23/12/2024

Kastriot Gjini, Migjeni i pentagramit shqiptar

0
Kastriot Gjini. Kompozitori i rinisë, 1949-1979

Nga Msc. Albert HABAZAJ

Fjalëz e bardhë në vend të qiririt të pafikur

Sa qenë gjallë prindërit e tij, teto Krisanthi e xha Shaqo, çdo vit, në 2 mars dhe 14 korrik Oti kujtojhej e nderohej me veprimtari të bukura letraro-kulturore dhe artistike në Tiranë, në Vlorë e në Tërbaç nga shoqëria e tij e lartë, intelektualë, muzikantë, poetë, gazetarë, përkthyes, patjetër edhe nga Shoqata Atdhetare-Kulturore “Tërbaçi” e atyre viteve, botoheshin shkrime të shumta, takime mbresëlënëse etj. Oti ishte i pranishëm ndër ne sikur të ishte vërtet i gjallë, sepse ishin ata Dy Uratat e Amanetit. Pasi ikën Të Urtët, është motra e vetme, Luli që e kujton, është vëllai Taku, që s’e harron… Është dhe kjo fjalëz e bardhë, në vend të qiririt të ndezur për Otin që buron natyrshëm si një përshpirtje e gjithëhershme.

Gazetar dhe kompozitor magjik

Kastriot Gjini (Tiranë, 14.07.1949 – Romë, 02.03.1979) është kompozitor i njohur shqiptar; po ashtu ai ka dhënë një ndihmesë të dukshme në fushën e gazetarisë dhe letërsisë, që vetëm fizikisht u fik pa mbushur 30 vjeç.

E filloi shkollën në Gjirokastër, të mesmen e kreu në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, Tiranë dhe të lartën në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, dega Anglisht në Tiranë. Në vitin 1971 emërohet gazetar dhe komentator politik në Radio Tirana (Sektori i Jashtëm). Shumë shpejt e afirmoi veten si një intelektual me diapazon të gjerë e njohuri të thella në shumë fusha ku u shqua si: gazetar, publicist, përkthyes, poet, muzikant, kompozitor, madje edhe si këngëtar, por mbi të gjitha si një njeri i mrekullueshëm me veti të larta morale e virtyte të përsorura qytetare. Oti qe zotërues i 5 gjuhëve të huaja (anglisht, italisht, rusisht, spanjisht dhe frëngjisht) dhe në më pak se 8 vjet ka shkruar mbi 9000 artikuj, shkrime, pamflete e fejtone, 11 radiodramatizime kushtuar heronjve e dëshmorëve të luftës dhe të punës, 4 pjesë teatrale, disa tregime etj.

Pasioni për muzikën i kishte lindur që fëmijë… 4 vjeç mësoi t’i binte fizarmonikës, 5 vjeç merr pjesë si instrumentist dhe recitues në Estradën e Gjirokastrës, 11 vjeç kompozon këngën e parë “Fyelli i bariut” dhe fiton Çmimin e Parë në Festivalin e Parë Kombëtar të Pionierëve në Tiranë. Është autor i 75 këngëve për fëmijë e të rritur, i 11 pjesëve orkestrale, i muzikës së 3 dramave, vënë në skenë nga Teatri Kombëtar, i muzikës së disa radiodramatizimeve të shkruara nga vetë Oti, i muzikës së 2 operetave për fëmijë; po ashtu, së bashku me Josif Mingën – kompozitorë të filmit “Korierët”, që në arkivin e Kinostudios është regjistruar si filmi i parë televiziv shqiptar, prodhim original i RTSH shfaqur për herë të parë më 10 korrik  1976 me skenar të Anastas Kondos, operator Pali Kuke e regjisor Mevlan Shanaj dhe aktorë Esat Teliti e Niko Kanxheri, që përbënin gjashtëshen e talentuar të atij grupi “aventurierësh” të pasionuar me aq përkushtim. Nga viti 1968 ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Është vlerësuar me 12 çmime kombëtare dhe lokale. Pas vdekjes u dekorua me Urdhërin “Naim Frashëri i Klasit të Parë” me motivacionin: “Gazetar dhe kompozitor i talentuar”. Në Festivalin e 35 – të Kombëtar në Radio – Televizion Kastriot Gjinit iu dhurua “Disku i Artë” për këngën “Duart e tua”, e cilësuar si një nga 10 këngët më të mira të të gjitha viteve. Në vitin 1998 është realizuar dokumentari artistik “Kastriot Gjini – kompozitori që u shua në mars”, me ide, skenar dhe regji të Ilir Yzeirit; më 1999, është xhiruar filmi dokumentar televiziv “Mall”, kushtuar veprimtarisë së Otit si kompozitor, gazetar e publicist.

Imazh i portretit me dritë

Kastriot Gjini është i regjistruar në kujtesën e familjarëve, bashkëmoshatarëve, të afërmve, miqve dhe dashamirësve të shumtë si imazh i buzëqeshjes së freskët diellore ngjyer në mjaltin e mirësisë, në kujtesën e artistëve dhe rinisë shqiptare si Migjeni i pentagramit shqiptar. Ai, me plotë kuptimin e fjalës, sa jetoi u cilësua kompozitori i rinisë dhe i tillë do të jetë paharrimisht në përjetësinë e kujtimit tonë, sepse për më pak se 30 vjet shndriti si meteor i muzikës së lehtë shqiptare, si uragan i ndërprerë i këngës, një shpërthim i padëgjuar muzikor. Ai është Migjeni i pentagramit shqiptar, jo vetëm se të dy ikën shumë të rinj në moshë: shkodrani 27 vjeç, vlonjati 29, jo vetëm se u fikën në Itali, shkodrani në Torino, vlonjati në Romë, por se të dy kënduan: njëri me fjalë, tjetri me tingull ndjenjës njerëzore, atdheut, natyrës, fëmijëve. Migjeni këndoi me dhembje në fillim të shekullit XX, Kastrioti me optimizëm në fund të tij; të dy me vrull, zjarr, ëndrra e ideal. Oti lidhi një fejesë të pashpallur me një vajzë (Anën), por nuk arrit të gëzohej. Pesë muaj para se të martohej, atë mëngjes të fillimmarsit të zi të shtatëdhjetë e nëntës Oti na la, sepse në zemër të gadishullit Apenin e mbërtheu një atak, që u bë fatal për zemrën e tij, por shkëlqimin e tij e kemi ende të bukur, të ngrohtë, të pastër në sy, në mendje, në zemër. Ai kishte një botë të madhe njerëzore dhe artistike dhe e donte shumë këngën labe. Në tavolinën e punës Oti mbante fotografinë e grupit të madh të Tërbaçit, që tundi kalanë e Gjirokastrës  në Festivalin e Dytë Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, 1973 me këngën dhe vallen burrërore dhe krenohej me vendorigjinën e tij, me artistët popullorë tërbaçiotë, sepse grupi i Tërbaçit  u shpall Laureat i këtij festivali, i cili për popullin shqiptar është veprimtaria më e rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale. Ai sa adhuronte Dhimitër Varfin e Himarës, tepër epik, por që në zërin e tij ndihej kumbimi i valëve të detit, klidhma e pulëbardhave dhe shkrirja e borës në prill, aq vlerësonte zërin mahnitës të Demir Zykos së Skraparit apo zërin melodioz të Pikës së Dukatit

Për jetën dhe veprën e Otit ka shkruar babai i tij Shaqo Gjini në librin “Muçogjinajt”, 2003 si dhe në monografinë “Portrete me dritë”, 2005. Me kujtime për Kastriot Gjinin është botuar libri “Të jetosh gjatë një jetë të shkurtër” nga shtëpia botuese Albin, Tiranë, 2002 me 316 faqe, me redaktorë Fluturak Gërmenji dhe prof. Përparim Kabo, ku për seleksionimin dhe grumbullimin e materialeve ka dhënë ndihmesën e domosdoshme Shaqo Gjini, babai i kompozitorit. Po në vitin 2002, shtëpia botuese muzikore “Artes” ka botuar një album muzikor me krijimet e tij më të spikatura, përzgjedhur e redaktuar nga Robert Radoja me titullin “Album me këngë” në 66 faqe, ku përfshihen 27 këngë të zgjedhura, nga të cilat 26 janë kompozime të Otit, që përmbyllen me “Magjistari i këngës” – kushtuar Kastriot Gjnit me tekst të Arben Dukës dhe muzikë të Luan Zhegut.

Nga një kabinë, nga një kartolinë, nga një vajzë e bukur, nga dy sy, dy duar, një tren, një urë, plazh, siç shprehet Robert Radoja, Oti shikonte jetë, të cilën me magjinë e tij e kthente në vargje e melodi. Jeta e Otit ishte një pranverë e bukur, një ëndërr, një dashuri, sepse ai diti ta jetojë jetën edhe aq pak sa e pati fat, duke i shpërfillur denjësisht bukur shkulmet e furtunave të rrëmbyeshme të kohës.

Ç’tinguj të mrekullueshëm na jehojnë ëmbël nga këngët e tij në kujtesën tonë, tek po paraqesim këngët që Oti ka kompozuar: “Në ditëlindjen tënde” me tekst të Arben Dukës, “Kartolina” e “Duart e tua” me tekst të Agim Shehut, “Inicialet”, “Interesant” (“Përmes dritash”), “Nëpër ditët tona”, “Ofelia”, “Kabina numër 3” dhe “Vajza me uniformë të blertë” me tekst të Fluturak Gërmenjit, “Treni që s’ndalon” dhe “Dashuria është si loti” muzika dhe teksti Kastriot Gjini, “Udha e këngës sime” me tekst të Zhuljana Jorganxhiut, “A do vish sivjet në plazh?”, “Fqinja”, “Vera më e bukur”, “Shtegtimi”, “Kënga çapkëne”, “Fshati i ri”, “Erdhe, moj pranverë”, “Erdhëm nga larg” dhe “Zëri i nënave” me tekst të Shaban Muratit, “Syt’ e tu” me tekst të Llambro Rucit, “Ne, studentet” me tekst të Kristaq Dukës, “Dorë për dorë në valle” me tekst të Demir Gjergjit, “Dy yje në një çetë” me tekst të Agim Hilës dhe “Himni i jetës” me tekst të Fatos Arapit. Nuk duhet të harrojmë se janë shumë kompozime të vlerta të tij që nuk janë përfshirë në këtë album me këngë, si “Fyelli magjik”, “Këngë, çelik dhe dashuri”, “Nga llogorja s’luajmë kurrë”, “E bukur vjen moj pranverë”, “Këngë për Halim Xhelon”, “Vajza e valëve” etj.

Me firmën e tij është botuar libri “Fokus Politik: publicistikë” në Tiranë nga shtëpia botuese “albin”, 2002, në 242 faqe me redaktor publicistin, poetin dhe diplomatin Shaban Murati. Krijimtaria publistike e Kastriot Gjinit, e cila vjen në tre plane: me fejtone e pamflete, me komente dhe me shkrime të ndryshme e radiodramatizime, paraqet interes profesional dhe kulturor. Gazetari dhe publicisti Kastriot Gjini ishte punëtor i palodhur i mendimit dhe mjeshtër shembullor i fjalës së kalitur, që e meritonte emërtimin “luftëtar i hapësirave krijuese”. Në shkrimet e tij, Oti  përdorte dhe pseudonimin Pirro Pujo, sepse kur ai lindi e u hodh shorti, qenë dy emra: Kastriot dhe Pirro, u vendos emri Kastriot që mbajti, ndërsa Pujo ishte mbiemri i mamasë së tij, të bekuarës Krisanthi.

Si intelektual me kërkesa dhe interesa të larta ndaj vetes, u karakterizua nga fantazia dhe pasioni, që reflektonin në trurin e tij të ethshëm dhe kapërcenin herë pas here forcën shpërthyese të një gazetari të thjeshtë, duke dhënë një kontribut të madh në fushën e publicistikës, nëpërmjet shkrimeve e sidomos pamfleteve e fejtoneve, që shquheshin për humorin e hollë dhe struktura artistikisht të gjetura, që ai i kishte aq për zemër dhe botoheshin pothuajse çdo ditë në organet e shtypit si në gazetën “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Nëntori”, “Ylli”, “10 Korriku”, “Zëri i Popullit”, “Bashkimi” e shumë të tjera. Shkrimet e tij vlerësohen për mendimet e thella, për mjeshtërinë artistike, për gjerësinë e paraqitjes së realitetit etj.

Mozaik nga fëmijëria

Kastriot Gjini, (ne dhe shokët e tij i flisnim Oti, sikurse familjarët), lindi në Tiranë më 14 korrik 1949 nga prindërit Shaqo Gjini, oficer nga Tërbaçi i njohur i Vlorës dhe Krisanthi Pujo Gjini, mësuese nga Vithkuqi, e cila që rridhte nga një familje autoktone, e njohur për kulturë, bujari e fisnikëri. Më pas çiftit ëndrrabukur u lindën dhe dy fëmijë të tjerë, vajza e vetme Luljeta, që u martua me poetin e njohur ushtarak Fluturak Gërmenji (autor kryesor i teksteve të kompozitorit Kastriot Gjini), si dhe djali tjetër Spartak Gjini, inxhinier ndërtimi. Edhe Koloneli iku par 3 vjetësh, më vitin 2019 dhe la Lulin me dy djemtë: Dorianin dhe Besianin, që e kujtojnë me mall motre, dhembje e krenari. Taku, bashkë Lela Mullan dhe djalin Otjon (që do të thotë Oti Jonë), e vijojnë amanetin e prindërve për dritërimin e kujtimit të vëllait të madh.

…Fëmijëria e Otit nisi mbarë, sepse ishte gëzimi i parë. Të gjithë merreshin me të dhe nuk e linin të binte në shesh. Ai u rrit në çerdhe dhe në kopsht, ku i shkëlqenin nga pastërtia e shpirtit sytë e kaltër. Dallohej për bukuri, shëndet dhe urtësi dhe nuk dinte të qante, gjithnjë qeshte. Kishte një fytyrë engjëllore, pasqyrë e shpirtit të tij; ai “ishte fëmijë melaqè”, – siç thoshte i ati, xha Shaqua. Buzëqeshja e hapur, e çiltër dhe e lirshme e shoqëroi gjithë jetën Otin tonë. Ai u rrit me tregimet e gjyshit, babë Sinanit, atje në qafë të Elimit, në Horë të Tërbaçit, buzë Lumit të Vlorës, Shushicës, ose Lumit të Bardhë, si i thoshin dikur. Nga rrëfimet e Babos dhe të pleqve të urtë të mëhallës mori përfytyrimet rreth jetës në fshat, legjendat, fjalët e urta, proverbat, për historinë e të parëve, sakrificat e tyre dhe origjinën e largët të fisit, sepse edhe Tërbaçi ka qenë i krishterë… Nga e ëma mori ëndrrat e bukura romantike dhe bukurinë, nga i ati mori kurajon dhe qëndresën për ta marrë jetën në sy, për ta qëlluar në sy vetëtimën…

Që i vogël merrej me grumbullimin e pullave, duke u bërë një filatelist i pasionuar dhe shfaqi prirje për muzikë. Në kopsht, pa mbushur ende 3 vjeç, kishte mësuar disa këngë partizane, ndërsa “Violino tzigano = Violino cigano” e Carlo Butit i pëlqente shumë. Kur Oti po mbushte 4 vjeç, prindërit transferohen në Gjirokastër, sepse profesioni i të atit i tillë ishte. Për ditëlindje ata i dhurojnë një piano (organo) të vogël, prurë nga një mik ardhur nga Amerika, se të tilla këtu nuk kishte. Vogëlushi po magjepsej nga muzika. Në Gjirokastër, mjeshtri Leko Pano, i cili drejtonte rrethin e fizarmonikës në shtëpinë e pionierëve, që sapo ishte krijuar, i shtyrë nga kurioziteti për të njohur këtë fëmijë të pasionuar marrëzisht pas muzikës, e kërkon Otin, e takon, krijon miqësi me të, e thërret shpesh herë në shtëpi, i mëson elementët e solfezhit, si të mbante fizarmonikën, pozicionin e dorës, akordet, deshifrimin e figurës ritmike etj. Muzikanti i vogël, sapo kthehej në shtëpi, merrte një shkumës dhe i shkruante notat për të mos i harruar nëpër dyer, dysheme, tavolina e ku të mundte. Një ditë ndodhi një çudi, të paktën kështu iu duk familjarëve. Oti kishte marrë një gotë me ujë dhe e zbraste në një pjatë, duke e zbrazur e çokiste me lugë. Gota nxirrte tinguj dhe Oti qeshte me zë të lartë. E pyetën: “Pse qesh?”. “Këndon gota,- tha.- Këto janë notat që më mëson xha Lekua”. Dhe filloi t’i këndonte me zë. Edhe pse kishte prirje të rralla muzikore, sidomos në fizarmonikë, ai ishte vetëm 4 vjeç dhe nuk lejohej që të shkonte në provat e shtëpisë së pionierit, sepse qe shumë i vogël. Kur drejtori i Shtëpisë së Pionierit Gjirokastër, në atë kohë, prof. Jorgo Bulo, pa që Oti u mërzit shumë e derdhi lotë, tha: “Të bëhet një përjashtim, me kusht që ta sjellin e ta marrin fëmijët”. Dhe ashtu u bë. Oti fluturoi nga gëzimi. Këtu fillon dhe magjia e yjeve të lundrojë aq mjeshtërisht në fantazinë e shpirtit Otit, të ndjenjave dhe mendimeve të tij altruiste…

Shpresë dhe meteor i muzikës së lehtë

Kështu u rrit Oti, sa u lidh me më të shquarit e vendit, si Nikolla Zoraqi, Pjetër Gaci, Çesk Zadeja, Tonin Arapi, Robert Radoja, Ferdinand Deda, Aleksandër Lalo, Agim Prodani, Limoz Dizdari, Gjon Simoni,  Françesk Radi, pianisten virtuoze Lili Tafaj, poetët Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Llambro Ruci, Zhuljana Jorganxhi, Shaban Murati, (Lakun po e po), këngëtarët Sherif Merdani, Alida Hisku, Gjergj Suljoti, Novruz Yzeiri, Liljana Kondakçiu, Naim Kërçuku, Vladimir Muzha, Kozma  Dushi, Arta Babaramo, Hysni Zela, të madhin Mentor Xhemali, etj. Nuk po zgjatem shumë në udhën e tij nga muzika e lehtë drejt gjinive më të mëdha, se kanë shkruar të tjerë të fushës shumë qartë, saktë e bukur, por dua të përmend diçka të veçantë, që ne e duam emrin dhe veprën e Otit deri sa kemi frymën tonë.

Kushëriri i tij, prof. Bardhosh Gaçe kujton: “Në vitin 1976, në dy tre raste Kastrioti më thoshte se ishte duke përgatitur e grumbulluar të dhëna, se kishte dëshirë të krijonte një vepër simfonike për krahinën e Labërisë. Fillimisht e niste me këngën e Halim Xhelos. Ai kishte kompozuar edhe një këngë për Halimin. Gjithnjë me synimin për ta filluar veprën simfonike me këngën e Halimit. U interesua për tekstin dhe u gëzua kur mësoi që e kishte shkruar Petro Marko, me të cilin bëri një takim të gjatë…”

Studiues të shumtë e kanë vlerësuar dhe krahasuar me Lucio Battistin e Italisë kantautorin shqiptar Kastriot Gjini, sepse arriti shkallën më të lartë të fuqisë dhe mprehtësisë mendore, të aftësisë dhe talentit njerëzor në fushën e muzikës, saqë pa drojë mund të themi se Oti shkëlqeu si gjeni i muzikës shqiptare, i kaloi kufijtë e kohës dhe u bë pikë referimi për skenën muzikore shqiptare, sepse e kishte të shenjtë këngën. Ai të habiste me njohuritë që kishte për muzikën, të gozhdonte kur bisedoje me.

Kompozimet e tij ishin me motive nga jugu i Shqipërisë, motive këto që i njihte shumë mirë. Kastriot Gjini ishte një fenomen në muzikën Shqiptare. Një talent i lindur, muzika e tij ishte më së shumti e rrymës pop/ jazz në këndvështrimin e sotëm, por e bazuar fort në muzikën/ tonalitetet folklorike burimore shqiptare. Talentin e tij prej muzikanti, Gjini e tregoi që në moshën pesëvjeçare, ndërsa kompozimin e parë, një këngë për fëmijë (“Fyelli Magjik”), e ka bërë kur ishte vetëm 11 vjeç. Në moshën 18-vjeçare, Kastrioti kompozoi këngën “Kartolina” që bëri jehonë në vitin 1968. Me pas kompozoi këngët “Fqinja”, “Kabina numër 3”, “A do vish sivjet në plazh?”, “Mes dritash (Interesant)”, “Ne studentët”, “Shtegtimi”, të cilat i përkasin fondit të artë të muzikës së lehtë shqiptare. Kastrioti është pionier i folkut shqiptar të viteve 1970-1979, një kompozitor i papërsëritshëm, që mund ta përsëriste vetëm Katriot Gjini, siç shprehej legjenda e kitarës shqiptare Alfons Balliçi. Është e pamundur të mos njohësh tingujt e këngëve aq të dashura të interpretuara nga Sherif Merdani si “Fqinja” apo “A do vish sivjet në plazh?”, por pak mund të dinë se autor i tyre është kompozitori Kastriot Gjini, i cili vetëm në pak vite jete artistike, vetëm 9, la pas një krijimtari të pasur muzikore dhe u cilësua kompozitori i Festivalit të 11-të, festival i cili do të ishte shenja më e fortë që Gjini la në muzikën shqiptare, ngaqë edhe pse dha vlera lartësisht të bukura dhe të dobishme jo vetëm për edukimin artistik e qytetar të rinisë, nuk u vlerësua për prurjet cilësore nga juritë e çastit. Edhe pse kanë kaluar 43 vjet nga ikja e tij fizike, këngët e Otit janë po aq të pëlqyeshme e të bukura sa edhe atëhere kur ai i thuri me magjinë e shpirtit dhe rrëmbeu zemrat rinore si në ëndrra kaltërsiht princërore

Kastriot Gjini, në vitet ’60-’70, la një shenjë të posaçme, sepse ai u takua bashkë me këngëtarin e njohur me zë të mrekullueshëm Sherif Merdani dhe që të dy shënjuan atë kohë. Jo vetëm për kohën, nëse Anglia kishte Beatles, Shqipëria kishte Gjinin dhe të tjerë kompozitorë që bënë revolucionin muzikor, pa u trembur nga diktatura, se, siç shprehet Ilir Yzeiri: “Regjimi nuk ishte i tronditur as nga një shkrimtar, as nga një roman. U trondit nga kënga…Në moshën 5 vjeçare sëmuret nga një sëmundje banale në bajame, ajo i lë një infeksion të rëndë në zemër dhe vdiq në moshën 29 vjeçare, pra një kompozitor me këto përmasa krijoi nga mosha 20-29 vjeç dhe mos harrojmë që nuk kishte mbaruar muzikë”.

Iku i ri, për të ngelur përjetësisht i pranvertë tek ne, i bukur, i qeshur, i ëmbël, i dashur, i zoti, petrit furtune, standardi i rinisë së vërtetë shqiptarë, me të cilin mund të krenohemi, kur na duhet ndërkombëtarisht qasja krahasimtare e dinjitetshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok