20/05/2024

Kemi hyrë në një vit të ri me standarde minimale dhe pa asnjë ide e ideal të madh!

0

Nga Ndue Ukaj

Kemi hyrë në një vit të ri me standarde minimale dhe pa asnjë ide e ideal të madh.

Sepse, mideja jonë me gjasë është helmuar dhe është tkurrë aq shumë sa nuk ka vend në të për ide e as për ideale të mëdha.

Dhe kjo është arsyeja e kësaj boshësie të frikshme nëpër të cilën po ecim; një boshësi që ka sjellë një gjendje të rëndë apatie, mjegull mendore dhe identitare dhe sot ngjajmë në një shoqëri të trullosur dhe të humbur në mjegull, pa ide e pa vizione kah do të shkojë.

Dhe më e keqja e krejt kësaj është se boshësia e ka goditë tërë organizmin shoqëror duke u ulë kambëkryq në politikë, arsim, kulturë, media…kudo!

Dhe sot jemi të tharë e pa ideale. Janë tharë idealet e lartësimit, ato estetike janë minimale, shpresat për përparim janë tkurrë dhe përditë përtypim debate shterpe sa për të mbajtë gjallë midenë tonë të helmuar dhe të zvogëluar për ideale të larta.

Dhe kjo është krye fatkeqësia e vendit tonë.

Dhe në këtë gjendje pakkujt i shkon mendja të kërkojë vërtet ku janë rrënjët e kësaj krize.

Thjesht, ne kemi fituar liri fizike, jemi çliruar nga ideologjitë e mbrapshta, por nuk e kemi fituar lirinë shpirtërore, prandaj mllefi, arroganca, verbëria, klanet primitive, kanë vërshuar dhe ngulfatë secilën fushë të jetës.

Dhe fajet për gjithë këtë degdisje nuk janë vetëm te “ata” siç na pëlqen të themi, jemi të gjithë ne fajtorë të mëdhenj, të gjithë pa përjashtim, sidomos ata qaramanët nëpër institucione të dijes që gjuajnë gurë e dru andej e këndej dhe nuk shohin mjerimin ku janë katandisë vetë, janë pseudo debatet televizive që promovojnë angarinë dhe arrogancën, janë lavdet për kulturën e ikonave të rreme, liket sa për t’u dukur, pastaj shkollat që mbysin kreativitetin me libra të shkruar zi e më zi, janë shfaqjet e turpit nëpër të ashtuquajtura spektakle televizive.

Dhe lista me siguri është e gjatë.

Thjesht, shoqëria jonë lëngon dhe për këtë duhet kura e vërtetë.

E historia njerëzore mëson – dhe ajo tregon me saktësi  – se deri me sot asnjë shoqëri nuk është ndërtuar në boshësi, por me ide të menduara mirë, solidare, të studiuara gjatë dhe të shëndosha.

Dhe me siguri, duke u besuar tek e mira dhe jo tek e keqja.

A ka shoqëria jonë një ide a një ideal sublim?

Idealet që kishim dikur, kur të rraskapitur nga jeta, rriheshim, burgoseshim e vriteshim, sot nuk bëjnë punë. Janë pjesë e asaj që quhet histori.

Sot na duhet një ide e ideal tjetër, që të zhvillohemi dhe të përparojmë si krejt vendet perëndimore. Dhe në funksion të këtij ideali, nuk mjaftojnë kukurisjet, shfajësimet, ankimet, por thjesht, duhet dije dhe dashuri vepruese për vendin dhe të mirën e përbashkët. Duhet respekt për njeriun. Ky ideal te ne nuk ekziston. Është amputuar.

Pra, duker qartë: ne kemi hyrë në një vit të ri me standarde minimale dhe pa asnjë ide e ideal të madh.

Thjesht, argëtohemi duke sharë njëri-tjetrin, duke gjetë përherë fajtorin për të keqen tonë diku tjetër, duke u treguar azganë primitivë më botën e lirë që na ka dhënë gjithçka dhe duke e grithë secilin që nuk na pëlqen.

Ky është pisllëku ku jetojmë e ushqehemi, ku rritemi e edukojmë breznitë e reja, ky është mjedisi etik e estetik në të cilën gjallon shoqëria jonë.

Sa e sa debate bëjmë për klimën, ajrin e ndotur, smogun dhe sa pak na shkon mendja te idetë, te forca e tyre për ta ruajtë një shoqëri ose për ta shkatërruar.

Shoqëria jonë është zhytë në mjerim të thellë dhe këtë e vëren përditë, kudo: në arrogancën e madhe që manifestohet në trafik, ku shpesh ka pasoja fatale, në vrasjet makabre të grave që janë bërë dukuri e frikshme në familjet tona, në arkitekturën e shëmtuar që ka ngulfatë bukuritë e vendit tonë.

Me këto standarde primitive – minimale dhe banale – ne veç sa do ta rëndojmë jetën tonë, kurse ëndrrat për mirëqenie, paqe të brendshme, paqe shpirtërore dhe përparim do të largohet përditë e më shumë prej nesh dhe në vitin tjetër, numri i shqiptarëve që do të duan të ikin nga atdheu i tyre do të jetë edhe më i madh se i vitit paraprak.

7 janar 2022

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok