KALAJA E DODËS NË NJË MONOGRAFI SHKENCORE NGA METUSH SKEJA
Për librin monografik ”Kalaja e Dodës, një zambak i Korabit”
NGA QAZIM SHEHU
Libri për Kalanë e Dodës, nga studiuesi Metush Skeja, vjen para lexuesit të interesuar, me një shpalosje të thellë të historisë së kësaj treve, nga kohërat më të vjetra deri më sot;është një tekst i gjerë dhe i thellë, ku vështrimi i autorit depërton në mjaft aspekte të jetës, historisë, mitit, rrëfimtarisë, mbi zakonet, antropologjinë, foklorin, luftërat për qëndresë dhe mbijetesë.
Kalaja e Dodës, si pjesë e Lumës, historikisht është dashur të ndodhet e ekspozuar ndaj sulmeve osmane po edhe të mëvonshme, serbo-sllave.Kjo portë e Korabit ka qenë një derë çeliku e pahapur për ta në saj të kësaj qëndrese që kanë bërë malësorët trima ndaj pushtuesve të egër dhe barbarë.
Metushi ka punuar gjatë, me kohë ka lexuar dhe sistemuar material të nxjerrë nga leximi i librave të rëndësishëm, por edhe nga dëshmi gojore, materiale arkivore, revista, gazeta e gjithçka tjetër, që bëhet e vlefshme dhe jep mundësi për të argumentuar dhe për ta mbështetur logjikisht temën e trajtuar.Kjo pasuri lëndore-produkt i një pune të gjatë-e kthen librin në një enciklopedi të jetës së gjallë dhe, si në një film, para nesh vijnë momente e çaste nga më të bukurat, njëherësh dramatike, sepse jeta në Kala nuk ka qenë aq e lehtë për t`u përballur, qoftë nga kushtet gjeografike, aq më tepër nga rrethanat historike.Rrugën e komunikimit me lexuesin autori e gjen përmes shpalosjes së historisë, si një udhëpërshkrim i bukur epik- liriko-epik, duke zbuluar dramat e saj dhe duke evidentuar në një rrëfim pikant figurat e qëndresës, si Ibrahim Gjorgji, Ramadan Kreçi, Hali Leska, që doli i vetëm të luftojë kundër serbëve-një shembull i lartë virtuti dhe trimërie, i cili dëshmon shpirtin liridashës të këtyre malësorëve, ngjashëm me Nik Martinin, personazhin e Kadaresë te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Në rrafshin e tematizimit të veprës, duke i qëndruar me konseguencë një strukure të mirëfilltë, autori ndërton një poemë të shpirtit njerëzor dhe ngrë lart ato vlera të qenësishme ku shikimi jonë depërton lirshëm, përmes një proze sa shkencore aq dhe divulgative, dhe me sy vëzhgues modelojmë në mendjen tonë një tërësi skenash dhe dhe përjetimesh ngjethëse.Vjen kështu, heroizmi dhe drama e atyre njerëzve të thjeshtë, të cilët, për të mbrojtur trollin dhe qenësinë e tyre, mbrojtën njëherësh edhe atdheun.Nuk mund të harrohet gruaja kalajase e cila, kur kur serbët i morën vëllanë për ta pushkatuar, rrëmbeu edhe ajo pushkën dhe u vra me armë në dorë;as ajo gruaja e vjetër që , kur pa ushtarët serbë të uritur, mori rripat me pastërma dhe ua hodhi si qenëve dhe kështu shtëpia shpëtoi pa u djegur.Fakte, detaje të tilla në libër gjen me shumicë, çka dëshmon se krahas trajtesës shkencore që bën autori, herë-herë vjen në ndihmë edhe detaji jetësor, rrëfimtaria dhe mbështetja mbi një realitet i mbajtur në kujtesë nga tregimi gojor i pleqve të moçëm.Qëndrimi stoik, karakteri i pamposhtur, përbën një forcë të madhe etike për të sotmen dhe për të ardhmen.Forca morale e këtyre njerëzve, bij të natyrës së ashpër të Korabit, nuk përvijohet thjesht me një vështrim etnografik(traditat, zakonet, doket, banesa), por së pari si një vlerë e virtytit në dy gjëra:në kërkim të jetës me dinjitet, punë e produkt, dhe si vlerë e virtytit.Prandaj edhe gjetja e cilësorit “zambak i Korabit” i shkon më së miri këtij libri dhe këtyre njerëzve.Kjo jepet më së miri në shkrimin”Qytetaria e Kalasë së Dodës”, një trajtesë si pjesë e librit, ku manifestohen ato vlera të qëmtuara me kujdes, të thëna pa mburrje, por si të vërteta, ku autori, me zotësi, zbërthen ato tipare etonopsikologjike të njerëzve të kësaj zone, të cilat dëshmojnë për një qytetërim të lashtë, por mbi të gjitha për atë cilësi morale dhe konstrukt shpirtëror që mbështetet në vlera tradicionale, të cilat i japin dritë modernitetit të sotëm përmes një krenarie dhe fisnikërie legjitime.Në mbështetje të kësaj teze vijnë edhe thëniet e Hahn për Kalanë e Dodës dhe të autorëve të tjerë të huaj.Në shkrimet e tjera:”Kalaja në lidhjen Shqiptare të Prizrenit”, ”Kalaja në vitet 1912-1925”, autori sjell një panoramë të gjerë të ngjarje kombëtare, ku Kalaja bëhet një segment i zjarrtë i këtyre ngjarjeve, si një pjesëmarrëse e denjë në to, me një kontribut të jashëzakonshëm, duke penguar ekspansionin serb drejt Durrësit.Autori i sjell me të dhëna të sakta këto ngjarje dramatike dhe luftën e pamposhtur për liri të Kasës së Dodës e të trevave shqiptare.Plasiciteti i vështrimit të autorit, rrëfimtaria e saktë e ngjarjeve, shoqëruar me një dendësi faktesh kokëforta, mbështetur në referenca dhe citime, vjen përherë edhe si tipar i stilit të tij dhe na duhet të konkludojmë se Metush Skeja ndërton një frazë ku gëlon informacioni dhe trajtesa vjen gjithnjë në ndihmesë, për ta qepur atë me kujdes, jashtë ngjashmërive, duke krijuar kështu një shtrat të mirëfilltë origjinaliteti, çka e bën këtë libër mjaft të rëndësishëm dhe të këndshëm në të lexuar.Kemi kështu një hark të gjerë kohor, tendosur nga ngjarje dramatike, vijëzuar me ngjyra emocionale dhe po kaq dramatike, ku ankthi ekzistencial provon dhe na bie ngjyrat e vendlindjes dhe të kombit në tërësi, duke e parë vendlindjen si pjesë e tërësisë kombëtare.
Metushi në këtë libër projekton dhe realizon një metaforë të qëndresës dhe të dashurisë për lirinë krahinore, që shtrihet dhe merr zgjerim kuptimor deri në lirinë kombëtare.Edhe pse në kohëra dramatike kur komunkimi ishte i vështirë, vetëdijësimi dhe formimi i ndërgjegjes kombëtare kryhej shpejt dhe merrte formëzimin e caktuar në saj të kësaj qëndrese dhe kuptimi që kishte malësori i këtyre anëve për vlerat e veta.
Marrja përsipër e trajtimit të jetës së Kalasë së Dodës në një rrafsh kohor vertikal nuk ka qenë diçka e lehtë nga autori.Kjo ka dashur punë, lodhje dhe sistemim të leximeve përmes librave të tjerë .Ky studim përfshin folklorin, toponiminë, zakonet, psikologjinë, mënyrën e jetesës, shtegtimin, frymën kohore, njohjen e termave historike dhe përcaktimin e tyre në kohë, arrin të komplementojë shumë aspekte të jetës në dritë të kohës.Dhe kjo punë e gjatë ka rezultuar me sukses, ndërsa ne ndiejmë dhe provojmë shijen e një libri të mirë.Folklori është shpirti i popullit, ai dëshmon, krahas historisë, edhe qëndrimin që mban populli ndaj së bukurës, ndaj dashurisë, natyrës.Këngët lirike dramatike, me një tonus të thellë shpirtëror, të bindin për këtë dhe një nga këto është ajo:”Moj Fushë e Korabit”, një këngë-poezi mjaft e njohur.
Këto këngë përmbajnë tekste të hapura me shkëndija mesazhesh të koduara, paraqesin më së miri bukurinë e jetës, këndojnë bukurinë fizike të femrës, dashurinë mes të rinjve në çaste të ndryshme të jetës, ku vijnë në ndihmë edhe elementët natyrorë dhe elementë të tjerë të veshjes.Shtresa lëndore e poezisë popullore përbëhet nga një veshje sa epike aq edhe lirike;gjykuar në këtë prizëm mund të themi se këngët e Kalasë frymojnë përmes bukurisë së jetës, edhe pse ato kohë mjaft të vështira linin pak mundësi për ta parë atë me qetësi.Komunikmi estetik i këtyre këngëve vjen përmes fjalëve të thjeshta, që marrin jetë në gjuhën e popullit, plot trajta e variante tingulluese, të cilat kumbojnë në të folurën dialektore.
Çdo krahinë shquhet përmes burrave të saj më në za, siç thotë populli.Metushi spikat disa prej tyre, siç është përshembull Halil Kaçi, një nga studiuesit shembullorë të bujqësisë, apo mjaft djem dhe vajza sot në Perëndim, që shquhen për vullnet të hekurt, guxim dhe dashuri për dijen.Dëshira për arsimim e dije ka qenë e madhe, por mundësitë të pakta, asgjësuese nën pushtim.Armiqtë gjithnjë ia kanë pasë frikën arsimimit të popullit shqiptar edhe për shkak të zgjuarsisë së tij natyrale.Duke na përshkruar portrete njerëzish nga Kalaja si Halil Kaçi, Fejzulla Gjabri, Ismen Brika, Jaho Delia e të tjerë, autori shpreh njëkohësisht një anë tjetër në personalitetin e vet si krijues, vlerësimin e njerëzve dhe paraqitjen e tyre në këtë vlerësim si kontributorë të dijes, larg çdo smire apo egoje të sëmurë.
Librit i japin frymëmarrje edhe tema të tjera si:”A vijë gratë nga Venusi”, ”Ca mozaikë për politikën”etj.Duke u ndalur në shkrimin “A vijnë gratë nga Venusi” mund të themi se është një ese e shkëlqyer për gruan, që nga kohët e lashta deri sot, ku autori nxjerr vlerën e saj, forcën natyrale, zgjuarsinë dhe madhështinë e bukurisë femërore.Dhe për këtë nuk i shterojnë shembujt, të cilat janë më se të mjaftueshëm për ta përvijuar portretin e gruas historikisht, që nga matriarkati gjer më sot.
Mbas leximit të këtij libri, ajo që të bie në sy është pasuria e informacionit dhe qartësia e hartimit të tekstit, gjë që tregon për një punë skrupuloze të autorit, për lexime të gjata këmbëngulëse dhe të sistemuara.Kjo punë parapërgatitore i ka sjellë atij mundësi për të dhënë një prozë shkencore, ku gëlon informacioni dhe natyrshëm, për ta mbajtur atë në hullinë e besueshëm, vjen edhe një interpretim i drejtë dhe i saktë nga autori, që e përforcon këtë interpretim edhe me thënie të të tjerëve midis rreshtave.Gjuha e shkrimit nuk është thjesht një renditje e emra- ve, ngjarjeve apo sendeve, për të bërë një katalogizim historik, jo, ajo është një bisedë e gjatë me kohën dhe kohërat që do vijnë, manifestohet edhe përmes mesazheve kuptimorë dhe ideve të qarta kombëtare, lëviz në aspekte krahasimtare përmes kohërave dhe mendësive që priten me njëra- tjetrën herë- herë, konvergojnë ose largohen;është një gjuhë që manifeston krenarinë e Kalasë dhe krenarinë kombëtare.
Libri për Kalanë e Dodës është një enciklopedi e jetës së gjallë, një manifestim shkencor dhe letrar i saj, shprehur përmes dashurisë për vendlindjen, dhe autori Metush Skeja, na tregon se vendlindja duhet më shumë vetëm duke e njohur atë.