13/12/2024

KADARE! Nga bota i lëvduar, nga ne i lënduar!

0
Kadare-Vepra

“O popuj, ruani njerëzit e mëdhenj, se prej tyre do t’u njohë bota” – Ciceroni

Nga Kadri Tarelli

Tani që po fashitet disi jehona e ndarjes nga jeta të shkrimtarit tonë, Ismail Kadare, letrar me shumë emër në letrat shqipe, tek ne dhe në botë, shikoj dhe dëgjoj kambana që dëgjohen deri në kupë të qiellit dhe ca këmborë që kanë më shumë se 50 e ca vjet që tingëllojnë në shurdhëri, që vetë flasin vetë dëgjojnë, ndërsa shkrimtarin e lëndojnë.

Nuk po kërkoj të analizoj veprën e shkrimtarit dhe poetit Kadare. Mjaftohem ta lexoj e ta shijoj për atë çka thotë në librat e tij të shumtë. Ka plot specialistë, shkrimtarë dhe dijetarë, të cilët kanë bërë mjaft, dhe do vazhdojnë të bëjnë, duke vënë në dukje përmbajtjen, forcën e mendimit dhe vlerat e kumtit që përcjell. Të gjitha të shtrira në kohë dhe të shkrira në artin e fjalës magjike, që të lumturon.

Nuk marr përsipër ta lëvdoj, ta ndriçoj apo ta shkishëroj emrin e tij, tashmë njohur botërisht. Madje nuk më shtyn as kodi njerëzor, as kodi shekullor i shqiptarëve, ta baltos e njollos figurën e tij, sidomos pas vdekjes së tij. As njërën nuk e kam në zakon, sepse më rëndon shumë pyetja, – Pse……!? – Kështu i përgjigjem vetes, – Nuk kam arsye, nuk kam të drejtë dhe as forcë, sepse asnjëra nuk është me mua. Forca buron nga arsyeja dhe e drejta, jo nga dëshira, cmira,  zilia e xhelozia.

Më vjen zor ta pranoj një marrëzi të tillë: Bota e lëvdon Kadarenë për veprën e tij, ndërsa ne e lëndojmë. Po të na pyesnin ne, as poshtë urave të lumit Sena në Paris, s’do ta qasnin, jo më t’i bënin ndere edhe në disa kryeqytete të botës, duke i përkthyer, njëkohësisht t’i botonin edhe libra. Fatmirësisht, janë të paktë ata njerëz, që sillen kështu! S’u vjen mirë, sikur ai u ka zënë udhën, apo u bën hije duke u zënë dritën e diellit.

Ç’bëhet kështu me ne dhe figurat tona të ndritura…!? Mes nesh janë ata që çuditërisht mërziten, turfullojnë, trazojnë e rrëmojnë në biografinë dhe jetën e tij personale, duke mos u afruar te vepra. Ndaj më lind pyetja: – Çfarë fitojnë! – Jam i bindur se asgjë. Po çfarë humbasin? – duhen pyetur, – pasi çdo kush e di mirë se koha çmon dhe mbart vlerat, ndërsa vogëlimat dhe vogëlushët që përpiqen t’i madhojnë e të madhohen, i flak tej pa mëshirë! Dikur kam shkruar: “Koha mban hanxharë,/ kë e le të dytë dhe kë e tërheq zvarrë”. K. Tarelli. “Koha në vargje”. Poezia “Agolli-Kadare”. Viti i botimit 2020.

Më vjen keq që fjalën “çudi” dhe “çuditërisht”, më duhet ta përdor shpesh, por nuk e shmang dot, pasi edhe disa nga ata që janë të ditur dhe disa që e mbajnë veten si të kënduar, na thonë që vepra duhet studiuar bashkë me jetën dhe biografinë e autorit. – Bukur, le ta shkruajnë biografët, kush i pengon…!? Ne na heqin kërshërinë…. dhe i falënderojmë! Ndërsa, ca të tjerë po thonë, se dashje pa dashje në vepër gjejmë shpirtin e autorit. Sa mirë…..! Le të merren kritikët dhe unë këtyre i besoj, pasi shkrimtari shpreh atë që ndjen vetë dhe jo atë që duan të tjerët. Ashtu si këndonjësi, që s’mund të kënaqet me të tjerët dhe për të tjerët…..!

Më pëlqen të citoj pak fjalë të poetit filozof, Virgjili, që na vijnë si mësime nga lashtësia: “Gjithkush ka kohën e vet për të jetuar. Jeta për të gjithë është e shkurtër dhe e papërsëritshme: Të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është e arritja e virtutit”.

Këtu besoj kam të drejtë të rrëfej një bisedë të shkurtër: Kohë më parë, duke pirë kafe me një mikun tim, lexues i pasionuar, ku vetiu lindi biseda rreth krijimtarisë së shkrimtarit Kadare. Nuk hymë në diskutim, pasi që në fjalët e para, më thotë:

– Ismailit i kam lexuar, gati të gjithë librat e tij, por nuk më pëlqen, pasi rri shumë serioz dhe është i ftohtë, mëndje madh, duket sikur nuk përfill njeri…. etj, etj! – Unë nuk e zgjata dhe i thashë duke e parë drejt në sy:

-A e ke takuar ndonjëherë dhe ç’borxh të ka mbetur? Edhe unë si ty mendoj. Ti ke të drejtë..! Edhe mua s’më pëlqen fare! – Vura re që i ndritën sytë, – E di pse, sepse i ka flokët si gjemba iriqi dhe mban syze me xhama të trashë. – Ai e kuptoi ironinë dhe nuk foli më.

Ajo që më shqetëson është mania për të goditur njeriun, poetin e talentuar apo shkrimtarin e suksesshëm, që arriti majat e letërsisë. Më ngjan si një lloj epidemie që përhapet në mesin e shoqërisë sonë, dhe turma vrapon kush e kush të dalë më i parë, në goditjet ndaj cilitdo që do të ishte në vend të Kadaresë.

Po pranoj për një moment se ky grupim kundërshtarësh ka të drejtë të rebelohet, të mërzitet, të trishtohet ndaj madhështisë së shkrimtarit Kadare. Po në zemërim e sipër, qëllimisht harrojnë se Komunizmin dhe diktaturën nuk e solli, as e mbolli Kadare. Mbase pritën që diktaturën dhe sistemin shtypës më të organizuar në Shqipëri, ta rrëzonin vargjet dhe shkrimet e Kadaresë…! Mbase……! Por në gjykim e sipër shtyhem të vazhdoj pyetjen: Pse nuk e kthejnë pasqyrën nga vetja: Ku ishin këta trima që nuk rrokën armët, që nuk luftuan dhe të bëheshin heronj, që t’i ngrinim lapidarë dhe përmendore. Vërtet disa guxuan, po ku përfunduan….!? kështu më mbetet të them: Kryqëzojeni diktaturën që nga mëngjesi deri në agimin e ditë së re, shpagimin mos e kërkoni te shkrimtari apo poeti. “Ai nuk është hero dhe nuk mund të bëhet hero”. Këto dy falët e fundit i ka thënë vetë Kadare në një intervistë vite më parë.

Si bashkëkohës i gjithë sistemit komunist 50 vjeçar, ashtu edhe këto 32 vite të tranzicionit të zgjatur, të dhunuar e të shëmtuar, s’besoj se gaboj, kur shprehem kështu: – “Detyrat dhe postet drejtuese në shtet, t’i japin, t’i ngarkojnë, madje edhe kur nuk i pranon, ndërsa vlerësimet, nderimet, titujt dhe çmimet, nuk kërkohen, nuk falen, as dhurohen, por fitohen vetëm me talent dhe punë madhore”. Këtë gjest, si mësim apo veprim e bëri bota. Nuk i dha “Nobel”, por shumë tituj nderi të tjerë dhe çmime po aq të fisëm.

As më shkon në mendje të ngulmoj e të mbush mendjen e askujt, por flasin veprat e Kadaresë të përkthyera në 45 gjuhë të botës. Cili shkrimtar i yni, është përkthyer e lexuar në kaq gjuhë të botës, duke filluar që nga vitet 30, të shekullit të kaluar, që i mbajmë si model shkrimtarie, përfshi edhe periudhën e komunizmit dhe pas rënies së tij…? Nuk besoj se bota e bën për hatër të Kadaresë, as për hatrin e shqiptarëve. Vetëm kaq mjafton të mendojmë e të gjykojmë me mendje të ftohtë.

Në këtë amulli të diskutimit “Kadare”, që nuk po zbehet, por vazhdon të kryesojë emisionet televizive, shtypin e përditshëm edhe portalet elektronike, ku nuk përjashtohen edhe bisedat e zakonshme nëpër tavolina kafeneje, dikush bëri një pyetje që mbeti varur, pa u mbërthyer në gozhdë: – Pse ndodh kështu me Kadarenë……!? Është i vetmi shkrimtar shqiptar, që prej kohësh s’pushojnë qëndrimet pro dhe kundër?

Përgjigja duhet kërkuar që në burim, mbase më parë. Por formë të organizuar, si ushtarët në komandë, u duk qartë rreth viteve 1970-1971, kur u botua romani “Dimri i vetmisë së madhe”, që më pas u titullua “Dimri i madh”. Bashkëkohësit e mbajnë mend mirë, si nisi fushata e diskutimit nëpër tubime e qendra pune, por harrojnë të thonë: Si u shuan pa nam e nishan poema në vargje, “Shqiponjat fluturojnë lart” dhe plot poezi të autorit, botuar në libra të ndryshëm? A duan përgjigje pyetjet: – Pse duhej? Kush e nisi dhe si bitisi gjithë ajo zhurmë apo zallamahi, që përfshiu të madh e të vogël, në qytet dhe në fashat, duke nënvizuar me laps “gabimet”, apo “tradhtinë” e shkrimtarit, kundra Partisë dhe nxinte Socializmin tonë fitimtar…..?

Më duket se harrojmë edhe diçka tjetër: Të vërtetën, që fushatën nuk e ideuan as e organizuan kundërshtarët politik apo të burgosurit e luftës së klasave, as të internuarit nëpër fushën e Myzeqesë e përtej, as ata që kishin njollë në biografi. Kush guxonte të hapte një diskutim të tillë, pa lejen e Partisë…?

Lart në kupolën politike u gjykua, se romani dhe autori duheshin ndëshkuar, pasi diku kishte futur “gjemba nën samar”, apo “gozhdë në këpucë”, që e shponin sistemin dhe pushtetarët, sa herë që ngarkohej dhe nisej për udhë. Ishin po të vetët e Kadaresë, komunistët, që me përvojën e “Gjyqeve popullore”, të viteve 1945-1946, ku turma ishte edhe “prokuror” edhe “gjykatës”, (po ta lejonin bëhej pjesëtar në skuadër pushkatimi, ose bëhej edhe xhelat), që kërkonin ta varrosnin autorin dhe librin, duke larë duart si Pont Pilati, se kështu “Vendosi populli” dhe u dëgjua “zëri i masave”.

Çuditërisht “gjyqi” u ndërpre pa vendim përfundimtar, vetëm me një fjalë goje nga “Zeusi”. Kështu shkrimtari Kadare nuk u ndëshkua, por nuk iu kërkua as falje për shqetësimin. Në këtë rast, ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte: fushata u fashit, u tulat në vetvete, por nuk u mbyll, duke lenë derën hapur për vitet në vijim, duke ardhur deri në ditët e sotme, edhe pse komunizmi u përmbys. Madje na mbetën nëpër këmbë kritizerët e zellshëm, që bënë sikur heshtën, duke ndërruar xhaketën. Sot nuk dihet kush bërtet më shumë, të vjetrit apo të rinjtë, sepse kritizerëve të parë u janë bashkuar edhe të vuajturit e diktaturës, të ndëshkuar nga lufta e klasave, që nuk dinë ku të marrin hak. Më lehtë qenka të godasin një shkrimtar.

Në këtë udhë të mendimit, nuk më vjen mirë ta pranoj, por kështu ka ndodhur: I dhamë botës dy veprime të shëmtuara, që na nxijnë fytyrën para tyre:

  1. Flet-rrufetë, huazuar nga kinezët, por që u shtri në mbarë vendin, sidomos nëpër qytete. Fletë-rrufetë, ndëshkonin apo “vrisnin” individin pa gjak, më keq se litari dhe plumbi, pasi damka e turpit dhe fajit u mbetej për gjithë jetën, duke u treguar me gisht.
  2. Letrat anonime, si prerje bese, frike dhe shfaqje e paburrërisë dhe traditës, për ta thënë fjalën në sy, apo përballë në kuvend. U bë një praktikë e njohur gati zyrtarisht, por që fatkeqësisht vazhdoi edhe pas viteve 90-të. Sot me përbuzje përmendet dosja e mbushur kundër Kadaresë, për çmimin “Nobel”, madje në këtë lukuni, përfshirë janë edhe zyrtarë shqiptar. Nuk di si do të ndjehen autorët, nëse një ditë, kjo dosje do të publikohet?

Por ajo që më dhemb, është tallja dhe mosbesimi që vetiu lind ndaj ne shqiptarëve, nga nëpunësit e Evropit dhe të botës, që kanë të drejtë të mendojnë, pa na e thënë në sy: “Kur ju nuk doni njëri-tjetrin, mos prisnin t’u duam ne…..!”

Mbase e kam gabim, por një gjë nuk kemi arritur të kuptojmë e mësojmë ne shqiptarët: Madhështinë e Kadaresë nuk e mposhti dot diktatura, që bluante mish e kocka bashkë, aq më pak mund të cenohet emri i tij nga diskutimet tona pa bereqet. Ai tashmë renditet në elitën e krijuesve të letrave shqipe, këtu dhe në botë. Dhe ne, duhet të ndjehemi mirë në krenarinë tonë.

Personaliteti Kadare, le të mbetet si mësim për t’i gjykuar gjërat më shtruar, për t’i parë e peshuar vlerat krijuese që i duhen mbarë shoqërisë dhe Shqipërisë, duke veçuar gabimet rastësore dhe dobësitë njerëzore. Duam apo nuk duam ne, koha është gjykatësi më i madh dhe i pamëshirshëm. Le t’ia lemë asaj të vendosë…..! Jam në një mendje me filozofin tonë Alfred Uçi, kur thotë: Gjykatësi më i mirë i një vepre, tashmë dihet se kush është: njerëzit e thjeshtë dhe koha”.

Si shumë të tjerë edhe unë besoj, se kam të drejtë të mendoj e gjykoj, për shkrimtarin tonë Kadare, i cili edhe pse nuk është më mes nesh, është i vetmi, si askush tjetër, që trazon ujërat, duke na futur në rrahje mendimesh, kundërshti dhe pajtim pikëpamjesh, sa praktike aq edhe psikologjike e filozofike.

Kadare është dhe mbetet një emër që na bën nder të gjithëve, pasi mund të mburremi pa frikë, se raca shqiptare, e copëtuar, e ngjeshur, e shtrënguar në një pëllëmbë vend, paska të tillë krijues për t’u matur si i barabartë me të mëdhenjtë e botës.

Koha dhe bota e ka ngritur në qiell, duke i lenë vend në panteonin e njerëzve të mëdhenj, për t’u kujtuar në përjetësi. Ne ç’na mbetet….!? – Ciceroni, nga lashtësia na mëson: – “O popuj, ruani njerëzit e mëdhenj, se prej tyre do t’u njohë bota”.

Kadri Tarelli

Korrik 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok