22/12/2024

Ju kanë mashtruar zoti Hoti!

0
u6_Enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi

Letër kryeministrit të mandatuar të Kosovës, zotit Abdullah Hoti!

I nderuar zoti Hoti,

Sinqerisht ju them se gjatë gjithë karrierës tuaj politike ju kam parë ndryshe nga sa i shihja disa të tjerë. Kam menduar dhe besuar shumë se ju keni të kultivuara disa cilësi njerëzore të ngjashme me ato të presidentit historik, Ibrahim Rugova! Madje nuk e kam vënë në dyshim as patriotizmin tuaj, ashtu si nuk kontestohet në asnjë rrethanë patriotizmi i Ibrahim Rugovës. Por kam parë me dyshim lëvizjet tuaja politike gjatë kohës së bisedimeve për krijimin e koalicionit me Vetëvendosjen dhe sidomos dëshirën tuaj të sotme për të marrë rolin e politikanit kryesor aktiv me kushtetutë të Kosovës.

Përshtypja ime është se po ju përdorin dhe keqpërdorin, zoti Hoti. Dhe nëse ndodh kjo, atëherë urtësia juaj shndërrohet në të kundërtën e urtësisë së të madhit Rugova, thjeshtësia juaj bëhet njësh me arrogancën e politikanëve që po të bëjnë kryeministër, pavendosmëria juaj bëhet shkak për një kosto historike për Kosovën. Ibrahim Rugova ishte i urtë, por nuk ishte i kompromiseve të rrezikshme. Ai dinte të thoshte JO! Psh tha se “Kryet ma prisni, por mendimin nuk ma ndërroni”! Ose “Jap dorëheqjen, por unë nuk pranoj që t’u bëj thirrje shqiptarëve të marrin pjesë në një palë zgjedhje të një shteti, sovranitetin e të cilit ne nuk e njohim në Kosovë”. Kështu i thoshte ai edhe amerikanëve, megjithëse i donte me shpirt.

Po ju zoti Hoti? Jam skeptik për “urtësinë”, vendosmërinë dhe këmbënguljen tuaj në mbrojtje të interesit të Kosovës. Po kush tjetër veç kryeministrit duhet t’i mbrojë me vendosmëri e dinjitet interesat e shtetit të tij?! Dhe më lejoni ta arsyetoj këtë skepticizëm:

Para dy vitesh ju deklaronit se “Asnjë qeveri e zgjedhur me 61 votat e deputetëve dhe e kushtëzuar nga Lista Srpska nuk mund të jetë stabile. A jeni ju sot i interesuar të krijoni një qeveri instabile, pra të paqëndrueshme?! A do të thotë se kjo qeveri në ardhje nuk është qeveria e duhur, sepse krijon destabilitet politik, siç thoni ju?! Çfarë ka ndryshuar sot nga situata e para dy viteve, që pranoni të krijoni një kabinet qeveritar të kushtëzuar nga Lista Srpska dhe Beogradi?! Nuk e di sa jeni i vetëdijshëm edhe për faktin se së paku gjysma e deputetëve që do t’ju votojnë është argat i Beogradit, përfshirë ortakun e kryetarit të partisë ku ju bëni pjesë, presidentin Thaçi.

Skepticizmi im rritet edhe për disa qëndrime tuajat në këto kohë të trazuara, zoti Hoti. Ju keni bërë disa takime me zotin Grenell, por asnjëherë nuk u thatë qytetarëve se çfarë është përmbajtja e diskutimeve në ato takime. Madje në deklaratat tuaja sikur është diskutuar për hënën e jo për Kosovën. Shtrohet pyetja skeptike: Pse nuk jeni transparent, zoti Hoti? Dini diçka që s’duhet thënë dhe e fshihni, apo çfarë?! Ibrahim Rugova ishte mistik, por me qytetarët e vet ishte i hapur. Nuk lejonte dyzimin e tyre, nuk pranonte të shihej me dyshim nga ata, të cilëve ai u shërbente. Kjo karakteristikë duket se ju mungon ju. Më vjen keq, por duhet thënë se mungesa e transparencës ju bën ju të rreshtoheni me etsabilishmentin e politikanëve të dështuar dhe të korruptuar të këtyre 12 viteve!

Ju po vini në krye të ekzekutivit të Kosovës me një projekt në dorë. Ndërsa qytetarët e Kosovës nuk e dinë se cili është ky projekt, sa i përket marrëveshjes që duhet të nënshkruar me Serbinë, marrëveshje e parapërgatitur nga Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq. Unë akoma shpresoj se ju, i nderuar zoti Hoti, do të bëheni barrikadë e realizimit të një marrëveshjeje që e dëmton Kosovën. Nëse një fshat i Kosovës së sotme nesër do jetë pjesë e Serbisë, atëherë kjo do të konsiderohet tradhti, zoti Hoti! Prandaj ju lutem mos u bëni argat i tradhtisë!

Në analizën time ju po bëheni kryeministër për të lejuar që ëndrra e Serbisë së Madhe të bëhet realitet! Mos u bëni pjesë e kësaj lojë antishqiptare, sepse ju jeni i ri në moshë e në politikë. Mos e konsumoni karrierën politike dhe integritetin tuaj në disa muaj! Mendoni se Kosova dhe kombi nuk do t’ju falin as ju, krahas Hashim Thaçit, Edi Ramës, Baton Haxhiut dhe gjithë këshilltarëve e lëpirësve të Thaçit, Vuçiqit dhe Ramës! Aq sa mund të falen krimet serbe në Kosovë, aq mund të falet krimi që ju mund ta lejoni me vetëdije t’i bëhet Kosovës pas 21 viteve në liri!

Nëse e merrni seriozisht këtë letër publike dhe nëse reflektoni, jeni akoma në kohë t’i jepni fund aventurës në të cilën ju ka futur Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe zoti Grenell! Dijeni se ashtu siç morët në koalicion kushtëzues Listën Srpska, ashtu do të jeni i kushtëzuar si kryeministër nga Beogradi dhe miqtë e Serbisë në Prishtinë! Ndaj ju lutem jepni dorëheqjen akoma pa marrë votëbesimin në parlament! Nëse do ta bëni këtë akt do të mbeteni në histori si politikan atdhetar dhe i përkushtuar për paqe, integritet, dinjitet dhe stabilitet në Kosovë e në të gjithë rajonin! Ju kanë mashtruar zoti Abdullah Hoti!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok