07/10/2024

Nga Edison Ypi

I kam rënë Shqipërisë kryqetërthor disa herë. Një 20 vjeçar ose 20 vjeçare që të mos jetë në Fejsbuk meazallah se po e gjej.

Në Fushë Krujë një 20 vjeçare surrat nëpërkë krrusur mbi kompjuter, më tha se një moshataren e saj që nuk është në Fejsbuk mund ta gjej vetëm në planetin Mars.

Një djalosh Gramshk më tha; Nuk thua shyqyr që të gjitha 20 vjeçaret janë në Fejsbuk ku i zemë kollaj dashnore.

Një myzeqare bullafiqe më tha se në një vend ku të gjithë janë në Fejsbuk të kërkosh dikend që nuk është në Fejsbuk, është njësoj si të kërkosh një të vdekur. Shko gjeje në vorreza 20 vjeçaren që nuk është në Fejsbuk.

Ore ti s’qënke në vete, më tha një mallakastriot i moshuar kock e lëkurë. Ne në Fejsbuk jemi sepse Fejsbuku na nxjerr mallin e Kooperativës. Kalamajtë tanë futen në Fejsbuk pare se të futen në klasë të parë. Së shpejti do fusim në Fejsbuk gjith’ gjën’ e gjallë, bagëtinë, derrat, dhitë, lopët, kuajt, gomerët, pulat, gjelat, patat, rosat.

Te një Internet Kafe në Këlcyrë një djalë që kishte qënë ca kohë në burg për trafik hashashi dhe që shkonte rregullisht në Teqenë e Alipostivanit, mu betua “Për Hasan Dede’ ”  se nga Ura e Leklit deri në Çershovë mund të gjeja edhe italianë dhe grekë të vdekur në luftën italo-greke që janë në Fejsbuk, por asnjë 20 vjeçar të gjallë që të mos jetë.

Megjithatë nuk u ndala. Bëra edhe shumë përpjekje të tjera. S’lashë vend pa vajtur për të gjetur një 20 vjeçar që të mos jetë në Fejsbuk; Në Martanesh, në Pukë, në Kukës, në Dibër, në Mirditë, në Devoll, në Divjakë. Zero rezultat.

Derisa më thanë se atje ku më së paku e prisja, në Tiranë, ekziston Karola.

Karola është 20 vjeç.

Karola nuk është në Fejsbuk.

Karola është studente për Informatikë Ekonomike.

Karola nuk është kock e lëkurë si mallakastrioti, as bullafiqe si myzeqarja.

Karola është e bukur si drita, e menduar si Hëna, delikate si mjegulla.

Karola nuk ka asnjë problem me veten, nuk vuan nga asnjë krizë identitare.

Karola s’ka kohë të jetë në Fejsbuk.

Karola jo më pak se 6 orë në ditë rri mbi libra.

Karola mëson dhe nuk merret me Fejsbuk sepse mësimet janë të thella, interesante, të vlefshme, ndërsa Fejsbuku është i cekët, i kollajtë, aspak interesant, aspak i vlefshëm.

Karola kohën e lirë e përdor për të lexuar libra artistikë, poezi, romane, letërsi serioze.

Karola sa herë ndodhet para ndonjë sfide, për shembull para ndonjë provimi të vështirë, për tu mbushur me energji, gjithmonë i vërsulet një libri artistik.

Dy gjëra e frymëzojnë dhe e trimërojnë më tepër Karolën; Leximet prej të cilave mëson përvojat e suksesëshme të të mëdhenjve, dhe Fëmijëria brenda vegimeve të së cilës si brenda një sfere kristali sheh të gjithë jetën.

Thotë Karola;

Më pëlqejnë jetët e njerëzve të shquar, atyre që kanë bërë Historinë e botës; dijetarët, shkencëtarët, shkrimtarët, mbretërit, perandorët. Nuk marr shembull nga të shumtit e vegjël dhe të harruar, por nga të pakëtit e mëdhenj dhe të pavdekshëm. Më pëlqen veçanërisht jeta e Ajnshtainit. Ndoshta ngaqë është marrë më kohën, relativitetin e kohës, efikasitetin e të menduarit, ka tallur budallenjtë, ata që duke bërë gjithmonë të njëjtën gjë presin rezultate të ndryshme, domethënë sorollopët e fejsbukistave të sotëm. Po të ishte gjallë kushedi ç’mrekullira do dëgjonim prej Ajnshtaint për parajsën e budallallëkut, Fejsbukun. Ah sikur të ishin gjallë Homeri, Dante, Leonardo Da Vinci, Fan Noli, Lasgushi, t’i dëgjonim çfarë do thoshin si do talleshin me Fejsbukun. Shumë shpejt do lexoj krejt letërsinë klasike në gjuhët përkatëse, të gjitha tragjeditë e Shekspirit, do mësoj përmendësh 100 poezitë më të bukura që janë shkruar deri më sot në planetin tonë, do shoh të gjitha muzeumet e Firences, Londrës, Parisit, do udhëtoj në Azi, Afrikë, Amerikën latine, do udhëtoj më këmbë nëpër të gjitha katundet e Shqipërisë. Do ti bëj patjetër të gjitha këto dhe shumë e shumë të tjera.

Mos u ndal Karola. Bota nuk është e fejsbukistave që u merren mentë pasi shkruajnë një rrjesht e gjysëm. Bota është e sfidantëve, e iniciatorëve, e trimave, e të diturve, e inteligjentëve, e të papërtuarve. Bota është e jotja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok