18/04/2024

Diçka mbi krishtlindjen ortodokse në Kosovë

0

Nga Prof. Blerim Latifi:

Ndonëse është në kalendarin e festave të cilat respektohen nga shteti, krishtlindja ortodokse tek shqiptarët në Kosovë nuk trajtohet fare si e tillë. Përkundrazi, ajo u shërben atyre kryesisht për t’i rikthyer kujtimet e hidhura nga e kaluara.

Kisha Ortodokse Serbe historikisht ka mbajtur një qëndrim armiqësor ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ajo kurrë nuk ka hezituar që t’i frymëzojë dhe mbështes projektet e njëpasnjëshme të nacionalizmit shtetëror serb për deshqiptarizimin e Kosovës.

Për më tepër, ajo ka marrë pjesë aktivisht në këto projekte. Një nga kontributet e saj të rëndësishme në këto projekte është zhdukja e shqiptarëve ortodoksë të Kosovës.

Kur shkrimtarja dhe antropologia angleze Edith Durham në vitin 1909 e vizitoi Manastirin e Deviçit në Drenicë, ajo zbuloi diçka të papritur për të: arkimandriti (kreu) i manastirit ishte shqiptar. Me babë e nanë, siç i thonë fjalës. Ai e fliste për bukuri shqipen, ndërsa shërbimet fetare në manastir i kryente në gjuhën serbe. Kjo dëshmi, mes shumë të tjerave, na e shpërfaq faktin se deri në pushtimin e Kosovës nga Serbia në vitin 1912, në Kosovë kishte një bashkësi të shqiptarëve ortodoksë. Pas këtij viti, si pasojë e politikës së asimilimit të dhunshëm, kjo bashkësi zhduket brenda një kohe të shkurtër. Sot, siç thuhet nga një e dhënë e pakonfirmuar, në krejt Kosovën nuk ka më shumë se dyzet shqiptarë ortodoksë. Mbase edhe kjo shifër është e ekzagjeruar.

Pse shqiptarët ortodoksë të Kosovës nuk arritën t’i bëjnë ballë asimilimit në serbë?

Natyrisht asimilimi me dhunë është një pjesë e shkakut. Pjesa tjetër është se Rilindja Kombëtare Shqiptare nuk ia kishte dalë të depërtonte në vetëdijen e tyre. Ishte pikërisht kjo Rilindje e cila i kishte shpëtuar nga greqizimi shqiptarët ortodoksë në Shqipërinë jugore.

Por derisa shqiptarët ortodoksë shteti serb me dhunë i asimilonte në serbë, me shqiptarët muslimanë ndiqte një strategji tjetër asimilimi: turqizimin.

Me 1919 vetë Krajl Aleksandri e hapi Medresenë e Madhe të Shkupit për të nxjerrë kuadro që do t’i shërbenin politikës së turqizimit të shqiptarëve, ndërsa kryeministri i tij, dinaku Nikolla Pashiq, e nxiti krijimin e partisë politike islamike “Xhemijeti”, e cila do të afirmonte të drejtat fetare të shqiptarëve në Jugosllavinë monarkiste, por jo edhe të drejtat kombëtare të tyre. Në regjimin e krajlit kishe të drejtë të ishe musliman, por jo edhe shqiptar.

Në atë kohë tragjike, idetë kombëtariste shqiptare mezi gjallnonin në Kosovë. Streha e tyre e vetme ishin kleri katolik i Kosovës dhe kaçakët e maleve, të cilët ishin politizuar nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me seli në Shkodër. Do të duhej të vinte viti 1941 që këto ide të mund të përhapeshin masivisht në popullatën shqiptare të Kosovës. Dhe kjo falë një rastësie fatlume, e cila kishte ardhur papritur nga trazira e madhe e Luftës së Dytë Botërore që e kishte mbërthyer botën.

__________

Nga viti 1991 ndiqej këmba këmbës nga policia serbe. E kishin dënuar me 20 vite burg në mungesë. Ku e zinte nata, nuk e zbardhte dita. As pritat nuk e kapnin dot. Dhe kur vinte ora e ndërrimit të moteve, kthehej në vatrën atërore për t’ua uruar vitin e ri të gjithëve. Me një gotë, siç e do zakoni i lashtë i këtij vendi. Sepse veç hasmi do që ne të mos gëzojmë e festojmë. Të mos kemi vit të ri. As shpresa të reja. Sepse ai kishte dalë në mal për shpresën që atdheu i tij një ditë të gëzonte e festonte i lirë. Dhe ashtu u bë. I papërsëritshmi në rrjedhë të shekujve: Adem Jashari.

__________

Në shoqnitë normale procedura e drejtësisë parasheh që të dëgjohen dhe të ballafaqohen rrëfimet e palëve në konflikt. Edhe rrëfimi i viktimës, edhe i agresorit. Drejtësia vjen në fund të dëgjimit, e jo në fillim të tij.

Ndërkaq, në shoqnitë e turmave digjitale kjo procedurë nuk merret paraysh.Turmat, që veprojnë nën efektin e ngutisë emocionale, nuk kanë durim për këtë procedurë. Ato thjesht e ndjekin mashtruesin e parë që e hasin dhe “drejtësinë” e kërkuar prej tij.

Mënyra se si e trajtuam dje rastin e këtij ushtarit të FSK-së na tregon se ne kemi rrëshqitur në moçalin e shoqnisë së turmave.

U çuen e ia bënë gjyqin djalit pa e dëgju njëherë rrëfimin e tij dhe pa u lënë kohë institucioneve të drejtësisë të bëjnë punën e tyre me rastin e tij. Kështu, dashje pa dashje, i shërbyen interesit të Beogradit për ta ndërtu një mit të ri të viktimizimit të serbëve në Kosovë.

Në kët’ vend Serbisë nuk i duhet të paguajë agjentë e lobistë të interesave të saj. I mjafton shfrytëzimi i budallallëkut tonë të bollshëm.

__________

Kompania e famshme zvicerane e prodhimit të orëve të shtrenjta, Franck Muller, paska nxjerrë në treg një model të ri të orës së dorës me portretin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Baba i shqiptarëve vazhdon me qenë yll në qiellin e heronjve të mëdhenj të njerëzimit, edhe pas më shumë se pesë shekujve të vdekjes së tij. Sepse jeta dhe vepra e tij janë të pashoqe në historinë e luftërave për liri, në historinë e qëndresës kundër tiranive.

__________

A u mblodh Këshilli i Sigurimit të OKB-së a jo për kët’ rastin në Shtërpcë? Sepse kështu është bërë zakon: kur sulmuesi është shqiptar, faji është kolektiv, pra edhe dënimi kërkohet të jetë kolektiv, ndërsa kur Serbia futë qindra paramilitarë të armatosur në veri, quhet protestë e ligjshme.Standarte të dyfishta! Standarte të pista!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok