14/10/2024

Jo dashuri por duet me një të panjohur

0

Jo dashuri por duet me një të panjohur. Ky është titulli që mund t’i vësh hitparadës më të nxehtë muzikore të kësaj vere në ekranet shqiptare. Nga Eranda Libohova dhe Mariza Ikonomi tek Florian Mumajesi e Bleona Qerreti, në radhët e dysheve i gjen pothuajse të gjithë ata që konsiderohen tanimë si “Big”, me më të rinjtë si Big Basta, Erik, Luari apo H. Krasniqi, duke përfshirë edhe ato që më shumë janë të njohura si femra kopertinash si Zajmina Vasjari, por edhe duetin e paralajmëruar dhe ende të munguar Çijleta-Ingrid Gjoni, pa harruar Getoarin në një duet me të gjithë që nga Elvana Gjata dhe Genta Ismajli e deri tek Flori. Modë apo biznes? Flori&Luar, Mariza&Erik, Eranda&BigBasta rrëfejnë për “MAPO” historitë e tyre të dashurisë së kësaj vere me duetet…

Flori dhe Luari, jo të dashur

Krejt e papërpunuar në paraqitje dhe e grimuar rëndë, por me një zë piskamë, Luar është zogu më i ri i këngës, nën kthetrat e “skifterit” të biznesit muzikor, sipërmarrësit të saj artistik, Florit. Ende ngjan me një zog inkubatori, por mbrojtësi i saj është i vendosur ta shndërrojë në mjelmë. Autostradat e qiellit shtrihen të gjata para saj, por jo të paarritshme për sytë e të dyve që besojnë se ka një “Gjithmonë”. Ky është edhe titulli i këngës të cilën Flori e ka investuar për Luarin, 18 vjeçaren gjimnaziste me prindërit biznesmenë, e cila nuk e zbulon mbiemrin e saj për mediat. Sepse Flori e ka provuar nën lëkurën e tij çfarë do të thotë të kesh identitet të ndryshueshëm dhe të mos gjejë asgjë nën variantin e emrit të tij artistik të shkurtuar Flori nga një kërkim i thjeshtë në “Google”. Dhe jo vetëm kaq. Ka vuajtur shumë më tepër djali i këngës. Prandaj ka vendosur t’ia heqë të gjitha sikletet e fillestares Luarit dhe t’ia mësojë vetë të gjitha pak e nga pak. Si fillim e shoqëron vetë në çdo takim me mediat anipse kësisoj nuk i shpëton dot pyetjes nëse e ka të dashur Luarin. Përgjigjia sigurisht është “Jo!”. Nëse jo çështje dashurie, nuk e mohon që është çështje biznesi. “Sigurisht kjo ka koston e vet, por ajo është minimale për punën që bëhet” sipas Florit. Në këtë projekt afatgjatë premtojnë të jenë një çift besnik dhe që tani kompozitori e quan “artisten time” më të voglën e këngës. Me një refren të pastër, prova e zjarrit konsiderohet e kaluar dhe tani për Luarin vjen sfida e radhës gjithnjë sipas programit të “mjeshtër” Florit dhe që është angazhimi intensiv në palestër dhe në seanca “dance”. Sigurisht që kjo nuk do të mjaftojë, sepse do t’i duhet shumë punë të voglës derisa ta shndërrojë thjeshtësinë e paraqitjes në rafinim, ngjyrën natyrale të vokalit në sofistikim dhe vullnetin e dashurinë për muzikën në profesionalizëm. Të parat Flori thotë se i ka gjetur tashmë tek Luari, të dytat duket se janë për t’u kërkuar ende. Strategjia e ndjekur e momentit është ajo e jehonës. Bëhet fjalë për jehonën e duetit i cili në fillim u duk i vakët, por ka nisur të bëhet më i ngrohtë sa më shumë transmetohet në “Supersonic Tv” dhe bilancet e para janë pozitive: kënga më e kërkuar me “sms” nga publiku i këtij ekrani muzikor, nga më të dëgjuarat në radio dhe nga më të suksesshmet në tregun e kasetave të miksuara, e piratuar tanimë edhe në zilet e celularëve dhe jo pak e komentuar… Duke ndjekur valët e strategjisë së jehonës, dyshja është në pritje të momenteve të dyta dhe të treta më të përshtatshme për të vijuar këngë pas kënge deri tek albumi. Duke presupozuar që kjo funksionon “Gjithmonë”…

Mariza dhe Eriku, aspak të njohur

Në duetin Mariza Ikonomi-Erik “piskamat” janë të Marizës edhe pse kënga është e Erikut. Në fakt kënga ishte destinuar për 19 vjeçarin dhe rastësisht u shndërrua në një duet në studion e Adi Hilës ku secili prej këngëtarëve punonte për këngën e vet inviduale. Kanë mjaftuar dy javë që nga lançimi i këngës që Eriku të marrë atë që e kërkon prej tetë vitesh dhe që është thjesht një fillim i mbarë. “Do investim kjo punë”, – thotë Erik që prej tetë vjetësh merret çdo ditë me muzikë, që sapo ka marrë rezultate maksimale në garën për në Akademinë e Arteve, dega e Kantos dhe që numëron tre pjesëmarrje në Top Fest me muzikë BMV (gjithçka e bërë vetë që nga kompozimi e deri tek teksti), pa shkuar pas deri tek festivalet e fëmijëve në Shkodër. Mariza i ka kaluar e mbështjellë me kadifen e ngrohtë të suksesit të gjitha fazat e veta të këngës dhe po ndjek thjesht trendin e momentit, të përthyer sipas shijes së saj muzikore. Megjithatë propozimin për këtë duet e mori nga “Eurostar” pasi dëgjoi dhe u tërhoq nga zëri i Erikut. “Mendova t’i jepja një shans këtij djali, sepse ka vërtet talent. Pastaj kemi edhe një kombinim shumë të mirë zërash. Kam edhe një përvojë të mirë me duetet. Mua në përgjithësi më kanë pëlqyer shumë materialet që më janë dhënë për duet. E kam nisur në festival pikërisht me një duet, atë me Françesk Radin dhe kam vërtet kujtime të bukura nga ajo këngë e parë”, – tregon Mariza e cila do të kishte preferuar të bënte më shumë duete, sidomos me Alma Bektashin, Aurela Gaçen dhe Irma Libohovën. “Por duetet janë edhe më të vështirë. Kërkojnë më shumë përkushtim, prandaj janë më të rrallë. Kërkojnë kombinacione të mira dhe sigurisht duhet të ketë dialog”, – sipas Marizës. Nuk e mohon që këtë tendencë për duete momentalisht e udhëheq ideja për të bërë diçka të re, për të krijuar një imazh të ri, por është edhe një mënyrë e mirë për të lançuar zëra të rinj ose më pak të dëgjuar si në rastin e Erikut. Plani më i afërt për një duet tjetër i Marizës shkon në Kosovë, por ende nuk e zbulon se me kë. Ndërkohë në proces ka albumin me muzikë popullore të moderuar ku do të edhe elementë rrymash që nga buda-bar, bluzi, xhazi dhe deri tek roku alternative, rryma të pashfrytëzuara, ndërsa do të jetë pjesëmarrëse edhe në “100 këngët e shekullit” që nis më 15 shtator. Pas “dashurisë” së shkurtër të verës me duetin e radhës, rrugët e Marizës dhe Erikut ndahen sërish për të mbetur dy të panjohur, që u panë vetëm për katër ditë gjatë xhirimeve për videoklipin, ndërsa në studio kanë regjistruar secili në kohën e vet, por që do të vazhdojnë të jetë bashkë gjatë gjithë vjeshtës në ekran.

Eranda dhe Big Basta, komshinj në lagje

Ai është çuni tipik i lagjes. Mund ta gjesh gjithë ditën tek “Futbollisti” në lagjen e Rrugës së Durrësit. Por ka ëndërruar gjithnjë të ishte në një duet me Eranda Lubohovën, të cilën e ka komshije dhe shpesh i kanë premtuar njëri-tjetrit kalimthi në rrugë të kishin një bashkëpunim, edhe pse asgjë nuk i bashkon në stil muzikor. Po kaq rastësore sa bashkëjetesa në një lagje ka qenë edhe ftesa për t’u bërë bashkë në një duet. Të dyve u ka ardhur nga një i tretë, Adi Hila, për një këngë me tekst të Pandi Laços, e cila ishte destinuar për Erandën. Big Basta i cili thotë se e ka pagëzuar vetë veten Bastard dhe tanimë në lagje të gjithë e thërrasin kështu, tregon se ka thënë menjëherë po, sepse një duet i këtij lloji “është një mënyrë e mirë për të reklamuar veten”. Fjalët e huaja në protugalisht dhe në spanjish tek “Çoko dhe Kakao” janë tendenca brenda tendencës dhe fjalët në gojën e Big Bastës janë të gjitha të vendosura në kohë rekord, pas përfshirjes së tij në këngë. Por Big Bastës nuk i mungojnë duetet me grupin Burn, Vinin, Ojadën, DjBlunt, Stinen. Para pesë vitesh ka qenë pjesë e grupit “Suit Company” dhe e ka nisur duke u bërë këngë zyshave dhe duke kënduar nëpër pube. “Por ishte e vështirë, sepse Tirana është një qytet i ftohtë”,- shprehet Geri, i cili pohon gjithashtu se e ndjen veten një zezak të vërtetë në Shqipëri. “Mendoj se zezakët janë kopje si shqiptarët dhe kemi shumë problme sociale të ngjashme”, – pohon Geri i cili studion Sociologji në Universitetin e Tiranës. Tanimë 21 vjeç, repi është profesioni i tij dhe të ardhurat i siguron duke bërë tekste këngësh. Viedoklipi i këngës me Erandën është xhiruar në Jal dhe në Gjipe.

Shkruar nga : Belina Budini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok