KATËR TREGIMTHE
Blerim Rrecaj:
Kilikeri
Derisa merrej me pastrimin e shtëpisë, diçka u rrokullis me një zhurmë që prishi qetësinë, pasi tërhoqi fshesën e merimangave. Dhe nga pjesa e parketit ku ishte e rrinte ormani në korridor, doli ky topth i xhamtë, kjo sferë kristali, që tashti po e vërtit nëpër duar. Sikurse ta vërtiste botën. U mundua të kujtohej se si kishte hyrë kjo sferë rrumbullake aty, dhe diçka iu kujtua turbull, e nuk e lodhi mendjen më për të gjetur fijen që do ta shpinte deri te kujtimi që do ta shpjegonte këtë punë. Sidoqoftë, iu duk se edhe topthi i xhamtë ishte si glob dhe kishte brenda tij një pjesë të verdhë, që herë i dukej si diell, që siç thoshte gjëegjëza “me një lugë tlyn krejt botën e përlyn”, herë si gogëluq veze, që o do ngrente kryet e do dilte si zogth, o si topth akulloreje pas shpështjelljes së pëlhurës së bardhë. Për ca kohë u përhumb duke e vështruar, e u kthye me vështrim nga një lojë fëmijërore. Andej kah “loja me kilikerë”, siç quhej. Nuk shquhej për lojtar të mirë. Por kjo lojë i pëlqente. Luante ndonjëherë por edhe shikonte shokët kur luanin, diku në tokë, diku nëpër oborre. Sa ishte lojë e thjeshtë po aq ishte dhe e këndshme. Mund të luhej së paku me dy lojtarë, ose më shumë. Së pari hapej një vrimë në tokë. Kush arrinte i pari ta fuste kilikerin në vrimë fitonte të drejtën të gjuante i pari në drejtim të kiilikerit të kundërshtarit. Dhe ai i cili e qëllonte kilikerin me kiliker e fitonte atë. Ndonjëherë nga forca e goditjes ndonjëri prej topthave thërrmohej, i hiqej ndonjë copë, ose edhe thyhej përgjysmë. Më të pasionuarit e kësaj loje bëheshin edhe koleksionues të tyre, rrëfenin ngjarje e ndodhi garash, duelesh, humbjesh, fitoresh, mosmarrëveshjesh, e diç tjetër. U kthye aty ku ishte. Derisa shihte fëmijët e tij që kishin mosmarrëveshje për mjetet teknologjike, për telefon a kompjuter, mendoi se si do të mund t’i nxiste për t’u marrë me diç më atraktive që sadokudo do t’i largonte për një kohë nga lojërat e ekranet internetike. Dhe u hodh te koha e fëmijërisë së tij, te lojërat që e bënin ditën më të bukur, e më interesante. Vërtiste kilikerin në duar, pastaj e kapi me gishtin e madh e gishtin tregues, jo për të marrë në shenjë si dikur por duke formuar shenjën që ia kujtoi një skeç reklamues të një produkti ngyrëverdhë kripërash e erëzash, (ku figurë qendrore ishte portreti i një njeriu me rroba e kapelë kuzhinieri), përdorej mjaft në atë kohë, por që përdoret edhe sot. Ndërsa loja e lartpërmundur iu duk se më nuk luhet askund. Iu duk shenjë e mirë që ky kiliker i doli në udhën e kësaj dite, duke e nxitur të luante pak me fjalë.
Largim dhe kthim
U zgjua. Ishte mëngjes. Menjëherë i erdhën ca vargje nëpër mend. Disi e dinte se përse. I vërtiti ato. Kishin të bënin me largimin nga vendi, por vetëm për ca ditë. Pas pak ra alarmi që e kishte kurdisur në telefon. U ngrit nga shtrati. I duhej të bëhej gati. Do të nisej. Para dhjetë ditësh, si pa pritur e pa kujtuar, ishte drejtuar te një agjenci turistike dhe kishte marrë në duar një biletë aeroplani. Një biletë kthyese. Ishte hera e parë që udhëtonte me këtë mjet transporti. Kishte marrë dhe një dokument sigurimi. Dhe kjo ishte e tëra që i duhej, pas liberalizimit të vizave, edhe për qytetarët e vendit të tij. Dhe i duhej të priste. Dhe ja, që dita erdhi. Më pas do t’i duhej të ishte dy orë para nisjes në aeroportin “Adem Jashari”, drejt të cilit do ta shpenin me veturë familjarët e tij. Erdhën në aeroport në këtë stacion bashkimesh e ndarjesh. Kreu formalitetet, u ngjit shkallëve për të vazhduar me kryerjen e tyre dhe pastaj u drejtua kah porta që do të dilte me gjithë udhëtarët e tjerë që udhëtonin me atë aeroplan, shumë prej tyre si edhe ai vetë “fluturonin” për herë të parë. U ul në karrigen me numër 17 nga ana e djathtë, jo nga dritarja e aeroplanit, por i fundit nga ajo, pasi para dy në dy vende ishin ulur një çift bashkëshortësh diku rreth të tridhjetave që po ktheheshin në mërgim pas qëndrimit dyjavësh në atdhe. Bisedoi me ta gjatë gjithë rrugës, e kur e pyetën se si po i dukej udhëtimi i parë me aeroplan, u tha se i zakonshëm, po i dukej se po udhëtonte me një autobus me krah, veçse ky autobus ishte më i gjatë e më i madh se autobusi që ecte vetëm tokës. Çifti i pagoi një kafe që do ta pinte me nge. Pikërisht pas dy orësh, në orën një aeroplani do të prekte tokën e aeroportit të këtij shteti. Pastaj edhe këtu, pasi do të zbriste, do hipte në autobusin e dytë që erdhi për të marrë pjesën tjetër të udhëtarëve dhe do hynin në aeroport për të kryer formalitetet. Pasi mori pasaportën, e ndalën tre policë për ta kontrolluar, e pyetën se mos kishte ardhur për punë, pasi i kontrolluan çantën e madhe dhe një çantë të vogël që e mbante në krah. Pasi u tregoi se po vizitonte vëllaun, e liruan dhe u përshëndetën. Sa doli në pjesën e pritjes, e dëgjoi zërin e vëllaut, pastaj e pa, u takuan e u përqafuan, ia mësyejnë kah një stacion treni për të mbërritur te një parking i madh në të cilin qëndronte vetura. Hipën në të. La çantat, u përshëndet me familjen e vëllaut. Pasi pushoi e u çlodh mirë e mirë, dolën paksa për një shëti nëpër qytezën e qetë e të bukur, ku banonte vëllau i tij tash sa e sa vjet, i ranë kah qendra e qytezës pastaj pranë shtratit kah ky lumë i bukur e i pastër, e duke u kthyer kah një rrugë ku ishin ca hapësira e një pishinë e zbuluar, dolën te një hapësirë mjaft e gjerë dhe e gjelbëruar ku panë një perëndim të mrekullueshëm të diellit të kësaj dite. Dhe ditë pas dite kalon bukur e këndshëm, secili anëtarët e familjes së vëllaut nga një ditë i bënin ndonjë befasi. Rrugë, udhëtime, ndeja, shëtitje, dy javë fantastike që fluturuan shpejt, derisa vije dita për fluturimin drejt atdheut. Dhe merr rrugën kah aeroplani që lë tokën e fillon të ngjitet në këtë muzg të dieleje, pas pak nga dritarja e tij sheh krahun që e ka mbuluar nata dhe poshtë duken dritat e vendbanimeve.
Kujtimet
Ia nisi të shkruante diç, pasi që sa kishte përfunduar një shkrim. Dhe shkruajti vetëm ca tituj që i erdhën në mendje. I la në fletën e bardhë të ekranit të telefonit. Dhe sa u zgjua e përgatiti kafetë, të cilat tash lëshojnë avuj aromatik nga filxhanët të veshur me shenja që simbolizojnë dashurinë, hodhi rreshtat fillestarë për titullin e parë. Sikur t’i binte jetës së tij kryq e tërthor, rimendoi se ajo përbëhet prej kujtimeve. Derisa ne kujtohemi për to, lumi i pandalshëm i jetës sjell të tjera. Iu kujtua një shfletim i një albumi fotografik, të ndonjërit prej të afërmëve të tij, atëbotë në fëmijëri, si turbull po në fotot që pati parë e tash mundohej t’i shihte pa i parë e përfytyrueshëm, iu kujtuan ca buzëqeshje, diku dikush vetë, në shoqëri me dikë, me shokë e shoqe klase, me të afërm e familjarë në shtëpi, në oborr, në natyrë, në qytet, në fshat, diku brenda e diku jashtë, në ndonjë ndejë, festë, ceremoni. Pastaj e natyrshme që kujtimi sjell një tjetër kujtim. Para jo shumë kohësh derisa rrinte te vëllau në banesë të tij, në atdhe e shihnin ca fotografi, pa një në të cilën kishte dalë me nënën. Nëna më pranë derës së shtëpisë, merrej me punë shtëpie, a përgatitjen e një ceremonie, që iu duk se bëhej fjalë për fejesën e vëllaut të madh, e vetë ishte në mes të një mozaiku të shtruar ku vazhdonte oborri me bar e me pemë. Qau pa lot, më nuk ishte as nëna, as shtëpia, as oborri. E jo vetëm fotografitë sjellin kujtime. Ato i sjellin edhe gjëra të tjera, si mjete e vegla shtëpiake, biseda, kohë me diell, shi, erëra, vargje, rreshta, refrenë, e të tjera, e të tjera. Ndonjëherë një kujtim troket e pret t’i hapësh derën, e ndonjëherë një tufë kujtimesh të vijnë përnjëherësh, duke ta mbushur zemrën plot gëzim, dhembje, gjallëri. Këtë herë kaq për kujtimet.
Një qen ndjek një lejlek
Kishte dalë për një shëti bregut të këtij lumi të qetë, të pastër, mjaft të gjerë. Matanë anës tjetër të bregut të tij, pa një shteg tjetër ecjeje. Tri-katër herë i lehu një qen që shijonte këtë ditë të bukur, bashkë me shoqëruesen e tij. Pas një copë kohe ndërroi vend. Si më parë, ecte përkrah lumit, tash rrjedhës së tij. Anëve të tij shpendë të mëdhenj që fluturonin mbi drunjtë foleqëndisur, matanë një qukapik i zi godiste fuqishëm një dru e pamëshirë i zhveshte lëvorën, e një dhelpër që humbi sa hap e mbyll sytë, nën melodinë e cicërimave të trishtilëve e kushedi se çfarë bilbilash. Pastaj u ul në ulësen në mes lumit e rrugës së lugut të gjelbëruar, në të cilin, një qen ndiqte një lejlek, që niste fluturimin me krahët e tij të mëdhenj, si krahë aeroplani, sapo që qeni i afrohej. Më pas iu afrua shoqëruesit të tij, si për të marrë ndonjë këshillë, kur tashmë lejleku nuk i dha mundësi përndjekjeje, duke shkuar kushedi se ku, derisa dita vazhdonte të lëvizte bashkë me një larushi lëvizjesh.