21/12/2024

KAMPIONATI I 16-të MBARËSHQIPTAR I FUTBOLLIT PËR U-15

0
Tarelli-Feste-sportive1

Festë sportive me vlera atdhetarie e miqësie

Nga Kadri Tarelli

Pak dit pas festivalit artistik “Luajmë dhe vallëzojmë, QKF e Durrësit, nisi, më: 22. 09. 2021, po në qytetin tonë, Kampionatin mbarëkombëtar të Futbollit. Pjesëmarrës përveç ekipit të të rinjve të Teutës ishin edhe skuadrat e futbollit nga Peja, Tetova dhe Bujanovci nga Serbia.

Pas një shkëputjeje për shkak të pandemisë, pjesëtarë të ekipeve që përgatiten për t’u bërë futbollistë të ardhshëm, u mblodhën për të garuar mes tyre dhe përzgjedhur ekipin më të mirë të turneut. Masat kufizuese për shkak të pandemisë u bënë pengesë për pjesëmarrjen e ekipit përfaqësues nga Ulqini i Malit të Zi dhe Komunitetit shqiptar të Zarës në Kroaci.

Futbollistët e vegjël, ndjehen të lumtur që u rihap kjo veprimtari gjithëshqiptare  dhe u bënë pjesë e këtij kampionati futbolli, që fillimet e veta i ka në vitin 2003, me moton: “Luajmë futboll për të njohur trojet tona”. Që të kuptohet drejt ky motiv i hershëm, por i dobishëm për të gjitha kohët, mjafton të përmend, se kampionati zhvillohet çdo vit në qendra të ndryshme nëpër trojet arbërore. Një mundësi më shumë për sportistët e rinj, jo vetëm për të nxjerrë në pah talentin e tyre në fushën e blertë, por edhe të njihen dhe të lidhin miqësi të reja me bashkëmoshatarët e tyre.

Drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës, Avni Çuni, gjatë fjalës së rastit, në hapje të veprimtarisë, uroi suksese dhe shpirt gare. Ai i konsideroi futbollistët e rinj pjesëmarrës në këtë kampionat futbolli, si “Ambasadorët” më të mirë të vendeve të tyre, duke shtuar: “Nuk ka mision më fisnik dhe më të shenjtë, se sa të hapësh horizonte të reja për fëmijët dhe të rinjtë e çdo vendi, veçanërisht për ne shqiptarët. Ju jeni të shenjtë dhe fisnik në pafajësinë dhe çiltërsinë tuaj. Ne duhet t’u vlerësojmë që të rriteni e të mbeten të tillë, fisnikë në shpirt”.

Në vazhdim të fjalës, drejtori me nderim e mirënjohje, përmendi shumë emra, që ishin ideatorët dhe organizatorët dhe që kanë shoqëruar këtë veprimtari në vite, që nga Naim Kërçuku, drejtor i QKF, Durrës, Aver Husaj nga Peja, Muzafer Livoreka nga Tetova, Hajro Hajderi nga Ulqini, Vahidin Hyseni nga Lugina e Preshevës, me ta edhe koordinatorët Kujtim Vllamasi nga Durrësi, Kadri Sinani nga Ulqini, Nexhat Aliu dhe Enis Saliu nga Bujanovci. (Lugina  Preshevës).

Veprimtaria vazhdoi dy dit radhazi. Shpirti i garës i dha ngjyra këtij kampionati, për t’u dalluar cili është më i miri, megjithëse e dinë mirë se të fituar janë të gjithë, sepse pjesëmarrja është vlerë sportive dhe më shumë vlerë shqiptarie.

Në përfundim, u arritën këto rezultate:

Vendi i parë: Peja / Kosovë

Vendi i dytë: Durrësi / Shqipëri

Vendi i tretë: Tetova / Maqedoni

Ekipi Fair-Play: Bujanovc / Lugina e Preshevës. Serbi

Lojtari më i mirë – Ergi Cela

Golashënuesi më i mirë – Erlind Mulaj

Portjeri më i mirë – Muhamet Bakia.

I kudondodhur në këtë veprimtari ishte Edi Salillari koordinator i QKF, Durrës, bashkë me të edhe gazetari i palodhur i Tetovës Shaban Sinani, i cili ka një meritë të veçantë, sepse të gjitha kampionatet i ka pasqyruar në librin e tij: “15 VITE FESTË FUTBOLLI”.

Vitin tjetër, 2022, me shpresë se kufizimet e pandemisë do të hiqen, është qyteti i Pejës nikoqir i festës sportive, që do të presë futbollistët e rinj.

Urime! Festa të tilla sportive paçim përherë në qytetet tona në trojet shqiptare.

Kadri Tarelli

Durrës. Vjeshta e parë, 2021.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok