtershëm, vitalitetin e një populli në luftë të përher-shme me hordhitë osmane, më ata që kërkonin ta shuajnë.
Gavrili i Ri, nëpërmjet kësaj poeme shpreh dhe tragjedinë e arbëreshëve të mërguar jashtë atdheut duke i dhënë letërsisë sonë përmes figurës së plakut Balë një tip të ri personazhi, tipin e arbërorit ikanak në dhè të huaj, që jeton me mallin përvëlimtar për atdheun e braktisur. Idetë e veta patriotike autori i ka mishëruar te personazhet kryesore, si te Nik Peta e Pal Golemi, te Bala, te Dara, te Gjergj Mirëshpia, te Vrana Konti, te Moisi Golemi dhe te Gjergj Kastrioti, i cili, ndonëse personazh episodik, ka një rol të veçantë heroik dhe historik në këtë poemë.
Ideali atdhetar i Gavril Dara i Riu spikat në përshkrimin e figurës të Skënderbeut, duke e përshkruar si prijës ushtarak, strateg dhe luftëtar, ndaj e vendos në skena, që i bëjnë të dalin në dritë më qartë këto anë të figurës së tij; si në këshillin e luftës dhe në betejat. Gjithashtu, Skenderbeu zbulohet në marrëdhënie me të tjerët, duke theksuar ndikimin e fjalëve dhe veprimeve të tij mbi bashkëluftëtarët. Skënderbeu i Gavril Darës del më tepër strateg autoritar, i veprimit dhe i fjalës, vigjilent e largpamës (porosia që i jep Balës për të kontrolluar rojet, qëndrimi i tij ndaj plakut Harun, të cilin nuk e la të ikte menjëherë, duke dyshuar për pabesi nga ana e tij, andaj ia dorëzon Pal Golemit që ta ruaj; me fjalët që i thotë Nikut kur e lejon të shkojë për të çliruar Marën; di të fali dhe gabimet kur e kërkon e mira e atdheut (skena kur fal gabimin e Moisi Golemit). Në luftë me armiqtë ai është i rreptë dhe i tmerrshëm, kurse në marrëdhëniet me ushtarët i dashur dhe i kujdesshëm. Skënderbeu i Darës është me karakter të fortë dhe më afër me realitetin historik, sesa paraqitet në veprat e rilindasve të tjerë.
Gavril Dara i Riu, i jep personazhet kryesisht përmes veprimit dhe herë pas here përmes zbulimit të portretit të tyre fizik dhe shpirtëror, si rasti i Nikut dhe i Marës. Në përshkrimin e të bukurës Mara, ndonëse çuditërisht e paraqet si të huaj – greke nga Morea (!?), por në figurën e saj ka mishëruar disa nga cilësitë dalluese të gruas shqiptare. Mara është e bukur, e urtë, e mençur, e zjarrtë dhe e qëndrueshme në dashurinë e saj. Ajo shquhet për trimëri të rrallë, në kohën kur i ati i pa besë e dorëzoi te Ballbani, mbrohet nga turqit me thikë në dorë, kësisojë Gavrili i Ri, nëpërmjet Marës jep edhe një portret kolektiv të grave shqiptare duke i perkufizuar:
Tisi i nderit i mbështjell…
kanë si dasëm luftrat,
andej syresh lindin trima.
Personazhet negative janë vizituar me vija të lehta, po shprehëse. Lala Kaurri është njeriu që, për të kënaqur lakmitë, shkel mbi detyrimet prindërore; është i pabesë që të vret pas shpine, është zemërgurë dhe i pashpirt, sepse e vrau dashurinë e Marës me Nik Petën, për të plotësuar kërkesën mizore të Ballaban Pashë Baderës.
Ndikimi i poezisë popullore, si burim i pashtershëm për autorët arbëreshë, në këtë vepër është i dukshëm. Gavrili Ri mori nga poezia popullore heronjtë kryesorë, Nik Petën dhe Pal Golemin, figurën heorike të Gjerjgj Kastriotit dhe figurën e Ballabanit tradhëtar.
Në këtë poemë epiko-lirike, Gavrili i Ri ndërthur shumë motive nga poezia popullore arbëreshe dhe shqiptare, si ndarja e dy të dashurëve, që na kujton legjendën e Kostandinit të vogëlth; motivin e rrëmbimit të vajzës nga “qeni turk”, dukuri e shpeshtë në ato vite; ritin e shkëmbimit të unazave të bashkëshortëve kur burri niset për luftë ose vritet; motivi i vjehrrës që e qorton nusen për parandjenjat ndjellakeqe (motivi i Kasandrës); motivi i amanetit të trimit që e shoqja të martohet në se mbetet i vrarë në luftë; motivi i vdekjes të njerëzve të afërt; motivi i mbirjes të pemës mbi varr, që dhe e mbyll këtë poemë.
Këtyre motiveve popullore Gavrili i Ri u jep një formë origjinale, duke i lidhur ngushtë ngjarjet e treguara me idetë romatike të veprës dhe duke plotësuar e forcuar ato tipare që iu dedikon folklori shqiptar heronjëve të vet. Pra, në thelb, Gavril Dara i Riu mori thjeshtësinë dhe frymën e thellë heroiko – patriotike të poezisë popullore arbëreshe – shqiptare, të cilën e ndërthuri me Këngët e Balës, duke na dhënë poemën epiko-lirike “Kenga e sprasme e Balës”, një vepër origjinale e romantizmit arbëresho – shqiptar.
Në realizimin e formës të poemës, Gavril Dara i Riu përdor vargun karakteristik trokaik pa rimë e me larmi ritmike, përdor figuracionin e gjallë, epitetet e shumta, metafora, përdor stilin dhe muzikalitetin e rallë, që të tërheq e të përfshinë në rrjedhën e ngjarjeve që përshkruan. Gavril Dara i Riu është poeti piktor, në veprën e të cilit shkrihen muzikaliteti me ngjyrat e gjalla. Ai shquhet si në përshkrimin e tablove të ashpra të betejave, ashtu dhe në vizatimin e skenave lirike. Mjeshtërisë së poetit i shërben figuracioni i pasur e konkret, të cilat Dara i shpreh në përdorimin e antitezave, krahasimeve, metaforave, epiteteve. E fuqishme është antiteza e këngës së dytë midis trimave të Skënderbeut, që gëzojnë pranë zjarrit, dhe Moisi Golemit, që rri mënjanë “Te hija e lisit të helmit”. Me një antitezë tronditëse flitet për trimat e rënë në sheshin e betejës. Krahasimet e poetit dallohen nga forca përshkruese dhe nga ndjenjat e holla, kurse epitetet-kompozite janë sintetike. Me një epitet të vetëm ai shpreh një karakter të tërë p.sh., Moisiun e përshkruan “ballëfshehur”, Vrana Kontin “zemër e krah lisi”, Darën fjalë-urtë etj.
Si të gjithë romantikët, Gavrili i Ri e përshkruan me ndjenja të thella natyrën, të cilën e përdor si element të gjallë, që shoqëron veprimin e personazheve dhe ndalet në anët e saj më të ashpra e më të rrepta, që përputhen me peshën tragjike të epokës së madhe që përshkruan, por i shpreh me bukuri romantike kur evidencon perosnazhe të veçantë si Marën, Nik Petën dhe dashurinë e zjarrtë të dyve.
Ndikimi i poezisë antike dhe i poemave kalorsiake, nga një anë e kanë disiplinuar vrullin e poetit romantik, dhe nga ana tjetër, kanë sjellë në vepër disa shenja të veçanta në ndërtimin e saj dhe në përdorimin e figurave letrare dedikuar kalorësve të kësaj poeme.
Në këtë poemë, në krahasim me veprat e mëparshme të letërsisë arbëreshe, janë rritur fryma luftarake dhe patriotizmi aktual në pasqyrimin e epokës së Skënderbeut, kështu Gavrili i Ri shprehet me ngjyra epizmi dhe unitet veprimi. Unitet është i dukshëm në poemë dhe pse vetë poeti, për ta paraqitur veprën popullore me një mistifikim të zakonshëm romantik, bënë disa ndërhyrje të veçanta duke dhënë iluzionin e copëtimi, të ndarjes, ikjes të arbërorëve (emigrimi masiv i arbërorëve pas pushtimit nga Perandoria Osmane).
PJESA E PARË.
Kënga e parë – Bala.
Është preludi i poemës epiko – lirike “Kënka e sprasme e Balës”, që fillon me rrëfimin e plakut Bala, me kujtimet për të bijën e Lalës, të bukurës së trishtuar, që e nxiti të rrëfejë historitë e moçme. Ndonjë studiues ka shtruar pyetjen në se Bala ishte emri, apo mbiemëri i luftëtarit rrëfimtar. Për mendimin tim, ky aspekt nuk ka rëndësi, sepse në popullatën arbërore të asaj kohe, Bala rezulton emër dhe mbiemër personi ashtu dhe toponim
(Bala emër fashti dhe emër lagje), por rëndësi ka fakti se ishte personazh historik dhe pjesmarrës në shumë beteja në rradhët e ushtrisë të Gjergj Kastriotit, si tregon në vargjet:
Pse ky krah, tashti i dobët,
Shum`herë ushtën e vërtiti …
E një rëndësie të veçantë është fakti, se Bala përmend shumë toponime preçize në trojet arbërore, krahas atyre që vijnë nga kujtesa kolektive e arbëreshëve, madje toponomia në këtë poemë ka një lokalizim të caktuar, që sugjeron dhe origjinën e plakut Bala, çka del qartë në vargjet e fillimit të këngës së parë, ku përmend Malin me Gropa dhe lumin, që zbret rrëmbyer nga mali i egër me lisa madhështorë, mal që shtrihet në pjesën veri-perëndimore të Fushë Bizës në trevën e Kunavisë.
Sa lind dielli malit t`Gropës,
Tundet, qesh i thelli shpat.
Lerja plakut, lerja Balës
T`errtët lisa, zhurm`n e lumit,
Që, rrëmbyer malit t`egër,
Thellon shtratin me përrenjtë …
Origjina e Balës shprehet në këngët e tjera, si do të trajtohen në vazhdim, sidomos kur përmend toponime vendbanimesh dhe fushën e betejës të cilën Gavrili i Ri herë e quan Vajkal e herë Valkal. Toponimia në këtë poemë dëshmon për origjinalitetin e këngëve arbërore të mbledhura nga Gavril Dara Plaku, të atyre që mblodhi Andrea Dara dhe që u ruajtën nga Gavrili i Riu, kur përfundoi renditjen e këngëve në varjantin përfundimtar të poemës, si rezultojne në dorëshkrimin origjinal, që dhuroi prof. Marina Spinedi. Ndonëse nuk përmendet emri i lumit, duke iu referuar lidhjes me Malin me Gropa dhe Fushë Bizën, rezulton se janë dy lumenjë në këtë trevë malore, ku rrjedhin rrëmbyeshëm në shtrate të thella si lumi i Erzenit dhe lumi i Matit.
Plaku Bala rrëfen se kishte 40 vite që jetonte në Siçili dhe si ikanak i pafat, shpreh dhimbjen dhe mallin për atdheun, të cilin e kujton çdo ditë, andaj ngjitej në çikat e maleve duke vështruar dhe duke u falur për Albaninë, që për të fundit herë e kishte parë nga deti në ikje.
Dyzet herë krahu i dimrit
Ra mbi Honin e mbi Brinjën …..
Në këtë pjesë të poemës Gavrili i Ri shpreh ndjenja të thella për natyrën, të cilën e përdor si element të gjallë, që i shoqëron veprimet dhe ngjarjet, duke u ndalur në anët e saj më të ashpra e më të rrepta, që përpu-then me peshën tragjike të ngjarjeve dhe të epokës që përshkruan.
Plaku Bala ishte ndër ikanakët që u vendosën në disa komuna të Siçilisë, që ishin të pabanuara, si pasojë e vdekjeve të shumta të popullatës nga epidemia e murtajës së zezë. Ndër vendbanimet e para ku u vendosën arbërorët ishte komuna e Mezzojuso. Kur Bala thotë: “Dyzet herë krahu i dimrit / ra mbi Honin e mbi Brinjën …” tregon se prej 40 vitesh banonte në komunën e Mezzojuso, e cila shtrihet në këmbët e dy kodrave, më e larta Brigna (Brinja), më e ulta Dirrachion (Durrësi) dhe ndërmjet tyre gryka e quajtur Honi. [Lufi Alia. Kronika e eksodeve dhe vendbanimet arbëreshe në Itali. Botime 2M. Durrës 2016].
Më pas, Plaku Bala bashkë me Gjergj Mirëshpinë e me bashkatdhetarët e tjerë shkuan në Palazzo Adriano, si e tregon Andrea Dara: “Bala, ai që i shkroi këto vargje, ishte një ushtar i madh, prej atyre që bashkë me Gjergj Mirëshpinë ndërtuan këtë katund”.
Kujtimet e Plakut Bala për të bukurën Mara, e nxisnin të harronte trishtimin shpirtëror dhe t’i tregonte rinisë arbëreshe historitë e moçme, historinë e asaj vajze “si lule delikate mali, më e bukura ndër vajzat, plot gëzim rinor, që e ngrohte zemrën me ëndërra të dlirta mengjezi”. Mara, e bija e Lalës e nxiti plakun Bala të kujtonte vitet kur luftohej kundër hordhive osmane, ku dhe kjo vashë bëhet protagoniste e një dashurie të zjarrtë, por dhe e një kurthi mizor, që i kurdisi i ati Lala Kaurri dhe e fundit tragjik në fushën e Valkalit, si shprehet me dhimbje Plaku Bala në dy vargjet e fundit të këngës së parë:
Emri Yt këtu m`kujton
Një përrallëzë plot lotë.
Kënga e dytë – Rrëfenja (Në italisht Novella, në varjantin shqip është përkthyer – përrallza).
Në këtë këngë tregohet situata para fillimit të betejës në fushën e Valkalit, me luftëtarët arbëror të mbledhur
mbi kodrën e Balshës, rreth zjarrit bashkë me kryetrimin Gjergj Kastrioti.
Skënderbeu po gëzonte,
Me ata trima vëllezër,
Se në zemër-o i fliste,
Fuqia e rritur syresh,
Mbi krah`t e së zezës zhkabë.
Në këtë atmosferë paralufte, Gavrili i Ri përshkruan dy figura kontrastante, ushtarin e vjetër të Llazit, Darën të parin e Darëve, i urtë dhe i fortë si degë lisi dhe tjetrin Moisi Golemin të ulur maje Gurit të Madh, i veçuar, ballëfshehur, me sytë ngulur përdhe. Pas gabimit të rëndë, dragoi i Dibrës rrinte i turpëruar dhe kokulur, por Gjergj Kastrioti, e kuptonte gjendjen e tij shpirtërore, andaj duke vlerësuar pendimin e tij, e inkurajonte duke i kujtuar trimëritë dhe aktet heroike që kish kryer në betejat kundër hordhive turke.
Në vazhdim, Gavrili i Ri e ndërpret përshkrimin e ngjarjeve dhe të personazheve që ndodheshin në Valkal dhe kalon në rrëfimet e Plakut Bala, i cili tregon për betejën mizore të 31 majit 1415 kur Gjon Kastrioti u thye nga hordhitë osmane në fshatin Shkallë të Matit. Kjo betejë ka mbetur e pashlyer në kujtesën arbëreshëve të komunës Mezzojuso, që e kujtojnë çdo 31 maj në festën e Pentekoste me shprehjen “e shtuna e Scialla, mos ardhtë kurrë” [Ernesto Schirò. Origine degli insediamenti albanesi in Itala, Palermo 2009].
Pikërisht këtë thirrje dhimbje të Plakut Bala, Gavrili i Ri e shpreh në vargjet e kësaj kënge:
Nata e helmi të mbuloftë,
Ditë vrasje, ditë dhune!
Gjithë të shtunat le të vijnë,
E shtun`e Scialla mos ardht`kurrë! (Scialla është transkriptim i emrit Shkalla në Mat)
Arbëreshët e komunës Mezzojuso, ditën e shtunë të Pentekoste, pas meshës ngjiten në majat e dy kodrave Brinja dhe Durrësi, me fytyrën të kthyer nga lindja dhe këndojnë këngë malli dhe dashurie përvëlimtare për atdheun dhe me thirrjen e dhimbëshme: “E shtuna e Shkallës mos ardhtë kurrë”.
Në lidhje me vendin ku u zhvilluan dy betejat e Vajkalit, janë bërë hamendësime të ndryshme dhe kjo sepse emri i fushës së betejës është dhënë në disa varjante si: Vajkal (Barleci dhe Beçikemi), Valkhaila (Biemme), disa autorë të më vonshëm e shkruajnë Valikardha, ndërsa Gavril Dara i Riu e shkruan si Vajkal dhe Valkal. Duke iu referuar këtyre emrave kuptohet se i përkasin vendit ku u zhvilluan dy betejat më të ashpra kundër turqëve. Në se i analizojmë në veçanti këto toponime, rezulton se janë të pranishme në trevën e Kunavisë, ku ndodhen fusha e Vajkalit në Bulqizë; Valikardhi dhe Kroi i Ballabanit në Martanesh, Vau i Valit dhe Valkali në luginën ku kalon përroin që përshkon Fushën e Bizës mes Shengjergjit dhe Martaneshit. Ndofta beteja e parë u zhvillua në Vajkal të Bulqizës, ndërsa e dyta në Valkal të Fushë Bizës, çka sugjerohet nga toponimet që përmenden në poemë si Mali me Gropa, Vau i Valit, Valkali, Përroi i Shtogut, Mokreu, fshati Gjon etj, të cilat janë dhe në këngët e pleqërisë të mbledhur nga Gavril Dara Plaku, në ato të ruajtura nga i ati Andrea dhe natyrisht nga Gavrili i Ri në krijimin e tij poetik.
Në betejën e parë në prill 1465 në fushën e Vajkalit në Bulqizë, u shqua kapidani Pal Manesi i Martana, i cili e zëvendësoi Gjergj Kastriotin në duelin me Ballaban Pashën, një dyluftim i ashpër, ku si tregon Marin Barleci, Ballabani e braktisi duelin, duke përfituar nga mjergulla e dendur, që mbuloi fushën e betejës. Ndonëse ushtria e Ballabanit u thye dhe me humbje të rënda, gjatë tërheqies, asqeret e tij kapën robër kapedanët arbërorë: Moisi Golemin, Muzaka i Angjelinës, Gjin Muzaka, Vladan Gjurica, Gjon Perlati, Nikolla Erizi, Gjergj Kuka dhe Gjin Manësi, të cilët i dërgoi në Stamboll. Me gjithë kërkesat insistuese të Skenderbeut për t’i këmbyer me çfarëdo lloj çmimi e me kthim të robërve, Ballabani nuk pranoi, as Sulltan Mehmeti II nuk pranoi, madje urdhëroi dënimin e tyre me vdekje, me rjepjen të gjallë para popullit të Stambollit. Kësisoj u martirizuan dy trimat e Kunavisë, konti Muzaka i Angjelinës dhe kapedanin Gjin Manësi i Martana. Këto heronjë arbëror janë përfshirë dhe në poemën “Kënga e sprasme e Balës”, si do të trajtohen ne këngët në vazhdim.
Ka shumë gjasa që beteja e dytë u zhvillua në luginën e Valit dhe këtë mendim e bazoj në toponominë e ketij fshati, që evokon luftimet kundër pushtuesve osmanë si Rrëkeja e Taborit, Përroi i Asqerit, Gjami i Shtogut (Përroi i Shtogut), Shkëmbi i Skenderbeut para kështjellës në Qytezën e Valit, Guri i Turkut me varret e turkut, Vau i Valit dhe Valkali në pjesën ku fillon lugina mes malit Snoi i Madh dhe malit të Sponës, ashtu si dhe toponimi Varri i Kaurrit në Ndërbalë të fshatit Gjon. Këtij mendimi i shtoj dhe faktin se rënia heroike e Nik Petës dhe e Pal Golemit, në poemën e Gavrilit të Ri, tregohet e shkëputur nga tragjedia e shtatë kapedanëve arbëror në betejën e Vajkalit të Bulqizës.
Kënga e tretë – Kënga e hënës.
Është kënga e Nik Petës, për të cilin Bala thotë se është “Zot i këngëve të bukura / i larti vllastar i Petës dhe
zerin si ai nuk e ka njeri… Kënga e hënës është një balladë dashurie, e shprehur nga Nik Peta duke iu drejtuar hënës, që rend në të pafundmen kaltërsi dhe në qetësinë qiellore, është këngë që shkon larg te e bukura që e kujton me mall, ndërsa ai rri i rrethuar nga shkëmbenj dhe lisa dhe pret të nesërmen të ndeshet me armikun në sheshin e luftës, andaj kjo situatë e kishte penguar lidhjen e tyre martesore. Për të kapërcyer këtë trishtim, Nik Peta i kërkon hënës – zonjë së natës, të shkoi ta përqafoi me rrezet e argjendëta bijën kryelartë të Kaurrit, zogën e Lalës gërshetprishur dhe me gjinjtë e bardhë si tallazi.
Në subjektin e kësaj kenge ka një mospërputhje rrethanash. Nik Peta jetonte në fshatin Gjon të Martana, si e thekson Gavril Dara i Riu në këngën “Dita e Valkalit” në pjesën e katërt të poemës:
Gjoni natën seç renkoi,
maje kullave të Petës …
Pra Gjoni ishte shumë larg nga Morea, madje kjo distancë nuk e justifikon njohjen e dy të rinjëve. Gavril Dara i Riu, në këtë pjesë ka përfshirë një fragment kënge me të njejtin subjekt të arvanitasve të ardhur nga Morea dhe që banonin në disa komuna të Siçilisë, këngë që mund ta ketë dëgjuar Andrea Dara, ose vetë Gavrili i Ri, i cili e përshtati dhe e integroi në subjektin e rrëfimeve të Plakut Bala.
Rrëmbimi i grave dhe i vajzave të bukura arbërore ishte veprim i zakonshëm i ushtrisë osmane, që i merrnin si skllave, ose i mbyllnin në haremet e pashallarëve. Pikërisht një veprim të tillë kreu Ballaban Pasha, i cili i kërkoi Lala Kaurrit t’i dorëzonte të bijën Marën, që do ta çonte në haremin e Sulltan Mehmetit II.
Kënga e katërt – e bija e Lalës.
Këtë këngë Gavrili i Ri e ka thurur si rrëfim i Nik Peta, që tregon për ditën që u nis për gjueti dhe kur takoi Marën dhe që e dashuroi menjëherë atë lule mali, të cilën e përshkruan me epitete dhe metafora, që shprehin bukurinë e rrallë të saj. Një ditë në mengjes herët, së bashku me një grup luftëtarësh, pas një udhëtimi të gjatë arrijtën në Malin e Lalës, ku takuan Pal Golemin, i cili u bashkua me ata për të gjuajtur kaprolla. Aty në mal ata takuan Marën, të bijën e Kaurrit të shoqëruar me shërbëtoret e saj, e cila i ftoi në shtëpi, duke iu thënë se ishte e hapur përherë për miqtë (norma kanunore e shqiptarit: shtëpia është e mikut dhe e Zotit).
Të nesërmen në darkën e shtruar për nder të miqëve të shquar për akte heroike kundër turqëve, Nik Peta i kërkoi Kaurrit të martohej me Marën, por ky veprim e revoltoi Pal Golemin, i cili me që ishte më i madh në moshë, kish pëparësi ndaj Nikës, për të kërkuar dorën e të bijës së Kaurrit. Këto qëndrime i ndezën gjakrat e dy trimave, të cilët nxorrën shpata për dyluftim, por ndërhyri Kaurri dhe i ndau, duke iu thënë se të nesërmen në mengjes do të vendoste cili prej tyre do të martohej me Marën, ndërsa me vehte mendoi t’i vriste të dy pretenduesit. Mara e kuptoi mendjen e keqe të atit, andaj rendi dhe i njoftoi Nikën dhe Palin, duke iu lutur të iknin se iu rrezikohej jeta. Kur po përshëndeteshin para se të ndahen, Nik Peta i shprehu dashurinë Marës:
Më dëgjo, e bardha vajzë!
Për sa mote të jem gjallë,
Ti gjithmon`do m`jesh uratë…
dhe i tha se kur të kthehej pas tre viteve, do të martohemi dhe kundër vullnetit të atit e në se nuk kthehem, do të thotë se kam mbetur i vrarë ne fushën e betejës (motivi i vdekjes në luftë).
Ky rrëfim në monolog të gjatë, ndërpretet në çastin kur Nik Peta i shpreh dashurinë Marës dhe në vazhdim Gavril Dara i Riu, tregon rrjedhën e ngjarjeve të tjera që pasuan.
Nik Peta shkoi në rradhët e ushtrisë të mbretit Janko të Hungarisë (Giovann Mattia Corvino, mbreteroi 1458
– 1490), ku u shqua në luftimet në Nish, Tulovaz dhe Wlassagh (Vlasag) kundër hordhive turke. Pasi përfundoi këtë mision, në kohën e duhur u kthye në Albania, përsëri në rradhët e ushtrisë të Gjergj Kastriotit, ku u takua me Pal Golemin. Ky takim i rindezi tensionet e pretendimeve për t’u martuar me Marën dhe në këtë atmosferë gjakrash të ndezur nxorrën shpata, por atë kohë arrijti Gjergj Kastrioti, i cili i urdheroi të ndalojnë dyluftimin.
Më këtë pjesë të këngës, Gavril Dara nënvizon autoritetin e Skënderbeut, i cili me një vështrim dhe një fjalë i detyroi Nikun dhe Palin të ndahen të turpëruar dhe të largohen “me bisht ndërshalë”. Ky përshkrim ngjanë me një skenë te “Skënderbeu i pafat” i De Radës, por kjo e Gavrilit të Ri është më origjinale.
PJESA E DYTË.
Kënga e parë – Plaku.
Kënga nis me rrëfimin e Balës, të cilin Skenderbeu e kishte ngarkuar me detyrën të kontrollonte rojet në një natë pa yje dhe ndër të tjera tregon se në Vajkalin e shkretuar kishin përgatitur shkëmbenj për t’i rrokullisur në se sulmoheshin nga armiqtë në befasi.
Si desh mbreti, unë veja,
Vetëm, heshtur, me hap t`gjatë,
Duke zgjuar rojet e natës …….
O qetë andej u ktheva
Drejt Vajkalit të shkretuar,
Ku shkëmbenj të rrokullisur,
Udh`n armiqvet u gatitnin, po të vinin n`befasi.
Në fushën e gjërë të Vajkalit në Bulqizë, nuk ka shkëmbinj të lartë, nga ku mund të organizohen prita, ndërsa në Valkal të luginës së ngushtë në veri të fushës së Bizës, ngrihen shpate malesh të thepisur, nga ku mund të rrokulliseshin gurët mbi ushtarët trurqë. Në tekstin e këngëve në vazhdim, Dara shkruan Valcalli, pra Valkali, çka sugjeron se i referohet dy vende të ndryshme betejash.
Gjatë shërbimit, Bala kapi plakun Harun, i cili kërkoi me insistim të fliste me Skënderbeun dhe i tregoi se mbi Mokreun kishte parë Ballaban Pashën me dymijë ushtarë, që shkonte për në More, për të rrëmbyer Marën, që do ta çonte në haremin e Sulltanit. Pasi e dëgjoi Harunin, Skënderbeu nuk e la të ikte, por ia dorëzo ta ruante Pal Golemi, ndërkohë miratoi kërkesën e Nikut, të shkonte të merrte Marën, para se të arrinte Ballabani, por ngjarjet rrodhën ndryshe, madje u ndërlikuan.
Në këtë këngë ka një pasaktësi historike, sepse Ballaban Pasha nuk ka luftuar në More, ndërsa në fakt pas betejës së Vajkalit, vjeshtën e vitit 1465 u zhvillua beteja në Meçad, ku ushtria turke u shpartallua e ky Meçadi (mali Mëcek mbi Shëngjergj) është afër Valkalit të Valit dhe Vajkalit të Bulqizës, çka justifikon udhëtimin e Nik Petës, për të shkuar në ndihmë të Marës, ndërsa nodhej shumë larg dhe lajmet prej andej dhe udhëtimi për në More do të zgjaste mbi një javë.
Si dihet rrëmbimi i grave dhe vajzave arbërore, ishte dukuri e zakonëshme në ato vite. Këto robina i bënin skllave, ose i dërgonin në haremin e sulltanit dhe të pashallarëve. Dokumenta historike dëshmojnë se shumë gra dhe vajza arbërore, për të mos rënë në duart e ushtarëve turq, vetëflijoheshin duke u hedhur në gremina, si ndodhi në Krujë, në Dibër, në Martanesh, në Sulin e Ҫamërisë etj, por shumë prej tyre reagonin me guxim si Mara trimëreshë, kur i ati i pabesë ia dorëzoi Ballabanit, ajo u mbrojt nga turqit me thikë në dorë.
Një histori të ngjashme e përshkruan James M. Ludlow në veprën “The captain of the Janizaires. Harper & Brothers Publishers. 1890”, i cili tregon se Ballaban Pashë Badera (nga fshati Batra e Vogël e Matit), kur pushtoi Valin, rrëmbeu një vajzë të bukur me emrin Morsinia dhe e dërgoi në Stamboll, por Morsininë e shpëtoi Kostantini, vëllai i madh i Ballabanit, i cili ishte luftëtar në rradhët e ushtrisë të Gjergj Kastriotit.
Në këtë këngë Bala tregon dhe për kapedanët e Skenderbeut, bujarët Manesi (Gjini) burrë veprash dhe jo fjalësh rrinte mbështetur mbi kordhë; mbi lëkurë ariu ulur Lleshi flokëziu, pranë tij Muzaka (Gjini) edhe trimi i Angjelinës (Muzaka) dhe me rradhë Kuqi (Vladan Gjurica), Berrezi (Nikolla Erizi), Gjon Perlati zoti i Zendës së Madhe dhe në këmbë me ta bisedonte Arianit këshillmiri (Moisi Golemi), i ulur afër mbretit (Skenderbeut), i cili fjalë me mend nga goja nxirrte.
Ky kuvend kapedanësh të shquar përshkruhet nga Bala me një atmosferë madhështie, por duke përshkruar terrin dhe mjergullën e natës, që rri pezull duket se parandillte fatin e tyre tragjik në betejën e Vajkalit në Bulqizë. Bala tregon dhe për Vrana Kontin – zemër e krah lisi, me gunën e kuqe që i mbulonte parzmoren e artë dhe me fuqinë e fjalës se tij, që me një thirrje mblidhte njëqint fise në këngë lufte dhe njëmijë luftëtarë gati të nxjerrin kordhat nga mylli, për t’u hedhur në sulm kundër hordhive turke.
Në këtë këngë Bala nuk harron mikun e tij Gjergj Mirëshpinë, me të cilin dhe bashkë me bashkatdhetarët ikanakë, shkuan të banonin në Palazzo Adriano.
PJESA E TRETË.
Kënga e parë – Humbja e kusarit. (në origjinal: la valle di Masnadiero – Lugina e Kusarit).
Kjo këngë i dedikohet udhëtimit të Nik Petës me shokë, që shkuan të shpëtojnë Marën. Gavrili i Ri e tregon këtë udhëtim të Nikut me shokët që rendin nëpër male, gryka dhe fusha dhe kur arrijtën në Luginën e Kusarit, aty panë se Ballaban Pasha me ushtrinë kishte arrijt para tyre. Ballabani shkoi në shtëpinë e Lala Kaurrit dhe i transmetoi urdhërin e Sulltanit, që t’i dorëzonte Marën e bukur, “hardhinë e bardhë, që kish mbirë në kopshtin e tij dhe në se nuk bindej do t’i ikte koka dhe pronat”. Lala Kaurri, babai shpirtzi, burri me karakter të dobët, u nënshtrua, pranoi t’i dorëzoi Ballabanit të bijën Marën e bukur dhe të mençur.
Në kontrast të thellë me këtë vendim mizor të atit, Gavrili i Ri përshkruan figurën dinjitoze të Marës, reagimin e saj, kundërshtimin e hapur:
Vajza qau, gjirin rrahu,
Shkuli flokët e u vesh në zi,
Por, si e urtë, që me ish,
Helmin mbylli mu në zemër,
Dhe veç zoguthit iu trua,
Zoguthit të malit-o ……
Duke iu drejtuar zogut të malit, Gavril Dara i Riu shpreh në mënyrë alegorike, mesazhin e Marës drejtuar të dashurit të saj Nik Petës, që të vinte në ndihmë dhe ta shpëtonte nga duart e Ballaban Baderës tradhëtarit.
Kënga e dytë – Kënga e zogut të vogël (Canto di uccellino – augelletto).
Këngën e zogut, Gavril Dara i Riu ia shtoi këngëve të Balës, të mbledhura nga tradita gojore arbëreshe nga Gavril Dara Plaku, që i kishte rradhitur në dorëshkrim në dy pjesët: “Këngë pleqërishte” dhe “Rënkimet e Nik Petës dhe të Pal Golemit”. Këtij koleksioni këngësh, Gavrili i Ri i shtoi dhe ato të mbledhura nga Andrea Dara, që si thekson ishin po të njejtat këngë, që i përkisnin epopesë që tregonte Bala, ndonëse mungonin pjesë lidhëse mes tyre. I bindur për këtë fakt, Andrea ishte impenjuar në kërkim të pjesëve munguese, por pa rezultate.
Në gjurmët e gjyshit dhe të atit, Gavrili i Ri takoi shumë të moshuar arbëreshë, të cilëve iu kërkoi t’i tregonin këngë të vjetra. Në Palazzo Adriano, Gavrili i Ri takoi një arbëreshe, zonjën e madhe fisnike Maria Ribera, e cila i tregoi këngën e zogut, që ia kishte mësuar gjyshja Maria Sulioti, që pasi e këndonte i kish thënë se “Bala nuk thuri vetëm këngën e zogut (augelletto), por dhe shumë të tjera, që tregonin për Skenderbeun kur u kthye në atdhe, tregonin për betejat e shumta, deri në betejën e fundit në Dibër”. [Gabriele Dara Junior.1906, p. 37].
Duke iu referuar rrëfimeve të Maria Ribera, Gavrili i Ri e quajti “Kënga e fundit e Balës”, pra i dha një titull që shpreh kultin dhe respektin e traditës gojore arbëreshe të rrëfimit të këngëve të Balës. Gavrili i Ri i dedikoi vehtes vetëm meritat e përkthimit në italisht të Këngës së Balës, madje e përktheu fjalë për fjalë në dialektin siçilian dhe e sistemoi në dorëshkrim me dialektin arbëresh, për të cilën Ai thotë, “Kjo është gjuha që flitej në Albania në kohën e Skenderbeut, e ruajtur nga ne prej katërqint vitesh”. [Gabriele Dara Junior.1906, p. 59r].
Studiuesi Giuseppe Schirò Junior, duke iu referuar tekstit të këngës që mblodhi Dara i Ri thekson: “Gjuha te Kënga e fundit e Balës, pra te kënga e zogut, sigurisht është më e pastra, me tingëlluese, më e thjeshtë, duke pas parasyshë vjetërsinë e saj, madje është e lexueshme lehtësisht në dialektin tosk të shqipes”. [Giuseppe Schirò Junior. Storia della litteratura albanese, Nuova Accademia Editrice, 1959, f. 53 – 63].
Me titullin Kenga e zogut, Dara i ri është u mbështet në legjendat popullore, ku zogu është simbol i lirisë, ashtu si është dhe lajmëtari që përcjell mesazhe, andaj Mara robinë e Ballabanit, i kërkoi zogut të shkontë e të njoftonte të dashurin e saj Nikun, që të vinte ta shpëtonte:
Shko edhe te trimi im,
Te ai trimi im i bukur,
T`i rrëfesh helmet e mia,
Mallin tim-o të pasosur….
Niku me trimat e tij rendi në ndihmë të Marës dhe e arrijti Ballabnin me njerëzit e tij në një qafë mali dhe në këtë çast zogu filloi të këndoi dhe kënga e tij jehoi nëpër tërë luginën duke e njoftuar Marën se arrijti trimi i saj. Ballaban Badera i ndodhur përballë Nikut me shpatë në dorë, i urdhëroi ushtarët ta vrisnin Marën. Kur njeri prej turqëve ngriti shpatën të vriste Marës, zogu këndoi një këngë sa malet u drodhën dhe mbi çdo shkrep dolën trimat e Nikut. Mara si një drenushë zbriti nga kali, rendi si zanë mali dhe u ngjit mbi një shkëmb me thikën në dorë.
Mbi një shkëmb kërceu
Dhe që andejza thikën hequr,
Thikëzën e gjirit-o
E kanosur iu kthye,
Hundëhapur, syshkreptimë,
Buzëfryrë, faqendezur,
Me gershetat shprishur-o,
Me fustanin marrë erës,
E me thikëzën në grusht.
Trimat e Nikut sulmuan turqit, ndërsa vetë u ndesh me Ballabanin, i cili i ndodhur përballë forcës të Nikut, u tërhoq nga dyluftimi dhe iku i tmerruar bashkë me ushtarët e tij. Me këtë skenë dyluftimi, ndofta Gavrili i Ri evokon dyluftimin e kapedanit Pal Manesi me Ballaban Pashën në betejën e Vajkalit, ku Ballabani u largua,
sepse nuk e përballoi sulmin e fuqishëm të Palit.
Në përfundim të luftimeve dhe fitoren e arbërorëve, Mara si flutur zbriti nga shkëmbi, me sytë e përlotur e plot gëzim, si një re e ndriçuar në qiell, përqafoi Nikun e saj të dashur. Në dorëshkrimin origjinal janë fshirë vargjet e fundit, pra mungon pjesa finale e kësaj kënge të bukur.
PJESA E KATËRT.
Kënga e parë – në dorëshkrimin origjinal: Il giorno di Valcalle – Dita e Valkalit – intermexo lirike.
Në këtë këngë, më e shkurtëra e poemës, Gavrili i Ri tregon për betejën e Valkalit. Në vargjet e para tregon se Nik Peta ishte nga fshati Gjon, ku nata rënkonte maje kullave të Petës dhe mengjezi lindi pa diell dhe i kuq si gjaku, çka shpreh situatën e krijuar pas betejës së ashpër në Valkal, ku arbërorët dolën fitimtar mbi hordhitë turke, por aty humbën dhe shtatë kapedanët, që tradhëtisht u kapën nga asqerët e Ballabanit, i cili i dërgoi në Stamboll, ku me urdhër të Sulltanit u dënuan me vdekje mizore, duke i rjepur të gjallë nga xhelatët e sulltanit.
Gjoni natën seç rënkoi,
Maje kullavet të Petës,
E të gjith` bishat e malit,
Për së largu iu përgjegjën.
Lindi dielli pa një rreze,
Shum` i kuq, ngjyer në gjak,
Në një qiell porsi hi.
Betejën e Valkalit Gavrili i Ri e përshkruan si një ditë në atmosferë të zymtë, nuk tregon ngjarje dhe luftime, por nëpërmjet të natyrës evokon tragjedinë të shprehur me figura allegorike si hutini që rënkonte në çatinë e shtëpisë, me kumërinë që lëngonte në pyll, me zë të hollë si këmborë e argjendët, që tringëllon mbi çardhak.
Kënga e dytë – Kënga e Beratit.
Në dorëshkrimin origjinal kjo këngë fillon me vargjet: “se Prat, se Prat, këndon Mara që me natë”; ndërsa në varjantin shqip dhe në studimin e Giuseppe Schirò Junior, shkruhet Berat, pra është këngë dedikuar betejës ne kështjellën e Beratit në vitin 1455, ku ushtria e arbërorëve nuk arrijti të mposhti ushtrinë turke, që shkaktoi mbi 5000 të vrarë ndër arbërorët dhe repartet katalane dhe napolitane. Pasojat e kësaj beteje, përshkruhen nga Bala me dhimbje të thellë, ku qielli dhe retë, uji dhe toka, gurët dhe sokakët ishin ngjyer me gjakun e të rënëve.
Në këtë betejë u kap rob dhe u vra nga turqit konti Muzak Topia, komandanti i arbërorëve dhe bashkëshorti i Mamica Kastriotit, motrës të Gjergj Kastriotit. Këtë ngjarje tragjike, Bala e përshkruan në vajin e Mamicës:
Zonj`Mamica atë natë
Pa një ënderr të keq të gjatë,
Se iu duk i shoqi i verdhë,
Me gjith` kurmin copëtuar
……………………………….
Hoq unazën e martesës
E ia ndau me dy pjesë,
Një e mbajti , një ia dha.
Natë e ditë ajo vajtoi,
Por nga varri dot s`e çoi.”
Pas këtyre vargjeve, Gavrili i Ri bën një kapërcim ngjarjesh, ndërpret tregimin për dramën e Beratit dhe duke bërë analogji me pasojat e rënda në Berat, fillon të rrëfejë për betejën e Vajkalit.
Ashtu si në këngët e tjera, i tregon ngjarjet e Vajkalit, duke filluar me një ëndërr ndjellakeqe të Marës, ëndërr që ia tregon zonjës Lena, nënës të Nik Petës:
Ashtu Mara më këndoi,
Nuk këndoi, por rënkoi;
Që nga oda e dëgjoi
Zonja Lena e më qortoi:
E përzishme, zonja nuse,
T`u çel kënga që me natë;
Mos ndonjë ëndërr të keqe
A të vdekur ti ke parë?
Pas kësaj bisede, Mara dhe Lena u ngjitën në kodër, për të pritur Nik Petën të kthehej nga luftimet. Në këtë
kohë arrijti një pelegrin që kthehej nga Vjakali, i cili me lotë në sy tregoi se i njihte të gjithë, të gjallët Gjergj Kastriotin dhe Lek Dukagjini, që luftuan heroikisht dhe heroizmin e të vrarëve. E me ankth dhe me zemër të ngrirë, Mara dhe Lena e pyetën në se ndër të rënët a ishte dhe Niku i tyre, por ai nuk u përgjigj saktë, por nga fjalët plot dhimbje la të nënkuptohej se mes tyre ishte dhe Nik Peta.
Në vazhdim Gavrili i Ri e ndërpret tregimin dhe kalon në rrëfimin e Balës, i cili ashtu si në prologun e kësaj poeme epiko – lirike, fillon te tregoi për fatin e Nik Petës dhe të Pal Golemit dhe të përshkruaj shtegun nëpër Valkal pas betejës, që ishte mbushur me të vrarë, me korba dhe huta, me qentë me turinjtë të lyer me gjak …..
Afër vaut në Vajkal,
Ku u ndez e ashpër lufta,
Ishin t`vdekurit mal – mal ……
Duke kërkuar në fushën e betejës, Bala gjeti Pal Golemin të plagosur rëndë, i cili duke rënkuar i tha: “Lermë të flë në shtratin e nderit tim dhe pasi i dorëzoi flamurin i kërkoi t’i thotë mbretit: Pal Golemi dhe i vdekur i tmerroi armiqtë me sy dhe t’iu thuash shokëve se Pal Golemi nuk ka vdekur dhe tashti ti Balë, mburojën dhe parzmoren time vari në atë lis e shkreptimat e tyre të tmerrojnë armiqtë … Pali vdiq në krahët e Balës, të cilin e varrosi në anë të një lëndine. Kur po kontrollonte më tej, pa që po sillnin një të plagosur, ishte skifteri Nik Peta në gjëndje të rëndë, i cili iu drejtua Balës t’i transmetonte Marës amanetet: “Nuses time, të bukurës së Lalës t’i falesh e t’i dorëzosh këtë unazë e ti thuash se Niku yt u martua me një plakë të zezë dhe ti e bukura Mara tani me një tjetër martohu”. Sa mbaroi këto fjalë, zëri iu shua dhe si nje lule e fishkur iku në amshim. Ndërkohë që Bala po varroste Nik Petën, arrijti duke rendur Mara flokëprishur, me sy në ujvarë lotësh dhe sapo e pa Nikun pa jetë, ra mbi të dhe e përqafoi. Bala me dhimbje e duke iu dridhur zemra tregon: e prekëm vashën e nuk lëvizi, i folëm e nuk u përgjigj, e ngritëm, por e ftohtë si bora ra pa jetë.
Këtë rrëfim të gjatë me dhimbje drithëruese, Bala e përfundon me një epilog elegjik emocionues:
Jan`dy varre ne Vajkal;
Fle te njeri Pal Golemi
E mbi të mbiu një lis,
Me gjith` gjethet në blerim.
Fle te tjetri Niku i Petës,
Vasha e Lalës i fle pranë,
Se, si u deshën përmbi dhe;
Ashtu duhen dhe nën dhe;
Atje mbiu një qiparis,
Mbiu dhe një mollë e bardhë!
Kur të thahet qiparisi,
Do thahet edhe molla e bardhë!
Mori bijë, bijë e Lalës,
Moj e bukur, e trishtuar,
Pse m`kujtove mot`n e shkuar?
Në mbyllje të këtij shkrimi po citoj konkluzionin e studiuesit Prof Giuseppe Schirò Junior, i cili shkruan: Bala është autori i shkëlqyer i kësaj poezie heroike, është këngëtari i ngjarjeve të epokës së madhe të Skenderbeut, është poeti i parë arbëror i diasporës, i pari ndër kolonitë arbërore në Itali dhe i letërsisë shëiptare. Schirò Junior thekson se personaliteti historik i plakut Bala nuk mund të vihet në dyshim, as nuk mund t’i hiqet përkatësia e këngëve të tij, me vlera dhe aktuale për historitë që tregonte si kujtime personale.