22/12/2024

KARAXHIQIT – BURG I PËRJETSHËM

0
u1_Adil-Fetahu

Nga Adil FETAHU

Trupi gjykues i Mekanizmit  për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, mekanizëm ky që e vazhdon punën e Tribunalit të Hagës, pas shqyrtimit të ankesave të të akuzuarit Radovan Karaxhiq dhe atë të Prokurorit të atij Mekanizmi, sot mori vendim (aktgjykim të plotëfuqishëm), me të cilin e ndryshoi aktgjykimin e shkallës së parë, ashtu që kryetarit të parë të asaj kreaturës gjenocidale, të quajtur Republika Sërpska, Radovan Karaxhiqit, ia shqiptoi dënimin me burgim të përjetshëm, që është dënimi maksimal të cilin mund ta shqiptojë ajo gjykatë.

Për çka akuzohej

Atakuza e parë kundër Radovan Karaxhiqit është ngritur më 25 korrik 1995, ditën kur është vërtetuar gjenocidi serb në Srebrenicë mbi Myslimanët e Bosnjës. Në nëntor të 1995-es, në vigjilje të nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, prokori i Tribunalit të Hagës ngriti aktakuzë të përbashkët kundër Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit.  Radovan Karaxhiqi ishte kryetar i asaj kreaturës gjenocidale të ashtuquajtur Republika Sërpska, dhe njëherit ishte komandant suprem i ushtrisë së asaj kreature. Me insistimin dhe presionin e sekretarit të atëhershëm shtetëror të ShBA-ve, Riçard Holbruk, Karaxhiqi u detyrua të tërhiqej nga ajo pozitë dhe kishte ikur në Serbi, ishte mëshehur plot 12 vjet, kishte ndryshuar identitetin fizik e profesional dhe paraqitej si “doktor Dabiqi, specialist për mjekësi alternative” .

Nga presioni ndërkombëtar, Serbia u detyrua ta arrestojë Karaxhiqin, të cilin gjoja se e kapi në një automjet të trafikut urban, në Beograd më 21 korrik 2008, ndërsa Tribunalit në Hagë ia ekstradoi më 30 korrik. Me qenë se edhe Mlladiqi fshihej dhe nuk ishte në dispozion të Tribunalit, aktakuza kundër këtyre dy kriminelëve u nda veç e veç dhe u ndryshua e plotësua disa herë. Gjykimi kundër Karaxhiqit ka fillua në tetor të vitit 2009. Akuzohej për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës, shpërnguljen me dhunë të popullsive Myslimane e Kroate, granatimin shumëvjeçar të Sarajevës, marrjen peng të ushtarëve të forcave ndërkombëtare, e të tjera, përshkruar më hollësisht në 11 pikatë aktakuzës.

Duke mohuar përgjegjësin që i  ngarkonte akuza për masakrat (gjenocidin) në Srebreicë dhe për të gjitha krimet e tjera, Karaxhiqi vetëparaqitej para trupit gjykues si “mjek-pisikatër, shkrimtar, njeri i paqes, i cili në vend të dënimit meriton shpërblim për të gjitha të mirat që ka bërë”!

Përkundër pretendimeve të Karaxhiqit për pafajsi, prokuroi Alan Tiger theksonte se Karaxhiqi ishte “forca lëvizëse” e spastrimit etnik, me qëllim të krjimit të shteteve serbe etnikisht të pastra, të cialt do t’i bashkoheshin Serbisë e të krijonin Serbinë e Madhe; se krimet e bëra nuk ishin të drejtuara kundër individëve, veçse kundër pjesëtarëve të bashkësisë së padëshirueshme (Myslimanëve e Kroatëve, v.j.), ashtu që me dhunë të ndryshohet pamja demografike e Bosnje-Hercegovinës, dhe emri i vërtetë i atyre krimeve është – gjenocid, prandaj prokurori kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm.  Mirëpo, trupi gjykues nuk e pranoi as pretendimin e Karaxhiqit për ta liruar nga aktakuza, as pretencën e prokurorit për dënim me  burgim të përjetshëm, por në përfundim të gjykimit (më 24 mars 2016) e shpalli fajtor për gjenocid në Srebrenicës (1995), për përndjekjen dhe vrasjen e Boshnjakëve dhe të Kroatëve, për terrorizimin disavjeçar të Sarajevës me granatim dhe vrasjet me snajperë, për marrjen peng të ushtarëve të forcave ndërkombëtare që gjendeshin në BH, dhe për të gjitha këto i shqiptoi dënimin me 40 vjet burg. Me atë rast trupi gjykues e kishte lirua Karaxhiqin nga akuza për gjenocid në shtatë komuna tjera të Bosnje-Hercegovinës, për të cilat e ngarkonte aktakuza: Bratunac, Prijedor, Vllasenica, Zvornik, Sanski Most, Foça dhe Kluç. Gjenocidin ia vërtetoi vetëm për Srebrenicën. Përveç provave tjera, për vërtetimin e fajsisë ose pafajsisë së Karaxhiqit, Gjykata ka marrë në pyetje e dëgjuar 586 dëshmitarë.

Ankesa e Karaxhiqit dhe e Prokurorisë

Kundër aktgjykimit të shkallës së parë, janë ankuar edhe i gjykuari (R.K.) edhe Prokuroria. I gjykuari Karaxhiq, në ankesën e tij ka përsëritur ato që ka thënë në mbrojtjen e tij gjatë procesit gjyqësor në shkallën eparë: se nuk është fajtor për asnjë nga pikat e aktakuzës, duke shtuar “se dënimi me 40 vjet burg është i tmerrshëm, ngase edhe prej hëne shihet se është i pafajshëm dhe ka pritur aktgjykim lirues nga shkalla e parë, bile se i kishte paketuar valigjet e bërë gadi të shkojë në shtëpi. Një vendim të tillë, lirues, tash e pret prej trupit gjykues të shkallës së dytë, sipas ankesës së tij”,- ka thënë, ndër broçkulla të tjera ky kriminel, që gjatë kohës sa ishte fshehur, ishte shndërruar në monstrum të vërtetë, për të mos e njohur as më të afërmit e tij!

Prokuroria në ankesën e saj ka paraqitur mendime krejtësisht të kundërta me ato të Karaxhiqit. Prokurori Serzh Bramerc dhe ekipi itij, duke theksuar se Karaxhiqi është fajtor për gjenocid edhe në shtatë komuna tjera,  të kryer prej vitit 1992, përpos atij të Srebrenicës në vitin 1995, prandaj, sipas pretendimeve të prokurorisë, shkalla e parë ka gabuar kur e ka liruar për atë gjenocid e ato tortura, vrasje, deportime në baza politike e fetare, të cilat ishin kryer me qëllim gjenocidi dhe eliminimi të përhershëm të Myslimanëve dhe të Kroatëve nga ato territore. Karaxhiqi si kryetar dhe komandant sprem i forcave të armatosura të Republika Srpska është përgjegjës dhe për këto duhet të ndryshohet aktgjykimi dhe dënimi i shqiptuar prej 40 vjetë burgim,  e t’i shqiptohet dënimi me burgim të përjetshëm, kishte propozuar prokuria në ankesën e saj.

Vendimi (përfundimtar) i shkallës së dytë

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, që ka trashëguar kompetencat dhe punën e pa përfunduar të Tribunalit të Hagës, përmes trupit gjykues për të vendosur sipas ankesave të palëve, me aktgjykimin e vet, të forës së prerë, sot (20 mars 2019), vendosi ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë, ashtu që kriminelit Radovan Karaxhiq (73 vjeçar) ia shqiptoi dënimin me burg të përjetshëm, për gjenocidin e kryer në Srebrenicë, për krimet kundër njerëzimit dhe shkeljen e ligjeve dhe zakoneve të luftës. Kolegji i shkallës së dytë mori këtë vendim, duke pasur parasysh se krimet për të cilat ngarkohej Karaxhiqi, për 10 nga 11 pikat e aktakuzës, janë vërtetuar plotësisht në procesin gjyqësor, porse vendimi mbi lartësinë e dënimit nuk ka qenë adekuat me peshën e krimeve dhe të përgjegjësisë së Karaxhiqit, prandaj ia shqiptoi dënimin maksimal. Pika e 11, liruese, ka të bëjë me pretendimin e gjenocidit në 7 komunat tjera të Bosnje-Hercegovinës, për të cilën e kishte liruar edhe shkalla e parë, dhe këtë e aprovoi edhe shkalla e dytë.

Shikuar nga aspekti formalo-juridik, shkalla e dytë e ka miratua  ankesën e Prokurorisë, dhe atë vetëm në pjesën që ka të bëjë me lartësinë e dënimit, të cilën prokuroria e kërkonte, ndërsa në pjesën tjetër – për gjenocidin në shtatë komunat tjera, dhe ankesën e Karaxhiqit që të lirohet nga përgjegjësia, i ka refuzua si të pabaza.

Kolegji gjyqësor që mori këtë vendim përbëhej nga:

Ive Nelson de Kaires Batista Rosa, kryetar i kolegjit (gjyqtar nga Portugalia)

Viliem Sekule, gjyqtar nga Tanzania

Vang Joenson, gjyqtar nga Danimarka

Hoze Soales, gjyqtar nga Spanja dhe

Garsiela Santana, gjyqtar-e nga Uruguaji.

Reagimi i parë i Karaxhiqit, pas shqiptimit të dënimit, ishte se “ka besuar që shkalla e dytë do ta ndreqë padrejtësinë e gjykimit të shkallës së parë, por se kjo që iu shqiptua sot, nuk është kurrëfar drejtësie”!

Dhe unë them, vërtetë shkalla e dytë e ndreqi një padrejtësi, duke ia rritur dënimin deri në maksimumin e paraparë, që sadopak është njëfar satisfaksioni moral për viktimat dhe pasardhësit e viktimave të kriminelit Karaxhiq & co.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok