20/12/2024

Jo Bashkimi Europian, por Rama dhe Soreca duhet “të shkojnë në djall”!

0
Enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi

Edi Rama dje nga Greqia sulmoi edhe njëherë Bashkimin Europian. “Në djall Europa”, tha! As aleatja më e ngushtë e Rusisë në Ballkan, pra as Serbia nuk është deklaruar kurrë me këtë gjuhë perverse! Rama dëshmoi për të disatën herë se “dasma u mblodh dy herë, por nusja nuk erdhi”! Veten e tij e shpalli „dhëndër“ e Europën “nusen” e tij. Në fakt „nusja“ nuk erdhi, sepse dhëndëri është bërë „nuse“ për Beogradin! Flirton edhe me Ankaranë. Gjithnjë kundër Bashkimit Europian. E këtij anti-europiani i ndihëmon pa rezerva i dërguari i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca!

Ndërsa zëdhënësi i Komisionerit për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Europë, Peter Stano, nga Brukseli shkroi në Twiter qëndrimin për kritikat dhe padinë e Aleancës për Teatrin në Tiranë kundër shefit të misionit Luigi Soreca. Në përmbajtjen e deklarimit të tij vihen re dy elementë:

Së pari, mohimi dhe përgenjështrimi i akuzave që i kanë shkuar SPAK nga kjo aleancë për zotin Soreca. Më pas vjen paragjykimi ose kundër akuza. Sipas Stane, në Shqipëri paska forca të caktuara anti-europiane, të cilat kritikojnë pa të drejtë, ose shpifin ndaj përfaqësuesit të tij në Tiranë. Kjo mund të trajtohet si presion ndaj drejtësisë gjithashtu, edhe pse mundet që diplomatët nuk mund të hetohen.

Ai shënim në Tëiter më ngjau identik me pafytyrësinë e politikës shqiptare. M’u duk sikur arrogance e qeverisë Rama dhe Bashkisë së Veliajt është transferuar të zëdhënësi i BE-së! Dhe kjo është një arsye më shumë për t’u zhgënjyer nga burokracia e Brukselit. Që në fillim do të them se Bashkimi Europian është një projekt i mrekullueshëm, sikur atë të mos e cënonin në identitet dhe konstruktin e vet burokratët e këtij Bashkimi. Aq negativisht ndikojnë këta burokratë sa edhe populistët europianë. Në fakt edhe populistët anti-BE të vendeve europiane përdorin si lëndë të parë burokracinë e Brukselit për të nxit skepticizmin në kontinent.

Por është mirë që deklaratën e zëdhënësit të Borrell ta analizojmë në të dy dimensioned e mësipërme.

Stano merr përsipër të mohojë pretendimet e Aleancës për Teatrin pa bërë asnjë investigim, asnjë hetim dhe asnjë përpjekje për ta sqaruar situatën në Tiranë. Kjo është tipike burokraci arrogante e qeverisjeve jo demokratike. Ndërkaq BE shihet nga cdokush si modeli i demokracisë në botë. Por burokrati Stano, sigurisht në emër të burokratit tjetër – Borrell, merr përsipër rolin e Zeusit, të vendimmarrësit për ta përcaktuar të vërtetën dhe për ta shprehur realitetin në Tiranë.

Nëse nisemi nga e vërteta dhe ndodhitë e Tiranës e raportin që ka Sorenca me këtë të vërtetë, atëherë duhet lajmëruar zoti Borrel përmes zotit Stano se Luigi Sorenca nuk sillet si diplomat europian në kryeqytetin shqiptar. Ai duhet ta dijë se shefi i misionit të BE-së në Tiranë mbështet pa kushte kryetarin e Bashkisë së Tiranës e kryeministrin e Shqipërisë dhe mban një distancë të pakuptueshme me opozitën dhe zërat kritikë ndaj zotit Rama e zotit Veliaj. Madje ai u vjen në ndihmë këtyre dy protoganiztëve të prishjes së kundraligjshme të teatrit kombëtar.

Ndërsa ditën që Gjykata Kushtetuese do të shqyrtonte dhe merrte vendimin për kushtetutshmërinë e vendimmarrjes së Ramës e Veliajt për prishjen e Teatrit Kombëtar, Luigi Soreca ka hyrë në këtë gjykatë dhe ka takuar kryetaren e saj. Ky takim nuk ishte bërë i ditur në axhendën e ditës, nuk u njoftua me një komunikatë për media. Asnjëra palë nuk tha asgjë pse ndodhi takimi pikërisht në këtë ditë e pak orë më parë se të mblidhje Gjykata Kushtetuese. Ndërkaq Luigi doli nga dera e pasme e godinës, duke iu shmangur syrit të publikut.

Nëse nisemi nga principi i transparencës, të cilën ne e kemi njohur nga statuti ose kushtetuta europiane, të gjitha këto veprime të përfaqësuesit të Borrell-it në Tiranë, trashëguar nga Mogherini, rezultojnë jo transparente. Mos-transparenca është irracionale. Ata që fshihen dhe nuk tregohen transparentë, ata fshehin dicka ose shumëcka në veprimtarinë e tyre politike, diplomatike apo në një fushë tjetër. Luigji Soreca fsheh të vërtetën para publikut, ndaj duhen hetime e investigime për këtë.

Në fakt, kur është fjala për gjyqësorin dhe qëndrimin ndaj tij, nuk vlen as fjala transparencë. Asnjë ambasador, ndër ta dhe Luigi Soreca, nuk kanë tagër të takohen me gjyqtarët e një vendi sovran, sepse ndryshe kjo do të konsiderohej në secilin rast ndërhyrje në punët e gjyqësorit. Përse përfaqësuesi i misionit të BE-së apo ndonjë ambasador tjetër duhet të takohen vetëm për vetëm e jashtë kamerave dhe syrit të publikut me një kryetar gjykate ose me një gjyqtar apo prokuror?! Ligji ndalon ndërhyrjen në punën e gjykatave të politikës. Ndalon kontaktet e gjyqtarëve dhe prokurorëve me kriminelë ose njerëz të tjerë jashtë rrethit të tyre. E gjitha kjo është vendosur në respekt të punës së pavarur dhe mos-ndikimin e gjyqësorit. Kontaktet me ambasadorë e ndikojnë secilin gjyqtar e prokuror e për këtë arsye padrejtësia mund të jetë produkti i vendimmarrjes së tyre. Pse atëherë diplomatët paskan të drejtë të kontaktojnë me gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese?! A nuk është kjo ndërhyrje në punët e saj?! Kush, cili ligj e cila kushtetutë ua jep këtë të drejtë diplomatëve europianë apo të vendeve të tjera?! Qoftë dhe për këtë arsye, Peter Stano duhej të reflektonte, në vend që të akuzonte!

Kur nuk ka transparencë dhe kur dikush shkel etikën duke u takuar personalisht vetëm me një gjyqtar ose prokuror, lind e drejta legjitime për dyshime në kërkim të së vërtetës. Aleanca për Teatrin ka shfaqur dyshimet e saj dhe i ka kërkuar SPAK të hetojë për këtë ceshtje. Kërkesa publike e Aleancës për Teatrin për ta sqaruar këtë raport të Sorencës me zonjën Tusha është e drejtë qytetare e patjetërsueshme.

Pse atëherë zëdhënësi i zotit Borrell i akuzoi shqiptarët që I rezistojnë Sorencas, Ramës dhe Veliajt i trajton si konspiracionistë anti-europianë?! Nëse ai mendon se morali i BE-së vlen sa perversiteti i Sorencës, atëherë gabon. Për shqiptarët Sorenca është anti-vlerë, ndërsa BE është destinacion i tyre për shkak të vlerave që ajo ka. Për shqiptarët Sorenca është përkrahës i arrogancës dhe anti-ligjit të qeverisë shqiptare dhe Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që vlerat europiane lidhen me mbështetjen e kritikëve të qeverisë dhe të qeverisjes qendrore e lokale në këtë rast.

Te shqiptarët nuk ka anti-europianizëm dhe këtë e dinë në Bruksel. Ndaj mund të arsyetojmë se kritika për grupe të caktuara anti-europiane e zotit Stano është një lloj presioni psikologjik i veshur me arrogancë. Kjo arrogancë e tij drejtohet kundër Aleancës për Teatrin dhe grupeve kritike ndaj qeverisë e për pasojë është një qasje anti-demokratike. Në demokraci mbështetet e drejta, jo interesi për të mbrojtur një përfaqësues diplomatik të diskredituar, si Sorenca. E drejta është me Aleancën për Teatrin dhe jo me Luigin e Fredrica Mogherinit.

Për këtë arsye në Tiranë ka një shqetësim që lidhet me anësinë e shefit të misionit diplomatik europian në mbështetje të arrogancës së qeevrisjes së Tiranës. Tani ky shqetësim është përforcuar edhe më shumë nga reagimi i zëdhënësit të BE-së Peter Stano! Nuk është Aleanca për Teatrin anti-europiane, por të tillë janë Rama e Soreca. Këta të dy duhet “të shkojnë në djall”, derisa i janë kundërvënë së bashku Bashkimit Europian!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok