KANUNI DHE SHTETI MODERN
Nga vetëqeverisja zakonore te rendi juridik shtetëror
Nga Gjon Marku
Historia e shtetit shqiptar nuk mund të kuptohet plotësisht pa studiuar format e organizimit shoqëror dhe juridik që ekzistonin përpara konsolidimit të shtetit modern. Në trevat malore të Shqipërisë së Epërme, ku autoriteti shtetëror për periudha të gjata ishte i dobët, i largët ose i ndërprerë, komunitetet krijuan dhe ruajtën mekanizma të brendshëm për organizimin e jetës shoqërore, ekonomike dhe juridike.
Një nga shprehjet më të rëndësishme të këtij sistemi është Kanuni i Lekë Dukagjinit, i mbledhur dhe i sistemuar nga At Shtjefën Gjeçovi dhe i botuar i plotë, pas vdekjes së tij, në Shkodër, më 1933.[1] Struktura e vetë Kanunit dëshmon shtrirjen e gjerë të normimit: ai përfshin Kishën, familjen, martesën, pronën, punën, të dhënat, fjalën e dhënë, nderin, dëmet, kundërvajtjet, pleqësinë, si dhe shlirimet e përjashtimet.[2]
Kjo shtrirje ngre një pyetje themelore: cili ishte raporti i Kanunit me shtetin? Përgjigjja nuk mund të jetë as identifikimi i Kanunit me shtetin, as mohimi i çdo funksioni të tij shtetformues. Kanuni nuk ishte shtet. Ai nuk kishte territor shtetëror në kuptimin modern, administratë qendrore, ushtri të përhershme, burokraci, sistem tatimor dhe monopol mbi përdorimin e forcës. Por ai krijonte diçka që i paraprin dhe, në disa aspekte, i ngjan funksionalisht rendit shtetëror: një sistem normash të detyrueshme, autoritete komunitare, mekanizma gjykimi, sanksione, rregulla pronësore e familjare dhe mënyra të organizimit të bashkësisë.
Prandaj raporti Kanun–shtet duhet studiuar si marrëdhënie ndërmjet dy formave historike të organizimit juridik e politik: rendit vetëqeverisës zakonor dhe shtetit modern.
Duhet theksuar gjithashtu se Kanuni nuk ishte kushtetutë e një shteti, dhe Lekë Dukagjini nuk mund të trajtohet si “hartues i një kodi shtetëror” i krahasueshëm me kodet moderne. Tradita shqiptare ia atribuon Kanunin Lekë Dukagjinit, ndërsa teksti që kemi në dispozicion është rezultat i një tradite zakonore të transmetuar gojarisht dhe i mbledhjes e sistemimit të saj nga Gjeçovi.[3] Studimet bashkëkohore theksojnë se normat ekzistonin në traditë gojore para se të mblidheshin e të sistemoheshin në botimin e vitit 1933.[4]
Prandaj pyetja më shkencore nuk është nëse “Kanuni ishte shtet”, por: cilat funksione të organizimit shoqëror dhe juridik kryente Kanuni në një hapësirë ku autoriteti shtetëror nuk ishte gjithmonë i pranishëm ose efektiv? Kjo pyetje na çon te koncepti i vetëqeverisjes zakonore.
- 1. Kanuni si sistem normativ vetëqeverisës
Çdo bashkësi njerëzore ka nevojë për rregulla. Edhe kur mungon shteti i centralizuar, shoqëria nuk mund të ekzistojë pa një minimum normash që përcaktojnë kush ka të drejtën e pronës, si krijohet familja, si trashëgohet pasuria, si lidhen marrëveshjet, si zgjidhen konfliktet, kush mban përgjegjësi për dëmin, kush ndërmjetëson, cilat sjellje janë të papranueshme dhe çfarë pasojash kanë shkeljet.
Kanuni u përgjigjet pikërisht një pjese të madhe të këtyre nevojave. Prandaj studimi i tij nuk duhet kufizuar në aspektet më të njohura, si gjakmarrja apo nderi. Në tërësinë e vet, Kanuni është një sistem kompleks normativ, që përfshin të drejtën familjare, pasurore, detyrimore, procedurale dhe penale zakonore, si dhe institucione të vetëqeverisjes.[5] Nga kjo pikë duhet nisur për të kuptuar raportin e tij me shtetin modern.
- Individi, familja dhe bashkësia
Njësia themelore e organizimit kanunor nuk është individi i shkëputur nga shoqëria. Ai është pjesë e një vargu strukturash: familja, vëllazëria, fisi, bajraku, bashkësia. Këto struktura formonin një rrjet marrëdhëniesh që përcaktonte të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e individit.
Këtu qëndron një nga dallimet më të mëdha me shtetin modern. Shteti modern e njeh individin si subjekt të së drejtës pavarësisht nga përkatësia familjare apo fisnore; Kanuni, përkundrazi, e vendos individin brenda një strukture kolektive. Kjo strukturë nuk duhet interpretuar vetëm si kufizim, sepse ishte edhe mekanizëm sigurie dhe solidariteti: familja dhe fisi e mbronin individin, ndërsa individi mbante përgjegjësi për nderin dhe detyrimet e bashkësisë. Nga kjo marrëdhënie e dyanshme buronte një formë e veçantë e përgjegjësisë kolektive.
- 3. Kush e zbatonte Kanunin: kryefamiljarët, kuvendi dhe pleqësia
Në shtetin modern autoriteti ushtrohet nga institucione të përcaktuara: parlamenti, qeveria, gjykatat, policia, administrata. Në rendin kanunor autoriteti ishte i shpërndarë dhe ushtrohej nëpërmjet kryefamiljarëve, krerëve, pleqve, kuvendit dhe strukturave të tjera tradicionale.
Veçanërisht i rëndësishëm është kuvendi, si formë e vendimmarrjes kolektive, ku çështjet me rëndësi për bashkësinë trajtoheshin dhe vendoseshin me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të saj. Ai nuk mund të barazohet me parlamentin modern, por nga pikëpamja e historisë së institucioneve dëshmon se pushteti nuk ishte thjesht individual: ishte, në masë të rëndësishme, komunitar.
Institucioni qendror i drejtësisë zakonore ishte pleqësia. Kanuni i kushton një libër të veçantë “Kanunit të pleqnisë”,[6] gjë që tregon se zgjidhja e konflikteve nuk lihej vetëm në vullnetin individual të palëve. Pleqtë vepronin si ndërmjetësues, gjykues dhe interpretues të normës zakonore. Ata nuk ishin gjyqtarë shtetërorë, por funksioni i tyre ishte juridik në kuptimin material: dëgjonin palët, shqyrtonin faktet, thërrisnin dëshmitarë dhe merrnin vendime që komuniteti i njihte si detyruese. Këtu shfaqet një nga ngjashmëritë më të forta funksionale me shtetin modern. Dallimi është institucional (gjykata nga njëra anë, pleqësia nga ana tjetër), por nevoja shoqërore që plotësohet është e njëjtë: zgjidhja e konfliktit nga një autoritet i pranuar nga komuniteti.
- 4. Burimi i detyrueshmërisë: legjitimiteti zakonor
Në shtetin modern ligji e merr forcën nga shteti dhe nga institucionet kushtetuese. Në të drejtën zakonore norma e merr forcën nga zakoni i pranuar, nga autoriteti i bashkësisë dhe nga sanksioni shoqëror. Ekziston, pra, dallimi ndërmjet legjitimitetit shtetëror dhe legjitimitetit zakonor.
Norma kanunore nuk kishte nevojë për votën e një parlamenti; ajo mbështetej në autoritetin e traditës dhe në pranimin e saj nga bashkësia. Ky është koncept themelor për të kuptuar vetëqeverisjen: komuniteti nuk pret gjithmonë që një autoritet i jashtëm t’i krijojë rregullat, por i krijon, i ruan dhe i zbaton vetë përmes mekanizmave të brendshëm.
- 5. Prona, besa dhe nderi
Prona. Fusha ku raporti i Kanunit me funksionet e shtetit shfaqet më qartë është prona. Libri IV, “Shpi, gjâ e pronë”, përmban një numër të madh rregullash për tokën, kufijtë, përdorimin e pasurisë, kullotat, pyjet, ujërat dhe marrëdhëniet ndërmjet pronarëve.[7] Prona nuk mund të ekzistojë pa një sistem që përcakton kush është pronari, ku fillon e ku mbaron prona, kush ka të drejtë përdorimi, si zgjidhet konflikti mbi kufirin dhe çfarë ndodh kur dikush cenon pronën e tjetrit. Kanuni përmbush një pjesë të këtyre funksioneve, që në shtetin modern i takojnë sistemit juridik shtetëror, por me mënyra tjetër. Në shtetin modern prona garantohet nga Kushtetuta, ligji, regjistrat publikë, gjykatat dhe administrata; në rendin kanunor garantohej nga zakoni, dëshmia, kufijtë tradicionalë dhe autoriteti i komunitetit.
Besa. Një nga konceptet më të fuqishme të kulturës juridike shqiptare është besa. Ajo nuk është thjesht premtim individual, por mekanizëm besimi dhe detyrimi moral. Në shumë marrëdhënie kanunore fjala e dhënë kishte fuqi të jashtëzakonshme. Kjo shihet edhe në marrëdhëniet kontraktore: shitja, kapari, huaja, pengu dhe dorëzania mbështeten në besimin ndërmjet palëve. Besa mund të shihet si një formë e hershme e marrëveshjes shoqërore, jo në kuptimin filozofik të Hobbes-it, Locke-ut apo Rousseau-së,[8] por në kuptimin e një marrëveshjeje morale që e lidh individin me komunitetin. Shteti modern e ndërton rendin mbi kushtetutën dhe ligjin; shoqëria kanunore e ndërtonte një pjesë të tij mbi besën, nderin dhe fjalën e dhënë, që janë forma të ndryshme të krijimit të besimit shoqëror.
Nderi. Libri VIII i kushtohet “Nderës”.[9] Në shoqërinë moderne nderi dhe reputacioni janë kryesisht çështje individuale dhe, në raste të caktuara, mbrohen me ligj. Në shoqërinë kanunore nderi kishte funksion shumë më të gjerë: ishte mekanizëm kontrolli shoqëror. Një person që humbte nderin rrezikonte pozitën e tij në komunitet, dhe kjo krijonte një mekanizëm të fuqishëm vetërregullimi. Individi i bindej normës jo vetëm sepse ekzistonte një forcë që mund ta ndëshkonte, por edhe sepse shkelja mund t’i sillte humbje reputacioni e pozite shoqërore. Në këtë kuptim, nderi kryente një rol që në shtetin modern e kryejnë pjesërisht ligji, institucionet dhe sanksionet formale.
- 6. Drejtësia pa monopol shtetëror
Shteti modern karakterizohet, ndër të tjera, nga monopolizimi institucional i përdorimit të ligjshëm të forcës dhe i administrimit të drejtësisë.[10] Në parim, vetëm shteti ka të drejtën të vendosë dhe të zbatojë sanksione penale; individi nuk mund ta realizojë vetë drejtësinë dhe duhet t’u drejtohet institucioneve. Në shtetin modern gjykata vendos, policia zbaton, prokuroria ndjek penalisht, administrata zbaton ligjin dhe ligjvënësi krijon normën.
Në rendin kanunor drejtësia nuk ishte monopol i një administrate qendrore, por ishte e shpërndarë në komunitet: bashkësia krijonte dhe ruante normën, pleqtë gjykonin, kuvendi vendoste, familja mbronte interesat dhe autoriteti tradicional garantonte zbatimin. Në këtë sistem konflikti nuk shihej vetëm si çështje ndërmjet dy individëve; ai mund të cenonte ekuilibrin e gjithë bashkësisë, prandaj zgjidhja e tij ishte edhe akt i rivendosjes së paqes shoqërore. Edhe shteti modern e njeh këtë parim, ndonëse në mënyrë tjetër: drejtësia synon jo vetëm ndëshkimin, por edhe ruajtjen e rendit shoqëror. Dy sistemet nuk janë të njëjta, por mund të krahasohen sipas funksioneve që përmbushin.
7.Ana problematike e rendit kanunor
Një analizë akademike nuk mund ta anashkalojë anën problematike të Kanunit. Vetëqeverisja zakonore nuk duhet romantizuar. Krahas mekanizmave të rendit dhe të bashkëjetesës, Kanuni përmbante norma që bien ndesh me parimet e shtetit modern, veçanërisht lidhur me gjakmarrjen, pozitën e gruas dhe format e përgjegjësisë kolektive.
Këtu qëndron një nga ndryshimet themelore: në shtetin modern përgjegjësia penale është individuale, ndërsa në rendin kanunor tradicional, në raste të caktuara, ajo mund të lidhej me familjen dhe fisin. Prandaj gjakmarrja është pika ku modeli kanunor përplaset më fort me parimin e shtetit ligjor. Studimet juridike bashkëkohore e kanë trajtuar pikërisht këtë tension ndërmjet normave kanunore dhe ligjit penal bashkëkohor.[11] Kanuni, pra, nuk duhet paraqitur si model që mund ta zëvendësojë shtetin modern. Vlera e tij është historike, juridike, antropologjike dhe kulturore
- 8. Bashkëjetesa e së drejtës zakonore me të drejtën positive
Kalimi nga shoqëria tradicionale në shtetin modern nuk ndodhi brenda një dite. Ishte proces i gjatë, në të cilin autoritetet shtetërore zgjeruan gradualisht administrimin mbi territorin, drejtësinë, taksat, pronën dhe rendin publik. Në Shqipërinë e Veriut ky raport ishte veçanërisht kompleks. E drejta pozitive dhe e drejta zakonore bashkëjetuan për periudha të gjata, dhe studimet krahasuese mbi Statutet e Shkodrës dhe Kanunin theksojnë pikërisht bashkëjetesën dhe ndërveprimin e dy traditave juridike deri në krijimin e shtetit modern.[12]
Kjo tregon se historia juridike shqiptare nuk mund të përshkruhet si vijë e thjeshtë “zakon ? ligj ? shtet”. Procesi real është më i ndërlikuar: zakoni bashkëjeton me të drejtën pozitive, shteti ndërhyn gradualisht, juridiksioni zakonor kufizohet dhe në fund shteti vendos monopolin mbi drejtësinë. Ky proces shënon kalimin nga vetëqeverisja komunitare te administrimi shtetëror.
- 9. Vazhdimësi dhe shkëputje
Nuk është shkencërisht e drejtë të thuhet se shteti modern shqiptar është “vazhdim i drejtpërdrejtë i Kanunit”. Ai është ndërtuar mbi institucione, kushtetuta dhe ligje moderne, si dhe mbi ndikime të ndryshme juridike europiane. Megjithatë, kultura juridike shqiptare nuk filloi me krijimin e shtetit modern. Para tij ekzistonte një traditë e gjatë e respektimit të marrëveshjes, e mbrojtjes së pronës, e zgjidhjes së konflikteve, e ndërmjetësimit, e vendimmarrjes komunitare, e përgjegjësisë, e besës dhe e autoritetit të fjalës së dhënë. Këto nuk janë institucione shtetërore moderne, por elemente të kulturës juridike që formojnë sfondin historik mbi të cilin u zhvillua shoqëria shqiptare.
Në kuadër të tezës së librit duhet bërë një dallim i rëndësishëm: Kanuni mund të konsiderohet pararendës i një kulture të vetëqeverisjes, por jo “pararendës i shtetit modern” në kuptimin institucional. Shteti modern kërkon elemente që Kanuni nuk i kishte: territor të përcaktuar shtetëror, sovranitet, kushtetutë, administratë profesionale, sistem fiskal, ushtri e polici shtetërore, gjykata shtetërore, barazi juridike të qytetarëve dhe monopol të ligjshëm mbi forcën. Por Kanuni kishte diçka tjetër: aftësinë e një komuniteti për të krijuar rend pa administratë qendrore moderne. Pikërisht kjo e bën të rëndësishëm për historinë e vetëqeverisjes.
Shteti modern demokratik mbështetet mbi supremacinë e Kushtetutës dhe ligjit, barazinë para ligjit, ndarjen e pushteteve, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përgjegjësinë individuale dhe monopolin shtetëror të përdorimit të ligjshëm të forcës. Në disa aspekte Kanuni krijon mekanizma që i afrohen funksionalisht rendit juridik; në të tjera është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me këto parime. Prandaj marrëdhënia Kanun–shtet modern duhet kuptuar si vazhdimësi dhe shkëputje njëkohësisht: vazhdimësi në nevojën njerëzore për rend, drejtësi, pronë, përgjegjësi dhe marrëveshje; shkëputje në mënyrën e organizimit të pushtetit, në burimin e normës, në administrimin e drejtësisë dhe në konceptin e të drejtave individuale.
- 10. Nga bashkësia te qytetaria
Nëse Kanuni përfaqëson një formë të vetëqeverisjes komunitare, shteti modern përfaqëson kalimin drejt qytetarisë individuale. Në rendin tradicional individi është para së gjithash bir i një familjeje, anëtar i një vëllazërie dhe pjesëtar i një fisi; në shtetin modern ai është para së gjithash qytetar dhe subjekt i barabartë i ligjit. Ky transformim është një nga ndryshimet më të mëdha në historinë politike e juridike.
Kjo nuk e zhvlerëson Kanunin, përkundrazi e bën më të rëndësishëm studimin e tij. Për të kuptuar si kaluan shqiptarët nga një shoqëri e organizuar mbi lidhjet e gjakut, fisit, familjes dhe besës drejt një shoqërie qytetare të ndërtuar mbi Kushtetutën dhe ligjin, duhet të kuptojmë pikën e nisjes.
- 11. Statusi i sotëm i Kanunit
Sot Kanuni nuk është burim i ligjit shtetëror shqiptar. Autoriteti juridik i takon Kushtetutës, ligjeve dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Shqipërisë.[13] Çdo konflikt mbi pronën, familjen, trashëgiminë, kontratat apo përgjegjësinë penale duhet të zgjidhet sipas ligjit shtetëror dhe nga institucionet kompetente.
Kanuni ka sot një status tjetër: është burim i rëndësishëm i historisë së së drejtës, kulturës dhe antropologjisë shqiptare. Studimi i tij ndihmon për të kuptuar strukturat tradicionale të shoqërisë shqiptare dhe përse disa forma ndërmjetësimi, pajtimi dhe autoriteti komunitar kanë mbetur të pranishme në kulturën shqiptare edhe pas konsolidimit të shtetit.[14] Por kjo trashëgimi duhet studiuar dhe jo romantizuar. Të studiosh Kanunin nuk do të thotë të kërkosh rikthimin e tij si ligj.
Shteti modern shqiptar nuk lindi në një hapësirë pa rregull. Ai erdhi mbi një shoqëri që kishte njohur më parë forma të ndryshme të organizimit, të autoritetit dhe të vetërregullimit. Në Shqipërinë e Epërme Kanuni ishte një prej mekanizmave më të fuqishëm të këtij vetërregullimi: familja kishte autoritet, fisi kishte përgjegjësi, kuvendi merrte vendime, pleqtë gjykonin, fjala kishte fuqi, besa garantonte marrëdhënien, prona mbrohej, dëmi kompensohej, marrëveshja respektohej dhe shkelja sanksionohej.
Këto funksione nuk e bënin Kanunin shtet, por e bënin sistem vetëqeverisës. Ky është dallimi që duhet ruajtur në formulimin e tezës së librit. Kanuni dhe shteti modern nuk janë dy emërtime për të njëjtin realitet juridik: Kanuni ishte rend zakonor, komunitar dhe vetërregullues; shteti modern është organizim politik sovran, institucional dhe juridik, i mbështetur mbi Kushtetutën dhe ligjin. Mes tyre ekziston megjithatë një marrëdhënie historike që nuk mund të anashkalohet: Kanuni përmbushte, në kushtet e një shoqërie tradicionale dhe të një autoriteti shtetëror jo gjithmonë efektiv, një sërë funksionesh që më vonë do të institucionalizoheshin nga shteti, si krijimi i normave, përcaktimi i përgjegjësive, mbrojtja e pronës, rregullimi i familjes, administrimi i marrëveshjeve, ndërmjetësimi i konflikteve dhe vendosja e sanksioneve.
Në këtë kuptim, titulli i veprës, Kanuni i Lekë Dukagjinit: Gurthemeli i ndërtimit të shtetit vetëqeverisës në Shqipërinë e Epërme, duhet kuptuar si themel kulturor dhe juridik i vetëorganizimit, jo si pretendim se Kanuni ishte kushtetutë shtetërore.
Historia e shtetit modern shqiptar mund të lexohet, ndër të tjera, si historia e kalimit nga zakoni te ligji, nga fisi te qytetaria, nga pleqësia te gjykata, nga kuvendi te institucioni përfaqësues, nga autoriteti i bashkësisë te sovraniteti i shtetit, nga përgjegjësia kolektive te ajo individuale, dhe nga vetëqeverisja zakonore te shteti i së drejtës. Në këtë kalim nuk duhet parë vetëm shkëputje, por edhe vazhdimësia e një kulture juridike që e kuptoi shumë herët se asnjë bashkësi njerëzore nuk mund të jetojë pa rregull, përgjegjësi, drejtësi dhe autoritet. Kjo është vlera më e madhe historike e Kanunit në raport me shtetin modern.
