14/10/2024

KADRI MANI – LUFTËTAR I PËRJETSHËM PËR KOSOVËN

0

Në 10-vjetorin e amëshimit

NGA BINAK ULAJ, kryetar i Shoqatës të ish-Bugosurëve Politikë të Kosovës

Sot, kur shënojmë 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të Kadri Manit, e kujtojmë me respekt të veçantë përkushtimin dhe sakrificën e tij, por edhe të familjes së tij, në Lëvizjen Kombëtare Çirimtare të Kosovës. Falë veprimtarisë, zgjërimit dha avancimit të vazhdueshëm të kësaj Lëvizjeje, u arrit të formohej UÇK-ja, e cila na e solli lirinë që e gëzojmë sot, me çka iu kthye dinjiteti popullit dhe Atdheut tonë. Edhe unë kam pasur nderin që, së bashku me Kadriun, t’i përkas kësaj Lëvizje që nga njohja me të, në tetor të vitit 1968. Për t’u njohur me Kadriun më kishte këshilluar Idriz Zeqiraj, të cilin atëkohë e kisha përcjellë për në Tiranë, me qëllim që prej andej të na njoftojë për qëndrimin e Tiranës dhe të na dërgojë literaturë të nevojshme, gjë që edhe do ta bëjë përmes vëllait të tij, Seferit dhe të axhës, Rexhepit, që punonin në mërgim.

Që nga njohja e parë do të më bëjë përshtypje qëndrimi i çiltër i Kadriut dhe besimi për të bashkëvepruar, sikur të njiheshim që prej shumë vitesh. Duke vlerësuar lart demonstratat e vitit 1968 dhe jehonen e tyre brenda dhe jashtë vendit, pa humbur kohë, do t’ i qasemi punës, do të përpilojmë, shumëzojmë e shpërndajmë traktin, me të cilin i ftonim studentët dhe popullin të ngriteshin përsëri në demonstrata e protesta. Por, për shkak të kohës së shkurtër të përgatitjes, do të zbulohemi e arrestohemi pas pak ditësh. Ishte kjo sprova e parë e qëndrimit dhe përkushtimit ndaj kauzës, të cilës kishim vendosur t’ ia kushtonim jetën. Por edhe sprova e parë ndaj qëndrimit e përkushtimit ndaj njëri- tjetrit. Asnjë fajësim i shokut, por vetëm përpjekje që të gjithë peshën e dënimit të të tjerëve, ta merrnim mbi vete.

Burgu dhe torturat, gjendja e rëndë ekonomike e familjes, masat e rrepëta të përndjekjes e represionit, nuk do ta ndalin Kadriun me shokët: Xhafer Shatrin, Jashar Alinë dhe Binak Ulajn, ta vazhdojnë veprimtarinë atdhetare dhe ta shpien përpara atë, ndonëse e dinin se do t`i prisnin dënime edhe më të rënda dhe mund t`u kushtonte edhe me jetë. Këtu edhe qëndron madhështia e veprimtarëve të Lëvizjes. Falë këtij vullneti, ky grup do të njihet e lidhet edhe me veprimtarë tjerë të Lëvizjes, si me Mehmet Hajrizin, Rexhep Malën, Hydajet Hysenin, Gani Sylën, Nuhi Berishën, Jakup Krasniqin e të tjerë, gjë që do të avancojë nivelin e organizimit dhe të zgjërimit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vise tjera, madje edhe në diasporë, duke marrë kështu përmasat e një organizate të mirëfilltë.

Duke vlerësuar rolin e mjeteve të informimit, grupi i emëruar “Grupi Revolucionar të Kosovës” (GRK), do ta përgatisë e nxjerrë edhe oragnin e vet të shtypit me emrin “Zëri i Kosovës”, që ishte gazeta e parë ilegale pas Luftës së Dytë Botërore, (LDB). Për shkak të veprimtarisë gjithnjë e më intensive, por edhe për shkak të përcjelljes së rreptë të organeve të shtetit policor, çfarë ishte ish- Jugosllavia, në fillim të majit të vitit 1974, do të zbulohet e arrestohet vetëm një pjesë e grupit: Kadriu, Xhafer Shatri, Jashar Aliu dhe Binak Ulaj. As tani, bashkëveprimtarët tjerë nuk zbulohen. Ky qëndrim i paepur i veprimtarëve do të mundësojë që GRK, të jetë grupi më veprimtari më jetëgjatë, duke përfshirë edhe periudhën e formimit të UÇK-së. Se ç`peshë i jipte Kadriu moszbulimit të shokëve, do ta thotë e shkruajë disa vite më vonë: “Disa herë e kam parë vdekjen me sy dhe kam menduar edhe në vetëvrasje. Futet thika në zemër, sikur në mollën e kalbur, para se të përmendet, qoftë edhe një emër i një verimtari.”

Me këtë rast po e veçoj edhe një të dhënë për veprimtarinë e GRK-së: Traktet e shumëzuara janë shpërndarë, kryesisht, në konviktin e studentëve dhe te punëtorët e minierave, në Stan-Tërg, Tunel të Parë, Golesh, Magurë, Kishnicë, por dhe në lagjën e punëtorëve të kombinatit “Ramiz Sdiku” në Prishtinë. Në asnjë tekst, a shkrim të botuar, për grevën historike të minatërëve të Trepçës, kur ata për tetë ditë radhazi, nga 20 deri me 28 shkurt1989, qëndrojnë të mbyllur në zgafellë, nuk është theksuar ky fakt.

Nga burgu në burg, në Prishtinë, Mitrocicë, Pejë, Beograd, Nish, Leskovc, Maribor, Lubjanë, Zagreb, ndonëse edhe me shëndet të rënduar, Kadriu, sapo do të lirohej, do ta vazhdojë veprimtarinë, duke i mbetur besnik programit atdhetar të Lëvizjes dhe motos së GRK-së: “Çdo gjë për çështjen, asgjë mbi çështjen.” Dhe, në vitin 1983, së bashku me Rexhep Malën, Nuhi Berishin, guerilët e parë të Lëvizjes të rënë dëshmorë, do ta formojnë “Partinë e Luftës të Kosovës”, (PLK).

Përsëri arrestim dhe dënim maksimal me burg. Po, Kadriu, do të qëndrojë. Për këtë qëndresë ai do t’ i jetë mirënjohës familjes e, në rend të parë bashkëshortës, për të cilën do të shkruajë: “Edhe pse kam qenë në burg, kam qenë i lirë si zogu në degë, duke iu falënderuar gruas time të devotshme, Shukrie Bunjaku-Osmani, e cila ka qenë shtyllë e shtëpisë, si dhe, në raste të tjera, të shokëve të mi”. Këtë përkrahje e qëndrim e të zonjës Shukrie e kam përjetuar edhe unë.

Dhe, po e përsëris diç që s’mund të mohohet. Pa përkrahjen dhe solidaritetin e familjarëve të të burgosurve politikë, Lëvizja çlirimtare e Kosovës nuk do të ishte e suksesshme. Këto familje duke u njohur e solidarizuar njëra me tjetrën, do të përbëjnë një kategori shoqërore, e cila do t’i bëjë ballë dhunës e persekutimeve. Veçmas duhet vlerësuar qëndrimin e bashkëshorteve, për të cilat pak kemi folur e shkruar. Kadriu është njëri ndër ata, i cili qëndresës së grave ia ka kushtuar librin “Nuset tona”.

Për ndjenjën solidare të Kadriut dhe të shoqes të jetës së tij, Shukries, do ta përmendi një rast të veçantë:

Meqë isha nga një cep i largët i Ardheut dhe banoja me qira, së bashku me nënën e moshuar, Kadriu, i cili kishte arritur ta ndërtojë një kat përdhesë të shtëpisë, do të më thotë : “Eja e punoje një kat për vete. Falë të qoftë”. Tani, pas kaq vitesh, kur e mendojmë gjithë atë sakrificë të brezave e brezave, atë solidaritet, gjendjen në të cilën është Kosova sot, s’ka si të mos pyesësh: Po ç’ndodhi me ne, kur pas më së një shekulli, na u dha rasti të punojmë të lirë, për popullin dhe atdheun tonë?

Para sa vitesh, ambasadori i Kroacisë në Kosovë, pat akuzuar: “E keni shndërruar Kosovën në lopë mjelëse…’’ Dhe ja, edhe shumica e punëtorëve të arsimit bien në të njëjtin nivel, të pa ndodhur kurrë më parë në historinë e arsimit shqip, për pak para, t’i lënë një muaj, afro 400 mijë fëmijë e nxënës pa shkollë. Kush ka mundur ta marrë me mend diç të tillë? Prej tyre kjo s’mund të arsyetohet!

E përmend këtë rast, jashtë frymës së kësaj akademie, për arsye se jam i bindur se veprimet e vetjeve të caktuara, edhe Kadriun do ta kenë zhgënjyer. Prandaj do të ndryshojë edhe qëndrimi i tij e që binte ndesh me veprimtarinë e tij atdhetare, e cila assesi dhe kurrë nuk mund të mohohet.

Lavdi jetës dhe veprës atdhetare të Kadri Manit! Lavdi gjithë të rënëve në altarin e lirisë së Atdheut tonë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok