21/12/2024

Kapërcimi i rrethojës së pishinës

0
Blerim-Rrecaj-Tenis

Nga Blerim Rrecaj

Iu duk fëmijënore, një ngjarje që ndodhi, pak kohë përpara, e para katër-pesë javësh. Ende e freskët. Iu duk me elemente të këndshme. Dhe vendosi ta hidhte mendjen andej. E kujtoi ngadalë-ngadalë, pa nguti. Bëhet fjalë për një kapërcim rrethoje. E ka lloj-lloj rrethojash. Se si nis njëra prej këngëve: “Fryni era na u çel taraba”…

E këto rrethoja që përthekojnë oborre shtëpish, parcela plantacionesh, kufij arash, malesh, fushash rekreative e sportive, e hapësira institucionesh. Rrethojat kufitare ishin e mund të jenë mure pa gjë, a me shtojca mëlmesash, mure me tela me gjemba si therra iriqësh, a gjemba trëndafilash, mure me copëra xhamash që rrinin si kurorë kërcënuese, si tehe thikash e akujsh, rrethoja prej drurësh, prej thuprash, prej llamarinash, prej muresh të gjalla bimësie, prej pishave, sevlive a bagremëve, rrethoja prej shufrash metali, rrethoja me fije telash shtrirë horizontalisht me hapësirë një a dy pëllëmbshe mes tyre, me tela të shpeshtë a në formë katërkëndshe si copa ëmbëlisire të prerë kallëp-kallëp, rrethojë telshpeshtë, diku (s’)mund të depërtojnë fluturat a mushkonjat, rrethojë me tela elektrikë, në ndonjë park arinjsh, a në ndonjë kopsht zoologjik, e ndonjë e tillë në trualli biznesi me qenë besnikë roje, mbrenda, lidhur a lëshuar nga zingjirët, e rrethoja zonash ushtarake, të sigurisë, me ndonjë kullë vrojtuese, ku ndalohet afrimi e fotografimi, e rrethoja ku ta dijmë se çfarë të tjera.

Shumë rrethoja, kanë rënë e po bijnë, si shumë të tjera që vazhdojnë të ta kenë rolin e funksionin e tyre. Për shembull ra rrethoja që dikur rrinte në selinë e Unmikut në kryeqytet,  ra rrethoja para objektit të Qeverisë së Kosovës, ra rrethoja e Parkut të Prishtinës.

Sigurisht se shumicën e rrethojave nuk i ka kapërcyer, po u ndal para dy a tri sosh të cilat kishte marrë guximin e jashtë-zakonshëm për të dalë matanë tyre.

Dy prej tyre, vendosi të ndalet fare shkurtimisht e te e treta pak më gjerësisht. Qeshi, se e tha me humor këtë, e nuk bëhet fjalë për kurrfarë heroizmi, trimërie, po kjo ishte aq e thjeshtë sa s’ka ku të shkonte më tej. Pra mungesa e një një shufre metali në një oborr shkolle, i mundësoi të hynte brenda, por edhe për të dalë, andej kah hyri. Ose rasti tjetër ca tela të “shqyer” e bënë të shndrrohej në lepur, e të ecte këmbë e duar, për të depërtuar në një fushë sportive futbolli me bar artificial, pranë fillimit të një parku për të qëndruar për një copë kohë.

Dhe erdhi tek e treta e (pa)vërteta, ku do u duhej një mundim pakëz më i madh, për të kaluar ilegalisht matanë. Një ditë prej ditësh. Pasi dolën nga vetura që e lanë në parkingun përballë Pishinës së Gërmisë, vazhduan u ngjitën një rrëpire e dolën në rrugë, për të hedhur hapa trotuarit. Planifikuan të luanin tenis, një lojë e nisur kaherë, qysh nga fëmijëria, kur në modë dolën reketat prej plastike me top prej sfungjeri, që nuk kushtonin shumë, edhe pse ndonjëherë thyheshin, e të mbesin në duar si këmbët e arushës. (Lojërat e tjera më të popullarizuara luheshim me më shumë vetë, e shumë më tepër, si futbolli, basketbolli, aty-këtu, andej-këndej).

Luante, këtë “lojë të re”,  sidomos me vëllanë e vogël në oborr a në korridor të gjerë shtëpie, aty-këtu, kudo që gjenin një hapësirë të përshtatshme. Ndonjëherë me reketa origjinal e të njëmendta, të ndonjë fqinji, që kushedi ku i kishte blerë, a kushedi kush ia kishte sjellë, kishin luajtur ndonjë lojë të rrallë. Këtë sport e shihnin edhe në ekran, e herë-herë interesoheshin për ndonjë rezultat. Kësaj loje i ktheheshin herë pas here, e kishte dhe vite të tëra që e kishin harruar fare, e herë-herë, nga tenisi “i madh”, kalonin në “tenis të vogël”, në lojën e ping-pongut. Edhe këtë e loznin mbi lloj-lloj tavoline, duke tak-rrakur me topn që endnin nëpër to. Duke shpresuar se po luanin ping-pong mes vete, e jo me ndokë tjetër, e as me popull, siç më vonë dëgjuan se mund të luajnë institucionet.

U tërhiqnin vëmendjen larushia e sporteve të tilla relaksuese, herë-herë, bedgmingtoni, bilardo, pikado, që luheshin më rrallë e më me kursim, ad hoc e kur të dilnin në udhë pritë e pa pritë, të cilat avulloheshin sa çel e mbyll sytë.

Kur së fundmi u bënë ca fusha publike tenisi në dy parqe prishtinase, e provonin herë-herë lojën, për qejf, pas një kohe të gjatë, e edhe për ta provuar se a do u pëlqente si më parë e a kishin farë kondicioni, duke shijuar ndonjë çast të veçantë loje, qoftë ky çast i humbur a i fituar, me mjaft dramaticitet. Pastaj lodhjen e këndshme që shpërndahej nëpër trup e krahasonin me sportin e notit, për të cilin thuhet që si askush tjetër t’i vë tërë gjymtyrët në qarkullim.

Kaloi një kohë e tashmë së fundmi këto fusha tenisi në Tauk Bahçe e Gërmi, u morën në shfrytëzim nga Federata e Tenisit e Kosovës, dhe tashmë kishte një kohë gjatë ditës, në orët e caktuara, ku në to mund të luanin dhe qytetarët e interesuar. Derisa ishin duke ecur, panë kah dy fushat që gjendeshin brenda pishinës së rrethuar. Edhe pse u nisën të luanin në mjedisin me barë në lug, ku relaksoheshin ndonjëherë, mjaftoi një fjalë që tha njëri prej tyre, për kapërcim rrethoje. E kapërcyen disi, dikush më lehtë e dikush më vështirë, duke kritikuar veten se me energji e kondicion nuk i paskan edhe aq punët mirë. Por, janë gati edhe të  pranojnë ndonjë vërejtje, e të paguajnë ndonjë gjobë, po qe nevoja. Po dolën, në hapësirën e dy fushave, ku nuk ndodhej kush, filuan të lozin. Në fillim më lehtë e më butë, derisa të nxeheshin paksa, për të vazhduar më tej me një intensitet që do t’i djersinte. Dita ishte e ngrohtë. Vera sikur donte të tregonte forcën e saj para përendimit. Uleshin për të pushuar në dy karriket që ndodheshin jashtë vijave të fushës, për të nisur lojën përsëri, me reketa që mbanin emrin e tenistit të njohur zviceran Roger Federer. Dhe përsëri përpjekje, mundim, fitim i ndonjë pike në mënyrë kreative. Herë-herë ca flutura vinin e endeshin fushës për të dal e për të humbur andej nga fusha e mali gjelbërosh. Vije një çast dhe vendosën ta lënë lojën, duke dalur mbyllën derën e fushës, në të cilën rrinte njoftimi me vulën e Federatës së Tenisit të Kosovës. Ishin lodhur mjaft. Njëri kapërceu rrethojat me pak mundim, e tjetri zbriti, e mori një karrigë, në mesin e atyre karrikeve të grumbulluara pranë një banakut të vendosur mes pishinës e fushave të tenisit. Vazhduan rrugën, të relaksuar. Njëri nga ta me trikon e bardhë mëngëshkurtër me mbishkrimin: “Kosova shtet i xhudos”, ku te fjala shtet, shkronja “S” dukej edhe si numri 5, të cilin trajneri i mirënjohur Driton Kuka me pesë gishtërinjtë e një dore simbolizonte pesë medaljet e fituara që korrespondonin me pesë rrathët olimpik.

Kur kaluan edhe dy herë tjera pranë këtyre rrethojave, edhe pse më nuk e kishin më ndërmend t’i kapërcenin, panë që të dy fushat tashmë ishin të zëna nga lojtarët. Herën tjetër fushat ishin të lira, e mbi to endeshin cisterna resh që nga çasti në çast prisnin të zbrasnin sasi të mëdha uji…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok